admin

Shna Zefi – Pajtori i Kishës e Modeli i Burrnisë

Shna Zefi
Pajtori i Kishës e Modeli i Burrnisë

Shna Zefi asht pajtori i krejt Kishës e i t’gjitha njeteve por nji karakteristikë e veçantë e tij – absolutisht e nevojshme për krizen e sotme në shoqni – asht BURRNIA e tij. 

 

Sot, si çdo gja tjeter, anmiku i t’vërtetës po tenton papushim me relativizu në shoqni çdo virtyt e çdo ligj – qoft Hyjnor, qoft natyror – e burrnia veçanrisht duket se po sulmohet ma shumë se çdo virtyt tjetër. 

 

Asht dobsimi i këtij virtyti – që asht kaq i randsishem per nji familje e shoqni te shnosht – nji ndër shkaqet e kësaj krize morale n’shoqni.

 

Ç’ka asht burrnia, pse Shna Zefi asht shembulli i persosun i ktij virtyti e pse asht kaq i nevojshem ky virtyt per shoqnin? 

 

Shum e sulmojn e tremen prej termit ‘burrni’ e shum të tjerë e abuzojn dhe e keqperdorojn kyt dhuratë prej Hyjit. 

Me pak fjalë burrnia asht ai virtyt që e ndihmon mashkullin per me kry detyrën e tij n’tokë, qoftë si babë – biologiik e shpirtnor – e qoftë si bashkëshort. Asht ai virtyt që e shtyn mashkullin me krye detyrimet e tij ndaj Perendis; me pranu e me luftu çdo sfidë që i del përpara me shpresë n’Zot; me mbajt rregull e drejtsi n’jeten e tij; me praktiku vetmohim e me rujt autoritetin e tij n’famije – autoritet i dhanun direkt prej Zotit. 

 

N’çdo familje, n’çdo shoqni e qytetnim t’shnosht këto karakteristika janë absolutisht t’nevojshme. 

 

Nese marrim Shna Zefin, shohim se t’gjitha këto karakteristika janë t’pranishme në mënyrë t’përsosun në jeten e tij. E s’kishte si me kenë ndrysh per baben birsus të Zotit tonë Jezu Krishtit. 

 

Duke nis që në fillim, tradita na tregon se mbasi Maria kishte ba betimin e dlirsis, ai i’u bashkua ktij betimi me nji vetmohim t’shkelqyshem e i qendroi besnik gjatë gjithë jetës. Kur Maria mbeti shtatzanë me Birin e Zotit, ai luftoi aq shumë me veten e pranoi turpnimin e vetes para se t’braktiste Marinë – dlirsinë e shejtninë e t’ciles e njihte shumë mirë.

Në kyt episod, na shfaqen virtyte pa fund t’Shna Zefit, duke fillu pra prej vetmohimit, pranimit të sfidave, e sidomos shpresës n’Zot. E kto t’dyja aq shkelqyshem reflektohen në udhtimin e tij për n’Betlehem e ma vonë n’braktisjen e vendlinjes, punës e rehatisë për nji vend plotsisht t’panjoftun per te, siç ishte Egjipti – per me siguru mbrojtjen e Krishtit e Marisë; e në rikthimin në vendlinje kur situata u qetsua.
 

Sa i papërfytyrushëm asht fakti se si ky burrë (edhe pse i shenjtë) cilsohet prej Zotit si i denjë për me marrë autoritet mbi krijesen ma të shenjtë që Zoti ka kriju – Marinë e Paperlyeme, e kujdes atnor mbi Zotin e gjithësisë – i mishnuem n’familjen e tij. E dimë se aq mirë e praktikoi kyt autoritet sa Jezusi e Maria i’a ndigjunen çdo fjalë – siç lexojmë në Ungjill në rikthimin e Jezusit në Nazaret nga Tempulli i Jeruzalemit mbasi Jozefi e Maria e kishin kërkua për 3 ditë, edhe pse kishte arrit moshën e pjekunisë. 

Sa i perpikt ishte ne sigurimin e jetesës për Familjen e Shenjtë duke praktiku zanatin prej marangozi e duke ia kalu kyt zanat edhe Jezusit.

E gjithë kto virtyte ishin aq t’pelqyshme n’sytë e Perëndisë sa e bekoi me mbrojtje e hire të pafund, duke përfundu me vdekjen ma të lumtun në praninë e Zojës e Zotit – prandaj asht edhe pajtori i vdekjes së lumtun. 

 

Sa kondradiktore jane gjitha kto karakteristika me ato t’burrit modern i cili përherë e ma shumë po largohet prej detyrimeve te tij ndaj Perendis, ndaj natyrës ndaj familjes e ndaj shoqnis. 

Sa eten t’krishtene sot braktisin Fenë e Krishtit – n’praktike edhe nëse jo n’parim – e mohojnë kalimin e ksaj Feje tek fmit e tyne, duke i lshu komplet te pambrojtun ne durt e anmiqve t’Kishës e t’Zotit!

Sa eten thyejnë tana urdhnimet e Zotit pa asnji hezitim, shpesh herë duke nxit edhe fmitë e tyne në at valle!

Sa eten shkëmbejnë paqen e bekimet e Zotit me rehatinë e rrejshme që bota premton!

Sa meshkuj sot lujn viktimen para pakënaqsis e sfidës ma t’vogel e sa prej tyne – mbasi bazojn krejt shpresen mbi krijesa e jo mbi Krijuesin – bahen sklleven t’frikës e t’dëshpërimit.

Sa meshkuj sot naltsojn pasionet e flliqta të trupit e kotsinat që bota ofron duke u shndërru në sklleven t’mëkatit e t’djallit.
Sa femna të dobta sot mashtrohen prej meshkujve te tillë duke u josh me fjalë boshe. Lidhje të tilla rrjedhimisht janë të destinume për me u shkatrru.
Sa fëmijë sot, për shkak të mungesës së nji figure atnore t’mirfilltë në jeten e tyne, krijojnë idhuj prej shembujve ma të rrezikshëm, ma toksik e ma djallzorë, duke i tërhjekë drejt vetshkatrrimit.

 

Ne fakt dobsimi i burrnis munena me thanë se asht edhe nji ndër shkaqet e krizës në Kishë. Si eten shpirtnor të grigjes së Zotit, autoritetet kishtare duhet të praktikojn kyt virtyt në mnyrë sa ma të persosun – sidomos përballë ksaj krize kaq shkatrruse siç asht kjo e sotmja. Sa e perhapun asht frika, turpi, tradhtia e sigurisë në Zotin ndaj rehatisë së rrejshme e pasioneve, knaqjes së botës në shkëmbim të të vërtetës, dembelizmi e neglizhenca per me kry detyrat e nevojshme per rujtjen e Fesë e shelbimin e shpirtnave prej nji pjese te madhe të autoriteteve kishatare sot.  

 

I njajti problem qendron edhe te krerët shekullar, në të cilët mbizotnon ky shpirt i anti-burrnis. Të cilët të skllavnuem prej pasioneve, frikës e lakmis braktisin detyrimet ndaj subjekteve të tyne e shperdorojnë autoritetin e tyne per knaqsi personale.

 

Ktu qendron nji ndër themelet e asaj çka quejm kriza shoqnore. Shkatërrimi i burrnis sjell shkatërrimin e familjeve. Shkatërrimi i burrnis sjell keqrritjen e brezave t’ri. E si nji efekt domino, prej ksaj vjen shkatërrimi i moraleve n’shoqni. 

