admin

19 Prill – Shën Elfegji, Arqipeshkëv

Jeta e Shën Elfegjit, arqipeshkëv

Shën Elfegji lindi në vitin 954, në një familje fisnike saksone. Ai fillimisht u bë murg në manastirin e Dirhurstit, afër Teukesburit, Angli, dhe më pas jetoi si një vetmitar pranë Bathit, ku themeloi edhe një komunitet nën urdhrin e Shën Benediktit dhe u bë abati i tij i parë. Në moshën 30 vjeçare ai u zgjodh Ipeshkëv i Winchester-it dhe njëzet e dy vjet më vonë u bë Arqipeshkëv i Kanterburit. Në vitin 1011, kur danezët zbarkuan në Kent dhe morën qytetin e Kanterburit, duke i vënë të gjithë para shpatës e zjarrit, Shën Elfegji u kap dhe u mbyll diku, në këmbim të një shpërblimi të madh. Ai refuzonte që kisha e tij e shkatërruar dhe njerëzit të përballeshin me shpenzime të tilla dhe kështu u mbajt në një burg të neveritshëm në Grinuiç për 7 muaj.

 

Ndërsa ishte i mbyllur, disa miq erdhën dhe e nxitën që të vendoste një taksë mbi qiramarrësit për të rritur shumën e kërkuar për shpërblimin e tij. “Për çfarë shpërblimi mund të shpresoj,” tha ai, “nëse shpenzoj për veten time atë që u takon të varfërve? Më mirë t’u japim të varfërve atë që është e jona, sesa t’u marrim atyre edhe atë pak që është e tyre”.

Ndërsa ai nuk pranonte ende të jepte shpërblimin, danezët ranë mbi të të tërbuar, e rrahën me anët e mprehta të armëve të tyre dhe e shtypën me gurë derisa njëri, të cilin shenjti e kishte pagëzuar pak më parë, i dha fund vuajtjeve të tij me një goditje të sëpatës. 

Vdiq të Shtunën e Pashkëve, më 19 Prill 1012, me fjalët e fundit: lutje për vrasësit e tij. Trupi i tij u varros fillimisht në Katedralen e Shën Palit, Londër, por më pas u kthye në Kanterbur nga Mbreti Kanut.

Një kishë kushtuar Shën Elfegjit qëndron edhe sot në vendin e martirizimit të tij në Grinuich.

 

Meditim – Ata që janë në pozita të larta duhet ta konsiderojnë veten si kujdestarë dhe jo si zotër të pasurisë ose pushtetit që u është besuar për të mirën e të varfërve dhe të dobëtit. Shën Elfegji vdiq, në vend që të zhvaste shpërblimin e tij nga qiramarrësit e varfër të tokave të kishës.

18 Prill – Shën Apoloni, Martir

Jeta e Shën Apolonit, martir

Mark Aureli i kishte persekutuar të krishterët, por djali i tij Commodus, i cili e pasoi në vitin 180, u tregua i kuptueshëm me ta për shkak të perandoreshës së tij Marcia, e cila ishte një admiruese e besimit. Gjatë kësaj periudhe qetësie numri i besimtarëve u shtua jashtëzakonisht shumë dhe shumë persona të shtresës së lartë, mes tyre edhe Apoloni, një senator romak, u rreshtuan nën flamurin e kryqit. Ai ishte një person i mirëformuar si në filozofi, ashtu edhe në Shkrimin e Shenjtë.

Në mes të paqes që gëzonte Kisha, ai u akuzua publikisht për Krishterim nga një prej skllevërve të tij. Skllavit menjëherë u urdhërua t’i thyheshin këmbët dhe të dënohej me vdekje, si pasojë e një dekreti të Mark Aurelit, i cili, pa shfuqizuar ligjet e mëparshme kundër të krishterëve të dënuar, urdhëroi që akuzuesit e tyre të vriteshin.

Ndërkohë që skllavi po ekzekutohej, i njëjti gjykatës i dërgoi një urdhër Shën Apolonit që të hiqte dorë nga feja e tij pasi ai vlerësonte jetën dhe pasurinë.

Shenjti i refuzoi me guxim kushte të tilla të turpshme sigurie, prandaj Perennis e vuri atë para gjykimit të senatit romak, për t’i dhënë llogari mbi besimin e tij asaj trupe. Duke këmbëngulur në refuzimin e tij për të përmbushur kushtin, shenjti u dënua nga një dekret i Senatit dhe iu pre koka rreth vitit 186.

 

Meditim – Është e drejtë e posaçme e fesë së Krishterë që t’i frymëzojë njerëzit me një zgjedhje të tillë dhe t’i formojë ata në një heroizëm të tillë, saqë ata gëzohen të sakrifikojnë jetën e tyre për të vërtetën. Kjo nuk është forca dhe përpjekja e zhveshur e natyrës, por fuqia e padyshimtë e të Plotfuqishmit, forca e të Cilit përsoset kështu në dobësi.

Çdo i krishterë duhet, në mënyrën e vet, të dëshmojë shenjtërinë e besimit të tij. E tillë do të ishte forca e shembullit të mirë universal, që asnjë i shthurur apo i pafe të mund ta përballonte.

16 Prill – Tetëmbëdhjetë martirët e Saragosës, dhe Shën Engratia, e virgjër, martire

Tetëmbëdhjetë martirët e Saragosës, dhe Shën Engratia, e virgjër, martire

Shën Optatusi dhe shtatëmbëdhjetë burra të tjerë të shenjtë morën kurorën e martirizimit në të njëjtën ditë, në Saragosë, nën guvernatorin mizor Dacian, në persekutimin e Dioklecianit, në vitin 304. Dy të tjerë, Kaiusi dhe Krementiusi, vdiqën nga mundimet e tyre pas një konflikti të dytë.


