admin

24 Nëntor – Shën Gjoni i Kryqit

Jeta e Shën Gjonit

Gjoni i Kryqit lindi nga prindër të devotshëm në Spanjë. Që në foshnjërinë e tij ishte e qartë se sa i dashur do të ishte për Virgjëreshën Nënën e Zotit, sepse në moshën pesë vjeçare, pasi ra në një pus, ai u mbajt nga Zoja në krahët e saj, kështu që nuk pësoi asnjë lëndim. Ai kishte aq shumë dëshirë për të vuajtur, saqë kur ishte vetëm nëntë vjeç, hodhi dyshekun e tij të butë dhe flinte mbi shkarpa. Si i ri, ai iu përkushtua shërbimit të të sëmurëve në spitalin e Medina del Campo. Këtu ai tregoi aromën e bamirësisë së tij duke ndërmarrë punët më të ulëta; dhe shembulli i tij i nxiti të tjerët t’i përkushtoheshin të njëjtave vepra bamirësie. Por Zoti e thirri akoma më lart, ai hyri në Urdhrin e Virgjëreshës së Bekuar Mari të Malit Karmel, ku u bë prift në bindje ndaj eprorëve të tij; dhe në zellin e tij për disiplinë më të ashpër dhe një mënyrë jetese më të rreptë, ai mori lejen e tyre për të zbatuar rregullin primitiv të Urdhrit. Duke qenë gjithnjë me mendjen te Mundimet e Zotit tonë, ai i shpalli luftë vetes si armikut të tij më të keq; dhe me kontrollim, agjërim, disiplina të ashpra dhe çdo lloj pendese, ai shpejt e kryqëzoi mishin e tij nga veset dhe lakmitë; kështu që Shën Tereza e konsideroi atë të denjë për t’u numëruar ndër shpirtrat më të shenjtë dhe më të pastër që atëherë zbukuronin Kishën e Zotit.

 

Përveç ashpërsisë së tij të veçantë të jetës, Gjoni ishte i pajisur për luftën shpirtërore me armaturën e të gjitha virtyteve. Ai iu përkushtua me përkushtim soditjes së gjërave hyjnore, në të cilat shpesh përjetonte ekstazi të gjata dhe të mrekullueshme; dhe zemra e tij digjej me një dashuri të tillë për Perëndinë, saqë ky zjarr hyjnor nuk mund të mbahej brenda, por do të shpërthente dhe do të ndriçonte fytyrën e tij. Ai ishte jashtëzakonisht i zellshëm për shpëtimin e fqinjit të tij dhe iu përkushtua predikimit të fjalës së Perëndisë dhe dhënies së Sakramenteve. I pasuruar me të gjitha këto merita dhe i ndezur me dëshirën për të nxitur disiplinë më të rreptë, ai iu dha nga Zoti si shok Shën Terezës, që, ndërsa ajo kishte rikthyer zbatimin primitiv midis Motrave të Urdhrit të Karmelit, të mund ta bënte me ndihmën e Gjonit të njëjtën gjë edhe midis Vëllezërve. Në kryerjen e kësaj vepre hyjnore, ai së bashku me atë shërbëtore të Perëndisë iu nënshtruan mundimeve të panumërta; dhe duke mos pasur frikë nga vuajtjet dhe rreziqet, ai vizitoi të gjitha manastiret e themeluara nga Shën Tereza në Spanjë dhe vetë ngriti të tjera, duke përhapur në të gjitha zbatimin e rivendosur dhe duke e forcuar atë me fjalët dhe shembullin e tij. Kështu ai ka çdo të drejtë të quhet, sipas Shën Terezës, ati i Karmelitanëve të Zbathur. Reforma e tij, ndonëse e miratuar nga gjenerali, u refuzua nga fretërit e vjetër, të cilët e dënuan shenjtorin si vagabond dhe apostat dhe e futën në burg, nga ku ai shpëtoi pas një vëgimi të Virgjëres Mari pas nëntë muajsh vuajtjesh, duke rrezikuar jetën. Edhe dy herë, para vdekjes së tij, ai u persekutua në mënyrë të turpshme nga vëllezërit e tij dhe u turpërua publikisht. Por braktisja e tij e plotë nga krijesat vetëm sa ia thelloi paqen e brendshme dhe dëshirën e devotshme për parajsën.