 

Ta lusim pra Shna Zefin, at shembull aq sublim t’burrnis; at shembull t’atyne virtyteve aq t’pranushme e t’bekume prej Perendisë sa e naltsoi si shejtin ma t’madh mbas Shejtes Mari t’Paperlyeme; at shenjt që me veprat e tij frymzoi e ndihmoi gjatë gjithë shekujve burrat e familjet katolike t’cilat shndërrunen boten me shembullin e frytet e tyne. T’dëgjojm fjalët e Kishës Shenjte: “Ite ad Joseph!” – Shkoni te Jozefi për tana nevojat tuja!

 

Shna Zef, pajtori i Kishës e i etenve t’krishtenë lutu per ne! 

 
 

 

 

1 Janar – Rrethprerja e Krishtit

Rrethprerja e Krishtit

Mbreti dhe Shpëtimtari ynë i porsalindur sot është tetë ditësh e po ushqehet nga Nëna e Tij. Sot Biri i njeriut do të rrethpritet si një sakrificë e parë e mishit të Tij të pafajshëm. Sot do t’i jepet gjithashtu një emër: emri do të jetë Jezus dhe do të thotë Shpëtimtar.

Rrethprerja ishte një sakrament i Ligjit të Vjetër dhe respektimi i parë ligjor i kërkuar nga Zoti i Plotfuqishëm për pasardhësit e Abrahamit. Ishte një sakrament i fillimit të shërbim ndaj Perëndisë dhe një premtim e angazhim për të besuar dhe vepruar ashtu siç Ai kishte zbuluar dhe drejtuar. Ligji i rrethprerjes vazhdoi deri në vdekjen e Krishtit, kur Shpëtimtari ynë, i Cili erdhi për t’i mësuar njerëzimit bindjen ndaj ligjit të Perëndisë, për të përmbushur të gjithë drejtësinë dhe për t’iu nënshtruar atij, u bë vetë ligji. Prandaj Ai u rrethpre, që të mund të shëlbonte ata që ishin nën ligj, duke i çliruar nga skllavëria e tij; dhe që ata të cilët ishin skllevër më parë t’u jepej liria dhe të bëheshin bij të Perëndisë në Pagëzim.

 

Por kjo ditë nuk i kushtohet vetëm rrethprerjes së Jezusit. Ka edhe një arsye tjetër që meriton dashurinë dhe përkushtimin e Besimtarëve në këtë Solemnitet të madh. Kjo arsye është Maria, Nëna e Zotit. Kisha kujton sot edhe Amësinë hyjnore, e cila iu dha një krijese të thjeshtë dhe e bëri atë bashkëpunëtore me Jezusin në veprën e madhe të shpëtimit të njeriut.

 

Sot ne fëmijët e Kishës Romake, duhet të derdhim gjithë dashurinë e zemrave tona për Nënën Virgjëreshë dhe të gëzohemi me të në lumturinë e jashtëzakonshme që ajo ndjeu kur lindi Zotin tonë. Gjatë Ardhjes ne e soditëm atë si shtatzënë me shpëtimtarin e botës; ne shpallëm lavdinë e asaj Arke të Besëlidhjes së Re, kraharori i dëlirë i së cilës ishte parajsa tokësore e zgjedhur nga Mbreti i Shekujve për banesën e Tij. Tani ajo e ka sjellë Atë, Zotin-Fëmijë; ajo e adhuron atë, i cili është Biri i saj. Ajo ka të drejtë ta quajë fëmijën e saj; dhe ai, i cili është Zot, e quan atë me të vërtetën më absolute, Nëna e Tij.



 
 

 

 

27 Dhjetor – Shën Gjon Ungjilltari

Jeta e Shën Gjonit

Gjoni, Apostulli i dashur i Jezusit, i biri i Zebedeut dhe vëllai i apostullit Jakob, të cilit Herodi ia preu kokën pas mundimeve të Zotit ishte një nga të paktët fatlumë të pranishëm në Shndërrimit dhe Agonisë së Krishtit në kopsht. Në Darkën e Fundit ai mbështeti kokën në gjirin e Jezusit dhe në orët e Mundimeve, kur të tjerët kishin ikur ose mohuar Mjeshtrin e tyre, Shën Gjoni mbajti vendin e tij pranë Jezusit dhe në fund qëndroi pranë kryqit me Marinë. Nga kryqi, Shpëtimtari që po vdiste, i’a la Nënën e Tij Shën Gjonit, duke e zbuluar Marinë jo vetëm si nëna e apostullit por e mbarë njerëzimit.

Ai ishte i fundit që shkroi ungjillin. Ai e bëri këtë pas kërkesës së ipeshkvinjëve të Azisë, për të luftuar Cerintus-in dhe heretikët e tjerë, dhe veçanërisht doktrinën që atëherë filloi të dilte nga Ebionitët, të cilët pretendonin se Krishti nuk kishte ekzistuar para Marisë. Kjo frymëzoi Shën Gjonin për të na bërë të njohur lindjen hyjnore të Jezusit.

 

Në vitin e katërmbëdhjetë të Domicianit, gjatë përndjekjes nga ky princ, i dyti pas atij të Neronit, Shën Gjoni pasi u shpëtua mrekullisht nga martirizimi në voj të vluar, u dëbua në ishullin Patmos, ku shkroi Apokalipsin, të cilin e interpretuan Shën Justin Martiri dhe Shën Ireneu. Pas vdekjes së Domicianit, Senati ndaloi veprat e këtij princi të karakterizuara nga një egërsi jashtëzakonisht e madhe. Kështu, nën Nervën, Shën Gjoni mundi të kthehej në Efes dhe të qëndronte atje deri në mbretërimin e Trajanit. Ai themeloi dhe drejtoi të gjitha kishat në Azi. Më në fund, i dërrmuar nga pleqëria, ai vdiq gjashtëdhjetë e tetë vjet pas mundimeve të Shpëtimtarit dhe u varros në të njëjtin qytet të Efesit.

 

Shën Gjon Ungjilltari qëndroi në Efes deri në fund të jetës. Meqenëse dishepujt vështirë se mund ta çonin në kishë dhe ishte e pamundur për të që t’u mbante një fjalim, ai iu drejtua secilit prej tyre vetëm me këto fjalë: “Fëmijët e mi të vegjël, duajeni njëri-tjetrin.” Më në fund dishepujt e tij dhe besimtarët e pranishëm, të lodhur duke dëgjuar të njëjtën gjë pa pushim, i thanë: “Mësues, pse na e rekomandon gjithmonë këtë?” Atëherë ai u dha atyre këtë përgjigje të denjë për Gjonin: “Sepse ky është urdhërimi i Zotit; dhe nëse e përmbushni atë urdhërim, mjafton.”

