Jeta e Shën Patrikut
Ipeshkëv dhe Rrëfyes, Apostulli i Irlandës
Nëse virtytet e fëmijëve pasqyrojnë nderim për prindërit të tyre, shumë më i drejtë është nderimi qe i është bërë emrit të Shën Patrikut nga rrezet e panumërta të shenjtërisë, prej të cilave Kisha e Irlandës rrezatoi përgjatë shumë shekujsh, dhe nga numri i madh i shenjtërve, me të cilët populloi shumë toka te huaja; sepse, prej Zotit, vendasit përfituan nga apostulli i tyre i lavdishëm rrjedha të asaj shenjtërie të mrekullueshme, për të cilën u njohën në të gjithë botën.
Shën Patriku u lind në fund të shekullit të 4 AD, në një fshat të quajtur Bonaven Taberie, i cili ka mundësi që të jetë qyteti i Kilpatrikut, në buzë të lumit Klajd, në Skoci, mes Dumbarton dhe Glasgow. Ai e quan veten Britanik dhe Romak, domethënë me një origjinë të përzier, dhe thotë se babai i tij ishte nga një familje e mire e quajtur Kalfurnius, dhe ishte banues i një qyteti fqinj te Romakëve, të cilët pak kohë më vonë e braktisën Britaninë, në vitin 409 AD. Disa shkrimtarë e quajnë nënën e tij Konkesa dhe thonë se ishte mbesa e Shen Martinit të Tours.
Në moshën 16 vjeçare ai u zu rob nga disa barbarë, të cilët e çuan në Irlandë, ku ai u detyrua të ruante bagëtitë në male dhe në pytje, i uritur dhe i zhveshur, në bore, shi dhe ngrica. Gjatë kohës që po jetonte në këto kushte të mjerueshme, Hyji pati mëshirë për shpirtin e tij dhe e nxiti, me anë të një impulsi hiri të veçantë, drejt kuptimit të detyrës së tij. Djaloshi i ri I kërkonte ndihmë me gjithë zemër dhe pa pushim Atij, në lutje të përshpirtshme dhe agjërim; dhe që atëherë besimi dhe dashuria për Hyjin i siguruan vazhdimisht një force të re shpirtit të tij te ndjeshëm.
Pasi kaloi 6 muaj në skllavëri nën të njëjtin pronar, Shën Patriku u urdhërua në një ëndërr nga Zoti që të rikthehej në atdheun e tij, dhe e informoi se një anije ishte gati për tu nisur andej. Ai shkoi menjëherë në bregdet, edhe pse ishte mjaft larg dhe e gjeti anijen; por nuk mundi ta sigurojë udhëtimin, me siguri për shkak te mungesës së parave. Shenjti u kthye drejt barakës së tij, duke u lutur ndërsa largohej; por marinarët, edhe pse paganë, e thirrën dhe e morën në bord. Pas lundrimit tre ditësh, ata arritën në tokë, por u endën njëzet e shtatë ditë nëpër shkretëtira dhe u pikedhuan për një kohë të gjatë nga mungesa e ushqimit, pasi nuk mund të gjenin asgjë për të ngrënë. Patriku i kishte folur shpesh ekuipazhit për fuqinë e pafundme të Hyjit; prandaj e pyetën pse nuk lutej për ndihme. I gjallëruar nga një besim i fortë, ai i siguroi ata se nëse do t’i drejtoheshin me gjithë zemër Hyjit të vërtetë, Ai do t’i dëgjonte dhe do t’i ndihmonte. Ata vepruan kështu dhe në të njëjtën ditë hasën në një tufë derrash. Prej asaj ngjarjeje ushqimi nuk u mungoi më, derisa në ditën e njëzet e shtatë arriten në një vend që ishte i kultivuar dhe i banuar.
