Një Krezhme e Përshpirtshme
Ta dimë se kjo kohë kaq e shenjtë sa Krezhmet është e pasur plot mistere. Kisha e ka bërë Krezhmën një kohë kujtimi dhe pendese si përgatitje për festën më të madhe. Prandaj, Kisha ka vendosur në të gjithçka që mund të rrisë besimin e bijve të saj dhe t’iu japë zemër për të kaluar piunët e mundimshme të shlyerjes së mëkateve të tyre.
Fragmentet pasardhëse janë të marra nga vepra “Viti Liturgjik” – Abat Gueranger O.S.B.
Misteri i Krezhmës
Pse dyzet ditë?
Le të kujtojmë dyzet ditët dhe dyzet netët e përmbytjes (Num. xiv. 33) të dërguar nga Hyji prej zemërimit të Tij kur Ai u pendua që kishte krijuar njeriun dhe shkatërroi të gjithë racën njerëzore me përjashtim të një familjeje. Kujtoni se si populli hebre, si ndëshkim për mosmirënjohjen e tij, endej dyzet vjet në shkretëtirë përpara se të lejoheshin të hynin në tokën e premtuar. (Zan. vii. 12) Dëgjoni Hyjin që urdhëron Ezekielin të shtrihet dyzet ditë në krah të djathtë, si një shëmbëlltyrë e rrethimit që do të sillte
shkatërrimin e Jerusalemit. (Ezekiel iv. 6)… Biri i Hyjit, pasi u bë Njeri për shpëtimin tonë dhe duke dashur t’i nënshtrohej dhimbjes së agjërimit, zgjodhi numrin e dyzet ditëve.
Sakrificat që e gjithë Kisha ofron për mëkatet
Kështu, tradita e Krezhmeve është sjellë para nesh me gjithçka që mund t’i bëjë përshtypje mendjes me karakterin e saj solemn dhe me fuqinë e saj për të zbutur Zotin dhe për të pastruar shpirtrat tanë. Shikoni përtej botës së vogël që na rrethon dhe shikoni se si i gjithë universi i Krishterë është, pikërisht në këtë kohë, duke i ofruar dyzet ditë pendesë, si një sakrificë shlyerje, Hyjit të fyer. Le të shpresojmë që, si në rastin e Ninivitëve, Ai do ta pranojë me mëshirë sakrificën e këtij viti të pendimit tonë dhe do të na falë mëkatet tona.
Krezhma: Një luftë e krishterë
Numri i ditëve tona të Krezhmeve është një mister i shenjtë. Le të mësojmë tani nga liturgjia se në çfarë këndvështrimi i sheh Kisha fëmijët e saj gjatë këtyre dyzet ditëve. Kisha i konsideron fëmijët e saj si një ushtri e pamasë, që lufton ditë e natë kundër armiqve shpirtërorë. Kujtojmë se si, të Mërkurën e Përhime, ajo e quan Krezhmën një luftë të Krishterë. Që ne të fitojmë atë risinë e jetës që do të na bëjë të denjë të këndojmë edhe një herë Aleluja-n tonë, duhet të mposhtim tre armiqtë tanë: djallin, mishin dhe botën.
Beteja e trefishtë
Ne jemi bashkëluftëtarë me Jezusin tonë, sepse edhe Ai e pësoi tundimin e trefishtë që i sugjerohet Atij personalisht nga Djalli. Prandaj, ne duhet të veshim armaturën tonë dhe të ruhemi pandërprerë. Ndonëse është me rëndësi të madhe që zemrat tona të jenë plot zell dhe të guximshme, Kisha na jep një këngë lufte të krijuar nga vetë Hyji, që mund të ndezë edhe frikacakët me shpresën e fitores dhe besimin në ndihmën e Zotit. Kjo këngë është Psalmi 90. Kisha e fut të gjithë psalmin në Meshën e të Dielës së parë të Krezhmeve dhe çdo ditë prezanton disa nga vargjet e tij në Oficjen Feriale.