 
 

 

 

Lindja e Krishtit – Pritshmëria e Të Gjithë Kombeve

Lindja e Krishtit
Pritshmëria e Të Gjithë Kombeve

Viti 5199 nga Krijimi i Botës, kur në fillim Perëndia krijoi qiellin dhe tokën; nga Përmbytja, viti 2957: nga lindja e Abrahamit, viti 2015: nga Moisiu dhe Dalja e bijve të Izraelit nga Egjipti, viti 1510; nga vajosja e Davidit mbret, viti 1032: në javën e 65 sipas profecisë së Danielit: në Olimpiadën e 194: viti 752 nga ndërtimi i qytetit të Romës: në vitin e 42-të të mbretërimit të Oktavian Augustit: në epokën e gjashtë të botës ndërsa e gjithë bota ishte në paqe: Jezu Krishti, Perëndia i përjetshëm dhe Biri i Atit të përjetshëm, duke dashur ta shenjtërojë këtë botë me ardhjen e tij më të mëshirshme, duke u ngjizur nga Shpirti i Shenjtë dhe pasi kishin kaluar nëntë muaj nga ngjizja, lindi në Betlehem të Judesë nga Virgjëresha Mari, duke u bërë njeri.
Martirologjia Romake

 
 

 

 

Ajo që e ndan Krishtin nga të gjithë njerëzit është se së pari Ai pritej; edhe johebrenjtë kishin një dëshirë të madhe për një çlirimtar ose shpengues. Ky fakt vetëm e dallon Atë nga të gjithë udhëheqësit e tjerë fetarë.

Taciti, duke folur për romakët e lashtë, thotë: “Njerëzit në përgjithësi ishin të bindur në besimin e profecive të lashta, se Lindja do të mbizotëronte dhe se nga Judea do të vinte Zoti dhe Sundimtari i botës”.

Suetoniusi, në rrëfimin e tij për jetën e Vespasianit, dëshmon kështu traditën romake: “Ishte një besim i vjetër dhe i vazhdueshëm në të gjithë Lindjen, se me anë të profecive të caktuara të padiskutueshme, hebrenjtë do të arrinin fuqinë më të lartë”.

Kina kishte të njëjtën pritshmëri; por për shkak se ishte në anën tjetër të botës, besonte se Njeriu i Urtë i madh do të lindte në Perëndim. Kronikat e Perandorisë Qiellore (Kineze) përmbajnë deklaratën: “Në vitin e 24-të të Tchao-Wang të dinastisë së Tcheou, në ditën e 8-të të hënës së 4-të (rreth 1029 Para Krishtit), një dritë u shfaq në jugperëndim që ndriçoi pallatin e mbretit. Monarku, i mahnitur nga shkëlqimi i tij, i mori në pyetje të urtët. Ata i treguan libra në të cilët kjo mrekulli nënkuptonte shfaqjen e Shenjtit të madh të Perëndimit, feja e të cilit do të vinte në vendin e tyre 1000 vjet pas lindjes së Tij.”

Edhe grekët e prisnin Atë, sepse Eskili në Prometeun e tij gjashtë shekuj para ardhjes së Tij, shkroi: “Mos prit për fundin e këtij mallkimi derisa të shfaqet Zoti, për të pranuar si zëvëndës mbi kokën e Tij mundimet e mëkateve tuaja”.

Si e dinin Të Urtrit e Lindjes për ardhjen e Tij? (Mateu 2:1-12) Ndoshta nga profecitë e shumta të qarkulluara nëpër botë nga judenjtë, si dhe nga profecitë e bëra johebrenjve nga Danieli shekuj para lindjes së Tij. Disa mendojnë se ata ishin ndjekës të profecive të Zoroastrit në të cilat parashikon mishërimin e Krishtit. 

Ciceroni, pasi tregoi thëniet e orakujve të lashtë dhe të Sibilës për një “Mbret të cilin duhet ta pranojmë për t’u shpëtuar”, pyeti: “Cilit njeri dhe cilës periudhë kohore i drejtohen këto parashikime?” Eklogu i Katërt i Virgjilit tregoi të njëjtën traditë të lashtë dhe foli për “një grua të dëlirë, që i buzëqeshte djalit të saj të sapolindur, me të cilin do të kalonte epoka e hekurit”. 

Suetoniusi citoi një autor bashkëkohor që thonte se romakët kishin aq frikë nga një mbret që do të sundonte botën, saqë ata urdhëruan të vriteshin të gjithë fëmijët e lindur atë vit – një urdhër që nuk u përmbush, përveçse nga Herodi.

Jo vetëm që hebrenjtë prisnin lindjen e një Mbreti të Madh, një Njeriu të Urtë dhe të një Shpëtimtari, por Platoni dhe Sokrati folën gjithashtu për Logos-in dhe për Njeriun e Urtë Universal “që do të vijë”.
 

Konfuci foli për “shenjtin”; Sibilat, për një “Mbret Universal”; dramaturgët grek, për një shpëtimtar dhe shpengues që do çlironte njeriun nga “mallkimi më i vjetër”. 

E kush mund të injorojë profecitë judease për Krishtin të parathëna me shekuj para ardhjes së tij dhe të plotësuara vetëm nga Ai?

1. Mesia do të lindë në Betlehem

Mikea 5:2; përmbushur në Mat. 2:1-7; Gjoni 7:42; Lluka 2:4-7

2. Mesia do të paraprihet nga një i Dërguar

Isaia 40:3; Malakia 3:1; përmbushur te Mateu 3:1-3; 11:10; Gjoni 1:23; Luka 1:17

3. Mesia do të hyjë në Jerusalem mbi një gomar

Zakaria 9:9; përmbushur te Luka 35-37; Mateu 21:6-11

4. Mesia do të tradhtohet nga një mik

Psalmet 41:9; 55:12-14; përmbushur te Mateu 10:4; 26:49-50; Gjoni 13:21

5. Mesia do të shitet për 30 monedha argjendi

Zakaria 11:12; përmbushur te Mateu 26:15; 27:3


6. Paratë për të cilat shitet Mesia duhet të hidhen në shtëpinë e Perëndisë

Zakaria 11:13; përmbushur te Mateu 27:5-7

7. Mesia do të lindë nga një virgjëreshë

Isaia 7:14; përmbushur te Mateu 1:18-2:1; Luka 1:26-35

8. Mesia do urrehet pa shkak

Isaia 49:7; Psalmi 69:5; përmbushur te Gjoni 15:24-25

9. Mesia do të heshtë përpara akuzuesve të Tij

Isaia 53:7; përmbushur te Mateu 27:12

10. Mesia do të ekzekutohet me kryqëzim, duke i shpuar duart dhe këmbët

Psalmi 22:16; përmbushur te Gjoni 19:28

11. Mesias do t’i jepet uthull për të shuar etjen e Tij

Psalmi 69:22; përmbushur te Mateu 27:34

12. Mesia do të ekzekutohet pa i thyer një kockë

Eksodi 12:46; Psalmi 34:21; përmbushur te Gjoni 19:33-36

13. Mesia do të varroset me të pasurit kur të vdesë

Isaia 53:9; përmbushur te Mateu 27:57-60

14. Mesia do të ringjallet nga të vdekurit

Isaia 53:9-10; Psalmi 2:7; 16:10; përmbushur te Mateu 28:1-20; Veprat e Apostujve 2:23-36;13;33-37; 1 Korintasve 11:4-6

15. Mesia do të ekzekutohet me kryqëzim si hajdut

Psalmi 22:16; Zakaria 12:10; Isaia 53:5, 12; përmbushur te Lluka 23:33; Gjoni 20:25; Mateu 27:38; Marku 5:27, 28

Një fakt i dytë dallues është se sapo u shfaq, Ai e preku historinë me një ndikim të tillë sa e ndau atë në dysh, duke e ndarë në dy periudha: njëra para ardhjes së Tij, tjetra pas saj. Buda nuk e bëri këtë, as ndonjë nga filozofët e mëdhenj indianë. Edhe ata që e mohojnë Zotin duhet t’i datojnë sulmet e tyre nga ardhja e Tij. (A.D)

Një fakt i tretë që e ndan Atë nga të gjithë të tjerët është ky: çdo person tjetër që ka ardhur ndonjëherë në këtë botë ka ardhur në të për të jetuar. Ai erdhi në të për të vdekur. Vdekja ishte një pengesë për Sokratin – ajo e ndërpreu mësimin e tij. Por për Krishtin, vdekja ishte qëllimi dhe përmbushja e jetës së Tij, ari që Ai po kërkonte. Pak nga fjalët ose veprimet e Tij janë të kuptueshme pa iu referuar Kryqit të Tij.