Disa vite më pas ai u zu përsëri rob, por e fitoi lirinë pas dy muajsh. Gjatë qendrimit në shtëpi me prindërit e tij, Zoti i zbuloi me ane te vizioneve të ndryshme, se Ai e kishte caktuar për veprën e madhe të konvertimit të Irlandës. Shkrimtarët e jetës së tij thonë se pasi u zu rob per herë të dytë ai udhëtoi në Gali dhe Itali, dhe takoi Shën Martinin, Shën Gjermanin e Okserit dhe Papa Celestinin dhe se ai mori misionin dhe bekimin apostolik nga ky Papë, i cili vdiq në vitin 432. Është mëse e sigurt se ai kaloi shumë vite duke u përgatitur për thirrjen e tij të shenjtë. Ai pati shumë kundërshtime si nga të afërmit e tij ashtu edhe nga kleri kundrejt misionit dhe shugurimit të tij në Ipeshkëv. Ata i bënë oferta të mëdha në mënyrë që ta mbanin në mesin e tyre dhe u përpoqën ta trembnin duke ekzagjëruar rreziqet ndaj të cilave ai do ekspozohej mes armiqve të Romakëve dhe Britanikëve, të cilët nuk e njihnin Zotin. Të gjitha këto tundime e hutuan Shenjtin shumë; por Zoti, vullnetin e Të cilit ai e konsultonte përmes lutjeve të zellshme, e mbështeti dhe ai vendosi të këmbëngulë në zgjidhjen e tij.
Ai braktisi familjen e tij, shiti privilegjin, trashëgiminë dhe titullin e tij, për t’u shërbyer të huajve dhe ia kushtoi shpirtin e vet Hyjit, për ta çuar emrin e Tij deri në skajet e botes. Me këtë prirje ai mberriti në Irlandë, për të predikuar Ungjillin, ku ende mbizoteronte adhurimi i idhujve. Ai iu përkushtua tërësisht shëlbimit të këtyre barbarëve. Ai udhëtoi në të gjithë ishullin, duke depërtuar edhe në vendet më të largëta, dhe fryti i predikimeve dhe vuajtjeve të tij ishte i tillë sa që ai pagëzoi një numër të pafund njerëzish. Ai shuguroi kudo klerikë, nxiti vejushat të jetonin ne vejëri dhe vetëpermbajtje të shenjtë, i kushtoi virgjëresha Krishtit dhe themeloi manastire. Ai nuk pranoi asnjë lëmoshë nga mijëra njerez që i pagëzoi dhe shpesh ua kthente dhuratat e vogla që disa i vendosnin në altar, duke zgjedhur më mirë të perulte të përshpirtëshmit sesa të skandalizonte të dobëtit ose të pafetë. Megjithatë, ai jepte nga vetja, si për paganët ashtu edhe për të krishterët. U shpërndante lëmoshë të varfërve në krahinat ku kalonte,
u bënte dhurata mbretërve, duke gjykuar atë që ishte e nevojshme për përparimin e Ungjillit, dhe u kujdesua dhe edukoi shumë fëmijë, të cilet ai i stërviti për të shërbyer në altar. Suksesi i punës së tij i kushtoi shumë persekutime.
Një princ i quajtur Korotik, i Krishterë vetëm në emër, prishi qetësinë e kopesë së tij. Ky tiran, pasi kishte zbritur në Irlandë, plaçkiti vendin ku Shën Patriku sapo kishte dhënë konfirmimin për një numër të madh besimtarësh, të cilët ishin ende në rrobat e tyre të bardha pas Pagëzimit. Korotiku masakroi shumë dhe mori me vete të tjerë, të cilët ua shiti Piktëve ose Skocezëve të pafe. Të nesërmen shenjti i dërgoi barbarit një letër duke e lutur që të rikthente robërit e krishterë dhe të paktën një pjesë të plaçkës që kishte marrë, që të varfërit të mos vdisnin për shkak të mungesës së tyre, por ai iu përgjigj vetëm me përbuzje. Atëherë shenjti shkruajti me dorën e tij një letër. Në të ai e quan veten një mëkatar dhe një njeri të paditur; megjithatë ai deklaron se është shpallur ipeshkëv i Irlandës dhe shpall Korotikun, vrasësit dhe bashkëpunëtorët e tjerë të shkëputur nga ai dhe nga Jezu Krishti, vendin e të cilit e mbante ai, duke ndaluar të gjithë të krishterët që të hanë me ta ose të marrin lëmosha prej tyre, deri në momentin që ata ta kenë kënaqur Hyjin me lotët e pendimit të sinqertë dhe tu kthente shërbëtorëve te Jezu Krishtit lirinë e tyre. Kjo letër shpreh dashurinë e tij të ëmbël për tufën e tij dhe pikëllimin e tij për ata që ishin vrarë, por të përzier me gëzim, sepse ata mbretëronin me profetët, apostujt dhe martirët.
