Vërtetësia e Fesë Katolike sipas Shkrimit Shenjtë dhe Arsyes - Pjesa e Dytë
…. Ku gjendet pra në botë, lexues i dashur, një fe e tillë? Një fe që konverton njerëz dhe u thotë se duhet të pranojnë me çdo kusht mësimet e saj: një fe që ndan miqësitë dhe bën ndarje në jetën familjare; një fe që mëson doktrina konkrete dhe këmbëngul në besimin e saktë dhe besimin e padiskutueshëm; që dënon çdo mësim në kundërshtim me të tijën, që dëbon heretikët dhe vë të vërtetën dhe besimin para së gjithash në planin e shpëtimit; një fe që ka një kler të caktuar që deklaron prejardhjen nga vetë Apostujt; një hierarki që duhet besuar dhe respektuar; që merr në vete fjalët: “Ai që ju dëgjon ju, më dëgjon mua dhe ai që ju përçmon ju, më përçmon mua”; që i thotë botës: “Ai që beson do të shpëtohet, ai që nuk beson do të dënohet” dhe: “Nëse dikush predikon një Ungjill tjetër nga ai që predikojmë ne, qoftë i mallkuar”?
Lexuesi im i dashur, ekziston një fe e tillë në tokë, dhe ju e dini se cila është ajo. Afërsisht treqind e pesëdhjetë milionë besimtarë që mbajnë emrin e krishterë i përkasin asaj dhe për ta nuk ka nevojë të bëjnë pyetjen e Pilatit: “Çfarë është e vërteta?” sepse ata e dinë se në Kishën e tyre të madhe mbarëbotërore ata e kanë atë të vërtetë; sepse ata shohin, nga shenjat që ju kam vënë në dijeni sot
dhe nga shumë të tjera, se feja Katolike Romake ka të drejtë, sepse ajo, dhe vetëm ajo, nuk ngurron, në mënyrë të vazhdueshme, dhe mund të shtojmë, në mënyrë intolerante të mbajë të vërtetën ashtu siç e mbajti Krishti, dhe ashtu siç e mbajtën Apostujt, dhe kështu u jep atyre sigurinë që Kisha e tyre u mëson të vërtetën, po, të vërtetën e plotë të Jezu Krishtit.
Deri tani ne kemi shqyrtuar nga shumë këndvështrime të vërtetën e Kishës Katolike; le të tregojmë tani, me siguri po të njëjtë, harmoninë e padiskutueshme që gjendet në fenë Katolike Romake; atë harmoni që është absolutisht thelbësore për përparimin e çdo organizate, dhe për të cilen, vetë Themeluesi i saj, Jezu Krishti, u lut në raste të ndryshme.
Tani, pra, nëse ajo që ju thashë deri tani është e vërtetë, dhe ne pamë si nga Shkrimi i Shenjtë ashtu edhe nga arsyeja se nuk mund të jetë ndryshe, dhe se Jezu Krishti dhe Apostujt e Tij i kushtuan një rëndësi kaq të madhe të vërtetës, duke besuar të gjithë të vërtetën, pa e ndryshuar dhe pa i shtuar gjë; meqenëse është kështu, a nuk duhet të pretendojmë që, si fillim, feja e Jezu Krishtit të karakterizohet veçanërisht nga harmonia e besimit fetar?
Lexuesi im i dashur, le të marrim parasysh atë fakt të rëndësishëm të harmonisë së besimit fetar midis katolikëve dhe shikoni se si mund të arsyetohet. A nuk është e mundur, duke pasur parasysh mësimin e Zotit tonë të Bekuar për rëndësinë e së vërtetës dhe mëkatin e mohimit, ndryshimit ose refuzimit të së vërtetës, a nuk është të paktën shumë e mundshme që Ai të sigurojë disa mjete për ruajtjen e përhershme të harmonisë në besim midis ndjekësve të Tij? Dhe nëse Ai do ta siguronte këtë, a nuk do të qëndronte në këtë mënyrë ajo fe, që zotëron mjetet e harmonisë dhe vetë harmoninë, si feja që ka një pretendim epror se është e Jezu Krishtit? Dhe nëse mund të vërtetohet se anëtarët e fesë Katolike Romake e zotërojnë harmoninë e tyre nga të njëjtat mjete identike që Vetë Krishti siguroi për krijimin dhe ruajtjen e harmonisë midis ndjekësve të Tij, çfarë do të mungonte atëherë për të justifikuar pretendimin, se feja Katolike Romake është mjaft qartësisht feja e vërtetë e Krishtit vetë nga ky fakt?