Ai e paraqiti veten si një Shpëtimtar dhe jo thjesht si një Mësues. Do të ishte e kotë për t’i mësuar njerëzit që të jenë të mirë nëse Ai gjithashtu nuk u dha atyre fuqinë për të qenë të mirë, pasi t’i shpëtonte nga faji.

Historia e jetës së çdo njeriu fillon me lindjen dhe përfundon me vdekjen. Megjithatë, në Personin e Krishtit, ishte vdekja e Tij që ishte e para dhe jeta e Tij që ishte e fundit. Shkrimi e përshkruan Atë si të thuash “Qengji i therur, që nga fillimi i botës”. Ai u vra nga mëkati i parë dhe rebelimi kundër Perëndisë.

Nuk po them që lindja e Tij hodhi një hije mbi jetën e Tij dhe çoi direkt në vdekjen e Tij por se Kryqi ishte i pari dhe hodhi hijen e tij përsëri në lindjen e Tij. E tija ka qenë e vetmja jetë në botë që është jetuar mbrapsht. Ashtu si lulja në murin e çarë na shfaq Poetin e natyrës, dhe ashtu si atomi është miniaturë e sistemit diellor, po ashtu, lindja e Tij tregon misterin e kryqit. Ai shkoi nga e njohura te e njohura, nga arsyeja e ardhjes së Tij e shfaqur me emrin e Tij “Jezus” (Shpëtimtar në hebraisht) në përmbushjen e ardhjes së Tij, domethënë, vdekjen e Tij në Kryq.

(Parafrazim nga Imzot Fulton Sheen)

E DIELA E KATERT E ARDHJES

E DIELA E KATERT E ARDHJES

“Toka që ishte e shkretë dhe e pakalueshme do të ngazëllehet, shkretëtira do të gëzohet dhe do të lulëzojë si zambaku. Do të bulëzojë dhe lulëzojë dhe do të ngazëllojë me gëzim dhe lavdi; atij i’u dhurua lavdia e Libanit; bukuria e Karmelit dhe e Saronit, do të shohin lavdinë e Zotit dhe bukurinë e Perëndisë tonë.

Forconi duart dhe gjunjët e dobët. Thuaju të druajturve: Merrni guxim dhe mos kini frikë: ja, Perëndia yt do të sjellë hakmarrjen e shpërblimit: vetë Zoti do të vijë dhe do t’ju shpëtojë.

Atëherë sytë do t’u çelen të verbërve dhe veshët e të shurdhërve do të dëgjojnë; atëherë i shqepti do të kërcejë si dreri dhe gjuha e memecit do të lirohet, sepse në shkretëtirë kanë shpërthyer ujëra dhe përrenj. Dhe ajo që ishte tokë e thatë pellg do të bëhet dhe toka e etur burim uji.

Në strofkat ku banonin më parë dragonjtë, do të gjelbërojë kallamishte dhe xunkth. Dhe atje do të ketë një shteg dhe një udhë e do të quhet Udha e shenjtë; i papastërti nuk do të kalojë nëpër të; dhe kjo do të jetë për ju një udhë e drejtë, që të marrët të mos enden nëpër të. Asnjë luan atje nuk do të ketë, dhe asnjë bishë grabitqare nuk do kalojë nëpër të dhe as nuk do të gjendet atje; por atje do të ecin vetëm të çliruarit.

Dhe të shpërlblyerit e Zotit do të kthehen dhe do të hyjnë në Sion me lavdi dhe do mbi kokat e tyre do ketë gëzim të përhershëm; ata do t’i shoqërojë gëzimi dhe hareja, e trishtimi dhe pikëllimi do të zhduken.” ISAIA 35

 

Oh, gëzimi i ardhjes Tënde, i dashur Jezus! sa i madh duhet të jetë, kur profecia thotë se do të jetë si një kurorë e përjetshme mbi kokat tona. E a mund të jetë ndryshe? Vetë shkretëtira do të lulëzojë si zambaku dhe ujërat e gjalla do të burojnë nga toka e tharë, sepse Perëndia i tyre po vjen.

Eja, o Jezus, eja shpejt dhe na jep nga ai ujë, që rrjedh nga Zemra Jote e Shenjtë dhe të cilin samaritanja, shëmbulltyra e ne mëkatarëve, t’a kërkoi me një lutje aq të zjarrtë. Ky ujë është hiri yt; le të bjerë shi mbi shpirtrat tanë të tharë dhe ata gjithashtu do të lulëzojnë; le të na shuajë etjen dhe ne do të vrapojmë në udhën e urdhërimeve dhe shembullit Tënd. 

 

Ti, o Jezus, je udha jonë, rruga jonë drejt Perëndisë; dhe ti je Perëndia; Prandaj, ti je edhe udha edhe destinacioni në të cilin na çon kjo udhë. Patëm humbur rrugën; ne patëm shkuar në rrugë të gabuar si dele të humbura: sa e madhe dashuria Jote që të vijë kështu në kërkim të nesh!
Për të na mësuar udhën për në parajsë, ti zbrite nga qielli dhe ece me ne rrugën që të çon në të.

Jo! nuk do të ketë më duar të dobëta, as gjunjë të dobët, as zemra të frikësuara; sepse e dimë se ti po vjen tek ne nga dashuria. Ka vetëm një gjë që na trishton: përgatitja jonë nuk është e plotë. Kemi ende disa lidhje për t’i thyer; na ndihmo, o Shpëtimtar i njerëzimit! Ne dëshirojmë t’i bindemi zërit të Pararendësit Tënd Gjonit dhe t’i sheshojmë ato rrugë të ashpra, që do të pengonin ardhjen Tënde në zemrat tona, o Foshnjë hyjnore! Na bëj që të pagëzohemi në Pagëzimin e ujërave të pendesës; Së shpejti do të vish të na pagëzosh me Shpirtin e Shenjtë dhe dashuri. -DOM GUERANGER-

Liturgjia tradicionale e Ardhjes.