Kisha gjithashtu kremton në këtë ditë triumfin e Shën Enkratisës, ose Engratia, Virgjëreshë. Ajo ishte me origjinë nga Portugalia. Babai i saj i kishte premtuar martesë me një burrë cilësor në Rousillon; por duke u frikësuar nga rreziqet dhe duke përçmuar kotësitë e botës dhe duke vendosur të ruante virgjërinë e saj, në mënyrë që të dukej më e këndshme tek Bashkëshorti i saj qiellor dhe t’i shërbente Atij pa pengesë, ajo vodhi nga shtëpia e babait të saj dhe iku privatisht në Saragosë, ku përndjekja ishte më e nxehtë, nën kontrollin e Dacianit. Madje, ajo e qortoi për barbaritë e tij, gjë që e nxiti atë të urdhëronte që të torturohej gjatë në mënyrën më çnjerëzore: anët e saj ishin grisur me grepa hekuri, dhe një gjoks i ishte prerë, në mënyrë që pjesët e brendshme të gjoksit të saj të zbulohen për tu parë, dhe një pjesë e mëlçisë së saj u nxorr jashtë. Në këtë gjendje ajo u kthye në burg, duke qenë ende gjallë, dhe vdiq nga plagët e marra në vitin 304. Reliket e të gjithë këtyre martirëve u gjetën në Saragosë në 1389.

 

Meditim – Njerëzit nuk i ndjekin të mirat e kësaj bote sipas rastësisë. Le të jemi po aq të përpiktë dhe të rregullt në shërbimin e Hyjit, duke mos u përpjekur për shtigje të reja, por duke përsosur përkushtimet tona të zakonshme. Nëse ne ngulmojmë në këto, Parrizi është i yni.

15 Prill – Shën Paterni, ipeshkëv

Jeta e Shën Paternit, ipeshkëv

Shën Paterni lindi në Poitiers, rreth vitit 482. Babai i tij, Patranusi, me pëlqimin e gruas së tij, shkoi në Irlandë, ku i mbaroi ditët e tij në vetmi të shenjtë. Paterni, i motivual nga shembulli i të atit, vendosi të jetonte një jetë monastike në abacinë e Marnes. Pas ca kohësh, i djegur nga dëshira për të arritur përsosmërinë e virtytit të krishterë, ai kaloi në Uells dhe në Cardiganshire themeloi një manastir të quajtur Llan-patern-vaur, ose nryshe kishën e Paternit të madh. Ai bëri një vizitë te babai i tij në Irlandë, por pasi u thirr përsëri në manastirin e tij të Marnes, ai u tërhoq shpejt me Shën Skubilionin, një murg i asaj shtëpie, dhe përqafoi një jetë të ashpër ankoruese në pyjet e Scicysë, në dioqezën e Koutances, pranë detit, pasi kishte marrë fillimisht lejen e ipeshkvit dhe të zotit të vendit. Kjo shkretëtirë, e cila atëherë ishte në një shtrirje të madhe, por që nga ajo kohë është mbuluar gradualisht nga deti, ishte në lashtësi e kërkuar shumë midis Druidëve. Shën Paterni i konvertoi në besim idhujtarët e asaj ane dhe të shumë pjesëve fqinje, deri në Bayeux, dhe fitoj mbi ta për të shkatërruar një tempull pagan në këtë shkretëtirë, i cili mbahej me nderim të madh nga Galët e lashtë. Në pleqëri ai u shugurua ipeshkëv i Avranches nga Germanusi, ipeshkvi i Ruenës.

 

Disa vëllezër të rremë, pasi krijuan një përçarje mendimesh midis ipeshkvinjëve të provincës në lidhje me Shën Paternin, ai preferoi të tërhiqej në vend që të lejonte ndonjë arsye për mosmarrëveshje dhe, pasi qeverisi dioqezën e tij për trembëdhjetë vjet, ai u tërhoq në një vetmi në Francë dhe aty mbaroj ditët e tij rreth vitit 550.

 

Meditim – Sakrificat më të mëdha të imponuara nga dashuria për paqen do të duken të kota nëse kujtojmë shembullin e Shpëtimtarit Tonë dhe kujtojmë fjalët e Tij: “Lum paqebërësit, sepse ata do të quhen bij të Hyjit”.

Të Ngjallunit – At Gjergj Fishta O.F.M

Të Ngjallunit - At Gjergj Fishta O.F.M

U ngjallë s’deknit: or’ prej dore

Preja mordes si i ka pshtue?

Sí i ka mujtun dyerët mizore,

Si ka pshtue Njai, qi pushtue

Kje prej tjerve ‘i herë mbi dhé?

Per Njatę jam tue lshue bé

Qi prej s’deknish e gjalloi.

 

U ngjallë s’deknit: ftyra e gzueshme

Nen pelhurë nuk rrin mâ ngrit;

U ngjallë s’deknit: e randueshme

M’njanë ânë t’vorrit kaperdít.

Prapët mbi tokë rrin rrasa e eper,

Porsi i forti qi pin teper,

Tu’ u çue Zoti flakuroi.

 

Porsi kúr per gjysë njaj shteku,

Mbas pushimit n’nji lisní,

Prap udhtari jeten preku,

E prej krejet hjedhë n’ajrí

Dushku s’thát nji gjethe t’rame,

Qi prejdeget ardhë e dame

Dalkadalë mbi tâ u ndesh:

 

Njashtu a’ i forti njatë mermerë,

Sypri vorrit qi randote,

Lehtë e dyndi me nji herë,

Kúr prej rrahes mjerí- plote

U kthye shpirti e trupit njitë:

Tha t’ Hyjnueshmit mbetun ngritë:

Çou, se vetë me Ty jam tesh.

