admin

Atë Gjergj Fishta: Të Kryqzuemit!

Atë Gjergj Fishta: Të Kryqzuemit!

In fide vivo Filii Dei, qui dilexit
Me et tradidit semetipsum pro me. (Ad Gal. II. 20)


Qiella âsht muzë e shkimë âsht dielli;
Dridhet toka tue gjimue;
Rruzullimit trandet shtielli;
Gjâmen t’dekunt kanë vezhgue;
Shkambîjt tmera po i pershkon.


Tisi i tempullit âsht shkye,
Rrebtë ka shekllin trandë thellimi.
A natyra âsht tu’ u shperthye
E rroposet rruzullimi,
Ase Zoti diku pson.


Jo; pson Zoti! T’Izraelit
Bijt e prujtun m’mal t’Golgotit
Mbi nji t’ashper drû zabelit
Kryqzue paskanë t’Bir’n e Zotit:
Krejt e paskanë lá me gjak.


N’atë shemtim, n’atë mizorí
Kqyrë i Ati nalt prej qiellet;
E, kah sheh atë kob të zi,
Idhshem mnija xên e i pshtiellet,
Edhe mshirës i vên ai cak.


Rrebtë mbi shekull vrâ ka ftyren,
Edhe kapë rrufén njifillit
Me turshî gjithmbarë natyren.
Struken Engjutj hijes s’qiellit,
Heshtë natyra n’mjerim t’vet.


Hikni popuj, hikni fise!
Hikni, po, jashta ktij sheklli;
Pse mbi t’eprat, m’t’ poshtrat vise,
Prej ksi kobi, prej ksi mreklli,
Mnin e Zotit gjâ s’e pret.


Hikni vrap, po; kah kujtoni
Se nji Zot, Krijuesi i Empirit,
Qi i fuqís e i s’ Drejtës âsht froni,
S’do t’perligjë gjakun e t’Birit
Qi po derdhni me poshtnim?


Mnershem qiella, qe, u kercnohet;
Per nen kambë don me u hikë bota;
Rruzullimi âsht kah zhgatrrohet;
Janë kah shuhen stinë e mota:
S’bân, jo, Zoti kaq shemtim!


Veç nji fjalë i Biri t’flase,
Veç nji ankim t’a bâjë mbi jue,
Se krijimi do t’humbase
Se edhe jeta ka me u shue:
Lesker shekllit kund nuk jet.


E qe i Biri pre’ atij drûni
M’ t’ cillin ju mberthye e kini,
M’ gozhda shtatin Aj e xûni,
Edhe kryet kah qiella ngrini,
Dishka Atit per ju i flet:


“Fali, o Át, deh! Njerzt Ti fali!
Pse shka bâjn nuk jane tue dijtun:”
Oh! Pse tash s’po trandet mali…
Pse xên dielli prap me shndritun…
Persè u kthiell si moskurraj….


Shka? a vetë dashka i Biri i Zotit
Mnín e vetë me zbutun,
Ke, m’ drû pezull, m’shkam t’Golgotit,
Per anmiq âsht tuj u lutun
Qi m’u a falë mâ t’randin faj?…


O dashtnija e Fjalës s’mishnueme
Po a edhe m’kryq per bij’ t’ Adamit
Fjalët Ti i paske t’ambeltueme…
E me i pruejtë Ti dashke damit…
E me i pá me lumnì plot?


Ah! ktû. Popuj, ktû ju fise!
Ktû, po, ktheni m’shesh t’Kalvarit!
S’kênka droje, jo, n’kto vise,
Kû vete Flija n’sŷ t’ Gjyqtarit
Gjaksve t’vet u dalka zot.


S’ paska kênë, jô i vrashtë Rromaku,
Qi per dekë gjikoi t’Amshuemin;
E Judeut as etja e gjakut
Njitë s’e paska m’kryq te Lumin:
Dashtunija Atê e kryqzoi!


Dashtunija me flakë t’ veta,
Po, ato gozhda i paska prehun,
M’t’cillat pezull randon Jeta,
Si Davidi ‘i herë pat shprehun,
Nder vegime ka’ i skjyrtoi.


M’ faj t’ Adamit dheu perlye
Velej Hy’it n’shatorre t’kthiella:
Por, të randë atë faj me shkmbye,
Gjak nji Zoti lypte qiella,
Gjak t’paçmuem, shka nierzt nuk kan.


N’dashtuní ndezun per né,
Qe atë herë Fjala e Perendís
Bâhet nieri e zdrypë mbi dhé;
E p’r atë faj të rrokullís
Flîje vehten Ajo e bân.


Sod njai gjak, qi u lyp prej t’Lumit
Çmim perdlimit per rod t’nirit,
Gurrë prej varrvet rrjedhë t’amshuemit
Gurrë mishriret edhe hirit
Per gjith t’bijt e mnís s’ Tynzot.


Sod, po, âsht shue mnija hyjnore,
Edhe deka âsht mujtë e mnershme;
Preja ferrit dalë ka dore;
Shtypun krejet hidra e hershme
Kján trathín e vet me lot.


Qiella e toka, bashkë pajtue,
Nji besë t’ambel vên dashtnije;
Qiella e toka pse vllaznue
Janë n’per Gjak t’s’ hynueshmes Flije,
Qi per tokë mbi Kryq rekton.


Kohë e ré, po nisë m’u endun
Rruzullimit prej kso bote,
Si profeta e pat permendun:
Kohë mishriret, qeti-plote,
Kû dashtnija veç mbretnon.


Shue, prá, kjoftë kushdo bir deket
Ngroftë në zêmer mni mbas sodi;
Dielli dheut, pse kahdo rreket
Sot t’tânë popujt janë nji rodi:
Gjaku i t’ Lumit i vllaznoi.


O Ti Gjaku i Flîs s’hyjnueshme,
Fise e popuj qi vllaznove,
Deh! ‘dhe n’dritë të jetës s’lumnueshme,
Me çmim t’And qi na fitove,
Fise e popuj Ti bashkoi.

4 Prill – Shën Izidori, arqipeshkëv – Doktor i Kishës

Jeta e Shën Izidorit të Sevijës, arqipeshkëv - Doktor i Kishës

Izidori u lind në një familje dukale në Kartagjenë, Spanjë. Dy vëllezërit e tij, Leandri, Arqipeshkv i Sevijës, Fulgentius, Ipeshkv i Ecijës, dhe motra e tij Florentina, janë Shenjtër.

 

Kur ishte akoma i ri, u dëshpërua nga rezultatet jo të mira në mësime, e kështu la shkollën. 

 

Njëherë, kur po pushonte afër një burimi buzë rrugës, vuri re një gur, i cili ishte gërryer nga uji që pikonte. Kjo e bëri atë që të kthehej, dhe me këmbëngulje të madhe, ia doli të ketë sukses aty ku më parë kishte dështuar. Ai shkoi te mësuesi i tij, dhe me ndihmën e Zotit u bë, edhe pse i ri në moshë, një nga njerëzit më të ditur të kohës. Asistoi në konvertimin e Princit Rekard, liderin e Arianëve; dhe me ndihmën e tij, edhe pse në rrezik të vazhdueshëm për jetën e vet, e dëboi atë lloj herezie nga Spanja.

 

Më pas, duke ndjekur thirrjen e Zotit, ai shëroi një shurdh falë lutjeve të miqve të tij, dhe vendosi të jetonte në vetmi. Princi Rekard dhe shumë fisnikë e pjesëtarë të Klerit të Sevijës, u nisën ta bindnin që t’u printe, dhe i treguan nevojat e kohës, dhe të mirën që mund të bënte e që kishte bërë më përpara, midis njerëzve. Shën Izidori refuzoi, dhe, për sa mund ta gjykojmë, ai refuzim i dha atij mundësinë të përvetësonte virtytin dhe fuqinë, që më pas e bënë atë një Ipeshkv të shquar, dhe Doktor të Kishës.

 

Pas vdekjes së të vëllait, Leandrit, ishte thirrur të zëvëndësonte vendin bosh. Si një mësues, drejtues, themelues, dhe reformues, ai punoi jo vetëm për dioqezën e vet, por për të gjithë Spanjën, madje edhe në vende të tjera. 