 

Gjatë 7 ditëve para Krishtlindjes këndohen këto antifona:

 

O Sapientia (O Dije)

O Adonai (O Zot)

O Radix Jesse (O Pinjoll i Jeseut)

O Clavis David (O Çelësi i Davidit)

O Oriens (O Agim Rrezatues)

O Rex Gentium (O Mbret i Kombeve)

O Emmanuel (O Emanuel)

 

Këto janë disa ndër titujt e Shpëtimtarit në Testamentin e Vjetër në latinisht. Nëse i lexojmë shkronjat e para të titujve nga poshtë lart, kemi ERO CRAS – që do të thotë “DO VIJ NESËR”

 
 

 

 

13 Dhjetor – Shën Luçia

Jeta e Shën Luçias

Luçia, një Virgjëreshë e Sirakuzës, e shquar nga prejardhja dhe nga besimi i krishterë, të cilin e kishte shpallur që në foshnjëri, shkoi në Katania, me nënën e saj Eutikia, e cila vuante nga hemoragjia, për të nderuar trupin e të lumes Agata. Pasi u lut te varri, nëna e saj u shërua me ndërmjetësimin e Agatas. Më pas Luçia i kërkoi nënës së saj që ajo ta lejonte t’u jepte të varfërve të Krishtit pasurinë që ajo do trashëgonte. Prandaj, sapo ajo u kthye në Sirakuzë, ajo shiti gjithçka që i ishte dhënë dhe ua shpërndau paratë të varfërve.

 

Kur ai, të cilit prindërit e saj, kundër vullnetit të saj, i premtuan dorën e Luçias, mësoi se çfarë ajo kishte bërë, shkoi para prefektit dhe e akuzoi atë se ishte e krishterë. Prefekti e kërcënoi, por nuk mundi ta bënte atë të adhuronte idhujt; madje, sa më shumë ai përpiqej t’i tundte besimin e saj, aq më të ndezura ishin lavdërimet që ajo i bënte Zotit. 

 

– Prandaj, ai i tha asaj: Do ta shohim nëse do vazhdosh me fjalët tua, kur ti të ndjesh goditjet e xhelatëve të mi. 

– Kësaj Virgjëresha iu përgjigj: Fjalët nuk do të mungojnë kurrë për shërbëtorët e Perëndisë, sepse Krishti, Zoti ynë u ka thënë atyre: Kur do të silleni përpara mbretërve dhe guvernatorëve, mos mendoni se si dhe çfarë të flisni; sepse në atë orë do t’ju mësohet se çfarë të flisni; sepse nuk jeni ju që flisni, por Shpirti i Shenjtë që flet në ju.

– Prefekti e pyeti atë: A është Shpirti i Shenjtë në ty? 

– Ajo u përgjigj: Ata që jetojnë të dëlirë dhe të devotshëm, janë tempulli i Shpirtit të Shenjtë. 

– Ai tha: Unë do të urdhëroj që të të çojnë në një bordello, që ky Shpirt i Shenjtë të largohet prej teje. 

– Virgjëresha i tha: Dhuna me të cilën më kërcënon do të më fitonte një kurorë të dyfishtë dëlirësie. 

 

Pas kësaj, prefekti, duke qenë tepër i zemëruar, urdhëroi që Luçia të tërhiqej zvarrë në një vend ku mund të dhunohej dçlirësia e saj; por, me fuqinë e Perëndisë, ajo u fiksua aq fort në vendin ku qëndronte, saqë ishte e pamundur ta lëvizte kush. Prandaj prefekti urdhëroi ta mbulonin me katran, rrëshirë dhe vaj të vluar dhe t’i ndiznin një zjarr rreth saj. Por, duke parë që flaka nuk e lëndonte, e torturuan në shumë mënyra mizore duke i nxjerrur sytë dhe më në fund e therën me shpatë në qafë. E plagosur kështu, Lucy parashikoi paqen e Kishës, e cila do të vinte pas vdekjes së Dioklecianit dhe Maksimianit, dhe më pas vdiq.

 
 

 

 

12 Dhjetor – Zoja Guadalupe

Zoja Guadalupe

“Në qiell u duk një shenjë e madhërueshme: një Grua e veshur me diell, me hënë nën këmbë, në kokë kezën me dymbëdhejtë yje! Dhe Ajo lindi një Djalosh – që do të sundojë të gjithë popujt me skeptër hekuri.” Apokalipsi 12

 

Në shekullin 16, rebelimi protestant kishte shkaktuar një poterë të tmerrshme në Europë duke rrëmbyer miliona shpirtra nga Kisha Katolike. Në të njëjtën kohë, gjatë viteve 1530, rreth 10,000,000 shpirtra ishin fituar nga Kisha. Si shpjegohet?

Kjo është historia e një ndër ngjarjeve më të rëndësishme të kontinentit Amerikan – ajo e shfaqjes së Zojës Guadalupe (Coatlaxopeuh – Ajo që shtyp gjarprin – në këtë rast një idhudh aztek).

Më 9 dhjetor 1531, në Meksikë, Zoja iu shfaq Juan Diegos, një indiani të varfër aztek, i cili sapo ishte konvertuar në besimin katolik. Ajo i tregoi kush ishte dhe i kërkoi të shkonte te ipeshkvi e t’i kërkonte të ndërtonte një Kishë ku ajo tha: “Unë do të tregoj dhe do të ofroj gjithë dashurinë time, dhembshurinë time, ndihmën time dhe mbrojtjen time për popullin tim”. Juan Diego bëri siç kërkoi ajo, por ipeshkvi kërkoi një shenjë se ky mesazh ishte vërtet nga Zoja. Maria e pranoi kërkesën e tij. 

 

Më 12 dhjetor, ajo i tregoi Juanit se ku ishin trëndafilat më të bukur kastilian dhe i tha t’i mblidhte. Ishte një mrekulli që trëndafilat ishin aty dhe në lulëzim, sepse kishte ngrica në tokë, dhe toka ishte një vend jopjellor ku rriteshin vetëm kaktus dhe gjemba. Pasi i mblodhi, ajo ndihmoi t’i sistemonte në pëlhurë dhe i tha t’ia tregonte ipeshkvit. Kur i solli ato te ipeshkvi, ai u mahnit me trëndafilat, por u mahnit edhe më shumë nga ajo që filloi të ndodhte me pëlhurën e Juan Diego-s. 

 

Pikërisht para syve të tyre, imazhi i Zojës filloi të formohej në pëlhurë. Imazhi i Marisë ishte shumë i bukur dhe ipeshkvi ra në gjunjë. Ai e ndërtoi kishën sipas kërkesës së saj. Pëlhura është ende e padëmtuar pas 470 vjetësh, edhe pse ajo lloj pëlhure zakonisht prishet pas disa dekadash. Ngjyrat nuk janë zbehur dhe nuk ka shenja se dikush e pa pikturuar. Ajo ka qenë e ekspozuar në Bazilikën e Zojës Guadalupe për gjithë këtë kohë. 

 

Mënyra në të cilën Zoja u shfaq në pëlhurë ishte shumë domethënëse për indianët Aztec. Ajo ishte veshur në një mënyrë që ata ta kuptonin se kush ishte. Ajo ishte e veshur me rroba mbretërore që tregonin se ajo ishte shumë e rëndësishme, ndoshta një mbretëreshë. Ajo gjithashtu kishte simbolin e kryqit në qafë, i cili ishte i njëjti simbol që spanjollët kishin në anijet e tyre dhe në kishat që ndërtonin. Ajo kishte një brez të lidhur rreth belit që do të thoshte se ishte shtatzënë, sepse kështu visheshin gratë azteke kur ishin shtatzënë. Dhe mbi fustanin e saj të bukur ishin lloj-lloj dizajnesh dhe lulesh. Por kishte një lule në fustanin e saj që ishte shumë domethënëse. Kishte vetëm katër petale. Për Aztekët, lulja me katër petale ishte simboli i Zotit të vërtetë, Zotit mbi të gjithë perënditë. Kjo lule ndodhej në barkun e saj, pikërisht mbi vendin ku Jezusi po rritej brenda saj. Aztekët e kuptuan menjëherë se kjo ishte nëna e Zotit të vërtetë! 