 

Ai e ruajti të paprekur virgjërinë e tij dhe jo vetëm i zmbrapsi gratë e paturpshme që u përpoqën ta fusnin në grackë, por madje i fitoi ato për Krishtin. Selia e Shenjtë deklaroi se, ashtu si Shën Tereza, ai ishte i frymëzuar hyjnisht në shpjegimin e mistereve të fshehura të Zotit; dhe ai shkroi libra mbi teologjinë mistike, plot urtësi hyjnore. Kur u pyet një ditë nga Krishti se çfarë shpërblimi dëshironte për kaq shumë mund, ai u përgjigj: “Zot, vuajtje dhe përbuzje për hirin tënd!” Ai ishte i njohur për fuqinë e tij mbi djajtë, të cilët shpesh i dëbonte nga të pushtuarit; dhe gjithashtu për dhuratat e aftësisë dalluese të shpirtrave dhe profecisë; ndërsa përulësia e tij ishte e tillë që shpeshherë i lutej Zotit tonë që ta linte të vdiste në një vend ku askush nuk e njihte. Lutja e tij u plotësua; dhe pas një sëmundje mizore dhe pesë ulçerave në këmbë, ai ra në gjumë në Zotin në Ubeda, pasi kishte marrë Sakramentet e Kishës në disponimet më të shenjta dhe duke përqafuar imazhi i Krishtit të kryqëzuar të cilin ai e kishte pasur gjithmonë në zemrën dhe buzët e tij. Fjalët e tij të fundit ishin: Në ty e lë shpirtin tim. Vdekja e tij ndodhi në ditën dhe në orën që ai kishte parathënë, në vitin 1591.

 
 

 

 

23 Nëntor – Papa Shën Klementi

Jeta e Papa Shën Klementit

Klementi ishte romak, i biri i Faustinit që banonte në rajonin e Monte Cœlios. Ai ishte një dishepull i Shën Pjetrit; dhe përmendet nga Shën Pali në Letrën e tij drejtuar Filipianëve, me këto fjalë: Po të lutem edhe ty, shoku im i sinqertë, ndihmoju sepse ato luftuan bashkë me mua për Ungjill, së bashku me Klementin dhe me bashkëpunëtorët e mi, emrat e të cilëve janë në “librin e jetës”. Ai e ndau Romën në shtatë rajone, duke caktuar një noter për secilin, i cili duhej të konstatonte dhe të regjistronte me kujdesin më të madh aktet dhe vuajtjet e martirëve. Ai shkroi shumë vepra të dobishme, të cilat i dhanë nder emrit të krishterë.

 

Shën Klementi është një ndër shembujt më të mirë për supremacinë e Papës së Romës. Shumica e letrave të tij kanë humbur. Një nga ato që kanë mbijetuar, Letra dërguar Korintasve na tregon në veprim të plotë pushtetin monarkik të ipeshkvit të Romës në atë epokë primitive. Kisha e Korintit u trazua nga grindjet e brendshme, të shkaktuara nga xhelozia ndaj disa barinjve. Këto përçarje, të cilat ishin shfaqur që në kohën e Shën Palit, kishin shkatërruar çdo paqe dhe po shkaktonin skandal edhe te vetë paganët. Korintasit më në fund ndjenë nevojën për t’i dhënë fund një çrregullimi që ishte pengues për përhapjen e besimit të Krishterë; dhe për këtë qëllim ishte e nevojshme të kërkohej ndihmë nga jashtë. Apostujt ishin larguar të gjithë nga kjo jetë, përveç Shën Gjonit, i cili ishte ende drita e Kishës. Nuk ishte largësi e madhe nga Korinti deri në Efes, ku banonte Apostulli; megjithatë, Kisha e Korintit i kërkoi ndihmë Romës e jo Efesit. Klementi shqyrtoi çështjen e besuar gjykimit të tij nga ajo Kishë dhe dërgoi në Korint pesë komisarë për të përfaqësuar Selinë Apostolike. Ata ishin bartës të një letre, të cilën Shën Ireneu e quan potentissimas litteras (Letra e fuqishme). Ajo konsiderohej në atë kohë aq e bukur dhe kaq apostolike, saqë u lexua gjatë në shumë kisha si një lloj vazhdimësie e Shkrimeve kanonike. Toni i saj është dinjitoz, por atëror, sipas këshillës së Shën Pjetrit për pastorët. Nuk ka asgjë në të nga një frymë dominuese; përveç gjuhës solemne të bariut universal, të cilin askush nuk mund t’a kundërshtojë pa kundërshtuar vetë Zotin. Këto fjalë kaq solemne dhe kaq të forta sollën efektin e dëshiruar: paqja u rivendos në kishën e Korintit dhe delegatët e Papës e sollën shpejt lajmin e lumtur. Një shekull më vonë, Shën Dionisi, Ipeshkvi i Korintit, i shprehu Papa Shën Soterit mirënjohjen që ende ndiente kopeja e tij ndaj Shën Klementit për shërbimin që kishte bërë.