 

Vdiq në Sevijë, më 4 Prill, 636, dhe brenda 16 viteve nga vdekja e tij, u shpall Doktor i Kishës Katolike.

 

 

Meditim – Fuqia e tundimit zakonisht shtrihet mbi faktin se qëllimi i tij është diçka aprovuese për krenarinë tonë, qetësuese për plogështinë tonë, ose në një mënyrë edhe joshëse ndaj pasioneve tona më të fëlliqura. Shën Izidori na mëson të mos dëgjojmë as nxitjet e natyrës, as këshillat e besueshme të miqve që bien në kundërshtim me zërin e Zotit.

 

1. Kriza në Kishë

1. Kriza në Kishë

 

  1. A ka krizë sot në Kishë ?

Vetëm po mbyllëm sytë nuk shohim që Kisha katolike po pëson një krizë të rëndë. Në vitet 1960 shpresohej një pranverë për Kishën gjatë koncilit II të Vatikanit, por ndodhi e kundërta. Me mijëra prifta e braktisën meshtarinë, me miliona rregulltarë e rregulltare u kthyen në jetën shekullare. Në Europë dhe në Amerikën e veriut, thirrjet (vokacionet) janë të rralla dhe janë të shumtë seminaret, kuvendet dhe shtëpitë rregulltare që janë mbyllur. Shumë famulli janë pa prift dhe kongregatat rregulltare i lënë shkollat, spitalet dhe shtëpitë e të moshuarve. « Tymi i Satanit ka hyrë në tempullin e Hyjit nga disa çarje », thoshte papa Pali VI më 29 qershor 1972[1]

 

+ A dihet se sa prifta e kanë braktisur meshtarinë në vitet 1960 ?

Në krejt Kishën mes viteve 1962 dhe 1972, 21 230 prifta janë kthyer në status laik. Ky numër nuk përfshin ata që kanë neglizhuar të bëjnë kërkesë për kthim zyrtar në status laik[2]. Mes viteve 1967 dhe 1974, tridhjetë deri dyzet mijë prifta e kenë lënë vokacionin e tyre. Këto fakte katastrofike as nuk mund të krahasohen me ndodhitë që shoqëruan të ashtuquajturën « Reformë » protestante të shek. XVI-të. 

 

 

+ A pati një katastrofë të njëjtë në kongragatat rregulltare ?

Quebec, rajon frëngjisht-folës i Kanadasë, ishte në vitet ’60 rajoni që kishte më shumë rregulltare në botë në raport me popullsinë. Kardinal Ratzinger tregon, duke theksuar se është vetëm një shembull mes të tjerësh :

Mes viteve 1961 dhe 1981 për shkak të largimeve, të vdekjeve dhe të ndalimit të ardhjeve të reja, numri i rregulltareve kaloi nga 46 933 në 26 924. Një rënie me 40% e cila është vështirë të fshihet. Vokacionet e reja kanë rënë përgjatë të njëjtës periudhe me 98,5%. Ndërsa një pjesë e mirë e këtij 1,5% të ngelur përbëhet jo nga rregulltare të reja në moshë, por nga « vokacione të vonshme ». Pra jemi në atë pikë saqë parashikimet më të thjeshta iu lejojnë sociologëve të bien dokort për këtë konkluzion brutal, por objektiv : « Pas pak vitesh, jeta rregulltare femërore ashtu sikur e kemi njohur do të jetë vetëm një kujtim në Kanada »[3]

 

 

+ A nuk është përmirsuar situta sot ? A nuk mund të themi se kriza ka kaluar  ?

Në Francë në vitet 1950 kishte rrethe një mijë shugurime meshtarake në vit. Që prej viteve 1990 ka rrethe një qind. Në 1956 në Francë kishte 41 000 prifta dioqezanë, kurse në 2015 vetëm 15 000 ku shumica prej tyre është mbi 60 vjeç. Numri i rregulltarëve në botë vazhdon të bie. Në

 

Amerikë, në 1960 u bënë 1527 shugurime meshtarake. Në 1998, vetëm 460 u shuguruan meshtarë, një rënie rreth 1000 në vit.

 

+ A i prek edhe besimtarët kjo krizë ?

Në 1958, 35% e franvezëve shkonin në Meshë çdo të dielë, sot janë vetëm 5% dhe shpesh janë të moshuar. Në 1950 më shumë se 90% i fëmijëve lindur në Francë pagëzoheshin, sot më pak se 50% i tyre. Në 1950, në Amerikë rreth 70% e katolikëve shkonin në Meshë, disa studime kanë treguar se ky numër ka rënë poshtë 30%.

 

 

+ Pavarësisht kësaj, a nuk ka një rritje pagëzimesh të rriturish në disa vende?

Disa mijra pagëzime të rriturish nuk mund ta konpensojnë rënin e qindra mijra pagëzimesh fëmijësh, plus që qëndrimi (persévérance) i të pagëzuarve të rinj shpeshherë lë për të dëshiruar.

 

 

+ A është rasti i Francës dhe i Amerikës me të vërtetë karakteristik ?

Të njëjtin mosinteresim për Kishën e gjejmë edhe në vende të tjera në Europë. Mes viteve 1970 dhe 1993, 1.9 milionë gjermanë janë larguar zyrtarisht nga Kisha katolike. Arsyet për këtë nuk janë urrejtia apo zemërimi, por indiferenca. Kisha nuk iu flet më njerëzve, ajo s’ka më rëndësi në jetën e tyre ; kështu e braktisin për të kursyer taksën kishtare. Me këtë ritëm, feja katolike do të bëhet një feja e një pakice të vogël. Gjermania, sipas Karl Rahner, rrezikon të bëhet tokë pagane me të kaluar të krishterë dhe me disa mbetje të krishtërimit.

 

 

+ A nuk mund të themi se kjo krizë e tmerrshme është lokale, prek Europën perëndimore dhe Amerikën e veriut, por kursen Amerikën latine, Afrikën dhe Azinë, ku katolicizmi duhet veçanërisht dinamik ?

Disa shifra mund të na bëjnë të besojmë se kriza është vetëm lokale. Vjetari pontifikal thotë se rritja e seminareve dhe e shugurimeve në vendet e botës së tretë konpenson gjerësisht rënien e konstatuar në vendet perëndimore. Në realitet kriza është universale, edhe pse nuk është njësoj çdo kund (vendet e varfra, ku meshtaria lejon promovim shoqëror, rekruton pa vështirësi vokacione, por të çfarë lloj cilësie ?). Amerika latine për shembull që konsiderohet si bastion katolik, aktualisht po kalon në protestantizëm më shpejt sesa Gjermania në shek. XVI-të.

 

 

+  A ka shifra për të ilustruar këtë protestantizim të Amerikës latine ?

Deri para koncilit II të Vatikanit, 94% e brazilianëve ishin katolikë. Në vitin 1980 ishin 89%, 83% në 1991, 74% në 2000 (dhe më pak se 60% në qytetet e mëdha : Sao Paolo dhe Rio). Protestantët që ishin 3% e popullsisë në 1990, sot janë 18% dhe numri i tyre vazhdon të rritet. Mesatarisht pesë kisha pentekontiste krijohen në Rio çdo javë. At Franc Rodé, sekretar i këshillit pontifikal për Dialogun me jo-besimtarët, thoshte në 1993 se Kisha humb çdo vit 600 000 besimtarët latino-amerikanë. Burime të tjera thonë që 8 000 katolikë në ditë përfshihen në sekte. Në Kili që prej 1960, 20% e popullsisë i është bashkuar sekteve protestante dhe 30% në Guatamala.

 

 

  1. A është kjo një krizë besimi ?

Besimi i krishterë duhet se po zhduket në Europë. Të vërtetat themelore si besimi në Hyj, hyjnia e Jezu Krishtit, parajsa, purgatori dhe ferri besohen pak e më pak.  Më shqetësues është fakti se këto nyje të fesë mohohen edhe nga njerëz që e quajnë veten katolikë dhe shkojnë shpesh në kishë.

 

+ A ka shifra që ilustrojnë këtë krizë besimi ?