 

T’ Izraelit nder t’topitun

Ç’ âsht perhapë nji fjalë e ré!

Ka shndrŷ qiellen si kje pritun

Perendija Hyj – me – né?

O t’ topitun, si kje zâni,

Ka mbarue per jú zalldani,

Aj âsht vetë Shelbuesi Zot.

 

Para Atij n’mbretní t’amshueme

Kush bír robit kishte hypun?

M’i a grabitë mbretnís s’shemtueme

T’parët e moçem Ai ka zdrypun:

D’shiri i bardhë i motit t’hershem,

Friga e rrebtë e anmikut t’mnershem,

Ai Ngadhnjyesi folë kah mot.

 

Njerzvet shęjten qi kallxuene

Shka do t’ siellshin kohët e gjata,

Porsi punët qi veç kaluene

Fmijvet t’vet u kallzon tata,

U diftue ai Diell i ndritshem,

T’ cillin Zoti dheut t’kobitshem

Per gojë t’tyne i a premtoi.

 

Kůr Ageu, kúr Izaija

I a dhanë besen rruzullimit

Se do t’ vite ‘i ditë Mesija;

Kúr i nçuemun prej rrëmbimit

I kndoi ditët qi njehun ishin

Edhe vjet’t qi lé nuk kishin

Danieli n’mend pershkoi.

 

Ishte dritë; e tue lotue

Magdalena e tjerat grá

Rrijshin t’mbytnin tue vajtue:

Nji termek atë botë qe rá,

Fund e maje u dynd Sionne

Edhe sogja e patenzone

Friget m’tokë u kalamend.

 

Nji i perjashtmas djalë i rí

Ndęj mbi vorr prej gurit dhęnun:

Ishte rrfé, po, duka e tí,

Flokut t’borës isht’ petku i endun:

Zęmer- ngrîmes, ‘ cilla e luti

I pergjegji njai fjalë- buti:

Âsht ngjallë s’deknit; s’âsht n’ketë vend.

 

Me t’padukshmet petka mndashit

Le t’shkojë t’zbémt e vjollcës s’irnueme;

Ari t’shndrisë si para tashit;

Zyrja e Fés kú t’thrret e lume

Del, Meshtár, me petka t’mira,

Veshun bardh, rrethue me qira,

T’ngjallnin deket tě kallxò.

 

Prej elterit duel nji zâ:

‘Gzou, o e qiellit Rregjinesha;

Gzou; Hy’i nieri n’tý u bâ

Kúr e jona i u çmue vesha,

Â’ngjallë, vetë si ‘i herë premtote:

Per né lutu: luta e jote

Qo t’jet ligjë Aj i lumi do’.

 

O ju vllazen, kremtja e Zotit

Sot na flet veç gazmend qiellit;

Âsht ditë gostet dita e sotit;

I gzon zęmra sot se t’cillit:

S’gjindet nanë aq e ngurrueshme,

Qi me petka mâ t’lulzueshme

Fmít e vet nuk i veshë sot.

 

I perkuerët t’jét n’hae bujari;

T’két çdo tryeze dhantít e veta:

Gostve t’mdhana i pshuem visari

Le t’kalojë nder shpija t’shkreta,

Para t’vorfnit tryezen shtrue

T’bâjë, i ndershem, me gazmue

N’ketë ditë t’madhe t’t’Naltit Zot.

 

Larg gallata edhe kelthimi

I gazmendit t’panjerzí:

Nuk âsht ky, jo, nuk âsht gzimi

Qi ep i drejti n’brohorí;

Por i paqët e mrenda vendit,

Por qielluer, si shęj gazmendit,

Qi nder valle t’qiellës ushton.

 

O ata t’lumët! mâ i bukur dielli

Shdritë atynve i kremtve t’lume;

Por ç’do t’bâjë, fatziu! Nja’ i cilli

E dredhë kamben n’ravë t’shemtueme

Qi ke deka ka mbaresen?

Në Tenzonë kush e mban shpresen,

Me Tenzonë dikúr gjallon.

E Premtja e Madhe – Njerëzit në Kalvar dhe njerëzit sot

E Premtja e Madhe - Njerëzit ne Kalvar dhe njerëzit sot

Në Golgota, në prani të dy ose tre miliona judenjve, që kishin ardhur në qytet nga të gjitha vendet, Jezusi, Biri i Hyjit, u kryqëzua, një sakrificë shlyese për njerëzimin e rënduar nga të gjitha llojet e mëkatit. Pranë kryqit të Birit të saj të vdekur qëndroi Maria, nëna e Tij, e mbushur me pikëllim; pranë saj Gjoni, nxënësi i dashur dhe e gjunjëzuar në këmbët e Kryqit pothuajse pa ndjenja nga pikëllimi dhe ankthi, duke përqafuar drurin e Kryqit, ishte Maria Magdalen, e penduara. Në të djathtë, i varur në kryq ishte hajduti i penduar i kthyer drejt Shëlbuesit; Në anën e majtë i varur po në kryq, rënkonte një tjetër kriminel me zemër të papenduar, duke blasfemuar të Shenjtin e Izraelit. Rreth Shëlbuesit qëndronin skribët dhe farisenjtë, ajo klasë maskarenjësh hipokrite, të cilët e urrenin, e persekutuan dhe e dënuan Qengjin e pafajshëm Jezus, madje edhe me vdekje, të verbër ndaj të gjitha profecive të profetëve, librat e të cilëve i kishin lexuar, të verbër ndaj mrekullive që Jezusi kishte bërë para syve të tyre për të vërtetuar hyjninë e Tij dhe misionin e Tij, të mbushur me zili dhe urrejtje, fyenin Shëlbuesin në Kryq. Në një distancë qëndronte një turmë e njerëzve kureshtarë dhe indiferentë, të cilët kishin ardhur në Jeruzalem për të marrë pjesë në festën e Pashkës dhe pasi kishin dëgjuar për Jezusin ishin të pranishëm në kryqëzimin e Tij. Jo shumë larg prej tyre qëndronin ushtarët dhe ekzekutuesit, duke ndarë mes tyre rrobat e Shpëtimtarit dhe duke hedhur short mbi to. 