Psalmi 90
Këtu, Kisha na thotë të mbështetemi në mbrojtjen me të cilën na mbulon Ati ynë qiellor, si me një mburojë. Ajo na thotë të shpresojmë nën strehën e krahëve të Tij dhe të kemi besim tek Ai, sepse Ai do të na çlirojë nga kurthi i gjahtarit që na rrëmbeu lirinë e shenjtë si fëmijë të Hyjit. Ajo na thotë të mbështetemi në ndihmën e Engjëjve të shenjtë, të cilët janë vëllezërit tanë, të cilët Zoti ynë i ka urdhëruar të na ruajnë në të gjitha rrugët tona dhe të cilët, kur Jezusi e lejoi Djallin ta tundonte, ishin dëshmitarët adhurues të luftimit të Tij dhe iu afruan Atij pas fitores, duke i ofruar shërbimin dhe nderimin e tyre. Le t’i mbajmë mirë këto ndjenja me të cilat Kisha don të na frymëzojë. Gjatë këtij luftimi gjashtëjavor, le ta përsërisim shpesh këtë tekst të admirueshëm që përshkruan plotësisht mënyren se si ushtarët e Krishtit duhet të jenë dhe të ndihen në këtë periudhë lufte të madhe shpirtërore.
Tre tema të meditimit
Kisha na vë përpara tre tema të mëdha, të cilat gradualisht na i shpalos gjatë kësaj periudhe deri në solemnitetin e madh të Pashkëve. Le t’i kushtojmë të gjithë vëmendjen këtyre mësimeve prekëse dhe udhëzuese.
1 – Sinagoga kundër Zotit tonë
Së pari, kemi të bëjmë me komplotin e judenjve kundër Shëlbuesit tonë. Do të hasim para nesh gjithë historinë e këtij komploti, që nga fillimi deri në përfundimin e tij të Premten e Madhe, kur ne do të shohim Birin e Hyjit pezull në drurin e Kryqit. Punimet famëkeqe të Sinagogës do të na sillen para nesh aq rregullisht sa do të jemi në gjendje ta ndjekim komplotin në të gjitha hollësitë e tij. Ne do të ndezemi nga dashuria për Viktimën Madhështore, butësia, mençuria dhe dinjiteti i së cilës na flasin për një Hyji. Drama Hyjnore që filloi në shpellën e Betlehemit do të mbyllet në Kalvar. Ne mund ta ndihmojmë Atë duke medituar fragmentet e Ungjillit që na lexohen nga Kisha gjatë këtyre ditëve të Krezhmeve.
2 – Pagëzimi: Një rilindje
E dyta nga temat që na ofrohen për mësimin tonë, kërkon që ne të kujtojmë se si festa e Pashkëve do të jetë dita e rilindjes për katekumenët tanë dhe se si, në epokat e hershme të Kishës, Krezhmet ishin përgatitja e menjëhershme dhe solemne që iu bëhej kandidatëve për Pagëzim. Liturgjia e Shenjtë e kësaj periudhe ruan shumë nga udhëzimet që Kisha u jepte katekumenëve. Ndërsa dëgjojmë mësimet e saj madhështore si nga Besëlidhja e Vjetër ashtu edhe nga Besëlidhja e Re, të cilat Kisha i përmbushi, ne
duhet të mendojmë me mirënjohje se si nuk na u kërkua të prisnim vite përpara se të bëheshim fëmijë të Hyjit, por u pranuam me mëshirë në Pagëzim që foshnje. Ne do të drejtohemi që të lutemi për ata katekumenë të rinj, të cilët, pikërisht këtë vit, në vende të largëta, po marrin udhëzime nga misionarët e tyre të zellshëm dhe po presin me padurim, siç bënë kandidatët e Kishës primitive, atë festë madhështore të fitores mbi vdekjen të Shpëtimtarit tonë. Pastaj, ata do të pastrohen nga ujërat e Pagëzimit dhe do të marrin nga kontakti një qenie të re – rilindjen.
3 – Pendimi për mëkatet
Së treti, duhet të kujtojmë se si, më parë, të penduarit publikë (të cilët ishin ndarë të Mërkuren e Perhime nga asambleja e besimtarëve) ishin objekt i merakut amnor të Kishës gjatë dyzet ditëve të Krezhmës dhe pranoheshin në pajtim të Enjten e Madhe, nëse pendimi i tyre meritonte këtë falje publike. Kemi udhëzime të admirueshme, të cilat fillimisht u krijuan për këta të penduar dhe që liturgjia, besnike si kurrë më parë ndaj traditave të tilla, i ruan për hir tonë. Teksa lexojmë këto fragmente madhështor të Shkrimit Shenjtë, natyrshëm do të mendojmë për mëkatet tona dhe në çfarë kushtesh të lehta na falen. Nëse do të kishim jetuar në kohë të tjera, mund të ishim vënë në sprovën e një pendimi publik dhe të ashpër. Kjo do të na entuziazmojë, sepse do të kujtojmë se, çfarëdo ndryshimi që Kisha mund të bëjë në disiplinën e saj, drejtësia e Hyjit tonë është gjithmonë e njëjtë. Ne do të gjejmë në gjithë këtë një motiv shtesë për t’i ofruar sakrificën e një zemre të penduar Madhërisë së Tij Hyjnore dhe për të kaluar pendesat tona me atë etje të gëzueshme, që e sjell gjithmonë me vete bindja për pendesën tonë shumë më të
ashpër.