 

Ai konvertoi shumë persona në besimin e Krishtit me anë të mësimit dhe shenjtërisë së jetës së tij, dhe për këtë arsye u dëbua nga perandori Trajan në shkretëtirën e Hersonit përtej Detit të Zi. Atje ai gjeti dy mijë të krishterë, po ashtu të dëbuar nga Trajani, të cilët ishin punonin në nxjerrjen e mermerit. Duke parë se po vuanin nga mungesa e ujit, Klementi u lut dhe pastaj u ngjit në një kodër afër, në majën e së cilës pa një Qengj, duke treguar me këmbën e tij të djathtë një burim me ujë të pijshëm. Në këtë burim shuan të gjithë etjen; dhe shumë të pafe u kthyen në besim nga mrekullia dhe filluan ta nderojnë Klementin si shenjt.

 

Kur e dëgjoi këtë, Trajani u tërbua dhe dërgoi ushtarë me urdhër që të hidhnin Klementin në det me një spirancë të lidhur në qafë. Pas ekzekutimit të këtij dënimi, ndërsa të krishterët po luteshin buzë deti, uji filloi të tërhiqej tre milje larg bregut; Me t’u afruar, gjetën një ndërtesë të vogël prej mermeri, në formë tempulli ku ishte vendosur trupi i dëshmorit në një arkivol guri, dhe pranë tij spiranca me të cilën ishte mbytur. Banorët e vendit u mahnitën aq shumë nga mrekullia, saqë pranuan besimin e Krishterë. Trupi i shenjtë më pas u dërgua në Romë, nën drejtimin e Papa Nikollës I dhe u vendos në kishën e Shën Klementit. Për nder të tij u ndërtua dhe u kushtua një kishë në atë vend të ishullit ku kishte dalë shatërvani i mrekullueshëm. 

 
 

 

 

21 Nëntor – Kushtimi i Zojës së Bekume

Kushtimi i Zojës së Bekume

Tempulli tejet i pastër i Shpëtimtarit, delja e paçmuar, Virgjëresha e shenjtë, arka e shenjtë që përmban thesarin e madhështisë hyjnore, dërgohet sot në shtëpinë e Zotit; atje ajo sjell hirin e Shpirtit hyjnor, ndërsa engjëjt e Perëndisë këndojnë lavdërimet e saj, duke thënë: Me të vërtetë ajo është tabernakulli qiellor.

 

Ndërsa meditoj hirin e mistereve të pashprehura dhe të shenjta të Zotit, të zbuluara me bollëk në këtë Virgjëreshë, jam plot gëzim dhe nuk mund ta kuptoj mënyrën e mrekullueshme dhe të pashprehshme në të cilën kjo Virgjëreshë e zgjedhur dhe e papërlyer ia kalon të gjitha krijesave të dukshme dhe të padukshme. Duke dashur pastaj ta nderoj me zë të gëzuar, mendimet dhe fjalët e mia më dështojnë; megjithatë unë guxoj ta lavdëroj, sepse ajo është tabernakulli qiellor.

 

Krijuesi, Autori dhe Zoti i të gjitha gjërave, nga mëshira dhe dhembshuria e Tij e pakuptueshme, u përkul drejt nesh dhe duke parë të rrëzuar krijesën që kishte bërë me duart e Tij, me keqardhje denjoi ta riparonte atë me një vepër më sublime sesa krijimi; sepse Ai, aq i mirë dhe i mëshirshëm, e zbrazi veten; dhe në misterin me të cilin mori lirisht natyrën tonë, Ai e bashkoi  Virgjëreshën Mari të papërlyer me Veten: dhe ajo është tabernakulli qiellor.

 

Fjala e Perëndisë, Shëlbuesi ynë, i gatshëm të mishërohej për hir tonë, e solli Virgjëreshën në këtë botë dhe e nderoi ardhjen e kësaj të panjollë me dhurata të reja dhe të mrekullueshme; sepse ia dha si fryt e shpërblim lutjeje, dhe ia premtoi Joakimit dhe Anës. Prindërit e saj i besuan fjalës dhe me dashuri premtuan t’ia ofrojnë Zotit, sepse ajo është tabernakulli qiellor.