Sondazhet tregojnë përafërsisht tendencat e shoqërisë. Sipas një sondazhi, 58% e francezve e kanë të sigurtë ose jo se Zoti egziston ; 65% thonë që « nuk besojnë » aspak në një Hyj në tre veta, dhe 67% nuk besojnë aspak se ferri egziston. Vetëm 12% e katolikve besojnë me plot siguri se ferri egziston (16% e besojnë pak ; 72% nuk besojnë fare). Edhe te katolikët praktikantë të rregullt, shifrat janë katastrofike : vetëm 23% besojnë se ka ferr, kurse 54 nuk besojnë se ka. 34% e këtyre praktikantëve të rregullt besojnë plotësisht se Muhamedi ishte profet, kurse 28% e tyre nuk e besojnë (35% besojnë pak, të tjerët nuk e dijnë). Në 2006, vetëm 7% e katolikve francezë thonë që feja e tyre është feja e vetme e vërtetë. Shihet nji ndryshim i madh ku gjysma e katolikve mendonin në 1952 që egziston vetëm një fe e vërtetë. Në Valais të Zvicrës, zonë katolike, 81% e katolikve thonë që krejt fetë të shpien në shëlbimin e amshuar.

 

 

+ Çfarë mësimi mund të nxjerrim nga këto shifra ?

Shifrat tregojnë se kriza është së pari krizë besimi. Jo vetëm që numri i atyre që i përkasin Kishës po zvogëlohet, por edhe shumica e atyre që janë zyrtarisht pjestarë të Kishës nuk e kanë më besimin katolik ! Ai që mohon nji të vërtetë të fesë e humbet besimin, sepse feja është e tërë dhe duhet të merret si e tërë. Nëse 7% refuzojnë të besojnë se ka ferr, atëherë vetëm nji katolik ndër tre e ka akoma besimin. 

 

 

  1. A është edhe krizë morale kjo krizë ?

Kriza e moralit shoqëron krizën e besimit. Ndërsa Shën Pali iu kujton të krishterëve që duhet të shndrisin me sjelljen e tyre si yje në botë në mes të kësaj breznie të prishur (Fil. 2, 15), mund të themi që mënyra e jetesës së të krishterëve të sotshëm nuk ndryshon në asgjë nga ajo e bijve të kësaj bote, nga ajo e jobesimtarëve. Besimi i tyre i dobët dhe i boshatisur nga substanca e tij nuk ka më fuqi të ndikojë jetën e tyre e aq më pak t’i japë formë. 

 

+ Cila është lidhja normale mes besimit dhe moralit ?

Njeriu i brishtësuar nga mëkati origjinal ka tendecë të veprojë sipas pasioneve të tij, duke humbur kështu kontrollin e vetes. Feja e krishterë i tregon njeriut se çka pret Hyji prej tij dhe sesi ai duhet ta përshtasë jetën e tij me vullnetin e Hyjit. Njeriu njeh përmes besimit se çka shpreson nëse zbaton urdhnimet e Hyjit, por edhe vuajtjet me të cilat do ta dënojë Hyji nëse ia kthen shpinën. Besimi dhe sakramentet i japin njeriut fuqinë për të mposhtur prirjet e këqija dhe t’i përkushtohet krejtësisht së mirës dhe dashurisë për Hyjin.

 

 

+ Cilat janë pasojat morale të një krize besimi ?

Nëse besimi zhduket, njeriu nuk e din se është i thirrur për përsosmëri morale dhe për jetën e amshuar afër Hyjit. Ai shkon gjithmonë e më shumë drejt kënaqësive të çrregullta të kësaj jete. + Kriza aktuale morale a prek edhe katolikët ?

Këtë e shohim në ditët e sotme. Besnikëria, pastërtia, drejtësia, shpirti i sakrificës etj. nuk janë më vlera të pakundërshtueshme, madje as edhe për të krishterët. Një martesë ndër tre sot përfundon në divorc pas pesë deri dhjetë vjetësh ; dihet « rimartesa » pas divorcit kërkohet nga një numër në rritje katolikës. Revista Herderkorrespondenz i 1984 thoshte se në Tirolin katolik (zonë mes Austrisë dhe Italisë) 84% e popullsisë hedh poshtë mësimin e Kishës për kontraceptivët dhe që mes 18-30 vjeçarëve vetëm 1.8% e tyre e ndjekin këtë mësim. Në Valais (Zvicër), 81,5% e katolikëve thonë që personat e divorcuar dhe të « rimartuar » duhet të lejohen të kungohen[4]. Në Francë në 2003, çereku i katolikëve deklarojnë se « ideja e mëkatit nuk ka domethënie të madhe për ata ».

 

  1. A ka edhe krizë në klerin sot ?

Mungesa e thirrjeve meshtarake dhe rregulltare dhe largimet e shumta tregojnë një krizë të thellë në kler. Shumë prifta e kanë humbur besimin, nuk janë më në gjendje për t’ua përçuar njerëzve dhe për ti entuziasmuar ata.

 

+ Cfarë lidhje ka mes krizës së besimit dhe krizës në klerin ?

Kriza e klerit është shkaku i krizës së besimit te besimtarët. Besimi i katolikëve që shkojnë rregullisht në Meshë është në një gjendje të mjerueshme dhe shkaku i kësaj vjen vetëm nga një predikim me të meta. Nëse priftat do tu mësonin besimtarëve rregullisht fenë katolike, situata do të ishte krejt ndryshe. Njerëzit nuk e kanë humbur besimin vetëm, por iu është hequr nga katekizmi dhe nga amboni i kishave. Kur gjatë homelive për vite të tëra vihen në dyshim të vërtetat e fesë, ose relativizohen apo mohohen haptazi, si të mos habitemi që besimtarët e thjeshtë humbasin besimin ? Të rinjë as që e kanë njohur. 

 

 

+ A ka shembuj të këtij mësimi të keq që jepet nga klerikët ?

Sot nuk është e rrallë që një fëmijë që bën kungimin e parë nuk e din që Zoti ynë Jezu Krishti është me të vërtetë, realisht dhe substancialisht i pranishëm në Eukaristi, nuk e di sepse as famullitari i tij nuk beson më në këtë mister. Në Wie wir Menschen leben, libër i mësimit fetar në Gjermani mund të lexojmë : « Kur të krishterët ndajnë darkën me Jezusin shkojnë në altar. Prifti iu jep një copë buke. Ata hanë bukën[5]. » Ky libër i mësimit fetar ka marr imprimatur-in (d.m.th. lejen) dhe është autorizuar nga ipeshkvinjtë gjermanë !

 

 

+ A nuk është më e mirë situata në Francë ?

Nëse 34% e katolikëve praktikantë të rregullt francezë besojnë plotësisht se Muhamedi është profet dhe 35% besojnë pak (pra në total 69%), vëmë re se shifra është më e ulët te katolikët jo praktikantë (21% dhe 22%, në total 43%). Në këtë pikë, jo praktikantët janë pra më katolikë sesa praktikantët. Kjo vjen sigurisht nga mësimi që marrin në kishë. Në fakt shumë ipeshkvinj

 

francezë iu kanë dhënë kisha muslimanëve dhe papa Gjon Pali II ka puthur Kuranin më 14 maj 1999.

 

 

+ Kriza e klerit a është krizë morali ?

Kriza është fillimisht një krizë besimi, por një kler besimi i të cilit është i dobët, sigurisht nuk ka më forcë për të ruajtur celibatin (beqarinë), sepse kjo është e mundur vetëm për atë që është i animuar nga një besim i gjallë dhe nga një dashuri e madhe për Zotin tonë. Dihet se një numër i madh priftash sot kanë lidhje mëkatare me një femër, publikisht apo jo, dhe shpesh marrim vesh se një prift ka braktisur postin e tij si prift duke deklaruar se nuk e ruante më celibatin që prej disa vitesh. Për këtë çështje, situata e klerit të botë së tretë (numri i të cili është në rritje) nuk është më e mirë. 

 

 

+ A nuk mediatizohen largimet e priftave me qëllim që të hiqet celibati i priftave ?

Është e qartë se celibati i largon shumë djem nga meshtaria, por në vend që bëjmë polemika mbi këtë temë, duhet të pyesim se pse shumë djem e ofronin me plot zemër këtë sakrificë më parë, ndërsa sot jo më.  