Jocelin na siguron se Korotiku u qortua nga hakmarrja Hyjnore.
Shën Patriku mbajti disa koncile për të zgjidhur disiplinën e Kishës që ai kishte themeluar. Shën Bernardi dhe tradita e vendit dëshmojnë se Shën Patriku e caktoi selinë e tij metropolitane në Armagh. Ai shuguroi disa ipeshkvinje të tjerë, siç duket nga Këshilli i tij dhe testamente të tjera. Ai jo vetëm që e konvertoi të gjithë vendin me predikimin dhe mrekullitë e tij, por gjithashtu e kultivoi ate vresht me një bekim dhe rritje nga qielli aq të frytshme sa për ta bërë Irlandën një kopsht tejet të lulëzuar në Kishën e Hyjit dhe një vend shenjterish. Shumë detaje lidhen me punën e Shën Patrikut, të cilët ne detyrohemi t’i kalojmë. Në vitin e parë të misionit të tij ai u përpoq të predikonte Krishtin në asamblenë e përgjithshme të mbretërve dhe shteteve te të gjithë Irlandës, që mbahej çdo vit në Tara, rezidenca e kryembretit, emëruar monark i të gjithë ishullit dhe selia kryesore e Druidëve, ose priftërinjve, dhe riteve te tyre pagane. I biri i Neill, kryemonarkut, i doli kundër predikuesit; megjithatë, Patriku konvertoi disa, dhe, në
rrugëtimin e tij për në atë vend, babain e Shën Beninjus-it, pasardhësit te tij te menjëhershëm në selinë e Armagh. Më pas ai konvertoi dhe pagëzoi Ajsings-in e Dublinit dhe Munsterit-in, dhe shtatë djemtë e mbretit të Konaug, bashke me pjesën më të madhe të nënshtetasve të tyre, dhe para vdekjes së tij pothuajse të gjithë ishullin. Ai themeloi një manastir në Armagh; një tjetër i quajtur Domnach-Padraig, ose Kisha e Patrikut; dhe gjithashtu një të tretë, i quajtur Sabhal-Padraig; dhe e mbushi vendin me kisha dhe shkolla të devotshmërisë dhe të të mësuarit, reputacioni i të cilave, për tre shekujt pasardhës, tërhoqi shumë të huaj në Irlandë. Ai vdiq dhe u varros në Down në Ulster. Trupi i tij u gjet atje në një kishë me emrin e tij në vitin 1185 dhe u zhvendos në një pjesë tjetër të së njëjtës kishë. Irlanda është çerdhja nga ku Shën Patriku dërgoi misionarët dhe mësuesit e tij. Glastonburi dhe Lindisfarn, Ripon dhe Malmesburi, japin dëshmi për mundin e priftërinjve dhe ipeshkvinjëve irlandezë për konvertimin e Anglisë. Iona është edhe sot e kësaj dite vendi më i nderuar në Skoci. Kolumbani, Fiakre, Galli dhe shumë të tjerë ungjillëzuan “vendet e vrazhda” të Francës dhe Zvicrës. Amerika dhe Australia, në kohët moderne, ia kane borxh Krishterimin e tyre besimit dhe zellit të bijve dhe bijave të Shën Patrikut.
Meditim —Për shkak të Shën Patrikut, Besimi është tani po aq i freskët në Irlandë, edhe në këtë shekull të ftohtë të nëntëmbëdhjetë, sa kur u mboll për herë të parë. Lutuni atij që të marrë për ju hirin e veçantë të fëmijëve të tij—preferimin e humbjes së çdo të mire tokësore para kompromisit më të vogël në çështjet e fesë.
Legjendat thonë se Shën Patriku u mësoi irlandezëve rreth doktrinës së Trinisë së Shenjtë, duke u treguar njerëzve tërfilin, një bimë me tre gjethe, duke e përdorur atë për të ilustruar mësimin e krishterë për Tre Personat në një Zot.