Sancta Maria, Mater Dei,
ora pro nobis peccatoribus

1. Kriza në Kishë

 

  1. A ka krizë sot në Kishë ?

Vetëm po mbyllëm sytë nuk shohim që Kisha katolike po pëson një krizë të rëndë. Në vitet 1960 shpresohej një pranverë për Kishën gjatë koncilit II të Vatikanit, por ndodhi e kundërta. Me mijëra prifta e braktisën meshtarinë, me miliona rregulltarë e rregulltare u kthyen në jetën shekullare. Në Europë dhe në Amerikën e veriut, thirrjet (vokacionet) janë të rralla dhe janë të shumtë seminaret, kuvendet dhe shtëpitë rregulltare që janë mbyllur. Shumë famulli janë pa prift dhe kongregatat rregulltare i lënë shkollat, spitalet dhe shtëpitë e të moshuarve. « Tymi i Satanit ka hyrë në tempullin e Hyjit nga disa çarje », thoshte papa Pali VI më 29 qershor 1972[1]

 

+ A dihet se sa prifta e kanë braktisur meshtarinë në vitet 1960 ?

Në krejt Kishën mes viteve 1962 dhe 1972, 21 230 prifta janë kthyer në status laik. Ky numër nuk përfshin ata që kanë neglizhuar të bëjnë kërkesë për kthim zyrtar në status laik[2]. Mes viteve 1967 dhe 1974, tridhjetë deri dyzet mijë prifta e kenë lënë vokacionin e tyre. Këto fakte katastrofike as nuk mund të krahasohen me ndodhitë që shoqëruan të ashtuquajturën « Reformë » protestante të shek. XVI-të. 

 

 

+ A pati një katastrofë të njëjtë në kongragatat rregulltare ?

Quebec, rajon frëngjisht-folës i Kanadasë, ishte në vitet ’60 rajoni që kishte më shumë rregulltare në botë në raport me popullsinë. Kardinal Ratzinger tregon, duke theksuar se është vetëm një shembull mes të tjerësh :

Mes viteve 1961 dhe 1981 për shkak të largimeve, të vdekjeve dhe të ndalimit të ardhjeve të reja, numri i rregulltareve kaloi nga 46 933 në 26 924. Një rënie me 40% e cila është vështirë të fshihet. Vokacionet e reja kanë rënë përgjatë të njëjtës periudhe me 98,5%. Ndërsa një pjesë e mirë e këtij 1,5% të ngelur përbëhet jo nga rregulltare të reja në moshë, por nga « vokacione të vonshme ». Pra jemi në atë pikë saqë parashikimet më të thjeshta iu lejojnë sociologëve të bien dokort për këtë konkluzion brutal, por objektiv : « Pas pak vitesh, jeta rregulltare femërore ashtu sikur e kemi njohur do të jetë vetëm një kujtim në Kanada »[3]

 

 

+ A nuk është përmirsuar situta sot ? A nuk mund të themi se kriza ka kaluar  ?

Në Francë në vitet 1950 kishte rrethe një mijë shugurime meshtarake në vit. Që prej viteve 1990 ka rrethe një qind. Në 1956 në Francë kishte 41 000 prifta dioqezanë, kurse në 2015 vetëm 15 000 ku shumica prej tyre është mbi 60 vjeç. Numri i rregulltarëve në botë vazhdon të bie. Në

 

Amerikë, në 1960 u bënë 1527 shugurime meshtarake. Në 1998, vetëm 460 u shuguruan meshtarë, një rënie rreth 1000 në vit.

 

+ A i prek edhe besimtarët kjo krizë ?

Në 1958, 35% e franvezëve shkonin në Meshë çdo të dielë, sot janë vetëm 5% dhe shpesh janë të moshuar. Në 1950 më shumë se 90% i fëmijëve lindur në Francë pagëzoheshin, sot më pak se 50% i tyre. Në 1950, në Amerikë rreth 70% e katolikëve shkonin në Meshë, disa studime kanë treguar se ky numër ka rënë poshtë 30%.

 

 

+ Pavarësisht kësaj, a nuk ka një rritje pagëzimesh të rriturish në disa vende?

Disa mijra pagëzime të rriturish nuk mund ta konpensojnë rënin e qindra mijra pagëzimesh fëmijësh, plus që qëndrimi (persévérance) i të pagëzuarve të rinj shpeshherë lë për të dëshiruar.

 

 

+ A është rasti i Francës dhe i Amerikës me të vërtetë karakteristik ?