Praktika gjatë Krezhmës
Gjatë këtyre dyzet ditëve të pendesës, që duken kaq të gjata për natyrën tonë të dobët, ne nuk do të na hiqet shoqëria e Jezusit tonë.
Është Emanueli ynë, i njëjti Jezus, por jo nën formën e vogëlushit të ëmbël që ne e adhuruam në djepin e Tij. Ai është rritur në moshën e plotë të njeriut dhe mban pamjen e një mëkatari. Ja ku është – duke u dridhur dhe duke u përulur përpara Madhërisë sovrane të Atit të Tij, të cilin ne e kemi fyer dhe të cilit Ai tani i ofron Veten si Viktimë pajtimi. Ai na do me dashurinë e një vëllai dhe, duke parë se koha e pendesës ka filluar, Ai vjen të na gëzojë me praninë e Tij dhe me vetë shembullin e Tij. Do të kalojmë dyzet ditë në agjërim dhe mëgjille (1). Jezusi, i cili është vetë pafajësia, kalon të njëjtin pendesë. Jezusi tërhiqet nga shoqëria dhe shikimi i njerëzve. Ne synojmë të jemi më të rregullt në shërbesat hyjnore dhe të lutemi me më shumë zjarrmi se herët e tjera. Jezusi është ndërmjetësi jonë dhe i gjithë I yni. Ne do të mendojmë për mëkatet tona të kaluara dhe do t’i qajmë me pikëllim të hidhur. Jezusi vuan për mëkatet tona dhe qan për ta në heshtjen e shkretëtirës, sikurse t’i kishte bërë ai vetë ata mëkate.
Dyzet ditë në shkretëtirë Sapo Ai mori Pagëzimin nga duart e Shën Gjon Pagëzuesit, Shpirti i Shenjtë e çoi Atë në shkretëtirë. Kishte ardhur koha për t’i treguar veten botës. Ai filloi duke na dhënë një mësim me rëndësi të jashtëzakonshëm. Ai lë Pararendësin e Shenjtë dhe turmën admiruese që kishte parë Shpirtin Hyjnor të zbriste mbi Të dhe që kishte dëgjuar zërin e Atit të Tij që e shpallte Atë si Birin e dashur të Hyjit. Ai i lë ata dhe shkon në shkretëtirë. Jo shumë larg Jordanit gjendet një mal i thyer, i cili pas shumë shekuj ka marrë emrin Quarantana (Dyzet-ditë) dhe nga ku shihet fusha pjellore e Jerikos, Jordani dhe Deti i vdekur. Biri i Hyjit hyri në një shpellë në atë mal të egër. Të vetmit shoqërues të tij ishin kafshët memece që kanë zgjedhur të njëjtën shpellë për strehimin e tyre. Ai nuk kishte ushqim për të zbutur dhimbjet e urisë; shkëmbi shterpë nuk mund t’i japte të pijë; dhe shtrati i tij i vetëm ishte guri. Aty, Ai kaloi dyzet ditë. Pas dyzet ditëve, Ai i lejoi Engjëjt ta vizitonin dhe t’i sjellin ushqim. Ai i duroi të gjitha lodhjet dhe vështirësitë e Tij, kështu që ne, kur na kërkohet të ecim në rrugën e ngushtë të pendesës sonë të Krezhmeve, të kemi shembullin e Tij për të heshtur justifikimet, sofizmat dhe neveritë e dashurisë për veten dhe krenarinë. Mësimi këtu është shumë i qartë dhe mund të kuptohet lehtësisht.
Do të vdisni!