 

 

  1. Çfarë ndryshimi ka mes krizës së sotme me ato që Kisha ka pësuar në të kaluarën ?

Kriza e sotme në Kishë dallohet nga të kaluarat, kryesisht sepse janë autoritetet më të larta të Kishës ata që e kanë nisur, ata që e mirëmbajnë dhe që pengojnë të merren masa efikase për ta zgjidhur. 

 

+ A s’ka pasur ndonjëherë krizë të rëndë në Kishë ?

Në Kishë ka pasur shpesh kriza. Prifta, ipeshkvinj si edhe papë kanë pasur nganjëherë jetë në kundërshtim me Ungjillin. Imoraliteti dhe mungesa e disiplinës së klerit e ka dëmtuar shpesh Kishën. Disa herë prifta dhe ipeshkvinj janë shmangur nga feja e vërtetë, por asnjëherë gabimet dhe mohimi publik i të vërtetave të fesë nuk është përhapur si sot falë tolerancës, autorizimit dhe aktivitetit të autoriteteve romake dhe të episkopatit botëror. Ky është tipari i veçantë i krizës aktuale, e cila favorizohet nga autoritetet më të larta të Kishës, duke përfshirë edhe papën. 

 

 

+ A është pranuar nga autoritetet e Kishës ky tipar i veçantë i krizës aktuale ?

Papa Pali VI ka thënë në 1968 fjalinë e njohur kur fliste për Kishën në gjendje « vetëshkatërrimi » :

Kisha është në një orë shqetësimi, autokritike, mund të themi vetëshkatërrimi. Sikur një përmbysje e brendshme, e mprehte dhe komplekse që askush nuk e priste pas Koncilit… Sikur Kisha po godet veten[6].

 

 

[1] «da qualche fessura sia entrato il fumo di Satana nel tempio di Dio » , homelia e 9 vjetorit të kurorëzimit të papa Palit VI, lexo këtu homelinë e plotë.

[2] Georg May, Die Krise der nachkonziliaren Kirche und wir, Vjenë, Mediatrix-Verlag, 1979, fq. 50.

[3] Takim i kardinalit Ratzinger me Vittorio Messori, Vittorio Messori a colloquio con Joseph Ratzinger, fq. 36

[4] Instituti Link, 1990.

[5] Wie Wir Menschen leben, Ein Religionsbuch, Herder, 1972, fq. 78. Këtij libri i është Imrimatur-i më 17 janar 1972 nga vikari i përgjithshëm i dioqezës Freiburg im Breisgau, D. Schlund. 

[6] Fjalim i Palit VI më 7 dhjetor 1968. 

2 Prill – Shën Françesku i Paulës

Jeta e Shën Françeskut të Paulës

Në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare, Françesku la shtëpinë e tij të varfër në Paula të Kalabrisë, për të jetuar në vetmi në një shpellë buzë detit. Me kalimin e kohës dishepujt u mblodhën rreth tij, dhe me ta, në 1436, ai themeloi “Minimët”, të quajtur kështu për të treguar se ata ishin më të vegjlit nga urdhrat monastikë. Ata mbajtën një Kreshmë të përjetshme, dhe nuk e prekën kurrë mishin, peshkun, vezët, apo qumështin. Vetë Françesku e bëri shkëmbin shtratin e tij; veshja e tij më e mirë ishte një këmishë leshi, dhe barishtet e ziera ishin ushqimi i tij i vetëm. Ndërsa trupi i tij u tha, besimi i tij u bë i fuqishëm, dhe ai “i bëri të gjitha gjërat në Atë që e forconte”. Ai shëroi të sëmurët, ringjalli të vdekurit, largoi murtajat, dëboi shpirtrat e këqij dhe i bëri mëkatarët të pendoheshin. 

 

Një predikues i famshëm, i nxitur nga disa murgj të devijuar, filloi punën për të predikuar kundër Shën Françeskut dhe mrekullive të tij. Shenjti nuk e vuri re dhe predikuesi, duke zbuluar se nuk kishte sukses me dëgjuesit e tij, vendosi ta shihte këtë vetmitar të gjorë dhe ta ngatërronte personalisht. Shenjti e priti me dashamirësi, e vendosi pranë zjarrit dhe dëgjoi një parashtrim të gjatë të mashtrimeve të tij. Pastaj ai në heshtje mori disa prush të ndezur nga zjarri dhe duke mbyllur duart mbi to pa u lënduar, tha: “Eja, Pater Anton, ngrohe veten, sepse po dridhesh nga mungesa e një bamirësie të vogël”. Pater Antoni, duke rënë në këmbët e shenjtit, kërkoi falje dhe më pas, pasi mori përqafimin e tij, e la atë, për t’u bërë lëvduesi i tij dhe për të arritur përsosmërinë më të madhe. Kur mbreti koprrac Ferdinand i Napolit i ofroi para për manastirin e tij, Françesku i tha që t’ua kthente nënshtetasve të tij të shtypur dhe ia zbuti zemrën duke bërë që të rridhte gjak nga monedha. 

 

Luigji XI i Francës, i frikësuar nga afrimi i vdekjes, dërgoi ta thërrisnin vetmitarin e gjorë për të shmangur armikun, përparimin e të cilit as fortesa dhe as rojet e tij nuk mund ta shmangnin. Françesku shkoi me urdhër të Papës dhe përgatiti mbretin për një vdekje të shenjtë. Pasardhësit e Luigjit e përkrahën shumë Shenjtin, Urdhri i tij u përhap në të gjithë Evropën dhe emri i tij u nderua në mbarë botën e Krishterë. 

 

Ai vdiq në moshën nëntëdhjetë e një vjeç, të Premten e Madhe, në 1507, me kryqin në dorë dhe fjalët e fundit të Jezusit në buzët e tij: “Në duart e Tua, O Zot, e dorëzoj shpirtin tim”.

 

Meditim – Mbështetuni te Zoti në të gjitha vështirësitë. Ajo që i mundësoi Shën Françeskut të bënte mrekulli, do të bëjë mrekulli për veten tuaj, duke ju dhënë forcë dhe ngushëllim.

1 Prill – Shën Hugo, ipeshkëv

Jeta e Shën Hugos, ipeshkëv

Ishte fati i këtij shenjti të merrte nga djepi i tij përshtypjet më të forta të devotshmërisë nga shembulli dhe kujdesi i prindërve të tij të shquar e të shenjtë. Ai lindi në Chateau-neuf, në territorin e Valences në Dauphiné, në vitin 1053. Babai i tij, Odilo, i cili i shërbeu vendit të tij në një post të nderuar në ushtri, punoi me të gjitha mjetet në fuqinë e tij për t’i bërë ushtarët e tij shërbëtorë besnikë të Krijuesit të tyre, dhe me dënime të rënda për të mposhtur veset. Me këshillën e djalit të tij, Shën Hugos, ai më pas u bë murg Kartuzian, dhe vdiq në moshën njëqind vjeçare, pasi kishte marrë Kungimin dhe Sakramentin e Vajimit nga duart e djalit të tij. Shenjti ynë ndihmoi gjithashtu, në momentet e saj të fundit, nënën e tij, që për shumë vite, nën drejtimin e tij, i kishte shërbyer Hyjit në shtëpinë e saj, me lutje, agjërim, dhe me vepra bamirësie të shumta. 

 

Hugo, nga djepi, dukej se ishte një fëmijë i bekuar. Ai i kaloi studimet me suksese të mëdha, dhe pasi zgjodhi t’i shërbejë Hyjit në mënyrë klerikale, ai u bë kanonist në katedralen e Valences. Shenjtëria dhe dituria e tij e madhe e bënë atë një stoli të asaj kishe, dhe më në fund u bë ipeshkëv i Grenobles. Ai vendosi menjëherë për të qortuar veset dhe për të korrigjuar abuzimet, dhe aq i bollshëm ishte bekimi i Qiellit për punët e tij, sa ai pati fatin të shihte fytyrën e dioqezës së tij në një kohë të shkurtër të ndryshuar jashtëzakonisht. Pas dy vjetësh ai dha dorëheqjen nga ipeshkvia e tij, me lejen e Selisë së Shenjtë, dhe, pasi veshi petkun e Shën Benediktit, ai hyri në abacinë e rreptë të Casa-Dei në Auvergne. Atje ai jetoi një vit, një model i përsosur i të gjitha virtyteve për atë shtëpi të shenjtërve, derisa Papa Gregori VII e urdhëroi atë, në virtyt të bindjes së shenjtë, për të rifilluar detyrën e tij baritore.