Të njëjtin mosinteresim për Kishën e gjejmë edhe në vende të tjera në Europë. Mes viteve 1970 dhe 1993, 1.9 milionë gjermanë janë larguar zyrtarisht nga Kisha katolike. Arsyet për këtë nuk janë urrejtia apo zemërimi, por indiferenca. Kisha nuk iu flet më njerëzve, ajo s’ka më rëndësi në jetën e tyre ; kështu e braktisin për të kursyer taksën kishtare. Me këtë ritëm, feja katolike do të bëhet një feja e një pakice të vogël. Gjermania, sipas Karl Rahner, rrezikon të bëhet tokë pagane me të kaluar të krishterë dhe me disa mbetje të krishtërimit.

 

 

+ A nuk mund të themi se kjo krizë e tmerrshme është lokale, prek Europën perëndimore dhe Amerikën e veriut, por kursen Amerikën latine, Afrikën dhe Azinë, ku katolicizmi duhet veçanërisht dinamik ?

Disa shifra mund të na bëjnë të besojmë se kriza është vetëm lokale. Vjetari pontifikal thotë se rritja e seminareve dhe e shugurimeve në vendet e botës së tretë konpenson gjerësisht rënien e konstatuar në vendet perëndimore. Në realitet kriza është universale, edhe pse nuk është njësoj çdo kund (vendet e varfra, ku meshtaria lejon promovim shoqëror, rekruton pa vështirësi vokacione, por të çfarë lloj cilësie ?). Amerika latine për shembull që konsiderohet si bastion katolik, aktualisht po kalon në protestantizëm më shpejt sesa Gjermania në shek. XVI-të.

 

 

+  A ka shifra për të ilustruar këtë protestantizim të Amerikës latine ?

Deri para koncilit II të Vatikanit, 94% e brazilianëve ishin katolikë. Në vitin 1980 ishin 89%, 83% në 1991, 74% në 2000 (dhe më pak se 60% në qytetet e mëdha : Sao Paolo dhe Rio). Protestantët që ishin 3% e popullsisë në 1990, sot janë 18% dhe numri i tyre vazhdon të rritet. Mesatarisht pesë kisha pentekontiste krijohen në Rio çdo javë. At Franc Rodé, sekretar i këshillit pontifikal për Dialogun me jo-besimtarët, thoshte në 1993 se Kisha humb çdo vit 600 000 besimtarët latino-amerikanë. Burime të tjera thonë që 8 000 katolikë në ditë përfshihen në sekte. Në Kili që prej 1960, 20% e popullsisë i është bashkuar sekteve protestante dhe 30% në Guatamala.

 

 

  1. A është kjo një krizë besimi ?

Besimi i krishterë duhet se po zhduket në Europë. Të vërtetat themelore si besimi në Hyj, hyjnia e Jezu Krishtit, parajsa, purgatori dhe ferri besohen pak e më pak.  Më shqetësues është fakti se këto nyje të fesë mohohen edhe nga njerëz që e quajnë veten katolikë dhe shkojnë shpesh në kishë.

 

+ A ka shifra që ilustrojnë këtë krizë besimi ?

Sondazhet tregojnë përafërsisht tendencat e shoqërisë. Sipas një sondazhi, 58% e francezve e kanë të sigurtë ose jo se Zoti egziston ; 65% thonë që « nuk besojnë » aspak në një Hyj në tre veta, dhe 67% nuk besojnë aspak se ferri egziston. Vetëm 12% e katolikve besojnë me plot siguri se ferri egziston (16% e besojnë pak ; 72% nuk besojnë fare). Edhe te katolikët praktikantë të rregullt, shifrat janë katastrofike : vetëm 23% besojnë se ka ferr, kurse 54 nuk besojnë se ka. 34% e këtyre praktikantëve të rregullt besojnë plotësisht se Muhamedi ishte profet, kurse 28% e tyre nuk e besojnë (35% besojnë pak, të tjerët nuk e dijnë). Në 2006, vetëm 7% e katolikve francezë thonë që feja e tyre është feja e vetme e vërtetë. Shihet nji ndryshim i madh ku gjysma e katolikve mendonin në 1952 që egziston vetëm një fe e vërtetë. Në Valais të Zvicrës, zonë katolike, 81% e katolikve thonë që krejt fetë të shpien në shëlbimin e amshuar.

 

 

+ Çfarë mësimi mund të nxjerrim nga këto shifra ?

Shifrat tregojnë se kriza është së pari krizë besimi. Jo vetëm që numri i atyre që i përkasin Kishës po zvogëlohet, por edhe shumica e atyre që janë zyrtarisht pjestarë të Kishës nuk e kanë më besimin katolik ! Ai që mohon nji të vërtetë të fesë e humbet besimin, sepse feja është e tërë dhe duhet të merret si e tërë. Nëse 7% refuzojnë të besojnë se ka ferr, atëherë vetëm nji katolik ndër tre e ka akoma besimin. 