 

Më 26 Dhjetor, 1531, gjatë festimeve që po bëheshin me rastin e ndërtimit të kapelës që Zoja kishte kërkuar, një indian vdiq aksidentalisht nga një shigjetë. Ai u soll para imazhit të Zojës, dhe pasi i hoqën shigjetën nga fyti, ai u ringjall dhe u shërua plotësisht.

 

Kjo paraqitje e Zojës Guadalupe ishte shumë e rëndësishme për historinë e kontinentit Amerikan. Indianët Aztek dhe spanjollët ishin në prag të luftës. Kultura dhe feja e indianëve aztek ishin shumë të ndryshme nga spanjollët. Ata adhuronin perëndi, të cilëve u ofronin flijime njerëzore, duke sakrifikuar shpesh 50.000 njerëz në vit. Spanjollët, të cilët ishin katolikë, natyrshëm ishin të neveritur nga kjo. Nëse do të kishte ndodhur një luftë, do të kishte qenë shumë katastrofike. Megjithatë, shfaqja e Marisë ndryshoi gjithçka. 

 

Ajo i ndihmoi indianët të përqafonin krishterimin dhe nxiti lulëzimin e misioneve të pafund në mbarë kontinentin. Gjatë dhjetë viteve, 10,000,000 indianë u konvertuan në besimin katolik. Ky ishte konvertimi më i madh në historinë e Kishës! Kjo është arsyeja pse Zoja Guadalupe është Pajtorja e Amerikave dhe të Palindurve, e cila i dha fund adhurimit të perëndive prej guri dhe ritualit të flijimit njerëzor. Lutemi që Maria sot t’i japë fund sakrificës njerëzore të fëmijëve të Perëndisë nëpërmjet abortit dhe për të kthyer në besim jobesimtarët.

Simbolika

 

Imazhi i Zojës është në të vërtetë një piktograf Aztek i cili u pa dhe u kuptua shpejt nga Indianët Aztek.

 

ZOJA QËNDROI PARA DIELLIT – Ajo ishte më e madhe se perëndia e tyre e frikshme e diellit “Huitzilopochtli”.

 

AJO QëNDRONTE MBI HËNËN – Ajo e kishte mposhtur qartë hyjninë e tyre më të madhe, gjarpërin me pupla “Quetzalcoatl”.

 

YJET TË SHPËNDARË NEPER MANTEL – Ajo ishte më e madhe se yjet e qiellit që ata adhuronin. Ajo ishte e virgjër dhe Mbretëresha e qiejve, sepse yllësia e Virgjëreshës qëndron mbi barkun e saj dhe Kurora Veriore mbi kokën e saj. Ajo u shfaq më 12 dhjetor 1531 dhe yjet që ajo veshi shfaqin pamjen e yjeve në atë kohë!

 

NGJYRA BLU E MANTELIT TE SAJ – Ajo ishte një mbretëreshë sepse mbante ngjyrën e familjes mbretërore.

 

KRYQI I ZI NË NË QAFË – Zoti i saj ishte ai i misionarëve spanjollë, Jezu Krishti, Biri i saj.

 

RRIPI I ZI – Ajo ishte shtatzënë sepse kishte veshur rripin e maternitetit Aztek.

 

LULJA ME KATËR PETALË MBI BARK – Ajo ishte “Nëna e Zotit”. Lulja ishte një simbol i veçantë i jetës dhe hyjnisë – qendra e universit.

 

DUART E SAJ JANË TË BASHKUARA NË LUTJE – Ajo nuk ishte Zot, por dukej qartë se ishte Një më i madh se Ajo dhe ajo drejton gishtin drejt kryqit.

 
 

 

 

Shkenca

 

Imazhi nuk tregon asnjë shenjë përkeqësimi pas 450 vjetësh! Tilma ose pëlhura e Juan Diego-s në të cilin ndodhet imazhi i Zojës, është një pëlhurë e trashë e bërë nga fijet e kaktusit maguey. Kjo pëlhurë shpërbëhet brenda 20-60 viteve!

 

Nuk ka asnjë nën skicë, asnjë shenjë furçë (sipas ekzaminimit mikroskopit) dhe asnjë llak mbrojtës mbi imazhin.

 

Imazhi duket se rritet në madhësi dhe ndryshon ngjyra për shkak të një vetie të panjohur të sipërfaqes dhe substancës nga e cila është bërë. Imazhi është i sheshtë dhe duket si një fotografi e ditëve moderne. Askush nuk ka arritur të krijojë riprodhimin e saktë.

 

Disa imazhe personash mund të shihen të pasqyruara në sytë e Virgjëreshës. Besohet se janë imazhet e Juan Diego, ipeshkvit Juan de Zummaraga, Juan Gonzales, përkthyesit dhe të tjerëve.

 

Shtrembërimi dhe vendi i imazheve janë identike me atë që prodhohet në syrin tonë që është e pamundur të vendoset në një sipërfaqe të sheshtë.

 

Yjet në mantelin e Zojës përkojnë me pamjen në qiell më 12 dhjetor 1531. Dhe më e veçanta është se yllësia e luanit qëndron mbi barkun e saj, ku po rritet Krishti (Luani i Judesë). Nëse ndjekim yjet sipas imazhit në pëlhurë, Kurora Borealis qëndron mbi kokën e Marisë, Virgjëresha mbi gjoksin e saj.

 

Në 1921, një anarkist bombardoi Kishën ku ndodhej imazhi i Zojës, duke shkatërruar parmakët prej mermeri të elterit, dushemenë e mermerit, dritaret 150 metra larg nga shpërthimi dhe duke deformuar një Kryq metalik, por pëlhura dhe xhami mbrojtës nuk pësuan anjë dëmtim.

 

Të gjithë ata që kanë ekzaminuar shkencërisht imazhin e Zojës gjatë shekujve rrëfejnë se vetitë e saj janë absolutisht unike dhe aq të pashpjegueshme në terma njerëzorë sa që imazhi duhet të jetë i mbinatyrshëm.

 
 

 

 

E DIELA E TRETË E ARDHJES

E DIELA E TRETË E ARDHJES

Ti, qi bindshem hyjë hartove

Dritë e amshueme e besimtarve

Jezu Krisht, qi t’gjithë shelbove

Veshtrou kushtet nevojtarve

 

Qi tanë bota mos t’mbarote

Prej dredhisë s’anmikut t’ferrit

N’hov t’dashtnisë, qi kthellë t’pershkote

N’dritë na qite prej jetës s’territ

 

Tanë mbrapshtinë e botës mkatnore

Per t’shperblye, mbi kryq ban fijë

Ç’ka t’Nanës Virgjin muer n’shejtnore

Si e pat da n’t’paskajshmen dije

 

Ktij pushtetit t’tij hyjnuer

Emni Jezus sa t’kumbojë

Frota n’ferr e çdo qielluer

Tu u drillë, gjunin do t’lakojë

 

Lutje t’bajm ty, qi n’dritë t’fundit

Je Gjyqtar i tanë njerzimit

Me hir tand na i jep forcë mundit

Qi do t’bajm ballë çdo luftimit

 

Nderë e lavd, fuqi e lumni

T’kjoftë me Birin, Atë i amshuem

Me Shpirtë Shejt gjithmonë n’lidhni

Tash e n’shekuj t’pambaruem

Ashtu kjoftë

 
 

 

 

Ungjilli sipas Gjonit 1:19-28

Kur judenjtë nga Jerusalemi dërguan tek ai priftërinj dhe levitë për ta pyetur: “Kush je ti?” ai pranoi, nuk refuzoi, dhe dëshmoi:

“Unë nuk jam Mesia!”