 

 

Ai i kërkoi me zell Papa Inocent II leje për të dhënë dorëheqjen nga ipeshkvia e tij, që ai të vdiste në vetmi, por asnjëherë nuk mundi të merrte kërkesën e tij. Hyji vendosi që t’ia pastronte shpirtin përmes një sëmundje të gjatë përpara se ta thërriste pranë Vetes. Pak kohë para vdekjes së tij, ai humbi kujtesën për gjithçka, përveç lutjeve të tij. Ai e mbylli kursin e tij të pendimit më 1 prill 1132, vetëm dy muaj para se të ishte tetëdhjetë vjeç, nga të cilët kishte qenë pesëdhjetë e dy vjet ipeshkëv. Mrekullitë vërtetuan shenjtërinë e vdekjes së tij të lumtur, dhe ai u kanonizua nga Inocenti II në 1134.

 

Meditim – Le të mësojmë nga shembulli i shenjtërve t’i shmangemi trazirave të botës aq sa na lejojnë rrethanat tona, dhe të praktikojmë ushtrimet e vetmisë së shenjtë, lutjeve dhe leximit të devotshëm.

 

31 Mars – Shën Benxhamini, xhakon, martir

Jeta e Shën Benxhaminit, xhakon, martir

Isdegerdi, i biri i Saporit III, i dha fund persekutimeve mizore kundër të krishterëve në Persi, të cilat kishin filluar nga Sapori II, dhe Kisha kishte gëzuar paqe për dymbëdhjetë vjet në atë mbretëri, kur në vitin 420 u trazua nga zelli i pamatur i Abdasit, një ipeshkëv i krishterë, i cili dogji Pireumin, ose Tempullin e Zjarrit, hyjninë e madhe të Persianëve.  Mbreti Isdegerd shkatërroi më pas të gjitha kishat e krishtera në Persi, vrau Abdasin dhe solli një persekutim të gjithanshëm kundër Kishës, i cili vazhdoi dyzet vjet me tërbim të madh.  Isdegerdi vdiq një vit më pas, në 421. Por i biri i cili qe edhe pasardhësi i tij, Varanes, e vazhdoi persekutimin me më shumë mizori.  Vetë rrëfimi i mizorive që ai ushtroi ndaj të krishterëve të tmerron.  

 

Ndër kampionët e lavdishëm të Krishtit ishte Shën Benxhamini, një xhakon.  Tirani urdhëroi që ta rrihnin dhe ta burgosnin.  Ai kishte qëndruar një vit në birucë, kur një ambasador i perandorit solli lirimin e tij me kusht që të mos fliste kurrë me asnjë nga pjesëtarët e oborrit mbretëror për fenë.  Ambasadori i dha fjalën në emër të tij se nuk do ta bënte;  por Benxhamini, i cili ishte një shërbëtor i Ungjillit, deklaroi se ai nuk do të humbiste asnjë mundësi për të prezantuar Krishtin.  Mbreti, duke u informuar se ai ende predikonte besimin në mbretërinë e tij, urdhëroi ta kapnin, urdhëroi që t’i futeshin gozhda midis thonjëve dhe mishit, si në duar ashtu edhe në këmbë, t’i futeshin në pjesë të tjera më të buta dhe të nxjerrnin përsëri, dhe kjo të përsëritej shpesh me dhunë.  Së fundi, një hu me nyje iu fut në zorrë për t’i shqyer dhe coptuar. Në këtë mundim ai ndërroi jetë në vitin 424.

 

 

Meditim —Ju lutemi, o dëshmorët më të shenjtë, që vuajtët me gëzim mundimet më mizore për Hyjin, Shëlbuesin tonë dhe për dashurinë e Tij, dhe për këtë arsye ju jeni tani të bashkuar ngushtë dhe familjarisht me Të, që t’i luteni Zotit për ne mëkatarët e mjerë, të mbuluar me papastërti, që Ai të na mbushë me hirin e Krishtit, e të ndriçojë shpirtrat tanë që ta duam Atë.

30 Mars – Shën Gjoni i Shkallës

Jeta e Shën Gjonit të Shkallës

Gjoni bëri, kur ishte ende i ri, një përparim të tillë në mësime, saqë u quajt Skolastik.  Në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç ai u largua nga e ardhmja e shkëlqyer që e priste dhe u tërhoq në malin Sinai, ku u vu nën drejtimin e një murgu të shenjtë. Kurrë nuk pat fillestar më të zjarrtë dhe më të gatshëm në përpjekjet për vetë-zotërim se ai.  

 

Pas katër vjetësh ai mori betimet dhe një abat i moshuar parashikoi se një ditë do të bëhej një nga dritat më të shkëlqyeshme të Kishës.  Nëntëmbëdhjetë vjet më pas, me vdekjen e udhëzuesit të tij, ai u tërhoq në një vetmi më të thellë, ku studioi jetën dhe shkrimet e shenjtërve dhe u ngrit në një lartësi të pazakontë soditjeje.  Fama e shenjtërisë së tij dhe mençuria praktike tërhoqi turma rreth tij për këshilla dhe ngushëllim.  

 

Për një përfitim më të madh ai vizitoi shkretëtirat e Egjiptit.  Në moshën shtatëdhjetë e pesë vjeç ai u zgjodh abat i malit Sinai dhe atje “banoi në malin e Hyjit dhe nxori nga thesari i pasur i zemrës së tij pasuri të paçmueshme doktrinash, të cilat i derdhi me bollëk dhe bekim të mrekullueshëm  .”  Ai u nxit nga një vëlla abat të shkruante rregullat me të cilat ai kishte udhëhequr jetën e tij;  dhe libri i tij i quajtur Kulmi, ose Shkalla e Përsosmërisë, është çmuar në të gjitha epokat për mençurinë, pastërtinë dhe shkathtësinë e tij.  

 

Në fund të katër viteve, ai nuk mund t’i duronte më nderimet dhe shpërqendrimet e detyrës së tij dhe u tërhoq në vetmi, ku vdiq, në vitin 605.

 

 

Meditim —”Mos e largo nga ti, vëllai im”, thotë Imitimi i Krishtit,” shpresën e sigurt për të arritur jetën shpirtërore; ke ende kohën dhe mjetet.”

29 Mars – Shenjtërit Jonas, Barakisius, dhe shokët e tyre, martir

Jeta e Shenjtërve Jonas, Berakisius, dhe shokët e tyre, martir

Mbreti Sapor i Persisë, në vitin e 18-të të mbretërimit të tij, filloi një persekutim të përgjakshëm kundrejt të Krishterëve, dhe shkatërroi kishat e manastiret e tyre. Jonas dhe Barakisius, dy vëllezër nga qyteti Beth-Asa, duke dëgjuar se shumë të Krishterë ishin dënuar me vdekje në Hubaham, shkuan vetë atje t’i inkurajojnë e t’u shërbejnë. Nëntë prej tyre morën kurorën e martirizimit.


Pas ekzekutimit të atyre të Krishterëve, Jonas dhe Barachisius u kapën, ngaqë i kishin nxitur ata të vdesin. Presidenti u tha dy vëllezërve t’i binden mbretit të Persisë, dhe të adhuronin diellin, hënën, zjarrin e ujin. Përgjigjja e tyre ishte, që është më e arsyeshme t’i binden Mbretit të pavdekshëm të qiellit e tokës, sesa një princi të vdekshëm.


Jonas qe rrahur me shkopinj me nyje e shufra, dhe më pas ishte hedhur në një pellg të ngrirë, e lidhur nga këmba me një litar. Barakisius-it iu vendosën dy pllaka të nxehta hekuri e dy çekiçë të nxehtë nën secilin krah, dhe iu hodh plumb i shkrirë në hundë e sy; pastaj qe dërguar në burg, i varur për nga njëra këmbë.


