Sancta Maria, Mater Dei,
ora pro nobis peccatoribus

Jeta e Shenjtërve Jonas, Berakisius, dhe shokët e tyre, martir

Mbreti Sapor i Persisë, në vitin e 18-të të mbretërimit të tij, filloi një persekutim të përgjakshëm kundrejt të Krishterëve, dhe shkatërroi kishat e manastiret e tyre. Jonas dhe Barakisius, dy vëllezër nga qyteti Beth-Asa, duke dëgjuar se shumë të Krishterë ishin dënuar me vdekje në Hubaham, shkuan vetë atje t’i inkurajojnë e t’u shërbejnë. Nëntë prej tyre morën kurorën e martirizimit.


Pas ekzekutimit të atyre të Krishterëve, Jonas dhe Barachisius u kapën, ngaqë i kishin nxitur ata të vdesin. Presidenti u tha dy vëllezërve t’i binden mbretit të Persisë, dhe të adhuronin diellin, hënën, zjarrin e ujin. Përgjigjja e tyre ishte, që është më e arsyeshme t’i binden Mbretit të pavdekshëm të qiellit e tokës, sesa një princi të vdekshëm.


Jonas qe rrahur me shkopinj me nyje e shufra, dhe më pas ishte hedhur në një pellg të ngrirë, e lidhur nga këmba me një litar. Barakisius-it iu vendosën dy pllaka të nxehta hekuri e dy çekiçë të nxehtë nën secilin krah, dhe iu hodh plumb i shkrirë në hundë e sy; pastaj qe dërguar në burg, i varur për nga njëra këmbë.


Pavarësisht këtyre torturave mizore, dy vëllezërit qëndruan të palëkundur në Fe. Tortura të reja e më të tmerrshme qenë sajuar, nën të cilat të dy në fund dhanë jetën, ndërkohë që shpirtrat e pastër të tyre fluturuan drejt Parajsës, ku do të merrnin edhe kurorën e Martirëve, të cilën e kishin fituar besnikërisht. 


Meditim – Ato arsye aq të fuqishme që mbështetën e ngushëlluan martirët nën torturat më të mprehta duhet të na inspirojnë edhe ne me durim, dorëheqje, dhe gëzim hyjnor nën sëmundje e çdo kryq apo sprovë. Asgjë s’është më heroike në praktikimin e virtyteve të Krishtera, asgjë më e çmueshme në sytë e Zotit, sesa sakrifica e duresës, bindjes, besnikërisë së përhershme, dhe bamirësisë në gjendje vuajtjeje.