Le të shkojmë te Dhiata e Re për të gjetur ndonjë provë për këtë çështje. Në kapitullin e dymbëdhjetë të Ungjillit të Shën Gjonit është regjistruar një lutje solemne e bërë nga Zoti ynë Jezu Krishti Atit të Tij pak para se Ai të dilte për tu ballafaquar me vdekjen e Tij: domethënë, lutja e Hyjit Bir drejtuar Hyjit Atë. “O Atë, ka ardhur ora; lartësoje Birin Tënd, që Biri yt të të lartësojë Ty. Më përlëvdo, o Atë, me Veten Tënde, me lavdinë që kisha me Ty, para se bota të egzistonte.” Pastaj lutet për Apostujt e Tij: “Atë i Shenjtë, ruaji ata në emrin tënd, QË TË JENË NJË, ASHTU SIÇ JEMI NE NJË: Shenjtëroji në të vërtetën; fjala Jote është e vërteta.” Së fundi, Ai lutet për të gjithë ata që do të marrin mësimet e Apostujve. Shiko fjalët e Hyjit tonë: “Dhe lutem jo vetëm për ta, por edhe për ata që nëpërmjet fjalës së tyre do të besojnë në Mua; që të gjithë të jenë një, sikurse Ti, o Atë, në Mua dhe Unë në ty; që edhe ata të jenë një në Ne, që bota të besojë se Ti më ke dërguar.” Sërish, Ai përsërit lutjen e Tij: “Që ata të jenë një, sikurse edhe Ne jemi një, Unë në ta dhe Ti në Mua, që të jenë të një në Ne dhe bota të dijë se Ti Më ke dërguar dhe I ke dashur ata, sikurse Më ke dashur Mua” (Gjn. 17:1-23).
Çfarë kërkon Krishti? Harmoni. Çfarë lloj harmonie? Një harmoni kaq të përsosur dhe të mrekullueshme, saqë Ai e krahason atë me harmoninë që ekziston midis Tij dhe Atit të Tij Qiellor. Pse e kërkon Ai? Që të mund të jetë një shenjë për botën për të vërtetën e misionit të Tij dhe të dashurisë së Hyjit për njerëzimin.
Por Zoti ynë lutet gjithashtu për harmoni besimi mes ndjekësve të Tij; dhe, në të vërtetë, pa harmoni besimi dhe bindjeje, çdo harmoni tjetër është e pa arritshme.
Lexuesi im i dashur, ju pyes, a na jep lutja e Zotit tonë Hyjnor një përshtypje të një krishterimi të përçarë? A e pohon të drejtën e gjykimit vetjak? Sigurisht që jo. Nga ana tjetër, po për ata treqind e pesëdhjetë milionë të krishterë që janë të bashkuar në atë mënyrë? Po për Kishën e madhe Katolike mbarëbotërore së cilës i përkasin? Mos vallë, lutja e Jezusit për harmoni në fakt u përmbush tek ata dhe në Kishën e tyre; dhe se sektet, për shkak të faktit se e kanë braktisur atë harmoni, janë shkëputur në këtë mënyrë, si institucione, prej gjirit të Fesë së Shenjtë të Krishtit?
Më lejoni t’ju lexoj një shëmbëlltyrë të Zotit tonë: “Prandaj, ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb. Ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; por ajo nuk u shemb, sepse ishte themeluar mbi shkëmb. Përkundrazi ai që i dëgjon këto fjalë dhe nuk i vë në praktikë, do të krahasohet me një njeri budalla, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi rërë. Më pas ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; ajo u shemb dhe rrënimi i saj qe i madh”.” (Mt. 7:24-27).