 

Këta ishin njerëzit që rrethonin Birin e Hyjit dhe Shëlbuesin e botës ndërsa pikonte gjak në Kryq, dhe ata janë lloje të njerëzve të sotëm. 

 

Shumë pak ishin atje që u mblodhën pranë Shëlbyesit në besim të palëkundur dhe dashuri të vërtetë, të gatshëm për të vdekur me të, dhe për të. Ishin pak ata që pësuan të gjitha talljet dhe përqeshjet, të gjitha fyerjet dhe blasfemitë, dhe nuk u larguan nga Kryqi. Nga këta, tre ishin veçanërisht besnikë, dmth. Maria, Gjoni dhe Maria Magdalena. Ata të cilët si Maria dhe Gjoni janë të pastër dhe të pafajshëm, ose si Maria Magdalena, që qajnë për mëkatet e tyre, të cilët e dëshmojnë Jezusin me zemër dhe fjalë, lidhen besnikërisht dhe nuk lejojnë që as përndjekjet dhe as vdekja t’i ndajë nga Ai, ashtu si tre besnikët pranë Kryqit. Ashtu si atëherë pranë Kryqit, ashtu edhe sot, numri i besimtarëve është i vogël, dhe i madh është numri i atyre që, si spektatorët indiferent të kryqëzimit, nuk janë as armiq të vendosur të Jezusit të kryqëzuar, as miqtë e Tij të paluajtshëm. 

 

Ata me të vërtetë janë pagëzuar në emër të Jezusit, dhe qëndrojnë në mënyrë sipërfaqësore me Kishën Katolike, të cilën Krishti e themeloi, por ata janë të zhytur në pasivitet, nuk kanë besim të gjallë dhe vazhdimisht lëkunden andej-këtej si një kallam mes botës dhe Jezusit. Ata kanë frikë nga përqeshjet e të ashtuquajturve të mësuar dhe të ndriçuar, shumë prej të cilëve janë të pasqyruar mirë nga skribët dhe farisenjtë, të cilët nuk kanë besim në vetë Krishtin, mbajnë në zemrat e tyre vetëm urrejtje dhe përbuzje për Kishën e Tij; Ata e injorojnë Kryqin, sepse është shumë i rëndë për ndjeshmërinë e tyre; Është e vërtetë që mund të mos kryejnë krime publike, ata çmojnë shumë një emër të mirë, herë pas here edhe zbatojnë ligjin e Kishës, por janë të hapur ndaj çdo gabimi; Veshët e tyre dëgjojnë plot vullnet çdo blasfemi kundër fesë së Jezusit dhe shërbëtorëve të Tij, priftërinjtëve. Në vend që të jetojnë pa frikë dhe me guxim për Krishtin, për besimin e shenjtë që Ai ka mësuar dhe që Kisha vazhdon të na mësojë, ata largohen, heshtin, madje bashkohen me armiqtë e Kishës që të mos përqeshen nga të tjerët. Ata nuk janë as të nxehtë, as të ftohtë; kështu fjalët e Shkrimit të Shenjtë plotësohen nga ata. “Por, mbasi je kështu i vakët, dhe as i ftohtë e as i ngrohtë, unë do të të vjell nga goja ime.” (Apok. 3:16) Zoti i flakë tutje këta të krishterë të vakët, indiferentë, si pështymën dhe i lë ata në vetëshkatërrim.

 

Farisenjtë e vërtetë të kohës sonë janë ata që me dashje i mbyllin sytë dritës së së vërtetës, të cilët kanë lënë mënjanë besimin në Jezusin dhe nuk janë më të prirur për të marrë mësim. Krenaria dhe egoizmi i tyre i ka verbuar ata, me arsyen e tyre të dobët ata synojnë të kuptojnë misteret e të Plotfuqishmit, me intelektin e tyre të dobët synojnë për të kuptuar planet e Tij, madje kërkojnë që të jenë të barabartë me Hyjin; Ata e mohojnë të vërtetën e zbuluar, ata mohojnë ekzistencën e Parajsës dhe të ferrit, ata propozojnë të jetojnë si kafshët, pa Hyjin, por fundi i tyre është shkatërrimi! Shumë pak, duke parë gabimin e tyre, si hajduti në kryq në anën e djathtë të Jezusit, kthehen të penduar drejt Shëlbuesit; Kokëfortë dhe zemërgur si hajduti dhe vrasësi në të majtën e Tij, farisenjtë e kohës sonë nuk pushojnë së blasfemuari të Kryqëzuarin dhe të fyejnë Kishën e Tij të Shenjtë. Këta ndihmohen nga apostatët dhe jobesimtarët, të cilët, si ushtarët dhe ekzekutuesit, ndajnë mes tyre rrobat e tij dhe hedhin short mbi veshjen e plotë të Tij. Këto rroba që ushtarët i ndanë mes tyre, janë të vërtetat që apostatët dhe heretikët ende mbajnë pas apostazisë së tyre nga Kisha. Ata i kanë ndarë këto të vërteta, sepse ata janë ndarë në mijëra sekte, dhe mbajnë vetëm pjesë të së vërtetës, të cilën Jezusi krejtësisht Ia ka besuar Kishës së Tij. “Mbi rrobat e Mia ata kanë hedhur short.” 