Pavarësisht këtyre torturave mizore, dy vëllezërit qëndruan të palëkundur në Fe. Tortura të reja e më të tmerrshme qenë sajuar, nën të cilat të dy në fund dhanë jetën, ndërkohë që shpirtrat e pastër të tyre fluturuan drejt Parajsës, ku do të merrnin edhe kurorën e Martirëve, të cilën e kishin fituar besnikërisht. 


Meditim – Ato arsye aq të fuqishme që mbështetën e ngushëlluan martirët nën torturat më të mprehta duhet të na inspirojnë edhe ne me durim, dorëheqje, dhe gëzim hyjnor nën sëmundje e çdo kryq apo sprovë. Asgjë s’është më heroike në praktikimin e virtyteve të Krishtera, asgjë më e çmueshme në sytë e Zotit, sesa sakrifica e duresës, bindjes, besnikërisë së përhershme, dhe bamirësisë në gjendje vuajtjeje.

28 Mars – Shën Gontrani, mbret

Jeta e Shën Gontranit, mbret

Shën Gontrani ishte i biri i Mbretit Kloter, dhe nipi i Klovis I e Shenjtës Klotilda. Duke qenë djali i dytë, ndërkohë që vëllezërit Kariberti e Sigberti mbretëronin përkatësisht në Paris e në Austrasia, duke jetuar në Metz, ai u kurorëzua mbret i Orleans e Burgandisë në vitin 561, duke bërë Kalos kryeqytetin e tij. Kur u detyrua të marrë armët kundrejt vëllezërve të tij ambiciozë dhe Lombardëve, nën drejtimin e një gjenerali të guximshëm të quajtur Momol, nuk i përdori fitoret e veta për gjë tjetër përveç se të sillte paqe në territoret e tij.

 

Krimet në të cilat zakonet barbare të kombit të tij e përfshinë, i fshiu me lot pendese. Mbarësia e sundimit të tij, si në paqe ashtu edhe në luftë, dënon pikërisht ata që mendojnë se politika njerëzore nuk mund të modelohet bazuar në parimet e Ungjillit, që ndërkohë, asgjë tjetër nuk e bën të lulëzojë më shumë një qeveri. 

 

Ai gjithmonë i trajtoi priftërinjtë e Kishës me respekt dhe nderim. Ishte mbrojtësi i të shtypurve, dhe prind i dhembshur i vendasve të tij. Ai i kushtoi vëmendjen më të madhe kujdesit të së sëmurëve.

 

Shenjti Gontran agjëronte, lutej, ngushëllonte dhe i ofronte qënien e tij Zotit, ditë e natë, si një viktimë e gatshme të sakrifikohet në altarin e drejtësisë së Tij, që të shmangte zemërimin e Tij, për të cilin besonte se kishte qenë vetë ai që e kishte provokuar, i cili tashmë kishte rënë mbi njerëzit e pafajshëm. Ai ishte një dënues i rreptë i krimeve të oficerëve dhe shumë të tjerëve, dhe, me anë të disa rregullave shumë të dobishme, kufizoi shthurjen e trupave të tij; por në të njëjtën kohë s’kishte njeri më të gatshëm që të falte sulmet ndaj atij vetë. Me një madhështi mbretërore ndërtoi dhe financoi shumë kisha e manastire.

 

Ky mbret i mirë vdiq më 23 Mars të vitit 593, kur ishte 68 vjeç, pasi kishte mbretëruar për 31 vite e ca muaj.

 

Meditim – Nuk ka rrugë shpëtimi më të sigurt sesa mëshira, ashtu si Zoti Ynë e tha: “Lum ata që janë të mëshirshëm, sepse ata do të gjejnë mëshirë.”

2. Vërtetësia e Fesë Katolike sipas Shkrimit Shenjtë dhe Arsyes – Pjesa e Dyte

Vërtetësia e Fesë Katolike sipas Shkrimit Shenjtë dhe Arsyes - Pjesa e Dytë

…. Ku gjendet pra në botë, lexues i dashur, një fe e tillë? Një fe që konverton njerëz dhe u thotë se duhet të pranojnë me çdo kusht mësimet e saj: një fe që ndan miqësitë dhe bën ndarje në jetën familjare; një fe që mëson doktrina konkrete dhe këmbëngul në besimin e saktë dhe besimin e padiskutueshëm; që dënon çdo mësim në kundërshtim me të tijën, që dëbon heretikët dhe vë të vërtetën dhe besimin para së gjithash në planin e shpëtimit; një fe që ka një kler të caktuar që deklaron prejardhjen nga vetë Apostujt; një hierarki që duhet besuar dhe respektuar; që merr në vete fjalët: “Ai që ju dëgjon ju, më dëgjon mua dhe ai që ju përçmon ju, më përçmon mua”; që i thotë botës: “Ai që beson do të shpëtohet, ai që nuk beson do të dënohet” dhe: “Nëse dikush predikon një Ungjill tjetër nga ai që predikojmë ne, qoftë i mallkuar”? 

 

Lexuesi im i dashur, ekziston një fe e tillë në tokë, dhe ju e dini se cila është ajo. Afërsisht treqind e pesëdhjetë milionë besimtarë që mbajnë emrin e krishterë i përkasin asaj dhe për ta nuk ka nevojë të bëjnë pyetjen e Pilatit: “Çfarë është e vërteta?” sepse ata e dinë se në Kishën e tyre të madhe mbarëbotërore ata e kanë atë të vërtetë; sepse ata shohin, nga shenjat që ju kam vënë në dijeni sot

dhe nga shumë të tjera, se feja Katolike Romake ka të drejtë, sepse ajo, dhe vetëm ajo, nuk ngurron, në mënyrë të vazhdueshme, dhe mund të shtojmë, në mënyrë intolerante të mbajë të vërtetën ashtu siç e mbajti Krishti, dhe ashtu siç e mbajtën Apostujt, dhe kështu u jep atyre sigurinë që Kisha e tyre u mëson të vërtetën, po, të vërtetën e plotë të Jezu Krishtit. 

 

Deri tani ne kemi shqyrtuar nga shumë këndvështrime të vërtetën e Kishës Katolike; le të tregojmë tani, me siguri po të njëjtë, harmoninë e padiskutueshme që gjendet në fenë Katolike Romake; atë harmoni që është absolutisht thelbësore për përparimin e çdo organizate, dhe për të cilen, vetë Themeluesi i saj, Jezu Krishti, u lut në raste të ndryshme. 

Tani, pra, nëse ajo që ju thashë deri tani është e vërtetë, dhe ne pamë si nga Shkrimi i Shenjtë ashtu edhe nga arsyeja se nuk mund të jetë ndryshe, dhe se Jezu Krishti dhe Apostujt e Tij i kushtuan një rëndësi kaq të madhe të vërtetës, duke besuar të gjithë të vërtetën, pa e ndryshuar dhe pa i shtuar gjë; meqenëse është kështu, a nuk duhet të pretendojmë që, si fillim, feja e Jezu Krishtit të karakterizohet veçanërisht nga harmonia e besimit fetar?

 

Lexuesi im i dashur, le të marrim parasysh atë fakt të rëndësishëm të harmonisë së besimit fetar midis katolikëve dhe shikoni se si mund të arsyetohet. A nuk është e mundur, duke pasur parasysh mësimin e Zotit tonë të Bekuar për rëndësinë e së vërtetës dhe mëkatin e mohimit, ndryshimit ose refuzimit të së vërtetës, a nuk është të paktën shumë e mundshme që Ai të sigurojë disa mjete për ruajtjen e përhershme të harmonisë në besim midis ndjekësve të Tij? Dhe nëse Ai do ta siguronte këtë, a nuk do të qëndronte në këtë mënyrë ajo fe, që zotëron mjetet e harmonisë dhe vetë harmoninë, si feja që ka një pretendim epror se është e Jezu Krishtit? Dhe nëse mund të vërtetohet se anëtarët e fesë Katolike Romake e zotërojnë harmoninë e tyre nga të njëjtat mjete identike që Vetë Krishti siguroi për krijimin dhe ruajtjen e harmonisë midis ndjekësve të Tij, çfarë do të mungonte atëherë për të justifikuar pretendimin, se feja Katolike Romake është mjaft qartësisht feja e vërtetë e Krishtit vetë nga ky fakt?

