Sancta Maria, Mater Dei,
ora pro nobis peccatoribus

Jeta e Shën Vinçens Ferrerit

Apostulli i mrekullueshëm, “Engjëlli i Gjykimit”, u lind në Valencia, Spanjë, në vitin 1350; në moshën 18 vjeçare pranoi kushtet e Urdhrit të Shën Domenikut. Pas një kursi të shkëlqyer studimi, ai u bë mjeshtër në teologjinë e shenjtë. Për tre vite lexoi vetëm Shkrimin Shenjt, dhe dinte të gjithë Biblën përmendsh.

 

Shën Vincensi konvertoi judenjtë e Valencias, dhe sinagogat e tyre u kthyen në kisha. Hidhërimi për skizmin e madh që po vuante Kisha në atë kohë, e pikëlloi atë deri në vdekje, por Vetë Zoti Ynë në lavdi e urdhëroi të dilte e të konvertonte mëkatarët, “sepse gjykimi Im është afër.” Ky apostolat mrekullibërës zgjati 21 vite.

 

Ai predikoi përgjatë Europës, në qytete e fshatra të Spanjës, Zvicrës, Francës, Italisë, Anglisë, Irlandës, Skocisë. Kudo, dhjetra mijëra mëkatarë u penduan; Judenjë, të pafe, dhe heretikë u konvertuan. Mrekullitë e jashtëzakonshme përforcuan fjalët e tij. Dy herë, çdo ditë, “kumbona e mrekullive” thërriste të sëmurët, të verbrit, të çalët për t’u shëruar. Mëkatarët më kokëfortë u bënë Shenjtër; duke folur vetëm spanjishten e tij amtare, ai kuptohej nga të gjithë. Proçesione me dhjetëmijë të penduar e ndoqën në mënyrë të përsosur. Kuvende, jetimore dhe spitale, u ngritën gjatë rrugës së tij. Mes të gjithave, përulësia e tij mbeti e thellë, e lujtja e vazhdueshme. Gjithmonë përgatitej me lutje para se të predikonte.

 

Sidoqoftë, një herë, kur një njeri i shtresës së lartë pritej të ishte prezent në predikimin e tij, e la pas dore lutjen para predikimit. Fisnikut nuk i kishte bërë edhe aq përshtypje diskutimi, i cili ishte përpunuar me shumë kujdes; po duke ardhur përsëri të dëgjonte Shenjtin, pa dijeninë e këtij të fundit, predikimi i dytë la një përshtypje të thellë në shpirtin e tij. Kur Shën Vincenti dëgjoi për ndryshimin, theksoi se në predikimin e parë kishte qenë Vincensi ai që kishte predikuar, ndërsa në të dytin, Jezu Krishti. 

 

Ai ra i sëmurë në Vannes, Britani, dhe mori kurorën e lavdisë së përjetshme në vitin 1419.

 

Meditim – “Çfarëdo të bësh,” tha Shën Vincenti, “mos mendo për veten, por për Zotin.” Në këtë frymë ai predikonte, dhe Zoti foli nëpërmjet tij; në këtë frymë, nëse dëgjojmë me kujdes, do të dëgjojmë zërin e Zotit.