Jeta e Shën Benediktit, Abat 480 AD - 543 AD
Shën Benedikti, i bekuar në hir dhe në emër, u lind në një familje fisnike italiane rreth vitit 480. Kur ishte akoma një djalosh u dërgua në Romë, ku u vendos në shkolla publike. I frikësuar nga shthurja e të rinjve romanë, ai u largua në malet e shkretuara të Subiaco-s, dhe u drejtua nga Shpirti Shenjt drejt një shpelle të thellë, të thepisur, e pothuaj të pabanueshme. Jetoi aty për tre vite, pa e ditur askush tjetër përveç murgut të shenjtë Romanus, i cili e veshi me petkun monastik, dhe i solli ushqim. Por fama e shenjtërisë së tij mblodhi shpejt shumë dishepuj rreth tij. Gjithsesi, rreptësia e rregullit të tij mbolli urrejtjen e disa prej murgjve kundrejt tij, dhe një prej tyre përziu helm në pijen e abatit; por kur Shenjti bëri shenjën e kryqit në gotën e helmuar, kjo e fundit u thye, dhe copat u hapën në tokë.
Pasi kishte ndërtuar dymbëdhjetë manastire në Subiaco, u zhvendos në Monte Casino, ku themeloi një abaci, në të cilën shkroi urdhrin e tij dhe ku jetoi deri në fund të jetës. Me lujte, arriti gjithçka: bëri mrekulli, pati dhuratën e vizioneve, dhe profetizoi. Një fshatar, të cilit sapo i kishte vdekur i biri, vrapoi me ankth drejt Shën Benediktit, duke thirrur me të madhe “Më kthe tim bir!” Edhe murgjit iu bashkuan burrit të gjorë në lutje; por Shenjti u tha, “Mrekulli të tilla nuk funksionojnë për ne, por vetëm për apostujt e bekuar. Pse po më ngarkon me një barrë të cilën dobësia ime nuk e mbart dot?”
I prekur pa masë nga dhembshuria, u gjunjëzua dhe, duke u përkulur mbi trupin e djalit të vdekur, u lut me zell. Duke u ngritur, thirri me zë të lartë, “Mos i shiko mëkatet e mia, o Zot, por fenë e këtij njeriu, i cili dëshiron jetën e të birit, e riktheji trupit atë shpirt që Ju e keni marrë.” Pa mbaruar mirë fjalën, trupi i fëmijës filloi të dridhej, dhe duke e marrë përdore, ia riktheu të gjallë të atit.
Papa Shën Gregori i Madh në veprën e tij të famshme “Dialogët” na flet për një rast interesant mes Shën Benediktit dhe mbretit barbar Totila, i cili kishte shkuar ta visitonte shenjtin. Totila tentoi ti bënte një dredhi duke i dërguar një ushtar i veshur me rrobat e mbretit, por shenjti porsa e pa i tha: “Hiqi, bir, ato rroba sepse nuk të përkasin ty.”
Pas kësaj Totila shkoi vetë ta takonte shenjtin dhe u përkul me kokë përdhe për ta përshëndetur. Shenjti e ballafaqoi për të gjitha padrejtësitë që kishte bërë, i kërkoi të pendohej dhe profetizoi se ai do pushtonte Romën dhe do kalonte detin për në Sicili. Ky sundim, tha shenjti, do zgjaste nëntë vite dhe në vitin e dhjetë mbreti do ndërronte jetë. Mbreti u trishtua dhe frikësua shumë dhe i kërkoi shenjtit që të lutet për të. Pas këtij takimi ai mori Romën, kaloi në Sicili dhe në vitin e dhjetë humbi mbretërinë dhe jetën e tij.
Gjashtë ditë para vdekjes, Shën Benedikti kishte urdhëruar hapjen e varrit të tij, e më pas ra i sëmurë me ethe. Në ditën e gjashtë, ai kërkoi të dërgohet në kapelë, dhe, pasi kishte marrë Korpin dhe Gjakun e Krishtit, me duart e ngritura lart, duke u mbështetur në një nga dishepujt e vet, kaloi në amshim, në lutje, me 21 Mars, 543.
Meditim – Shenjtërit asnjëherë nuk u frikësuan të ndërmarrin ndonjë punë, sado të mundimshme, për Zotin, sepse, edhe në mosbesim ndaj vetes, për ndihmë u mbështetën plotësisht në lutje.
Medalja e Shën Benediktit
Medalja e Shën Benediktit është shumë e vjetër. Ajo u bë shumë e njohur sidomos në shek. XI pas një shërimi të mrekullueshëm të një djali të ri, i quajtur Benedikt, i cili u bë murg benediktin dhe më vonë u bë shën papa Leoni IX. Benedikti XIV ka vendosur figurën e kësaj medalje. Në njërën anë është imazhi i shën Benediktit që mban në dorë një kryq, dhe në anën tjetër një kryq të madh me iciale të shumta të disa fjalëve në latinisht. Pasi kryqi është një element thelbësor në këtë medalje kjo quhet MedaljaKryq e shën Benediktit. Pranë shën Benediktit është një kupë nga e cila del një gjarpër, për të kujtuar që ky shenjt i shpëtoi vdekjes pasi bëri një kryq mbi një kupë të mbushur me helm, që ia dhanë për ta pirë. Ky helm i vdekur nuk mundi të përballojë shenjën e jetës që është kryqi, thotë shën Gregori, dhe kupa u thye sikur i ranë me gurë. Medalja e Shën Benediktit përdoret për nevoja shpirtërore dhe të përkohshme, me ksuht që të përdoret me besim të plotë. I njihet një efekasitet i veçantë kundër epidemive, helmeve, disa sëmundjeve të rralla dhe kundër ligësive dhe tundimeve të djallit. Gjithashtu, ajo është e shpërndarë kudo në botë prej misionarëve të saj. Kjo medalje përdoret për konvertimin e mëkatarëve sidomos në orën e vdekjes së tyre, lehtësim i nënav që presin një fëmijë, mbrojtjen e Zotit kundër rrezigjeve që kërcërnojnë jetën tonë, e për një vdekje të shenjtë e të qetë.
C.S.P.B (në këndet e kryqit)
Cruc Sancti Patris Benedicti : Kryqi i Shenjtit Atë Benedikt
Ipse venena bibas
Pije vetë helmin tënd
S.M.Q.L
Sunt mala quæ libas
Janë të këqija gjërat që ofron
C.S.S.M.L (vertikalisht)
Crux Sancta sit mihi lux
Kryqi i Shenjtë qoftë drita ime
Vade retro Satana
Shporru prapa, Satan
N.S.M.V
Nunquam suade mihi vana
Mos më tërhiq me kotësi
N.D.S.M.D (horizontalisht)
Non draco sit mihi Dux
Mos qoftë dragoi udhëheqësi im
EIVS IN OBITV NRO PRÆ SENTIA MVNIAMVR
Na ndihmoftë prezenca e tij ne momentin e vdekjes
Kupa me gjarpërin përfaqëson mrekullinë ku murgjët tentuan ta helmonin duke helmuar pijen e tij por kur shenjti bëri shenjën e kryqit, ajo u thye.
Korbi me bukën në sqep përfaqëson një tentativë tjetër ndaj shenjtit duke i helmuar bukën, por Zoti dërgoi një korb, i cili e hoqi bukën para se shenjti ta konsumonte.