 

Le të shkojmë te Dhiata e Re për të gjetur ndonjë provë për këtë çështje. Në kapitullin e dymbëdhjetë të Ungjillit të Shën Gjonit është regjistruar një lutje solemne e bërë nga Zoti ynë Jezu Krishti Atit të Tij pak para se Ai të dilte për tu ballafaquar me vdekjen e Tij: domethënë, lutja e Hyjit Bir drejtuar Hyjit Atë. “O Atë, ka ardhur ora; lartësoje Birin Tënd, që Biri yt të të lartësojë Ty. Më përlëvdo, o Atë, me Veten Tënde, me lavdinë që kisha me Ty, para se bota të egzistonte.” Pastaj lutet për Apostujt e Tij: “Atë i Shenjtë, ruaji ata në emrin tënd, QË TË JENË NJË, ASHTU SIÇ JEMI NE NJË: Shenjtëroji në të vërtetën; fjala Jote është e vërteta.” Së fundi, Ai lutet për të gjithë ata që do të marrin mësimet e Apostujve. Shiko fjalët e Hyjit tonë: “Dhe lutem jo vetëm për ta, por edhe për ata që nëpërmjet fjalës së tyre do të besojnë në Mua; që të gjithë të jenë një, sikurse Ti, o Atë, në Mua dhe Unë në ty; që edhe ata të jenë një në Ne, që bota të besojë se Ti më ke dërguar.” Sërish, Ai përsërit lutjen e Tij: “Që ata të jenë një, sikurse edhe Ne jemi një, Unë në ta dhe Ti në Mua, që të jenë të një në Ne dhe bota të dijë se Ti Më ke dërguar dhe I ke dashur ata, sikurse Më ke dashur Mua” (Gjn. 17:1-23). 

 

Çfarë kërkon Krishti? Harmoni. Çfarë lloj harmonie? Një harmoni kaq të përsosur dhe të mrekullueshme, saqë Ai e krahason atë me harmoninë që ekziston midis Tij dhe Atit të Tij Qiellor. Pse e kërkon Ai? Që të mund të jetë një shenjë për botën për të vërtetën e misionit të Tij dhe të dashurisë së Hyjit për njerëzimin.

Por Zoti ynë lutet gjithashtu për harmoni besimi mes ndjekësve të Tij; dhe, në të vërtetë, pa harmoni besimi dhe bindjeje, çdo harmoni tjetër është e pa arritshme. 

 

Lexuesi im i dashur, ju pyes, a na jep lutja e Zotit tonë Hyjnor një përshtypje të një krishterimi të përçarë? A e pohon të drejtën e gjykimit vetjak? Sigurisht që jo. Nga ana tjetër, po për ata treqind e pesëdhjetë milionë të krishterë që janë të bashkuar në atë mënyrë? Po për Kishën e madhe Katolike mbarëbotërore së cilës i përkasin? Mos vallë, lutja e Jezusit për harmoni në fakt u përmbush tek ata dhe në Kishën e tyre; dhe se sektet, për shkak të faktit se e kanë braktisur atë harmoni, janë shkëputur në këtë mënyrë, si institucione, prej gjirit të Fesë së Shenjtë të Krishtit? 

 

Më lejoni t’ju lexoj një shëmbëlltyrë të Zotit tonë: “Prandaj, ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb. Ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; por ajo nuk u shemb, sepse ishte themeluar mbi shkëmb. Përkundrazi ai që i dëgjon këto fjalë dhe nuk i vë në praktikë, do të krahasohet me një njeri budalla, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi rërë. Më pas ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; ajo u shemb dhe rrënimi i saj qe i madh”.” (Mt. 7:24-27). 

 

Tani, duke pasur parasysh këtë, dëgjoni rrëfimin e dy skenave në jetën e Hyjit tonë të Bekuar. E para u zhvillua në fillim të shërbesës së Zotit tonë dhe është regjistruar për ne nga Shën Gjoni. Simonin, birin e Jonas, e solli tek Zoti ynë vëllai i tij, Andrea; Dhe, sapo e pa, Jezusi e shikoi dhe tha: “Ti je Simoni, biri i Jonas; do të quhesh Kefa, që përkthehet “Pjetër”. (Fjala Kefa dhe Pjetër me siguri e dini, lexues, se të dyja do të thonë shkëmb.) 

 

Skena e dytë ndodhi më vonë gjatë shërbesës së Zotit tonë dhe është regjistruar në faqet e Shën Mateut: “Pastaj Jezusi, mbasi arriti në krahinën e Çezaresë së Filipit, i pyeti dishepujt e vet: ”Kush thonë njerëzit se jam unë, i Biri i njeriut?”. Dhe ata thanë: ”Disa Gjon Pagëzuesi, të tjerë Elia, të tjerë Jeremia, ose një nga profetët”. Ai u tha atyre: ”Po ju, kush thoni se jam unë?”. Dhe Simon Pjetri duke u përgjigjur tha: ”Ti je Krishti, Biri i Hyjit të gjallë”. Dhe Jezusi duke përgjigjur tha: ‘Lum ti, o Simon, bir i Jonas, sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në Qiell. Dhe unë po të them gjithashtu se ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj Kishën Time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin Atë. Dhe Unë do të të jap çelësat e Mbretërisë së Qiellit; gjithçka që të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në Qiell, dhe gjithçka që të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në Qiell.” (Mt. 16:13-19). 

 

Lexuesi im i dashur, vini re në radhë të parë, se është vetë Zoti që e ndryshon emrin e Apostullit nga ai i Simonit në atë të Kefës: Pjetër ose Shkëmb. Së dyti, Zoti nuk u jep emra të rinj njerëzve pa ndonjë qëllim; ka një domethënie të thellë në një veprim të tillë nga ana e Zotit. Emri i ri do të thotë një detyrë e re, një pozicion i ri, një thirrje e veçantë. Ne kemi një shembull paralel me rastin e Pjetrit në Dhiatën e Vjetër, ku Zoti e ndryshoi emrin e Abramit në atë të Abrahamit, për të nënkuptuar pozicionin e tij të ri si paraardhës të zgjedhur të popullit të Izraelit. Dhe kështu Zoti Vetë, Fjala e Mishëruar, e ndryshoi emrin e Simonit në Pjetër, Shkëmb: sepse Pjetri do të jetë themeli i Kishës së Shenjtë Katolike të Krishtit. 

 

Njeriu i mençur e ndërtoi shtëpinë e tij mbi një shkëmb dhe, duke qenë se ishte ndërtuar kështu, ajo qëndroi e pa shembur. Jezus Krishti Dituria e Përjetshme, ndërtoi Shtëpinë e Tij, Kishën e Tij të Shenjtë, gjithashtu mbi një shkëmb, shkëmbin Pjetër; dhe për shkak se është themeluar kështu, dyert e ferrit, domethënë fuqia e të ligut dhe ushtrive të tij, nuk mund të triumfojnë kurrë kundër saj.

 

Lexuesi im i dashur, them nuk mund të triumfojnë kurrë, sepse ky është në të vërtetë premtimi i Zotit. Në të gjitha fjalët dhe veprimet e Tij në lidhje me Kishën e Tij, Ai tregon qartë se Ai po flet për kohën kur Ai do të jetë ngjitur në Qiell. Në fillim të shërbesës së Tij, Ai zgjedh burra që do të ndajnë me Të në detyrën e Tij supreme si Pastor dhe Mësues i njerëzve dhe do të vazhdojnë punën e Tij në Emrin e Tij dhe me autoritetin e Tij pasi Ai të largohet. Ai ju thotë atyre që dërgon për të mësuar në Emrin e Tij: “Ai që ju dëgjon juve, më dëgjon mua dhe ai që ju përbuz ju, më përbuz mua.” Njërit të zgjedhur veçmas nga 12 Apostujt e Tij, Ai i thotë: “Ti je Pjetri, Shkëmbi dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj Kishën Time.” Ai tregon se vetë Apostujt e Tij do të ketë pasues deri në fund të botës; sepse urdhri i Tij ndaj tyre ishte i tillë, që ata nuk do të mund ta zbatonin personalisht: “Mësoni të gjitha kombet, predikoni Ungjillin çdo krijese”; dhe, “Ja, unë do jem me ju gjatë gjithë ditëve, deri në fundin e botës”; dhe, “Mbi këtë shkëmb do të ndërtoj Kishën Time mbi të cilën dyert e ferrit nuk do të triumfojnë. 