“Kush, pra? ‑ e pyetën ata ‑ A mos je Elia?”

“Nuk jam! ‑ u përgjigj.”

“A je Profeti?”

“Jo!” ‑ ua ktheu.

Atëherë i thanë: “Kush je, që t’u kthejmë përgjegje atyre që na dërguan?”

Ai tha: “Unë jam zëri i atij që bërtet në shkretëtirë: ‘rrafshoni udhën e Zotit!’ siç tha Isaia profet.”

Disa prej të dërguarve ishin farisenj. Ata e pyetën: “Pse, atëherë, pagëzon, kur s’je as Mesia, as Elia, as Profeti?”

Gjoni u përgjigj: “Unë pagëzoj me ujë. Në mesin tuaj është një që ju nuk e njihni. Është ai që po vjen pas meje, por të cilit unë nuk jam i denjë t’ia zgjidh as rripat e sandaleve.”

Kjo ndodhi në Betani, përtej Jordanit, ku Gjoni po pagëzonte.



“Në mes jush qëndron një që ju nuk e njihni”, u thotë Shën Gjon Pagëzuesi atyre që u dërguan nga Judenjtë. Në mënyrë që Zoti ynë të jetë afër nesh, ai mund edhe të ketë ardhur, e megjithatë nga disa të mos njihet! Ky Qengji i Perëndisë është ngushëllimi i Pararendësit të shenjtë (Shën Gjon Pagëzuesit): ai e konsideron një privilegj të veçantë të jetë veç Zëri, i cili u thërret njerëzve për të përgatitur rrugën e Shëlbuesit. 

 

Në këtë, Shën Gjoni është imazhi i Kishës dhe i të gjithë atyre që kërkojnë Jezusin. Shën Gjoni është plot gëzim sepse Shpëtimtari erdhi, por njerëzit përreth tij janë aq indiferentë sikur as të mos ishin duke pritur dhe as të mos donin një Shpëtimtar. 

 

Kjo është java e tretë e Ardhjes; a janë të gjitha zemrat të ngazëllyera nga lajmi i madh që i’u tha atyre nga Kisha, se Mesia është afër? Ata që nuk e duan atë si Shpëtimtarin e tyre, a i frikësohen atij si Gjykatësit të tyre? A po bëhen të drejta udhët e shtrembëra? A po ulen kodrat? A janë të krishterët të angazhuar seriozisht për të hequr nga zemra dashurinë për pasurinë dhe dashurinë për kënaqësitë sensuale? 

 

Nuk ka kohë për të humbur: Zoti është afër! Nëse këto rreshta do të bien në syrin e ndonjë prej atyre të krishterëve që janë në këtë gjendje të indiferencës mëkatare, ne do t’i bënim thirrje atyre të dalin nga letargjia e tyre dhe ta bëjnë veten të denjë për vizitën e Foshnjës hyjnore: një vizitë e tillë do t’u sjellë atyre ngushëllimim më të madh këtu, dhe do t’u japë atyre siguri për të ardhmen, kur Zoti ynë do të vijë për të gjykuar mbarë njerëzimin. 

 

Dërgoje hirin tënd, o Jezus, edhe më me bollëk në zemrat e tyre; dhe mos lejo që të thuhet për bijtë e Kishës, siç tha Shën Gjoni për Sinagogën: “Në mes jush qëndron një që ju nuk e njihni.” – Dom Gueranger

8 Dhjetor – Ngjizja e Papërlyeme

Ngjizja e Papërlyeme

O Mri Virgjin tanë lumni

Çdo naltsi t’kreatyrve theve

Ti Krijuesin njef si Fmi

Me gji t’ambel tand ushqeve

 

Çka grabiti Heva e shkretë

Me Pinjuell ti e kthen hyjnuer

Kur na shtegun t’kryejm t’ksaj jetë

Na i çil dyert p’r atë gzim qielluer

 

Per Mbret t’naltë ti derë e gjallë

E banesë tanë n’dritë e mblueme

Atë jetë t’botës, qi n’Mrinë u kallë

T’a madhnoni, fise t’pshtueme

 

Lumni t’kjoftë ty o Krisht Shelbues

Qi je lindë prej Zojës s’Bekueme

Bashkë me Atë e Shpirtë Ngushllues

Tash e n’shekuj t’jetës s’amshueme

Ashtu kjoftë!

 
 

 

 

“Ishte falë shenjtërisë së tij të pafundme që Perëndia duhej të pezullonte, në këtë rast, ligjin që drejtësia e tij hyjnore kishte miratuar mbi të gjithë fëmijët e Adamit. Marrëdhëniet që Maria do të mbante me Hyjninë, nuk mund të pajtoheshin me poshtërimin e këtij dënimi. Ajo nuk ishte vetëm Bija e Atit të Përjetshëm; ajo ishte gjithashtu e destinuar të bëhej vetë Nëna e Birit dhe Bashkëshortja e vërtetë e Shpirtit të Shenjtë; asgjë e ndotur nuk mund të lejohej të hynte, qoftë edhe për një atom kohe, në krijesën që ishte paracaktuar kështu të lidhte marrëdhënie kaq të ngushta me Trininë e adhurueshme; asnjë grimcë nuk mund të lejohej të njolloste te Maria atë pastërti të përsosur që Zoti pafundësisht i shenjtë kërkon tek ata që një ditë do të pranohen për të shijuar pamjen e madhështisë së tij hyjnore në qiell; me një fjalë, siç thotë mësuesi i madh Shën Anselmi (De Conceptu Virginali, kapitulli XVIII), “ishte e drejtë që kjo Virgjëreshë e Shenjtë të stolitej me pastërtinë më të madhe që mund të ngjizet pas asaj të vetë Zotit, sepse Zoti Atë do t’i jepte asaj, si Fëmijë të saj, Birin e vetëmlindur, të cilin Ai e deshi si veten e Tij, i lindur nga gjiri i Tij; dhe kjo në një mënyrë të tillë, që i njëjti Biri i Perëndisë ishte, nga natyra, Biri i Perëndisë Atë dhe i kësaj Virgjëreshë të Bekuar. Ky Bir e zgjodhi atë për të qenë Nëna e tij; dhe Shpirti i Shenjtë dëshiroi që në barkun e saj të vepronte ngjizjen dhe lindjen e Tij, prej të cilit Ai vetë doli.” – Dom Gueranger

 

“Prandaj, me përulësi dhe agjërim, ne pandërprerë i parqitëm lutjet tona private si dhe lutjet publike të Kishës, Perëndisë Atë, nëpërmjet Birit të tij, që Ai të denjonte të drejtonte dhe të forconte mendjen tonë me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë. Në të njëjtën mënyrë, ne iu lutëm të gjithë ushtrisë qiellore për ndihmë, ndërsa thirrëm me entuziazëm Ngushëlluesin. 