 

Kjo veshje e plotë e Krishtit është Kisha e Tij e Shenjtë që nuk mund të ndahet ose të copëtohet, Ajo është Një, dhe duhet të mbetet Një deri në fund të botës. Sa i përket kësaj Kishë të vërtetë, sektet zihen me njëri-tjetrin, të gjithë duan të jenë Kisha e vërtetë pa marrë parasysh se, si ushtari që nga shorti, mori veshjen e plotë kështu vetëm një shoqëri njerëzish mund të jetë Kisha e vërtetë dhe kjo është shoqëria që Krishti ka zgjedhur. 

 

Kështu gjejmë pranë Kryqit në Golgotha klasa të ndryshme të njerëzve të kohës sonë të pasqyruar, domethënë, të pastër dhe të pafajshëm; mëkatarët e penduar, përkrahësit e fortë të Jezusit dhe mësimeve të Tij; gjithashtu edhe të krishterët e vakët, të lëkundur, të krishterë sa për emër; Heretikë kokëfortë, të pafetë e vetëshpallur dhe apostatët. Pra, sot njerëzimi është i ndarë në grupe.

 

Cilit grup i përkitni ju, o shpirt i krishterë? Cilit dëshironi ti përkisni? Zgjedhni! Koha e ndarjes është afër. Zoti e mban në dorën e Tij lopatën për të pastruar dyshemenë e tij. Nëse nuk jeni përkrahës të zjarrtë të Jezusit dhe Kishës së Tij, do të hidheni si byku në stuhinë që po afrohet. Nëse qëndroni me grupin e vogël guximtar në kryq, do të qëndroni të patundur dhe në ditën kur Kryqi do të shfaqet në retë e qiellit, ju, me Marinë, nënën e besnikëve, me Gjonin dhe me Maria Magdalenën, do të triumfoni përgjithmonë, si kalorës fitimtar të Kryqit. Zgjedhni!

Lutje


O Zot Jezus!  Ti që në kryq, duke duruar dhimbjet më torturuese, u lute me zë të lartë për të gjithë njerëzit, të lutemi me përulësi për vikarin tënd, Papa Françeskun për ipeshkvin tonë N., për të gjithë priftërinjtë dhe klerikët, qeverinë, për seminaristat, për fatkeqët dhe të shtypurit, për të gjithë katolikët, që T’i ruash në besimin e vërtetë dhe T’i forcosh, që të mund të të shërbejnë Ty sipas thirrjeve të tyre të ndryshme.  Të lutemi gjithashtu për të gjithë jobesimtarët dhe ata që janë ndarë nga tufa e vërtetë, për Judenjtë dhe për paganët, që ti të mund t’i bashkosh të gjithë në Kishën Tënde të Shenjtë dhe t’i çosh në shëlbimin e përjetshëm. Amen.

Ngadhnija e Kryqit – At Gjergj Fishta O.F.M

Ngadhnija e Kryqit - At Gjergj Fishta O.F.M

Nji ditë nder dit atje n’qytet t’amshuem,

Kur enè ky ligjë t’randë mbarë dheut i vęte,

Nji Galileas, peshkatár i shuem,

Atje po zęte.

 

As n’kambë koturn, as togë mbi shtat nuk kishte,

As shpatë mizore nuk i varej ijes;

Por veç nji Kryq visari i tij t’tânë ishte,

T’ tânë shęj’ i madhnijes.

 

Me atë Kryq në dorë atje m’atë ditë ai duli

E n’sŷ t’Cezarit, t’ Rromës e t’rruzullimit

Në Vatikan ai Krygjen shęjte e nguli

Shęj’n e Shelbimit.

 

Ehu ! kush kisht’ thânë atë herë se n’t’endun t’motit

Cezari e Rroma e rruzullimi unjí

Do t’i a perkulshin gjű’n korís s’Golgotit

Me pervujtni ?

 

Kush kishte thânun se nji bimë zabelit

N’vedi do t’kishte njaq fuqí grumbllue,

Sá shekllit t’ rręjshem fill e prej themelit

Faqe me i ndrrue?…

 

Po, rán n’dritë t’Kryqit idhujt e u rroposen,

Augurt u zhduken, tempujt edhe u rrxuen:

Dodona, Delfi, fallet edhe u sosen

Krejt u harruen.

 

T’ randat veriga u kputen t’robënís,

Tirajt fashiten, doket edhe u dliren;

Habitun fiset t’tâna t’rrokullís,

Kah Kryqi u priren.

 

E n’rreze t’Kryqit, m’t’ cillen vetë Dashtnija

N’mjet tokës e qiellit pezull ndęj per né,

Ata me njohtun xűn se ç’âsht vllaznija

Permbi ketë dhé.

 

Shűjten e dhunshme shkrehi Kanibali,

Robin bujari e thirri vllá n’sy t’Lumit,

E, zęmerdhimbshem, me dorë dhânse ndali

Lott e t’mjeruemit.

 

S’i dau mâ popujt gjuha, e tregu, a fisi,

As s’i dán lume, as male te madhnueshme,

Por u njisuen per Kryq, si degë t’njaj lisi,

Me Fé t’hyjnueshme.

 

Nen ligjë t’dashtnís filloi me gzue atë herë niri

Njatë kohë lirijet prej kahmot t’premtueme,

T’cillen me e dhânun sheklli nuk ka hiri

Veç Krygjes s’lume.

 

T’falem, o Krygjë, shpresa e rruzullimit,

Qi kohen arit, prej Profetësh permendun

E kndue nder kanga, vetem ti njerzimit

Nise m’i a endun.

 

T’ vertetë lirín, po, nierit ti i a prűne,

Popuj e fise me dashtní vllaznove,

T’padijes terrin n’shekull ti perzűne:

Dhén qytetnove.

