Sancta Maria, Mater Dei,
ora pro nobis peccatoribus

Jeta e Shën Ludgerit, ipeshkëv

Shën Ludgeri lindi në Frislandë rreth vitit 743. Babai i tij, një fisnik i rangut të parë, pasi vetë Shën Ludgeri i kërkoi, e kushtoi shumë të ri në kujdesin e Shën Gregorit, dishepulli i Shën Bonifacit, dhe pasardhësi i tij në selinë së Utretit. Gregori e edukoi në manastirin e tij dhe ia dha tonsuren klerikale. Ludgeri, nga dëshira për përmirësim të mëtejshëm, shkoi në Angli, dhe kaloi katër vite e gjysmë nën Alkuinin, i cili ishte rektor i një shkolle të famshme në York. 


Në 773 ai u kthye në shtëpi, dhe për shkak të vdekjes së Shën Gregorit në 776, pasardhësi i tij, Alberiku, e sygjeroi shenjtin tonë të merrte urdhrin e shenjtë të priftërisë, dhe e dërgoi atë për disa vjet të predikonte Fjalën e Hyjit në Frislandë, ku ai konvertoi një numër të madh njerëzish, themeloi disa manastire, dhe ndërtoi shumë kisha. Paganët Sakson duke shkaterruar vendin, detyruan Ludgerin të udhëtonte në Romë për t’u konsultuar me Papën Adrianin II, për çfarë kursi të merrte, dhe çfarë mendonte se Zoti kërkonte prej tij. Më pas jetoi për tre vjet e gjysmë në Monte Casino, ku ai mbajti petkun e Urdhrit dhe ju përshtat praktikimit të rregullit gjatë qëndrimit të tij, por nuk bëri asnjë betim fetar. 


Në 787, Karli i Madh mposhti Saksonët dhe pushtoi Frislandën dhe bregdetin e Oqeanit Gjerman deri në Danimarkë. Ludgeri, duke dëgjuar këtë, u kthye në Frislandën Lindore, ku ai i konvertoi saksonët në Fe, siç bëri edhe me provincën e Vestfalisë. Ai themeloi manastirin e Verdenit, njëzet e nëntë milje nga Këlni. Në vitin 802, Hildebaldi, Kryepeshkopi i Këlnit, pa marrë parasysh rezistencën e tij të fortë, e shuguroi ipeshkëv të Munsterit. Ai bashkangjiti në dioqezën e tij pesë kantonet e Frislandit të cilat i kishte konvertuar, dhe gjithashtu themeloi manastirin e Helmstadit në dukatin e Brunsvikit.


Duke u akuzuar te perandori Karli i Madh për shpërdorim të të ardhurave të tij dhe neglizhencë ndaj zbukurimit të kishave, ky e urdhëroi të paraqitej në gjyq. Mëngjesin pas mbërritjes së tij, shërbëtori i perandorit e njoftoi se ishte thirrur të paraqitej. Shenjti, pasi ishte duke u lutur, i tha oficerit se do ta ndiqte sapo të mbaronte. Ai u thirr për tre herë para se të ishte gati, gjë që gjyqtarët e morën si një përcmim të Madhërisë së tij, dhe perandori, me shumë emocione, e pyeti pse e kishte detyruar të priste kaq gjatë, dhe pse ai e kishte detyruar ta thirrte aq shpesh. Ipeshkvi u përgjigj se megjithëse kishte respektin më të madh për Madhërinë e tij, Zoti ishte pafundësisht mbi të; dhe se ndërsa jemi të zënë me Të, është detyra jonë të harrojmë gjithçka tjetër. Kjo përgjigje i bëri një përshtypje të tillë perandorit, saqë ai e shkarkoi me nderim dhe turpëroi akuzuesit e tij. 


Shën Ludgeri u favorizua me dhuntitë e mrekullive dhe profecisë. Sëmundja e tij e fundit, edhe pse e dhunshme, nuk e pengoi që të vazhdojë detyrat e tij deri në ditën e fundit të jetës së tij, që qe e Diela e Larit, në të cilën ai predikoi shumë herët në mëngjes, tha Meshën rreth orës nëntë, dhe predikoi përsëri para natës, duke i paralajmëruar ata që ishin rreth tij se ai do të vdiste natën tjetër, dhe u ndal në vendin në manastirin e tij të Verdenit ku ai zgjodhi të varrosej. Ai vdiq sic tha me 26 mars, në mesnatë.


Meditim – Lutja është një veprim kaq madhështor dhe i mbinatyrshëm, saqë Kisha në oficen e saj na mëson ta fillojmë me një kërkesë të zjarrtë hiri për ta kryer mirë. Çfarë pafytyrësie dhe talljeje është të bashkosh me këtë peticion një mosrespektim të hapur dhe një neglizhencë të të gjitha masave të nevojshme parandaluese kundër shpërqendrimeve! Ne nuk duhet të dalim kurrë para Zotit, t’i bëjmë Atij nderimet ose lutjet tona, pa u dridhur dhe pa qenë të shurdhër ndaj të gjitha krijesave dhe pa i mbyllur të gjitha shqisat tona ndaj çdo objekti që mund të na largojë mendjen nga Zoti.