Pra ligji i bërjes pendesë për mëkatin tregohet qartë dhe ne nuk mund të nxjerrim si shfajsim padijeninë. Prandaj, këtë mësim duhet ta pranojmë dhe ta ushtrojmë me ndershmëri. Jezusi largohet nga shkretëtira ku kaloi dyzet ditët dhe u drejtohet të gjithë njerëzve me këto fjalë: “Bëni pendesë, sepse Mbreteria Qiellore është afër”. (Mt. 4, 17). Le të mos e ngurtësojmë zemrën ndaj kësaj ftese, që të mos përmbushet te ne kërcënimi i tmerrshëm që përmban ato fjalë të tjera të Shëlbuesit tonë: “Nëse nuk bëni pendesë, do të vdisni”. (Lk. 13, 3)
Çfarë është Pendesa?
Pendesa konsiston në keqardhjen e shpirtit dhe mortifikimin e trupit; të dyja janë thelbësore për pendesën. Shpirti e dëshiron mëkatin dhe trupi shpesh bashkëpunon në bërjen e tij. Për më tepër, njeriu përbëhet nga shpirti dhe trupi. Të dy, pra, duhet t’i bëjnë homazh Krijuesit të tyre. Trupi duhet të ndajë me shpirtin ose kënaqësitë e Parajsës ose mundimet e ferrit. Prandaj, nuk mund të ketë asnjë jetë të plotë të Krishterë apo ndonjë pendesë serioze ku trupi nuk merr pjesë, në të dyja, me shpirtin.
Pika më e rëndësishme
Megjithatë, është shpirti ai që e realizon pendesën. Ungjilli e mëson këtë me shembujt që na sjell nga djali plangprishës, nga Maria Magdalena, nga Zakeu dhe nga Shën Pjetri. Shpirti, pra, duhet të jetë i vendosur të heqë dorë nga çdo mëkat. Shpirti duhet të brengoset me zemër për ata që ka kryer. Shpirti duhet ta urrejë mëkatin. Shpirti duhet të shmangë rastet e mëkatit. Shkrimet e Shenjta kanë një fjalë për këtë prirje të brendshme, e cila është adoptuar nga bota e Krishterë dhe që shpreh në mënyrë të admirueshme gjendjen e shpirtit që është larguar nga mëkatet e saj. Fjala është konvertim. Prandaj, i Krishteri duhet, gjatë Krezhmeve, të mësojë ta nxisë veten në këtë pendim të zemrës dhe ta shikojë atë si themelin thelbësor të të gjitha ushtrimeve të tij të Krezhmeve.
Mortifikimi i Trupit
Sidoqoftë, ai duhet të kujtojë se kjo pendesë shpirtërore do të ishte thjesht iluzion, në qoftë se nuk ushtron mortifikimin e trupit. Le të mësoje shembullin e dhënë nga Shpëtimtari i tij, i cili pikëllohet, me të vërtetë, dhe qan për mëkatet tona; por Ai gjithashtu i shlyen ato me vuajtjet e Tij trupore. Prandaj, Kisha, interpretuesja e pagabueshme e vullnetit të Mësuesit të Saj Hyjnor, na thotë se pendimi i zemrës sonë nuk do të pranohet nga Zoti, nëse nuk shoqërohet me agjërim dhe mëgjille.
Lutja
Mbajtja e guximshme e urdhërimit të Kishës për agjërimin dhe mëgjille gjatë Krezhmeve duhet të shoqërohet me ato dy vepra të tjera jashtëzakonisht të mira, për të cilat Hyji na nxit kaq shpesh në Shkrim: lutja dhe lëmosha. Ashtu siç nën termin “agjërim” Kisha përfshin të gjitha llojet e mortifikimit, nën fjalën “lutje” ajo përfshin të gjitha ato ushtrime të devotshmërisë me të cilat shpirti komunikon me Hyjin. Këto ushtrime përfshijnë pjesëmarrjen e shpeshtë në shërbesat e Kishës, Meshën e përditshme, leximin e librave dhe informacioneve shpirtërore, meditimin mbi të vërtetat e amshuara dhe Mundimet e Krishtit, dëgjimin e predikimeve dhe, mbi të gjitha, marrjen e Sakramentit të Pendesës e të Eukaristisë së Shenjtë.