Tani, duke pasur parasysh këtë, dëgjoni rrëfimin e dy skenave në jetën e Hyjit tonë të Bekuar. E para u zhvillua në fillim të shërbesës së Zotit tonë dhe është regjistruar për ne nga Shën Gjoni. Simonin, birin e Jonas, e solli tek Zoti ynë vëllai i tij, Andrea; Dhe, sapo e pa, Jezusi e shikoi dhe tha: “Ti je Simoni, biri i Jonas; do të quhesh Kefa, që përkthehet “Pjetër”. (Fjala Kefa dhe Pjetër me siguri e dini, lexues, se të dyja do të thonë shkëmb.)
Skena e dytë ndodhi më vonë gjatë shërbesës së Zotit tonë dhe është regjistruar në faqet e Shën Mateut: “Pastaj Jezusi, mbasi arriti në krahinën e Çezaresë së Filipit, i pyeti dishepujt e vet: ”Kush thonë njerëzit se jam unë, i Biri i njeriut?”. Dhe ata thanë: ”Disa Gjon Pagëzuesi, të tjerë Elia, të tjerë Jeremia, ose një nga profetët”. Ai u tha atyre: ”Po ju, kush thoni se jam unë?”. Dhe Simon Pjetri duke u përgjigjur tha: ”Ti je Krishti, Biri i Hyjit të gjallë”. Dhe Jezusi duke përgjigjur tha: ‘Lum ti, o Simon, bir i Jonas, sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në Qiell. Dhe unë po të them gjithashtu se ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj Kishën Time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin Atë. Dhe Unë do të të jap çelësat e Mbretërisë së Qiellit; gjithçka që të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në Qiell, dhe gjithçka që të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në Qiell.” (Mt. 16:13-19).
Lexuesi im i dashur, vini re në radhë të parë, se është vetë Zoti që e ndryshon emrin e Apostullit nga ai i Simonit në atë të Kefës: Pjetër ose Shkëmb. Së dyti, Zoti nuk u jep emra të rinj njerëzve pa ndonjë qëllim; ka një domethënie të thellë në një veprim të tillë nga ana e Zotit. Emri i ri do të thotë një detyrë e re, një pozicion i ri, një thirrje e veçantë. Ne kemi një shembull paralel me rastin e Pjetrit në Dhiatën e Vjetër, ku Zoti e ndryshoi emrin e Abramit në atë të Abrahamit, për të nënkuptuar pozicionin e tij të ri si paraardhës të zgjedhur të popullit të Izraelit. Dhe kështu Zoti Vetë, Fjala e Mishëruar, e ndryshoi emrin e Simonit në Pjetër, Shkëmb: sepse Pjetri do të jetë themeli i Kishës së Shenjtë Katolike të Krishtit.
Njeriu i mençur e ndërtoi shtëpinë e tij mbi një shkëmb dhe, duke qenë se ishte ndërtuar kështu, ajo qëndroi e pa shembur. Jezus Krishti Dituria e Përjetshme, ndërtoi Shtëpinë e Tij, Kishën e Tij të Shenjtë, gjithashtu mbi një shkëmb, shkëmbin Pjetër; dhe për shkak se është themeluar kështu, dyert e ferrit, domethënë fuqia e të ligut dhe ushtrive të tij, nuk mund të triumfojnë kurrë kundër saj.
Lexuesi im i dashur, them nuk mund të triumfojnë kurrë, sepse ky është në të vërtetë premtimi i Zotit. Në të gjitha fjalët dhe veprimet e Tij në lidhje me Kishën e Tij, Ai tregon qartë se Ai po flet për kohën kur Ai do të jetë ngjitur në Qiell. Në fillim të shërbesës së Tij, Ai zgjedh burra që do të ndajnë me Të në detyrën e Tij supreme si Pastor dhe Mësues i njerëzve dhe do të vazhdojnë punën e Tij në Emrin e Tij dhe me autoritetin e Tij pasi Ai të largohet. Ai ju thotë atyre që dërgon për të mësuar në Emrin e Tij: “Ai që ju dëgjon juve, më dëgjon mua dhe ai që ju përbuz ju, më përbuz mua.” Njërit të zgjedhur veçmas nga 12 Apostujt e Tij, Ai i thotë: “Ti je Pjetri, Shkëmbi dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj Kishën Time.” Ai tregon se vetë Apostujt e Tij do të ketë pasues deri në fund të botës; sepse urdhri i Tij ndaj tyre ishte i tillë, që ata nuk do të mund ta zbatonin personalisht: “Mësoni të gjitha kombet, predikoni Ungjillin çdo krijese”; dhe, “Ja, unë do jem me ju gjatë gjithë ditëve, deri në fundin e botës”; dhe, “Mbi këtë shkëmb do të ndërtoj Kishën Time mbi të cilën dyert e ferrit nuk do të triumfojnë.