 

Virgjëresha bukuroshe, e lindur sipas dekretit hyjnor, u dërgua në tempull nga prindërit e saj të shenjtë, për të përmbushur premtimin e tyre dhe për t’ia dhënë Krijuesit të saj. Ana në gëzimin e saj i thirri kështu priftit: Merre këtë fëmijë, çoje në pjesët më të izoluara të tempullit, kujdesu për të: sepse ajo m’u dha si fryt i lutjeve të mia dhe nga gëzimi i besimit tim I premtova se do t’ia kushtoja Zotit, Krijuesit të saj: ajo është tabernakulli qiellor.



 
 

 

 

18 Nëntor – Kushtimi i Bazilikave të Shën Pjetrit & Shën Palit

Kushtimi i Bazilikave të Shën Pjetrit & Shën Palit

“Për shkak se bota nën udhëheqjen Tënde është ngritur triumfuese deri në qiej, Kostandin pushtuesi e ndërtoi këtë tempull për nder Tënd.” 

 

Ky mbishkrim qëndronte me shkronja ari mbi harkun e triumfit në bazilikën e lashtë të Vatikanit. Asnjëherë mendja romake nuk ka krijuar një shprehje më madhështore me kaq pak fjalë; kurrë nuk u shfaq madhështia e Simonit në një avantazh të tillë në të shtatë kodrat. 

 

Në vitin 1506, harku i madh që kishte dëshmuar dymbëdhjetë shekuj pelegrinësh të përulur, ra nga pleqëria dhe mbishkrimi i bukur u shkatërrua. Por kupola e lartë e Mikelanxhelos i tregon qytetit dhe botës vendin ku fle peshkatari galileas, pasardhësi i Cezarëve, Vikari i Krishtit, sunduesi i fateve të Romës.

 

Në ditën e oktavës së pagëzimit të tij, erdhi perandori Kostandini i Madh; dhe duke hequr diademën e tij, u gjunjëzua përtokë me shumë lot. Pastaj, duke marrë një shatë dhe një kazmë, ai hapi tokën, nga ku dymbëdhjetë shporta u mbushën për nder të dymbëdhjetë Apostujve; dhe në vendin e shënuar kështu, ai ndërtoi bazilikën e Princit të Apostujve. Papa Shën Silvestri e kushtoi bazilikën dhe shenjtëroi altarin prej guri duke e bekuar me krizëm. Ai urdhëroi që andej e tutje çdo altar të ndërtohej prej guri. 

 

Lavdia e dytë e qytetit të përjetshëm është varri i Shën Palit në rrugën Ostia. Ndryshe nga ai i Shën Pjetrit, i cili shtrihet thellë në kriptën e Vatikanit, ky varr është ngritur në nivel me tokën me një muraturë masive, mbi të cilën qëndron sarkofagu i madh. Kjo bazilikë fillimisht u kushtua gjithashtu nga Papa Shën Silvestri dhe u ndërtua nga Konstandini.

 

Kështu Roma e krishterë mbrohet në veri dhe në jug nga këto dy fortesa. Le të bashkohemi në ndjenjat e etërve tanë, kur ata thonin për këtë qytet të privilegjuar: “Pjetër rojtari, e vendos banesën e tij të shenjtë në hyrje; kush mund ta mohojë që ky qytet është ngjasim i parajsës? Në skajin tjetër, Pali nga tempulli i tij ruan muret; Roma shtrihet midis të dyve: këtu banon Perëndia.”

 

Aty janë portat e atdheut tonë të vërtetë, dy dritat e shpirtit të pamasë. Aty zëri i Palit dëgjohet si bubullima; aty Pjetri e mban ose e hedh rrufenë. I para hap zemrat e njerëzve, i dyti hap parajsën. Pjetri është guri i themelit, Pali arkitekti i tempullit ku qëndron altari me anë të të cilit jemi pajtuar me Zotin. Të dy së bashku formojnë një burim të vetëm, i cili derdh ujërat e tij shëruese dhe freskuese.



 
 

 

 

17 Nëntor – Shën Gregor Mrekullibërësi

Jeta e Shën Gregorit

Shën Gregori lindi në Pontus, nga prindër paganë. Në Palestinë, rreth vitit 231, ai studioi filozofinë nën drejtimin e të madhit Origjen, i cili e udhëhoqi atë nga kërkimi i mençurisë njerëzore te Krishti, i Cili është Mençuria e Perëndisë. 