 

 

  1. A është edhe krizë morale kjo krizë ?

Kriza e moralit shoqëron krizën e besimit. Ndërsa Shën Pali iu kujton të krishterëve që duhet të shndrisin me sjelljen e tyre si yje në botë në mes të kësaj breznie të prishur (Fil. 2, 15), mund të themi që mënyra e jetesës së të krishterëve të sotshëm nuk ndryshon në asgjë nga ajo e bijve të kësaj bote, nga ajo e jobesimtarëve. Besimi i tyre i dobët dhe i boshatisur nga substanca e tij nuk ka më fuqi të ndikojë jetën e tyre e aq më pak t’i japë formë. 

 

+ Cila është lidhja normale mes besimit dhe moralit ?

Njeriu i brishtësuar nga mëkati origjinal ka tendecë të veprojë sipas pasioneve të tij, duke humbur kështu kontrollin e vetes. Feja e krishterë i tregon njeriut se çka pret Hyji prej tij dhe sesi ai duhet ta përshtasë jetën e tij me vullnetin e Hyjit. Njeriu njeh përmes besimit se çka shpreson nëse zbaton urdhnimet e Hyjit, por edhe vuajtjet me të cilat do ta dënojë Hyji nëse ia kthen shpinën. Besimi dhe sakramentet i japin njeriut fuqinë për të mposhtur prirjet e këqija dhe t’i përkushtohet krejtësisht së mirës dhe dashurisë për Hyjin.

 

 

+ Cilat janë pasojat morale të një krize besimi ?

Nëse besimi zhduket, njeriu nuk e din se është i thirrur për përsosmëri morale dhe për jetën e amshuar afër Hyjit. Ai shkon gjithmonë e më shumë drejt kënaqësive të çrregullta të kësaj jete. + Kriza aktuale morale a prek edhe katolikët ?

Këtë e shohim në ditët e sotme. Besnikëria, pastërtia, drejtësia, shpirti i sakrificës etj. nuk janë më vlera të pakundërshtueshme, madje as edhe për të krishterët. Një martesë ndër tre sot përfundon në divorc pas pesë deri dhjetë vjetësh ; dihet « rimartesa » pas divorcit kërkohet nga një numër në rritje katolikës. Revista Herderkorrespondenz i 1984 thoshte se në Tirolin katolik (zonë mes Austrisë dhe Italisë) 84% e popullsisë hedh poshtë mësimin e Kishës për kontraceptivët dhe që mes 18-30 vjeçarëve vetëm 1.8% e tyre e ndjekin këtë mësim. Në Valais (Zvicër), 81,5% e katolikëve thonë që personat e divorcuar dhe të « rimartuar » duhet të lejohen të kungohen[4]. Në Francë në 2003, çereku i katolikëve deklarojnë se « ideja e mëkatit nuk ka domethënie të madhe për ata ».

 

  1. A ka edhe krizë në klerin sot ?

Mungesa e thirrjeve meshtarake dhe rregulltare dhe largimet e shumta tregojnë një krizë të thellë në kler. Shumë prifta e kanë humbur besimin, nuk janë më në gjendje për t’ua përçuar njerëzve dhe për ti entuziasmuar ata.

 

+ Cfarë lidhje ka mes krizës së besimit dhe krizës në klerin ?

Kriza e klerit është shkaku i krizës së besimit te besimtarët. Besimi i katolikëve që shkojnë rregullisht në Meshë është në një gjendje të mjerueshme dhe shkaku i kësaj vjen vetëm nga një predikim me të meta. Nëse priftat do tu mësonin besimtarëve rregullisht fenë katolike, situata do të ishte krejt ndryshe. Njerëzit nuk e kanë humbur besimin vetëm, por iu është hequr nga katekizmi dhe nga amboni i kishave. Kur gjatë homelive për vite të tëra vihen në dyshim të vërtetat e fesë, ose relativizohen apo mohohen haptazi, si të mos habitemi që besimtarët e thjeshtë humbasin besimin ? Të rinjë as që e kanë njohur. 

 

 

+ A ka shembuj të këtij mësimi të keq që jepet nga klerikët ?

Sot nuk është e rrallë që një fëmijë që bën kungimin e parë nuk e din që Zoti ynë Jezu Krishti është me të vërtetë, realisht dhe substancialisht i pranishëm në Eukaristi, nuk e di sepse as famullitari i tij nuk beson më në këtë mister. Në Wie wir Menschen leben, libër i mësimit fetar në Gjermani mund të lexojmë : « Kur të krishterët ndajnë darkën me Jezusin shkojnë në altar. Prifti iu jep një copë buke. Ata hanë bukën[5]. » Ky libër i mësimit fetar ka marr imprimatur-in (d.m.th. lejen) dhe është autorizuar nga ipeshkvinjtë gjermanë !