 

E ků janë rritë veç hijes s’ate burrat,

Qi do t’permenden per sá t’rrjedhe jeta,

Të cillt kerkuen e gjeten t’dijes gurrat

T’kjarta e t’verteta?

 

N’per rreze t’ua Toma, po, e Augustini

Fleten e mendes rrahen nalt kah qiella,

E punët, qi njeh n’Parrěz veç Kerubini,

Na i zbluene t’kthiella.

 

Mjeshtrit i a mbajte doren nder punë t’mbara,

E bukurí Ti para sysh na qite,

Popull a fis qi kurr n’ketë jetë perpara

Njohtun si ki’te.

 

Ti t’shkretë mundqarit i a bekove punen,

E lot mbi dhé nuk lae me rá pa hiri;

Travajët e thyeshme pse shęjtnove e dhunen,

Qi pson i miri.

 

Po, sod këndon robnesha nder travajë,

Kahdo qi âsht shtrî mbretnija e jote e lume,

Ke e din ajo se edhe per fmij të sajë

E ka ‘i jetë t’gzume.

 

O Krygjë, o gurrë, kah rrjedhë per né gjith mshrira.

Deh! Shtrij krahët t’ú kahdo rreh dielli e hâna,

E fise e popuj, sa permbledhë hapsira,

Pershîj të tâna.

 

Pse veç atje, kű kapë mbretnija e jote,

Lirín e pagjen gzon n’ket jetë njerzimi,

Sundon dashtnija, shpresa s’âsht e kote:

Gjindet shelbimi.

 

 At Gjergj Fishta, “Ngadhnija e Kryqit”, “Vallja e Parrizit”

E Enjtja e Madhe

E Enjtja e Madhe

Kisha Katolike përkujton sot themelimin e Sakrificës së Shenjtë të Meshës dhe Sakramentit e Shenjtë të Altarit nga Shëlbuesi ynë. Këtë përkujtim Kisha e ka kremtuar që në epokat e para të krishterimit.

 

Çfarë gjërash të jashtëzakonshme bëri Krishti në këtë ditë?

 

Ai hëngri me apostujt e Tij qengjin e Pashkëve që ishte një lloj i Vetvetes;  hahej me barishte të hidhura dhe bukë pa majë;  e hëngrën në këmbë me rroba të ngjeshura dhe me shkopinjë në dorë, në kujtim të arratisjes së shpejtë të Judenjve nga Egjipti.  (Eksod. 12)

 

Pasi hëngri qengjin e Pashkëve, Zoti ynë me përulësi të thellë lau këmbët e apostujve të Tij, duke i nxitur ata të praktikonin të njëjtën përulësi dhe bamirësi;  më pas, Ai u dha atyre Mishin dhe Gjakun e Tij nën pamjen e bukës dhe verës, për ushqim dhe pije shpirtërore, duke themeluar kështu Sakramentin e Shenjtë të Altarit, Sakrificën e Meshës dhe priftërinë;  sepse kur u tha apostujve: Bëjeni këtë në përkujtimin tim, Ai i shuguroi priftërinj.

Pas kësaj Ai mbajti fjalimin e Tij të fundit në të cilin u këshilloi veçanërisht dashurinë vëllazërore;  tha atë lutje të bukur kryepriftërore, në të cilën Ai iu lut Atit të Tij Qiellor veçanërisht për harmoninë e Kishës së Tij.

 

Më pas Ai shkoi si zakonisht në malin e Ullinjve, ku e filloi pasionin e Tij me lutje dhe nënshtrim ndaj vullnetit të Atit të Tij, duke vuajtur një agoni intensive e cila ishte aq e fortë sa Ai djersiti gjak.  Këtu Juda e tradhtoi Atë në duart e Judenjve, me një puthje të pabesë.  Ata e lidhën dhe e çuan te kryepriftërinjtë, Anas dhe Kefa, ku u dënua me vdekje nga këshilli dhe u mohua nga Pjetri.

 

Cilat ceremoni mbahen në meshën e kësaj dite?

 

Kryqi është i mbuluar me një vello të bardhë në kujtim të themelimit të Sakramentit të Shenjtë të Altarit. Prifti vjen në altar i veshur me rroba të bardha;  Gloria in excelsis këndohet solemnisht, e shoqëruar nga tingujt e kambanave dhe të gjithë të krishterët nxiten që t’i japin lavdërim dhe mirënjohje Zotit që themeloi Festën e Bekuar të Dashurisë.

 

Pas Gloria këmbanat janë të heshtura deri të Shtunën e Madhe për të treguar zinë e Kishës për pasionin dhe vdekjen e Jezusit;  për të na nxitur gjithashtu t’i kalojmë këto ditë në pikëllim të heshtur, duke medituar mbi vuajtjet e Krishtit dhe në kujtim të ikjes së turpshme të apostujve në kapjen e Krishtit dhe heshtjes së tyre gjatë këtyre ditëve.

 

Prifti që kryen shërbimin nuk jep “puthjen e zakonshme të paqes” para Kungimit, sepse në këtë ditë Juda e tradhtoi Krishtin me një puthje.

Pas meshës, Sakramenti i Shenjtë në tabernakull, çohet në procesion në sakristi, në kujtim të kohërave më të hershme të krishterimit,  kur hostet e shenjtëruara për të kunguarit dhe të sëmurët mbaheshin në një vend të përgatitur posaçërisht, sepse nuk kishte tabernakull në altar.  Për më tepër, kjo nënkupton edhe shkuarjen e Krishtit në malin e Ullinjve.