 

Jo shumë kohë më vonë, ai u bë ipeshkëv i Neo Çezaresë. Ndërsa rrinte zgjuar një natë, një plak hyri në dhomën e tij dhe i tregoi me gisht një zonjë me bukuri mbinjerëzore dhe rrezatuese me dritë qiellore. Ky plak ishte Shën Gjon Ungjilltari dhe zonja i tha që t’i jepte Gregorit udhëzimin që dëshironte. Më pas ai i dha Shën Gregorit një kredo, e cili përmbante në të gjithë plotësinë e saj doktrinën e Trinisë. Shën Grigori e ruajti, drejtoi të gjithë predikimet e tij drejt saj dhe ua dorëzoi pasardhësve të tij. 

 

I fortë në këtë besim, ai nënshtroi djajtë; ai parashikoi të ardhmen. Me anë të fjalës së tij një shkëmb u zhvendos nga vendi i tij, një lumë ndryshoi rrjedhën e tij, një liqen u tha. 

 

Ai e konvertoi dioqezën e tij dhe forcoi ata që ishin nën persekutim. Ai mposhti një herezi në rritje; dhe, kur ai u largua, kjo kredo e ruajti grigjën e tij nga murtaja Ariane. 

 

Shën Gregori vdiq në vitin 270.

 

Reflektim — Përkushtimi ndaj Nënës së Shenjtë të Zotit është mbrojtja e sigurt e besimit në Birin e saj Hyjnor. Sa herë që e thërrasim atë, ne ripërtërijmë besimin tonë në Zotin e Mishëruar; ne e mposhtim mëkatin dhe mosbesimin e prindërve tanë të parë; ne marrim pjesën tonë me të që u bekua sepse besoi.



 
 

 

 

16 Nëntor – Shën Gertruda

Jeta e Shën Gertrudës

Gertruda lindi në vitin 1263, në një familje fisnike saksone, dhe u dërgua në moshën pesë vjeçare për t’u arsimuar në abacinë benediktine të Rodelsdorfit.

Mendja e saj e zhvilluar u kultivua me kujdes dhe shkruante latinisht me elegancë dhe forcë të pazakontë; Mbi të gjitha, ajo ishte e përsosur në përulësi dhe në mortifikim, në bindje dhe në të gjitha detyrat e manastirit.

Jeta e saj ishte e mbushur me mrekulli. Ajo regjistroi në bindje disa nga vizionet e saj, në të cilat gjurmon me fjalë të bukurisë së papërshkrueshme bisedën intime të shpirtit të saj me Jezusin dhe Marinë.

Ajo ishte e butë me të gjithë, më e butë me mëkatarët; e mbushur me përkushtim ndaj shenjtërve të Zotit, ndaj shpirtrave në purgator dhe mbi të gjitha ndaj mundimeve të Zotit tonë dhe ndaj Zemrës së Tij të Shenjtë.

Ajo e drejtoi abacinë e saj me mençuri dhe dashuri të përsosur për dyzet vjet. Jeta e saj ishte një vuajtje e madhe dhe pothuajse e vazhdueshme dhe dëshira e saj për të qenë me Jezusin nuk iu plotësua deri në vitin 1334, kur ajo kishte mbushur vitin e shtatëdhjetë e dytë.

Reflektim — Asnjë përgatitje për vdekjen nuk mund të jetë më e mirë se sa afrimi dhe dorëzimi ndaj Vullnetit Hyjnor—me përulësi, dashuri, me besim të pakufishëm në mëshirën dhe mirësinë e pafund të Perëndisë.

O Zemer e Shenjtë e Jezusit, burim i jetës së përjetshme, Zemra jote asht një furrë e ndezun dashnie. Ti je streha eme dhe sakristia eme.
O Shpëtimtari em i adhurueshëm e i dashtun, ma konsumo zemrën me zjarrin djegës me të cilin Zemra Jote asht e ndezun. Derdhi mbi shpirtin tem ato hire që burojnë nga dashnia Jote. Zemra eme u bashkoftë me Tanden. Vullneti em i ngjasoftë Tandit në çdo gja. Vullneti Jot kjoftë sundimi i tana dëshirave dhe veprave të mia. Amen. (Shën Gertruda)

 
 

 

 

15 Nëntor – Shën Alberti i Madh

Jeta e Shën Albertit

Alberti i Madh lindi rreth vitit 1206 në Lauingen, Bavari. Pas një edukimi të përsosur në fëmijëri, ai shkoi për të studiuar Drejtësi në Padova, atje u takua me të bekuarin Giordano, Mjeshtër i Përgjithshëm i Fretërve Predikues dhe nxitjet e tij e shtynë të hynte në familjen Domenikane. Ai u shqua menjëherë për përkushtimin e tij të butë dhe fisnik ndaj Virgjëreshës Mari dhe për besnikërinë e tij në zbatimin monastik. I dërguar në Këln për të përfunduar studimet, ai e sfidoi veten aq shumë sa dukej se kishte depërtuar në shkenca më mirë se të gjithë bashkëkohësit e tij.