 

Pjetri, pra, lexuesi im i dashur, është në të njëjtin raport me Kishën e Jezu Krishtit siç është themeli i fortë i shkëmbit me një shtëpi të ndërtuar mbi të, dhe kjo marrëdhënie është për të gjitha kohërat. A thua Zoti donte të thoshte që dyert e ferrit do të jenë të pafuqishme për të shkatërruar Kishën vetëm gjatë jetës së Pjetrit? Nëse po, si ta kuptojmë premtimin, “Unë jam me ju gjatë gjithë ditëve, madje deri në fundin e botës”? Përgjithmonë atëherë, Kisha e Jezu Krishtit është ndërtuar mbi shkëmbin Pjetër. Përgjithmonë është ai që e mban ndërtesën të bashkuar, e pengon atë të copëtohet; me fjalë të tjera, e ruan atë në harmoni; sepse, lexuesi im i dashur, Kisha e Krishtit është një shoqëri, një trup; dhe, ashtu si një shtëpi shkatërrohet nga pjesët e ndryshme që shkëputen nga njëra-tjetra dhe ndahen, ashtu edhe Kisha do të shkatërrohej, nëse pjesët e ndryshme, anëtarët e saj, do të shkëputeshin dhe ndaheshin nga njëri-tjetri. Nuk do të ishte më “Një Trup dhe një Shpirt”; nuk do të meritonte më përshkrimin dhënë Kishës së Krishtit nga Shën Pali: “Në një shpirt u pagëzuam të gjithë në një trup”

 

Për të përmbledhur atë që thamë, kemi dy gjëra për të marrë parasysh; Së pari, fjalët solemne të Jezu Krishtit, sipas të cilave Kisha e Tij duhet të ruhet në atë harmoni për të cilën Ai u lut, me anë të atij themeli, Shkëmbit Pjetër, mbi të cilin Ai e ka ndërtuar dhe do të mbajë anëtarët së bashku, ashtu si një themel i fortë i jep stabilitet, bashkim dhe qëndrueshmëri një ndërtese. 

 

Së dyti, ne kemi një fakt konkret të gjallë, që në të vërtetë ekziston në botë një Kishë e madhe mbarëbotërore, që përfshin, deri tani, trupin më të madh të të krishterëve në tokë, të cilët, për shkak të anëtarësimit të tyre në atë Kishë, mbahen së bashku në një harmoni besimi, adhurimi dhe bindjeje të pamohueshme dhe të mrekullueshme. 

 

Tani, pra, a ka ndonjë gjë për ti lidhur ato fjalë të Krishtit, të thëna Shën Pjetrit 1900 vjet më parë, me këtë fakt të gjallë aktual të harmonisë së Kishës Katolike Romake në shekullin e njëzetë? Ka. Pyetni çdo katolik që di ndonjë gjë të vlefshme për fenë e tij, pse të gjithë katolikët janë të bashkuar në besimin e tyre dhe pse sektet janë të shkëputur në ndarje të panumërta, dhe një katolik do t’ju thotë: Sepse ne besimtarët katolik kemi një krye dhe sektet nuk kanë. Dhe nëse pyetni, kush është ai krye? Përgjigja do të jetë: Papa, ipeshkëvi i Romës. Dhe nëse pyet: Pse ipeshkvi i Romës? Do t’ju thotë se kështu është nga fakti që ipeshkvi i Romës është pasardhësi në atë episkopatë të Shën Pjetrit, të cilin, siç e pamë, Vetë Krishti e bëri Kryetar të Kishës; dhe që shkoi në Romë, drejtoi Kishën nga atje dhe ku vdiq si martir. 

 

Një katolik i tillë do të jetë gjithashtu në gjendje t’ju thotë se pasardhja e ipeshkinjëve në atë Seli të Pjetrit, episkopatën e Romës, nuk është ndërprerë kurrë, nuk ka dështuar, dhe nuk është thyer kurrë; kështu që Papa i tanishëm, Piu XI, mund të gjurmojë prejardhjen e tij pa ndërprerje nga Papa në Papë, direkt te vetë Pjetri. Atëherë nëse vazhdoni pyetjet tuaja dhe pyesni, pse besoni se Shën Pjetri dhe pasardhësit e tij janë Krerët e Kishës të caktuar nga Zoti? Katoliku do të përgjigjet me ato fjalë që kam cituar shpesh: “Sepse Zoti ynë i tha Shën Pjetrit: Ti je Pjetri dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj Kishën time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin!” Dhe nëse pyesni se si Shën Pjetri dhe pasardhësit e tij e mbajnë Kishën së bashku në harmoni besimi, do t’ju kujtohet nga ata se si Krishti i dha të njëjtit Pjetër porosinë për të ushqyer, për të mësuar dhe sunduar të gjithë kopenë, kur Ai i foli atij në mënyrë solemne: “Ushqji qengjat e mi, ushqeji delet e mia.” 

 

Lexuesi im i dashur, vëreni se kjo Kishë Katolike ka krijuar lidhjen për ne. Kisha Katolike Romake, me treqind e pesëdhjetë milionë anëtarët e saj, është një në besim, dhe rrjedhimisht një në bindje, adhurim dhe praktikë, sepse është ndërtuar mbi atë Shkëmb. Pjetri është në Qiell duke mbretëruar me lavdi bashkë me Mjeshtrin e tij Hyjnor; por Pjetri ende jeton, mbi tokë, në personën e pasardhësve të tij, ipeshkinjtë e qytetit të shenjtë të Romës. Sepse ne nuk duhet të harrojmë se fjalët dhe emërimet e Zotit tonë në lidhje me Kishën e Tij janë për të gjitha kohërat. 

 

Ai u dha Shpirtin e Shenjtë, dhe tha, “do të jetë me ju përgjithmonë” dhe “Unë jam me ju”, deklaron Ai, “gjatë gjithë ditëve, madje deri në fund të botës.” Dhe po kështu, kur Ai bëri Shën Pjetrin Kryetar, kjo ishte gjithashtu për të gjitha kohërat, deri në fund të botës. 

 

I dashur lexues, imagjinojeni veten në Bazilikën e madhe të Shën Pjetrit në Romë, ku prehet edhe sot e kësaj dite trupi i vetë Shën Pjetrit. Shihni atë tempull të madh të krishterë të mbushur nga fillimi në fund me një turmë të çdo fisi, populli, dhe gjuhe. Ata janë pa frymë nga pritja. Aktualisht, në qoshen më të largët të asaj mase të madhe njerëzish dëgjohet një murmuritje, si zhurma nga deti i largët; përhapet dhe rritet derisa bëhet si zhurma e erës së fuqishme që erdhi në Rrëshajë. Është emocioni dhe gëzimi i papërmbajtshëm që del nga tri dhjetë mijë zemra dhe tri dhjetë mijë të tjera. Dhe cili është shkaku? Një plak, i brishtë, i zbehtë, i vogël që duket se i përket tokës – por me një fuqi, një fuqi më e madhe se çdo tjetër në tokë; një fuqi, që i lidh ato zemra së bashku në një; një fuqi që del përtej faltores së Apostullit të Krishtit në karrigen e të cilit ulet ai plak, dhe arrin deri në skajet e tokës dhe lidh çdo zemër katolike me veten dhe me Krishtin. Po, fjalët e tij shkojnë në të gjitha vendet, për të udhëzuar, për të brohoritur, për të qortuar, për të ngushëlluar; sepse ai është Mëkëmbësi i Jezu Krishtit, Kreu i emëruar i të gjithë Kishës; në të flet zëri i Pjetrit, të cilit Mjeshtri i tha: “Kulloti qengjat e mi, kulloti delet e mia”, duke e bërë atë bariun e kopesë së Krishtit.