Veprat e Mëshirës
Lëmosha përfshin të gjitha veprat e mëshirës ndaj të afërmit tonë dhe këshillohet njëzëri nga Mësuesit e Shenjtë të Kishës si plotësimi i nevojshëm i agjërimit dhe lutjes gjatë Krezhmeve. Hyji e ka bërë ligj : dashuria e treguar ndaj të afërmit tonë, me qëllimin për të kënaqur Krijuesin tonë, do të shpërblehet sikur t’i ishte bërë Atij. Sa mirë na sjell kjo realitetin dhe shenjtërinë e lidhjes që Ai dëshiron të shohë midis të gjithë njerëzve! Në të vërtetë, është një kërkesë e tillë saqë Ati ynë qiellor nuk e pranon dashurinë e asnjë zemre që refuzon të tregojë mëshirë. Nga ana tjetër, Ai e pranon si autentike dhe sikur ti ishte bëre Atij bamirësinë e çdo të Krishteri, i cili, me një vepër mëshire të treguar ndaj të afërmit, njeh me të vërtetë dhe nderon atë bashkim madhështor që i bën të gjithë njerëzit të jenë një familje me Hyjin Atin e saj. Prandaj, lëmoshët, të bëra me këtë qëllim, nuk janë thjesht vepra mirësie njerëzore, por ato lartësohen në dinjitetin e veprave të religjionit, me Hyjin si synimin e tyre të drejtpërdrejtë, dhe kanë fuqinë për të zbutur drejtësinë e Tij hyjnore.
Lëmoshë
Le të kujtojmë këshillën e dhënë nga Kryeengjëlli Rafael Tobitit. Tek sa po largohej nga kjo familje e shenjtë për tu kthyer në parajsë tha: “Lutja është e mirë me agjërimin dhe lëmoshë, më shumë se sa të grumbullosh thesare ari. Sepse lëmosha shpëton nga vdekja, ajo pastron nga çdo mëkatet ata që bëjnë lëmoshë të gjejnë mëshirë dhe jetë të përjetshme.” (Tobia 12, 8-9) Po aq i fortë është rekomandimi i dhënë këtij virtyti nga Libri i Predikimeve: “Uji shuan një zjarr flakërues dhe lëmosha u reziston mëkateve”. (Sir. 3, 33) Dhe përsëri, “Thur lëmoshë në zemrën e të varfërve dhe ajo do të të gjejë ndihmë kundër çdo të keqeje”. (Sir. 29, 15) I Krishteri duhet t’i mbajë këto premtime ngushëlluese gjithmonë në mendje, por veçanërisht gjatë periudhës së Krezhmës. I pasuri duhet t’i tregojë të varfërve, viti i të cilëve është gjithmonë agjërim, se ka një kohë kur edhe ka privime të vetë-imponuara. Mbajtja e Krezhmeve prodhon natyrshëm një kursim – le t’i jepet ai kursim Lazarit. Asgjë, sigurisht, nuk mund të jetë më e kundërt me frymën e kësaj periudhe të Shenjtë, sesa mbajtja e një tryeze buke me aq pasuri dhe delikatesë sa në
periudha të tjera të vitit, në të cilat Hyji na lejon që ti shijojshmë komoditetet sipas mundësive që na I ka dhënë. Por sa e Krishterë është që, gjatë këtyre ditëve pendese dhe bamirësie, jeta e njeriut të varfër të bëhet më e rehatshme, në përpjesëtim me atë që të pasurit ndajnë në vështirësitë dhe privimet e vëllezërve të tyre që vuajnë në mbarë botën! Të varfërit dhe të pasurit do të paraqiteshin më pas, me gjithë bukurinë e dashurisë vëllazërore mes tyre, në banketin Hyjnor të festës së Pashkëve, në të cilën Jezusi ynë i ringjallur do të na ftojë pas këtyre dyzet ditëve.
Shkëputje nga bota
Ekziston një mjet me anë të të cilit ne mund t’i sigurojmë vetes edhe më shumë hire të mëdha gjatë Krezhmeve : tërheqja dhe shkëputja nga bota. Jeta jonë e zakonshme, siç është gjatë pjesës tjetër të vitit, duhet të bëhet e gjitha në nder të periudhës së shenjtë të pendesës. Përndryshe, vula shëruese e prodhuar në ne nga ceremonia e shenjtë e të Mërkurës së Perhime do të shuhet së shpejti. Prandaj, i Krishteri duhet t’i ndalojë vetes, gjatë Krezhmës, të gjitha argëtimet, zbavitjet dhe festat e kota të botës ku jeton.