Pjetri, pra, lexuesi im i dashur, është në të njëjtin raport me Kishën e Jezu Krishtit siç është themeli i fortë i shkëmbit me një shtëpi të ndërtuar mbi të, dhe kjo marrëdhënie është për të gjitha kohërat. A thua Zoti donte të thoshte që dyert e ferrit do të jenë të pafuqishme për të shkatërruar Kishën vetëm gjatë jetës së Pjetrit? Nëse po, si ta kuptojmë premtimin, “Unë jam me ju gjatë gjithë ditëve, madje deri në fundin e botës”? Përgjithmonë atëherë, Kisha e Jezu Krishtit është ndërtuar mbi shkëmbin Pjetër. Përgjithmonë është ai që e mban ndërtesën të bashkuar, e pengon atë të copëtohet; me fjalë të tjera, e ruan atë në harmoni; sepse, lexuesi im i dashur, Kisha e Krishtit është një shoqëri, një trup; dhe, ashtu si një shtëpi shkatërrohet nga pjesët e ndryshme që shkëputen nga njëra-tjetra dhe ndahen, ashtu edhe Kisha do të shkatërrohej, nëse pjesët e ndryshme, anëtarët e saj, do të shkëputeshin dhe ndaheshin nga njëri-tjetri. Nuk do të ishte më “Një Trup dhe një Shpirt”; nuk do të meritonte më përshkrimin dhënë Kishës së Krishtit nga Shën Pali: “Në një shpirt u pagëzuam të gjithë në një trup”
Për të përmbledhur atë që thamë, kemi dy gjëra për të marrë parasysh; Së pari, fjalët solemne të Jezu Krishtit, sipas të cilave Kisha e Tij duhet të ruhet në atë harmoni për të cilën Ai u lut, me anë të atij themeli, Shkëmbit Pjetër, mbi të cilin Ai e ka ndërtuar dhe do të mbajë anëtarët së bashku, ashtu si një themel i fortë i jep stabilitet, bashkim dhe qëndrueshmëri një ndërtese.
Së dyti, ne kemi një fakt konkret të gjallë, që në të vërtetë ekziston në botë një Kishë e madhe mbarëbotërore, që përfshin, deri tani, trupin më të madh të të krishterëve në tokë, të cilët, për shkak të anëtarësimit të tyre në atë Kishë, mbahen së bashku në një harmoni besimi, adhurimi dhe bindjeje të pamohueshme dhe të mrekullueshme.
Tani, pra, a ka ndonjë gjë për ti lidhur ato fjalë të Krishtit, të thëna Shën Pjetrit 1900 vjet më parë, me këtë fakt të gjallë aktual të harmonisë së Kishës Katolike Romake në shekullin e njëzetë? Ka. Pyetni çdo katolik që di ndonjë gjë të vlefshme për fenë e tij, pse të gjithë katolikët janë të bashkuar në besimin e tyre dhe pse sektet janë të shkëputur në ndarje të panumërta, dhe një katolik do t’ju thotë: Sepse ne besimtarët katolik kemi një krye dhe sektet nuk kanë. Dhe nëse pyetni, kush është ai krye? Përgjigja do të jetë: Papa, ipeshkëvi i Romës. Dhe nëse pyet: Pse ipeshkvi i Romës? Do t’ju thotë se kështu është nga fakti që ipeshkvi i Romës është pasardhësi në atë episkopatë të Shën Pjetrit, të cilin, siç e pamë, Vetë Krishti e bëri Kryetar të Kishës; dhe që shkoi në Romë, drejtoi Kishën nga atje dhe ku vdiq si martir.