 

Letra dërguar Korintasve (1 Kor. 11:20-32) 

 

Vëllezër, kur mblidheni në një vend, nuk është tani për të ngrënë Darkën e Zotit. Sepse, në të ngrënët, gjithësecili merr darkën e vet më përpara; dhe njëri ka uri dhe tjetri është i dehur. A nuk keni, pra, shtëpi për të ngrënë e për të pirë? Apo përbuzni kishën e Hyjit dhe turpëroni ata që s’kanë asgjë? Çfarë t’ju them juve? T’ju lavdëroj? Për këtë nuk ju lëvdoj.

 

Sepse unë kam marrë nga Zoti atë që ju kam transmetuar edhe juve: Zoti Jezus, po atë natë kur u tradhtua, mori bukën, falënderoi, e theu dhe tha: Merreni dhe hani: “Ky është Trupi Im, që do të dorëzohet për ju; bëni këtë në përkujtimin Tim.”  Gjithashtu, pas darkës, mori edhe kupën, duke thënë: “Kjo kupë është besëlidhja e re në Gjakun Tim; bëni këtë sa herë që të pini, në përkujtimin Tim.” Sepse sa herë të hani nga kjo bukë dhe të pini nga kjo kupë, do të tregoni vdekjen e Zotit, derisa Ai të vijë.

 

Prandaj, kushdo që do të hajë këtë bukë ose do të pijë nga kupa e Zotit padenjësisht, do të jetë fajtor për trupin dhe për gjakun e Zotit. Por secili të shqyrtojë vetveten dhe kështu të hajë nga buka e të pijë nga kupa, sepse ai që ha dhe pi padenjësisht, ha dhe pi një dënim për veten e tij, sepse nuk e dallon trupin e Zotit.

 

Për këtë arsye ka në mes jush shumë të dobët e të sëmurë, dhe shumë vdesin. Sepse, po të shqyrtonim veten tonë, nuk do të gjykoheshim. Por kur gjykohemi, ndreqemi nga Zoti, që të mos dënohemi bashkë me botën.

 

SHPJEGIM 

 

Të krishterët e hershëm ishin mësuar pas kremtimit të Darkës së Zotit, të bashkoheshin në një festë të përbashkët;  ata që ishin në gjendje e furnizonin ushqimin; të pasurit dhe të varfërit merrnin pjesë bashkë, në shenjë dashurie vëllazërore.  Këtë ushqim ata e quajtën “Agape”, “vakt dashurie”.  Në Korint u abuzua me këtë zakon, disa hëngrën para Kungimit atë që ishte sjellë, u dehën dhe ua privuan të varfërve pjesën e tyre. Apostulli e dënon këtë abuzim, duke e shpallur atë një përgatitje të padenjë për Kungimin dhe u kujton korintasve themelimin e  Sakramentit të Shenjtë duke u thënë atyre se çfarë mëkati i tmerrshëm është të marrësh trupin dhe gjakun e Zotit në mënyrë të padenjë, sepse kushdo që e bën këtë e bën veten fajtor për trupin dhe gjakun e Zotit dhe ha e pi gjykimin e tij, domethënë mallkimin e përjetshëm. Prandaj shqyrtoje veten, o shpirt i krishterë, sa herë që merr Kungimin, shiko nëse ke kryer ndonjë mëkat të rëndë që nuk e ke rrëfyer, ose për të cilin nuk të vjen keq.

 

Pse Jezusi ua lau këmbët dishepujve të Tij?

 

Për t’u dhënë atyre një dëshmi të dashurisë së Tij të sinqertë dhe përulësisë së madhe që ata duhet ta imitojnë;  për t’u mësuar atyre se, megjithëse të lirë nga mëkati dhe jo të padenjë për të marrë trupin dhe gjakun e Tij më të shenjtë, këmbët e tyre kishin nevojë për pastrim, domethënë që ata duhet të pastrohen nga të gjitha prirjet e liga që ndotin zemrën dhe të pengojnë Kungimin e Shenjtë të prodhojë efekte frytdhënëse në shpirt.

 

Çfarë është Tenebrae dhe cili është kuptimi i saj?

 

Është oficja që thonë klerikët të mërkurën, të enjten dhe të premten e kësaj jave, e shoqëruar me vajtimet e profetit Jeremi dhe ceremoni të tjera.

 

Fjala Tenebrae

 

Tenebrae do të thotë errësirë dhe përfaqëson lutjet e bëra më parë në orët e errëta të mëngjesit.  Në Tenebrae Kisha vajton pasionin dhe vdekjen e Jezusit dhe i nxit fëmijët e saj të kthehen te Hyji;  Prandaj, ajo përdor ato fjalë vajtuese të Jeremisë: “Jerusalem!  Jeruzalem, kthehu te Zoti, Hyji yt!”

Si duhet të marrim pjesë në shërbesën e Kishës në këtë ditë?

 

Kisha përkujton në këtë ditë themelimin e Sakramentit të Shenjtë të Altarit;  Prandaj ne duhet të konsiderojmë me një besim të thellë se Jezusi, Mësuesi dhe Shpëtimtari ynë hyjnor, është me të vërtetë këtu i pranishëm;  ne duhet ta adhurojmë Atë si Birin e Hyjit, i cili u bë njeri për të na shëlbuar;  duhet të admirojmë dashurinë që e nxiti Atë për të themeluar Sakramentin e Shenjtë, që Ai të mund të jetë gjithmonë me ne;  dhe duhet ta falënderojmë Atë për të gjitha hiret e paçmueshme që ne marrim nga ky Sakrament.

 

Shënim

Nëpër katedrale, në këtë ditë bekohen vajrat e shenjta që përdoren në Pagëzim, Konfirmim, Urdhrin e Shenjtë dhe Vajim, si edhe në shenjtërimin e pagëzores dhe të gurit të altarit.  Le të falënderojmë Zotin tonë për themelimin e këtyre Sakramenteve në të cilat përdoren vajrat e bekuar.