 

I gjykuar i aftë për të mësuar, ai u emërua pedagog në Hildesheim, Freiburg, Regensburg, Strasburg dhe më në fund në Paris, ku shpjegoi marrëveshjen që ekziston midis besimit dhe arsyes, midis shkencave pagane dhe të shenjta… Më i shquari nga dishepujt e tij ishte Shën Tomë Akuini, i cili më vonë e pasoi atë në Sorbonë.

 

Pas kthimit në Këln, për të drejtuar studimet e përgjithshme të Urdhrit, ai u emërua Provincial i Gjermanisë dhe më pas ipeshkëv i Regensburgut. Ai punoi shumë për kopenë e tij, duke ruajtur thjeshtësinë e jetës së besimtarëve, por pas dy vjetësh qeverisje ipeshkvnore, ai dha dorëheqjen në vitin 1263. Më pas iu përkushtua predikimit, ndërhyri për të qetësuar princat dhe ipeshkvinjtë, mori pjesë në Këshillin e Lionit dhe vdiq në 1280. Me dekret të 16 dhjetorit 1931, Papa Piu XI e regjistroi atë në numrin e shenjtorëve dhe e shpalli Mësues të Kishës universale.

 

“Autor i tridhjetë e tetë librave, ai u festua aq shumë gjatë jetës së tij, saqë kolegët e tij, duke përfshirë Roger Bacon, filluan t’i shtonin emrit të tij titullin “Magnus” (I madhi). Ndonëse ai konsiderohet si një nga teologët gjigant të mesjetës, ai gjithashtu vendosi shpesh pretendimet e bëra për natyrën nga Aristoteli dhe filozofë të tjerë klasikë grekë në teste empirike dhe duke e bërë këtë u bë “ndoshta botanisti më i mirë i të gjithë Mesjetës”. Studimet e tij biologjike nuk ishin vetëm vëzhguese, por edhe eksperimentale. Alberti dha një kontribut të rëndësishëm në shumë fusha të tjera, duke përfshirë gjeografinë, astronominë dhe kiminë – prandaj kolegët e tij i dhanë atij titullin “Doctor Universalis”. Ndoshta kontributi i tij më i rëndësishëm ishte frymëzimi i kolegëve dhe studentëve të tij që jo thjesht të pranonin diturinë klasike, por të sfidonin mençurinë e marrë dhe të synonin vëzhgime të besueshme.” (Rodney Stark, Bearning False Witness)

 

Shën Alberti i Madh ishte i bindur se i gjithë krijimi fliste për Zotin dhe se edhe pjesa më e vogël e njohurive shkencore na tregonte diçka për Të. Ai thonte: Përveç Biblës, Perëndia na ka dhënë librin e krijimit duke zbuluar diçka nga urtësia dhe fuqia e Tij.




 
 

 

 

14 Nëntor – Shën Jozafati

Jeta e Shën Jozafatit

Pas pushtimit të Mongolianëve, kombi rutenian, i cili ishte skizmatik dhe po kalonte një krizë të madhe shpirtërore dhe organizative, u bashkua me Poloninë dhe një pjesë e saj u kthye në gjirin e Kishës Katolike, duke u ndarë në Uniatë dhe skizmatikë. 

Shën Jozafati lindi nga prindër fisnikë katolikë në Vladimir në Volhynia. Kur ishte fëmijë, teksa po dëgjonte nënën e tij duke i treguar për Mundimet e Krishtit, një shigjetë e lëshuar nga imazhi i Jezusit e plagosi në zemër. I djegur me dashurinë e Zotit, ai filloi t’i përkushtohej me aq zell lutjes dhe veprave të tjera të devotshmërisë, saqë ishte admirimi dhe modeli i shokëve të tij më të vjetër. 

Në moshën njëzet vjeçare u bë murg u Urdhrit të Shën Vasilit dhe bëri përparim të mrekullueshëm në përsosmërinë ungjillore. Ai ecte zbathur edhe në dimrin e ashpër të atij vendi; ai kurrë nuk hante mish, pinte verë vetëm kur ishte i detyruar nga bindja dhe mbajti një këmishë flokësh të ashpër deri në vdekje. Lulen e dëlirësisë së tij, të cilën ia kishte betuar në rininë e hershme Virgjëreshës Nënës së Zotit, e ruajti pa njolla. 

