Sancta Maria, Mater Dei,
ora pro nobis peccatoribus

Lajmërimi i Lindjes së Krishtit

Mishërimi i Krishtit

 
 

 

 

Kjo festë e madhe e merr emrin nga lajmi i gëzueshëm që engjëlli Gabriel ja solli Virgjërës së bekuar, në lidhje me mishërimin e Birit të Hyjit. E përkujton lajmërimin më të rëndësishëm që është njohur ndonjëherë: një lajmërim i dërguar nga Mbreti i Mbretërve, kryer nga një nga princat kryesorë të oborrit të Tij qiellor; drejtuar, jo të mëdhenjve të kësaj toke, por një virgjëreshe të varfër, të panjohur, e cila, duke qenë e pajisur me pastërtinë më engjëllore të shpirtit dhe trupit, duke qenë krejtësisht e përulur dhe e përkushtuar ndaj Hyjit, ishte në sytë e Tij më e madhe se më i fuqishmi monark në këtë botë.


Kur Biri i Hyjit u bë njeri, Ai mund të kishte marrë mbi vete natyrën tonë pa bashkëpunimin e ndonjë krijese; por Ai ishte i kënaqur që lindi nga një grua. Në zgjedhjen e asaj që Ai e ngriti në dinjitetin më të lartë, Ai zgjodhi atë që, me pasurinë e hirit dhe virtyteve të Tij, ishte nga të gjithë të tjerët më e shenjta dhe më e përsosura. Qëllimi i këtij lajmërimi të kryeengjëllit ishte t’i japë botës një Shëlbyes, një viktimë për shlyerjen e mëkateve, një model për të drejtët, një djalë për këtë Virgjëreshë, duke mbetur ende e virgjër, dhe një natyrë të re për Birin e Hyjit, natyrën e njeriut, i aftë për të vuajtur dhimbje dhe tortura për të kënaqur drejtësinë e Hyjit për fajet tona.


Kur engjëlli iu shfaq Marisë dhe iu drejtua asaj, Virgjëra e Bekuar u shqetësua: jo nga pamja e engjëllit, thotë Shën Ambrozi, sepse vizionet qiellore dhe komunikimet me shpirtrat e bekuar ishin të njohura për atë; por ajo që e alarmoi atë, thote ai, ishte shfaqja e engjëllit në formë njerëzore, në formën e një të riu. Ajo që mund t’i shtonte frikën me këtë rast ishte adresimi i tij me fjalë lavdëruese. Maria, e kujdesshme nga modestia e saj, është e hutuar nga ajo shprehje, dhe i frikësohet më të voglës lajkë mashtruese. Lavdërime kaq të larta e bëjnë atë të jetë e kujdesshme se si të përgjigjet, derisa në heshtje ajo e ka shqyrtuar më plotësisht këtë çështje: “Ajo cuditej në mendjen e saj,” thotë Shën Luka, “se çfarë përshëndetjeje duhet të jetë kjo.” Ah, sa shumë shpirtra të pafajshëm janë korruptuar për shkak të mungesës së përdorimit të masave të ngjashme!


Engjulli, për ta qetësuar atë, thotë: “Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir përpara Hyjit”. Më pas ai e informon atë se ajo do të ngjizet dhe do të lindë një Bir emri i të cilit do të jetë Jezus, I cili do të jetë i madh, Biri i Shumë të Lartit, dhe do zotëronte fronin e Davidit, paraardhësit të saj të shquar. Maria, nga një shqetësim i drejtë për të ditur se si ajo mund të përmbushë vullnetin e Hyjit pa thyer betimin e saj të virgjërisë, pyet, “Si do të ndodh kjo?” As nuk e jep pëlqimin e saj derisa lajmëtari qiellor e njofton atë se ajo do të jetë një vepër e Shpirtit të Shenjtë, e cila, duke e ngjizur, nuk do të dëmtojë aspak pastërtinë e saj virgjërore.


Duke iu nënshtruar, prandaj, vullnetit të Zotit, pa asnjë pyetje të mëtejshme, ajo shpreh miratimin e saj me këto fjalë modeste, por të fuqishme: “Ja shërbëtorja e Zotit; u bëftë sipas fjalës Sate” Çfarë besimi dhe sigurie shpreh përgjigja e saj! Sa përulësi e thellë dhe bindje e përsosur!


Meditim – Cfarë dashurie të zjarrtë duhet të konceptojmë nga pastërtia dhe përulësia, prej shembullit të Virgjërës Mari në këtë mister! Shpirti i Shenjtë ftohet nga pastërtia të banojë në shpirtra, por përzihet nga pisllëku i vesit të kundërt. Përulësia është themeli i një jete shpirtërore. Me të, Maria u përgatit për hiret e jashtëzakonshme dhe të gjitha virtytet me të cilat u pasurua, dhe për dinjitetin e shquar të Nënës së Zotit.