Atë Gjergj Fishta: Të Kryqzuemit!
In fide vivo Filii Dei, qui dilexit
Me et tradidit semetipsum pro me. (Ad Gal. II. 20)
Qiella âsht muzë e shkimë âsht dielli;
Dridhet toka tue gjimue;
Rruzullimit trandet shtielli;
Gjâmen t’dekunt kanë vezhgue;
Shkambîjt tmera po i pershkon.
Tisi i tempullit âsht shkye,
Rrebtë ka shekllin trandë thellimi.
A natyra âsht tu’ u shperthye
E rroposet rruzullimi,
Ase Zoti diku pson.
Jo; pson Zoti! T’Izraelit
Bijt e prujtun m’mal t’Golgotit
Mbi nji t’ashper drû zabelit
Kryqzue paskanë t’Bir’n e Zotit:
Krejt e paskanë lá me gjak.
N’atë shemtim, n’atë mizorí
Kqyrë i Ati nalt prej qiellet;
E, kah sheh atë kob të zi,
Idhshem mnija xên e i pshtiellet,
Edhe mshirës i vên ai cak.
Rrebtë mbi shekull vrâ ka ftyren,
Edhe kapë rrufén njifillit
Me turshî gjithmbarë natyren.
Struken Engjutj hijes s’qiellit,
Heshtë natyra n’mjerim t’vet.
Hikni popuj, hikni fise!
Hikni, po, jashta ktij sheklli;
Pse mbi t’eprat, m’t’ poshtrat vise,
Prej ksi kobi, prej ksi mreklli,
Mnin e Zotit gjâ s’e pret.
Hikni vrap, po; kah kujtoni
Se nji Zot, Krijuesi i Empirit,
Qi i fuqís e i s’ Drejtës âsht froni,
S’do t’perligjë gjakun e t’Birit
Qi po derdhni me poshtnim?
Mnershem qiella, qe, u kercnohet;
Per nen kambë don me u hikë bota;
Rruzullimi âsht kah zhgatrrohet;
Janë kah shuhen stinë e mota:
S’bân, jo, Zoti kaq shemtim!
Veç nji fjalë i Biri t’flase,
Veç nji ankim t’a bâjë mbi jue,
Se krijimi do t’humbase
Se edhe jeta ka me u shue:
Lesker shekllit kund nuk jet.
E qe i Biri pre’ atij drûni
M’ t’ cillin ju mberthye e kini,
M’ gozhda shtatin Aj e xûni,
Edhe kryet kah qiella ngrini,
Dishka Atit per ju i flet:
“Fali, o Át, deh! Njerzt Ti fali!
Pse shka bâjn nuk jane tue dijtun:”
Oh! Pse tash s’po trandet mali…
Pse xên dielli prap me shndritun…
Persè u kthiell si moskurraj….
Shka? a vetë dashka i Biri i Zotit
Mnín e vetë me zbutun,
Ke, m’ drû pezull, m’shkam t’Golgotit,
Per anmiq âsht tuj u lutun
Qi m’u a falë mâ t’randin faj?…
O dashtnija e Fjalës s’mishnueme
Po a edhe m’kryq per bij’ t’ Adamit
Fjalët Ti i paske t’ambeltueme…
E me i pruejtë Ti dashke damit…
E me i pá me lumnì plot?
Ah! ktû. Popuj, ktû ju fise!
Ktû, po, ktheni m’shesh t’Kalvarit!
S’kênka droje, jo, n’kto vise,
Kû vete Flija n’sŷ t’ Gjyqtarit
Gjaksve t’vet u dalka zot.
S’ paska kênë, jô i vrashtë Rromaku,
Qi per dekë gjikoi t’Amshuemin;
E Judeut as etja e gjakut
Njitë s’e paska m’kryq te Lumin:
Dashtunija Atê e kryqzoi!
Dashtunija me flakë t’ veta,
Po, ato gozhda i paska prehun,
M’t’cillat pezull randon Jeta,
Si Davidi ‘i herë pat shprehun,
Nder vegime ka’ i skjyrtoi.
M’ faj t’ Adamit dheu perlye
Velej Hy’it n’shatorre t’kthiella:
Por, të randë atë faj me shkmbye,
Gjak nji Zoti lypte qiella,
Gjak t’paçmuem, shka nierzt nuk kan.
N’dashtuní ndezun per né,
Qe atë herë Fjala e Perendís
Bâhet nieri e zdrypë mbi dhé;
E p’r atë faj të rrokullís
Flîje vehten Ajo e bân.
Sod njai gjak, qi u lyp prej t’Lumit
Çmim perdlimit per rod t’nirit,
Gurrë prej varrvet rrjedhë t’amshuemit
Gurrë mishriret edhe hirit
Per gjith t’bijt e mnís s’ Tynzot.
Sod, po, âsht shue mnija hyjnore,
Edhe deka âsht mujtë e mnershme;
Preja ferrit dalë ka dore;
Shtypun krejet hidra e hershme
Kján trathín e vet me lot.
Qiella e toka, bashkë pajtue,
Nji besë t’ambel vên dashtnije;
Qiella e toka pse vllaznue
Janë n’per Gjak t’s’ hynueshmes Flije,
Qi per tokë mbi Kryq rekton.
Kohë e ré, po nisë m’u endun
Rruzullimit prej kso bote,
Si profeta e pat permendun:
Kohë mishriret, qeti-plote,
Kû dashtnija veç mbretnon.
Shue, prá, kjoftë kushdo bir deket
Ngroftë në zêmer mni mbas sodi;
Dielli dheut, pse kahdo rreket
Sot t’tânë popujt janë nji rodi:
Gjaku i t’ Lumit i vllaznoi.
O Ti Gjaku i Flîs s’hyjnueshme,
Fise e popuj qi vllaznove,
Deh! ‘dhe n’dritë të jetës s’lumnueshme,
Me çmim t’And qi na fitove,
Fise e popuj Ti bashkoi.