12 Prill – Papa Shën Juli

Jeta e Papa Shën Julit

Shën Juli ishte romak; u zgjodh Papë më 6 Shkurt të vitit 337. Ipeshkvinjtë Arianë në Lindje i dërguan atij tre përfaqësues të akuzonin Shën Athanasin, Patriarkun e zellshëm të Aleksandrisë. Këto akuza, ashtu siç kërkonte rendi i drejtësisë, Juli ia drejtoi Athanasit, i cili pas kësaj dërgoi përfaqësuesit e tij në Romë; kur, pas një seance të drejtë, avokatët e heretikëve u hutuan dhe heshtën për çdo artikull të akuzës së tyre.

 

Arianët atëherë kërkuan një këshill, dhe Papa mblodhi një të tillë në Romë, në vitin 341.

 

Arianët në vend që të paraqiteshin, mbajtën gjoja një këshill në Antioki në vitin 341, në të cilin propozuan të emëronin një Gregori, një Arian i pabesë, si Ipeshkv të Aleksandrisë, i cili pengoi legatët e Papës përtej kohës së caktuar, për paraqitjen e tyre; dhe më pas i shkroi Shenjtërisë së tij, duke pretenduar pamundësinë e paraqitjes së tyre, për shkak të luftës persiane dhe pengesave të tjera. Papa i kuptoi menjëherë këto justifikime dhe në një këshill në Romë shqyrtoi kauzën e Shën Athanasit, e shpalli atë të pafajshëm për gjërat që i ngarkonin Arianët dhe e konfirmoi në selinë e tij.

 

Ai gjithashtu liroi Marçelin nga Ankira, për shkak të besimit të tij ortodoks. Ai hartoi dhe dërgoi përmes Kontit Gabian te ipeshkvinjtë Euzebianë Orientalë, të cilët fillimisht kishin kërkuar një këshill dhe më pas refuzuan të paraqiteshin në të, një letër të shkëlqyer, e cila shihet si një nga monumentet më të bukura të antikitetit kishtar. Duke i gjetur Euzebianët ende kokëfortë, ai nxiti Konstansin, Perandorin e Perëndimit, të kërkonte pëlqimin e vëllait të tij Konstancit në mbledhjen e një këshilli të përgjithshëm në Sardikë në Iliri.

 

Ky u hap në Maj të vitit 347 dhe shpalli Shën Athanasin e Marçelin nga Ankira ortodoksë dhe të pafajshëm, rrëzoi disa ipeshkvinj arianë dhe hartoi njëzet e një kanone disipline.

 

Shën Juli mbretëroi për pesëmbëdhjetë vjet, dy muaj dhe gjashtë ditë, duke vdekur më 12 Prill 352.

11 Prill – Papa Shën Luani i Madh

Jeta e Shën Luanit të Madh

Luani u lind në Romë. Ai zgjodhi shërbesën e shenjtë, u bë kryexhakon i Kishës Romake nga Shën Çelestini, dhe nën të dhe Papë Sikstusi III pati një rol të madh në drejtimin e Kishës.

 

Pas vdekjes së Sikstusit III, Luani u zgjodh Papë, dhe u shugurua në ditën e Shën Mikaelit, në vitin 440, mes një gëzimi të madh. Ishte një periudhë gjykimi të tmerrshëm. Vandalë dhe Hunë po shkatërronin provincat e perandorisë, dhe Nestorianë, Pellagjianë, e heretikë të tjerë shkaktuan kërdi të tmerrshme ndër shpirtra. Ndërkohë që zelli i Luanit po u bënte ballë këtyre rreziqeve, lindi një herezi tjetër, ajo e Eutikesit, që dyshonte në dy natyrat e Krishtit.                                                                                                              

 

Menjëherë bariu vigjilent shpalli doktrinën e vërtetë të Mishërimit në librin e tij të famshëm; por të nxitur nga oborri Bizantin, herezia fitoi mbështetje të madhe ndër murgj dhe ipeshkvinj të Lindjes. Pas tre vitesh mundime të pandërprera, Luani solli mallkimin solemn të tij përmes Koncilit te Kaldeonit, Etërit recituan nga libri i tij dhe bërtitën “Pjetri ka folur përmes Luanit”. Nuk kaloi shumë kohë dhe Atila me Hunët e tij hynë me forcë në Itali, dhe marshuan përmes qyteteve të saja të djegura drejt Romës. Luani doli pa u trembur ta takonte, dhe e bindi të kthehej mbrapsht. Të habitur kur panë Atilën e tmerrshëm, “Kamxhikun e Zotit”, të freskët nga beteja e Akuileias, Milanos, Pavias, me çmimin e pasur të Romës në duart e tij, që ktheu ushtrinë e vet të madhe përsëri në Danub me fjalën e shenjtit, krerët e tij e pyetën pse kishte vepruar aq çuditshëm. Ai u përgjigj se kishte parë dy persona të nderuar, që supozohej të ishin Shën Pjetri e Shën Pali, duke qëndruar pas Luanit, dhe i prekur nga ky vizion, u tërhoq.

 

Nëse rreziqet e Kishës janë po aq të mëdha edhe tani sa në kohën e Shën Luanit, kujdesi i Shën Pjetrit nuk është më i vogël. Dy vite më vonë qyteti ra pre e vandalëve; por edhe atëherë Luani e shpëtoi atë nga shkatërrimi. Ai vdiq në vitin 461 A. D., pasi kishte qeverisur Kishën për njëzet vjet.

 

Meditim – Luanit i pëlqente t’i atribuonte të gjitha frytet e punës së tij të pakursyer, kreut të lavdishëm të apostujve, i cili, ai shpesh deklaronte, jeton dhe qeveris në pasardhësit e tij.