 

 

+ A nuk është më e mirë situata në Francë ?

Nëse 34% e katolikëve praktikantë të rregullt francezë besojnë plotësisht se Muhamedi është profet dhe 35% besojnë pak (pra në total 69%), vëmë re se shifra është më e ulët te katolikët jo praktikantë (21% dhe 22%, në total 43%). Në këtë pikë, jo praktikantët janë pra më katolikë sesa praktikantët. Kjo vjen sigurisht nga mësimi që marrin në kishë. Në fakt shumë ipeshkvinj

 

francezë iu kanë dhënë kisha muslimanëve dhe papa Gjon Pali II ka puthur Kuranin më 14 maj 1999.

 

 

+ Kriza e klerit a është krizë morali ?

Kriza është fillimisht një krizë besimi, por një kler besimi i të cilit është i dobët, sigurisht nuk ka më forcë për të ruajtur celibatin (beqarinë), sepse kjo është e mundur vetëm për atë që është i animuar nga një besim i gjallë dhe nga një dashuri e madhe për Zotin tonë. Dihet se një numër i madh priftash sot kanë lidhje mëkatare me një femër, publikisht apo jo, dhe shpesh marrim vesh se një prift ka braktisur postin e tij si prift duke deklaruar se nuk e ruante më celibatin që prej disa vitesh. Për këtë çështje, situata e klerit të botë së tretë (numri i të cili është në rritje) nuk është më e mirë. 

 

 

+ A nuk mediatizohen largimet e priftave me qëllim që të hiqet celibati i priftave ?

Është e qartë se celibati i largon shumë djem nga meshtaria, por në vend që bëjmë polemika mbi këtë temë, duhet të pyesim se pse shumë djem e ofronin me plot zemër këtë sakrificë më parë, ndërsa sot jo më.  

 

 

  1. Çfarë ndryshimi ka mes krizës së sotme me ato që Kisha ka pësuar në të kaluarën ?

Kriza e sotme në Kishë dallohet nga të kaluarat, kryesisht sepse janë autoritetet më të larta të Kishës ata që e kanë nisur, ata që e mirëmbajnë dhe që pengojnë të merren masa efikase për ta zgjidhur. 

 

+ A s’ka pasur ndonjëherë krizë të rëndë në Kishë ?

Në Kishë ka pasur shpesh kriza. Prifta, ipeshkvinj si edhe papë kanë pasur nganjëherë jetë në kundërshtim me Ungjillin. Imoraliteti dhe mungesa e disiplinës së klerit e ka dëmtuar shpesh Kishën. Disa herë prifta dhe ipeshkvinj janë shmangur nga feja e vërtetë, por asnjëherë gabimet dhe mohimi publik i të vërtetave të fesë nuk është përhapur si sot falë tolerancës, autorizimit dhe aktivitetit të autoriteteve romake dhe të episkopatit botëror. Ky është tipari i veçantë i krizës aktuale, e cila favorizohet nga autoritetet më të larta të Kishës, duke përfshirë edhe papën. 

 

 

+ A është pranuar nga autoritetet e Kishës ky tipar i veçantë i krizës aktuale ?

Papa Pali VI ka thënë në 1968 fjalinë e njohur kur fliste për Kishën në gjendje « vetëshkatërrimi » :

Kisha është në një orë shqetësimi, autokritike, mund të themi vetëshkatërrimi. Sikur një përmbysje e brendshme, e mprehte dhe komplekse që askush nuk e priste pas Koncilit… Sikur Kisha po godet veten[6].

 

 

[1] «da qualche fessura sia entrato il fumo di Satana nel tempio di Dio » , homelia e 9 vjetorit të kurorëzimit të papa Palit VI, lexo këtu homelinë e plotë.

[2] Georg May, Die Krise der nachkonziliaren Kirche und wir, Vjenë, Mediatrix-Verlag, 1979, fq. 50.

[3] Takim i kardinalit Ratzinger me Vittorio Messori, Vittorio Messori a colloquio con Joseph Ratzinger, fq. 36

[4] Instituti Link, 1990.

[5] Wie Wir Menschen leben, Ein Religionsbuch, Herder, 1972, fq. 78. Këtij libri i është Imrimatur-i më 17 janar 1972 nga vikari i përgjithshëm i dioqezës Freiburg im Breisgau, D. Schlund. 

[6] Fjalim i Palit VI më 7 dhjetor 1968.