Ai shpejt u bë aq i njohur për virtyt dhe dituri, saqë, edhe pse akoma në rininë e tij, u bë epror i manastirit të Bytenit; menjëherë më pas u bë arkimandrit i Vilnës; dhe së fundi, kundër dëshirës së tij, por për gëzimin e madh të katolikëve, ai u zgjodh Arqipeshkëv i Polok-ut.

Në këtë dinjitet ai nuk ndryshoi asgjë nga mënyra e mëparshme e jetesës; dhe nuk kishte asgjë aq shumë në zemër sesa shërbimin hyjnor dhe shpëtimin e deleve që i ishin besuar. Ai mbrojti energjikisht besimin dhe unitetin katolik dhe punoi me maksimumin e fuqisë së tij për të rikthyer skizmatikët dhe heretikët në bashkim me Selinë e Shën Pjetrit. Ai nuk pushoi së mbrojturi tërësinë e pushtetit të Papës, si duke predikuar, ashtu edhe me shkrime plot devotshmëri dhe mësim, kundër shpifjeve dhe gabimeve më të paturpshme të të ligjve. 

Ai shfajësoi të drejtat ipeshkvore dhe rivendosi zotërimet kishtare që ishin konfiskuar nga laikët. I pabesueshëm ishte numri i heretikëve që ai ktheu në gjirin e Kishës Nënë; dhe fjalët e Papëve dëshmojnë se sa shumë ai promovoi bashkimin e kishave greke dhe latine. 

Të ardhurat e tij u shpenzuan tërësisht për të rikthyer bukurinë e shtëpisë së Perëndisë, në ndërtimin e banesave për virgjëreshat e shenjtëruara dhe në vepra të tjera të devotshme. Aq bujar ishte ai për të varfrit, saqë, në një rast kur nuk kishte asgjë për të plotësuar nevojat e një vejushe të caktuar, ai urdhëroi që Omoforioni i tij ose palliumi episkopal të lihej peng për paratë që i nevojiteshin vejushës.

Përparimi i madh i bërë nga besimi katolik ngjalli aq shumë urrejtjen e njerëzve të ligj kundër ushtarit të Krishtit, saqë ata vendosën ta vrisnin. Ai e dinte se çfarë e priste; dhe e paratha kur u predikonte njerëzve. 

Ndërsa po bënte vizitën e tij baritore në Vitebsk, vrasësit hynë në shtëpinë e tij, duke sulmuar dhe plagosur të gjithë ata që gjetën. Jozafati shkoi me butësi për t’i takuar dhe i trajtoi me mirësi, duke thënë: “Fëmijët e mi, pse i goditni shërbëtorët e mi? Nëse keni ndonjë ankesë kundër meje, ja ku jam.” Më pas ata u vërsulën mbi të, e mbytën, e therën me shtizat e tyre dhe më pas e vranë me sëpatë dhe e hodhën trupin e tij në lumë. Kjo ndodhi më 12 nëntor 1623, në vitin e dyzet e tretë të moshës së tij. 

Trupi i tij i rrethuar me një dritë të mrekullueshme u shpëtua nga ujërat. Gjaku i dëshmorit fitoi një bekim para së gjithash për vrasësit e tij; sepse, duke qenë të dënuar me vdekje, ata pothuajse të gjithë hoqën dorë nga skizmi i tyre dhe u penduan për krimin e tyre. 

Meqenëse vdekja e këtij ipeshkvi të madh u pasua me shumë mrekulli, Papa Urbani VIII i dha atij nderimet e lumturimit. Më 3 korrik 1867, kur po kremtohej njëqindvjetori i Princave të Apostujve, Piu IX në bazilikën e Vatikanit, në prani të Kolegjit të Kardinalëve dhe të rreth pesëqind Patriarkëve, Metropolitanëve dhe Ipeshkvinjëve të çdo Riti, i mbledhur nga të gjitha anët e botës, shpalli solemnisht në mesin e shenjtërve këtë mbrojtës të madh të unitetit të Kishës, i cili ishte i pari oriental që u nderua në këtë mënyrë. 

