Sancta Maria, Mater Dei,
ora pro nobis peccatoribus

Jeta e Shën Benxhaminit, xhakon, martir

Isdegerdi, i biri i Saporit III, i dha fund persekutimeve mizore kundër të krishterëve në Persi, të cilat kishin filluar nga Sapori II, dhe Kisha kishte gëzuar paqe për dymbëdhjetë vjet në atë mbretëri, kur në vitin 420 u trazua nga zelli i pamatur i Abdasit, një ipeshkëv i krishterë, i cili dogji Pireumin, ose Tempullin e Zjarrit, hyjninë e madhe të Persianëve.  Mbreti Isdegerd shkatërroi më pas të gjitha kishat e krishtera në Persi, vrau Abdasin dhe solli një persekutim të gjithanshëm kundër Kishës, i cili vazhdoi dyzet vjet me tërbim të madh.  Isdegerdi vdiq një vit më pas, në 421. Por i biri i cili qe edhe pasardhësi i tij, Varanes, e vazhdoi persekutimin me më shumë mizori.  Vetë rrëfimi i mizorive që ai ushtroi ndaj të krishterëve të tmerron.  

 

Ndër kampionët e lavdishëm të Krishtit ishte Shën Benxhamini, një xhakon.  Tirani urdhëroi që ta rrihnin dhe ta burgosnin.  Ai kishte qëndruar një vit në birucë, kur një ambasador i perandorit solli lirimin e tij me kusht që të mos fliste kurrë me asnjë nga pjesëtarët e oborrit mbretëror për fenë.  Ambasadori i dha fjalën në emër të tij se nuk do ta bënte;  por Benxhamini, i cili ishte një shërbëtor i Ungjillit, deklaroi se ai nuk do të humbiste asnjë mundësi për të prezantuar Krishtin.  Mbreti, duke u informuar se ai ende predikonte besimin në mbretërinë e tij, urdhëroi ta kapnin, urdhëroi që t’i futeshin gozhda midis thonjëve dhe mishit, si në duar ashtu edhe në këmbë, t’i futeshin në pjesë të tjera më të buta dhe të nxjerrnin përsëri, dhe kjo të përsëritej shpesh me dhunë.  Së fundi, një hu me nyje iu fut në zorrë për t’i shqyer dhe coptuar. Në këtë mundim ai ndërroi jetë në vitin 424.

 

 

Meditim —Ju lutemi, o dëshmorët më të shenjtë, që vuajtët me gëzim mundimet më mizore për Hyjin, Shëlbuesin tonë dhe për dashurinë e Tij, dhe për këtë arsye ju jeni tani të bashkuar ngushtë dhe familjarisht me Të, që t’i luteni Zotit për ne mëkatarët e mjerë, të mbuluar me papastërti, që Ai të na mbushë me hirin e Krishtit, e të ndriçojë shpirtrat tanë që ta duam Atë.