Një katolik i tillë do të jetë gjithashtu në gjendje t’ju thotë se pasardhja e ipeshkinjëve në atë Seli të Pjetrit, episkopatën e Romës, nuk është ndërprerë kurrë, nuk ka dështuar, dhe nuk është thyer kurrë; kështu që Papa i tanishëm, Piu XI, mund të gjurmojë prejardhjen e tij pa ndërprerje nga Papa në Papë, direkt te vetë Pjetri. Atëherë nëse vazhdoni pyetjet tuaja dhe pyesni, pse besoni se Shën Pjetri dhe pasardhësit e tij janë Krerët e Kishës të caktuar nga Zoti? Katoliku do të përgjigjet me ato fjalë që kam cituar shpesh: “Sepse Zoti ynë i tha Shën Pjetrit: Ti je Pjetri dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj Kishën time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin!” Dhe nëse pyesni se si Shën Pjetri dhe pasardhësit e tij e mbajnë Kishën së bashku në harmoni besimi, do t’ju kujtohet nga ata se si Krishti i dha të njëjtit Pjetër porosinë për të ushqyer, për të mësuar dhe sunduar të gjithë kopenë, kur Ai i foli atij në mënyrë solemne: “Ushqji qengjat e mi, ushqeji delet e mia.”
Lexuesi im i dashur, vëreni se kjo Kishë Katolike ka krijuar lidhjen për ne. Kisha Katolike Romake, me treqind e pesëdhjetë milionë anëtarët e saj, është një në besim, dhe rrjedhimisht një në bindje, adhurim dhe praktikë, sepse është ndërtuar mbi atë Shkëmb. Pjetri është në Qiell duke mbretëruar me lavdi bashkë me Mjeshtrin e tij Hyjnor; por Pjetri ende jeton, mbi tokë, në personën e pasardhësve të tij, ipeshkinjtë e qytetit të shenjtë të Romës. Sepse ne nuk duhet të harrojmë se fjalët dhe emërimet e Zotit tonë në lidhje me Kishën e Tij janë për të gjitha kohërat.
Ai u dha Shpirtin e Shenjtë, dhe tha, “do të jetë me ju përgjithmonë” dhe “Unë jam me ju”, deklaron Ai, “gjatë gjithë ditëve, madje deri në fund të botës.” Dhe po kështu, kur Ai bëri Shën Pjetrin Kryetar, kjo ishte gjithashtu për të gjitha kohërat, deri në fund të botës.
I dashur lexues, imagjinojeni veten në Bazilikën e madhe të Shën Pjetrit në Romë, ku prehet edhe sot e kësaj dite trupi i vetë Shën Pjetrit. Shihni atë tempull të madh të krishterë të mbushur nga fillimi në fund me një turmë të çdo fisi, populli, dhe gjuhe. Ata janë pa frymë nga pritja. Aktualisht, në qoshen më të largët të asaj mase të madhe njerëzish dëgjohet një murmuritje, si zhurma nga deti i largët; përhapet dhe rritet derisa bëhet si zhurma e erës së fuqishme që erdhi në Rrëshajë. Është emocioni dhe gëzimi i papërmbajtshëm që del nga tri dhjetë mijë zemra dhe tri dhjetë mijë të tjera. Dhe cili është shkaku? Një plak, i brishtë, i zbehtë, i vogël që duket se i përket tokës – por me një fuqi, një fuqi më e madhe se çdo tjetër në tokë; një fuqi, që i lidh ato zemra së bashku në një; një fuqi që del përtej faltores së Apostullit të Krishtit në karrigen e të cilit ulet ai plak, dhe arrin deri në skajet e tokës dhe lidh çdo zemër katolike me veten dhe me Krishtin. Po, fjalët e tij shkojnë në të gjitha vendet, për të udhëzuar, për të brohoritur, për të qortuar, për të ngushëlluar; sepse ai është Mëkëmbësi i Jezu Krishtit, Kreu i emëruar i të gjithë Kishës; në të flet zëri i Pjetrit, të cilit Mjeshtri i tha: “Kulloti qengjat e mi, kulloti delet e mia”, duke e bërë atë bariun e kopesë së Krishtit.