T’i lutemi Shën Jozafatit për ndërmjetësimin e tij në bashkimin e skizmatikëve në gjirin e Kishës Katolike; një ngjarje që do kishte ndryshuar gjithë rrjedhën e historisë, nëse do ishte kryer në shekujt e mëparshëm. Të imagjinojmë thjesht fuqinë e Krishtërimit kundër rrezikut musliman nga turqit dhe pasojat e mrekullueshme që do kishin rezultuar. Sigurisht nuk mund të injorojmë edhe rezultatet që do kishte pasur në kombin tonë Shqiptar, duke marrë parasysh luftën e tij për mbijetesë kundër skizmatikëve rreth saj.

12 Nëntor – Papa Shën Martini

Jeta e Papa Shën Martinit

Shën Martini, i cili mbajti Selinë Romake nga viti 649 deri në vitin 655, ngjalli armiqësinë e oborrit bizantin nga kundërshtimi i tij energjik ndaj herezisë monotelite dhe ekzarku Olimpi shkoi deri në atë pikë sa u përpoq të shkaktonte vrasjen e Papës në këmbët e altarit në kishën e Shën Marisë Maxhore; por përsoni që u dërgua për të kryer vrasjen u verbua mrekullisht dhe zotëria i tij refuzoi të merrte pjesë në këtë çështje. 

 

Pasardhësi i tij nuk kishte asnjë skrupull të tillë: ai e kapi Shën Martinin dhe e përcolli në bordin e një anijeje të nisur për në Konstandinopojë. Pas një udhëtimi tre mujor, mbërriti në ishullin Naksos, ku Papa u mbajt i burgosur për një vit, dhe më në fund në 654 u soll i lidhur me zinxhirë në qytetin perandorak. 

 

Prej andej ai u internua në Krime, ku vuajti nga zia e bukës, si dhe nga vrazhdësia e tokës dhe e njerëzve të saj. Por vuajtja më e vështirë për të ishte fakti që Papa e gjeti veten pa asnjë mik. Letrat e tij tregojnë se si kisha e tij e kishte braktisur dhe miqtë e tij e kishin harruar. Nuk i dërgonin as vaj e as misër për të jetuar.

 

Ai vdiq dy vjet më vonë në mërgim në vitin 656, një martir që u ngrit për të drejtën e Kishës për të mbajtur doktrinën edhe përballë pushtetit perandorak.



Reflektim – Ka pasur raste në historinë e Krishterimit kur të vërtetat e tij janë dukur në prag të zhdukjes. Por ka një Kishë, dëshmia e së cilës nuk ka dështuar kurrë: ajo është Kisha e Shën Pjetrit, Selia Apostolike dhe Romake. Vendose besimin tënd në mësimin e saj!



 
 

 

 

11 Nentor – Shën Martini i Tours

Jeta e Shën Martinit

Kur ishte një djalë i thjeshtë, Martini u bë një katekumen i krishterë kundër dëshirës së prindërve të tij; dhe në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare u kap nga babai i tij, një ushtar pagan, dhe u regjistrua në ushtri. 

 

Një ditë dimri, kur u vendos në Amiens, takoi një lypës pothuajse të zhveshur dhe të ngrirë nga të ftohtit. Duke mos pasur para, ai e preu mantelin në dy pjesë dhe ia dha gjysmën. Atë natë ai e pa Zotin tonë të veshur me gjysmën e mantelit dhe e dëgjoi Atë duke u thënë engjëjve: “Martini, edhe pse vetëm një katekumen, më ka mbështjellë me këtë rrobë.” Kjo bëri që ai të pagëzohej dhe më pas u largua nga ushtria. 

 

Ai arriti të konvertonte nënën e tij; por, duke u përzënë nga shtëpia e tij nga arianët, ai u strehua te Shën Hilari dhe themeloi pranë Poitiers manastirin e parë në Francë. 

 

Në vitin 372 u shugurua ipeshkëv i Tours. Kopeja e tij, megjithëse në emër e krishterë, ishte ende pagane në zemër. I paarmatosur dhe i ndjekur vetëm nga murgjit e tij, Martini shkatërroi tempujt pagan dhe përfundoi me anë të predikimit dhe mrekullive të tij konvertimin e plotë të njerëzve. Për këtë ai njihet si Apostulli i Galisë. 

 

Njëmbëdhjetë vitet e tij të fundit i kaloi në një mundim të përulur për të shlyer gabimet e tij, ndërsa Perëndia shfaqi me mrekulli pastërtinë e shpirtit të tij.

 

Reflektim – Shën Martini punoi për Krishtin e kryqëzuar. A po punoni për të njëjtin Zot?