 

Prandaj, me frymëzimin e Shpirtit të Shenjtë, për nder të Trinisë së Shenjtë dhe të pandarë, për lavdinë dhe zbukurimin e Virgjëreshës Nënës së Zotit, për lartësimin e Besimit Katolik dhe për përparimin e Fesë Katolike, nga autoriteti i Jezu Krishtit, Zotit tonë, i Apostujve të Bekuar Pjetër dhe Pal, dhe nga i joni: “Ne deklarojmë, shpallim dhe përcaktojmë se doktrina që thotë se Virgjëresha më e Bekuar Mari, në çastin e parë të ngjizjes së saj, nga një hir dhe privilegj i veçantë i dhënë nga Zoti i Plotfuqishëm, në funksion të meritave të Jezu Krishtit, Shpëtimtarit të racës njerëzore, u ruajt nga çdo njollë e mëkatit origjinal, është një doktrinë e zbuluar nga Perëndia dhe për këtë arsye për t’u besuar me vendosmëri dhe gjithmonë nga të gjithë besimtarët.

 

Prandaj, nëse dikush do të guxojë – Zoti e ndaloftë! – të mendojë ndryshe nga se është përcaktuar nga ne, le ta dijë dhe të kuptojë se ai është i dënuar nga vetë gjykimi i tij; se ai ka pësuar një mbytje të besimit; se ai është ndarë nga bashkësia e Kishës…”

  • Papa Piu IX – Ineffabilis Deus

 

Këto janë fjalët e fuqishme të Papa Piut IX në një ndër ngjarjet më të rëndësishme për Kishën Katolike – shpallja e dogmës së Ngjizjes së Papërlyer të Virgjëres Mari, më 8 Dhjetor, 1854. Një ngjarje aq e pëlqyeshme për Perëndinë dhe Virgjëreshen, sa që e gjithë bota katolike u duk se u stërmbush me hire. 

 

Një periudhë e re e shumëpritur filloi për Kishën e Shenjtë – ajo e Zojës së Papërlyer. Për të vërtetuar pëlqimin e saj, Shenjta Mari filloi të shfaqte ndërmjetësimin e saj në mënyrë të jashtëzakonshme. Vetëm 4 vite më pas, ajo i’u shfaq në Lourdes, vajzës së vogël Bernadetë, të cilës i tha: “Unë jam Ngjizja e Papërlyer.” Një fjali aq e fuqishme, të cilën Bernadeta e vogël fillimisht nuk e kuptoi. Mrekulli të pafund u bënë dhe vazhdojnë të bëhen në Lourdes, por jo vetëm. 

 

Disa dekada më vonë në 1917, në fshatin e vogël Fatima të Portugalisë, Zoja e Papërlyer do të shfaqej përsëri 3 barinjëve të vegjël – këtë herë për të zbuluar rëndësinë e ndërmjetësimit të saj për shëlbimin e shoqërisë, për mposhtjen e herezisë dhe gabimeve moderne, dhe për shpëtimin tonë. Zemra e Papërlyer e Zojës Mari, që atëherë tërhoqi hire të panumërta për besimtarët besnik të saj. Ishte nëpërmjet kësaj Zemre, që Feja Katolike dukej se po përparonte në mënyrë eksponenciale, ndërsa bota e pafe duhej se ishte nisur drejt vetëshkatërrimit; ishte kjo Zemër që mbrojti shumë kombe katolike nga rreziku ateist komunist; ishte kjo Zemër që do sillte lulëzimin e qytetërimit të Krishterë, nëse kushtet e kërkuara në Fatima do të plotësoheshin. “Një periudhë paqeje do të mbizotërojë në Botë” ishin fjalët e Zojës, dhe për të vërtetuar fjalët e saj, Ati i Gjithpushtetshëm bëri një ndër mrekullitë më të mahnitshme që nga Ringjallja e Jezu Krishtit – të ashtuquajturën Mrekulli të Diellit, e cila u dëshmua nga mbi 70,000 persona (katolikë, ateistë, masonë, komunistë, të pafe). 

 

Fjalët e Zojës duket se u injoruan nga autoritetet dhe hiret e premtuara nuk u siguruan. Komunizmi përparoi me persekutimin e tij djallëzor ndaj Kishës, virusi modernist pushtoi çdo fushë të jetës dhe madje depërtoi edhe në Kishë, por kjo nuk duhet të na shkurajojë. 

 

T’i lutemi Virgjëres Mari të na ruajë nga dashuria për botën, të na ndihmojë që t’i përngjajmë sa më shumë Zemres së saj të Papërlyer, të lutet për priftërinjë të shenjtë katolik dhe për familjet tona, që të gjithë të mund të arrijmë Mbretërine e Perëndisë, duke jetuar me mendjen dhe zemren e drejtuar nga të mirat qiellore dhe të shkëputura nga iluzionet kote që ofron bota. 

 

“Në fund Zemra ime e Papërlyer do të triumfojë” – Zoja e Fatimas.

 
 

 

 

7 Dhjetor – Shën Ambrozi

Jeta e Shën Ambrozit

Shën Ambrozi ishte nga një familje fisnike dhe ishte guvernator i Milanos në vitin 374, kur do të zgjidhej një ipeshkëv për atë seli të madhe. Duke qenë se heretikët arianë ishin të shumtë dhe agresiv, ai ishte i pranishëm për të ruajtur rendin gjatë zgjedhjeve. Ndonëse vetëm një katekumen, ishte vullneti i Perëndisë që ai vetë të zgjidhej me brohoritje; dhe, me gjithë se kundërshtoi fillimisht, ai u pagëzua dhe u shugurua. 

 

Ai ishte i palodhur në çdo detyrë, plot simpati dhe dashuri, i butë, por papërkulshëm në çështjet parimore. Ai tregoi zellin e tij të patrembur për të përballuar zemërimin e perandoreshës Justina, duke rezistuar dhe penguar përpjekjen e saj të mbrapshtë për t’iu dhënë arianëve një nga Kishat e Milanos dhe duke qortuar e çuar në pendim publik perandorin e madh Teodosius, i cili në një çast acarimi kishte kryer një masakër në Selanik. 

 

Ai ishte miku dhe ngushëlluesi i Shën Monikës në të gjitha hidhërimet e saj dhe në vitin 387 pati gëzimin të pranonte në Kishë djalin e saj, Shën Agustinin. 

 

Ipeshkvi i shenjtë, pasi kishte dhuruar jeten e tij për Kishën e Zotit, parashikoi ditën e vdekjes së tij, para se të kapej nga sëmundja e fundit. Honorati, ipeshkvi i Vercellit, u këshillua tri herë nga zëri i Perëndisë për të shkuar te shenjti që po vdiste: ai shkoi dhe i administroi atij Trupin e Shenjtë të Zotit tonë. Ambrozi pasi e mori atë dhe vendosi duart në formën e kryqit, u lut dhe ia dorëzoi shpirtin Perëndisë.

 

Reflektim — Nga i erdhi Shën Ambrozit madhështia e tij e mendjes, pastërtia e mprehtësisë së tij, guximi i tij në ruajtjen e besimit dhe disiplinës së Kishës? Nga ku tjeter veç se nga përbuzja ndaj botës dhe nga frika e tij vetëm nga Perëndia?