Mater Dolorosa - At Gjergj Fishta O.F.M
Pezull ndërmjet tokës e qiellit,
Atje mbi krep t’ Golgotit,
N’per ag t’pergjakshem t’diellit
Ulë kryet i Biri i Zotit,
Mbasi me ‘i zâ t’pushtushem
Dha shpirtin e hyjnushem
Nder duer të Atit t’vet.
E Ama, zbè si qiri,
Prej dhimbet e bâme gurë,
E sheh kah kryt i Biri
E ulë permbi krahnur:
E sheh, e mâ fort zêmra
I therë atë botë, e thêmra,
Tuj u dridhë, mâ n’tokë s’i shklet,
Por, kah s’don me mendue
Se i Biri shpirt ka dhân,
I kande me kujtu
Se Ai don ndo’i fjalë me i thân;
Prandej me dashtuni,
I qaset Krygjes s’Ti
E i thotë plot ambelcim:
– Qe Nâna e jote, o Djalë!
Qe Nâna, o Bir, afer teje!
A don me m’thânë ndo’i fjalë,
Qi ule kryet prej meje? –
Po a fort gojen t’idhnuene
Me atë tamth, qi tash t’a kuene
Kta njerz të lém n’verbim? –
Por n’Kryq i Biri shuete,
E veç nji ushtimë termetit
Qi t’dekunt n’vorr i shquete,
Qi trandte ujët e detit,
Qi male e krepa çáte,
Qi n’tempull tisin çáte,
Per Tê t’pergjegjun kjè!
U dridh atë botë e Ama,
Por krejt s’e la shpresa;
E tue shungllu endè gjâma,
Tu’ u trandë e dheut ndertesa,
Me dorë kamben ia prekë,
Me shpresë se nuk ka hjekë,
Se shpìrt s’ka dhânë endè.
Porse me dorë tue ndî’,
Se kamba ftofun ishte
Me gjak e cilla ishte rî,
Tue pá se Djalë mâ s’kishte,
‘Oooh’ fshâni ‘i herë prej dhimbet,
E, si nji dritë që shkimet,
Gadi nen Kryq u pak.
E pánë Engjujt te qielli
E ftyren me fletë mblune;
U muz mâ kobshem dielli,
Humneret prap gjimune:
I Amshuemi, edhe Atê e pá,
E dhimbë per Tê i rá,
E mnís atë herë vû cak.
U vesh në zí natyra,
Bregut u thane plepat,
U vrâ e qiellës pasqyra,
Plasen prap dhimbet krepat,
E u vyshken fushës zymylat,
E heshten n’mal bylbylat:
Mbarë rruzullimi ankoi.
Vetë Rromakut gjaksor
Që t’Birin ja bâni t’dekun,
Zêmra i gufoi n’krahnur,
Ashtû ka’ e pà të lmekun:
E kah prej malit zdrypi
Ai t’Lumit mshirë i lypi,
Pse aq t’dhimbshme Nânë mjeroi.
Veç ti, moj zêmra jême,
Veç ti të lodhët nuk ké,
E, egersue, nuk trême
Ashtú ka’ e sheh ti zbé,
Njatê, qi kje nder bija
Si lil nder kulumrija,
Si drita kúr agon.
Po kje se ti nuk pihe
N’gjith ketë mjerí t’shemtueme,
Po kje se ti nuk shkrihe
Kah sheh sa Nânës t’bekueme
Heshtat zêmren i a therin,
Mâ t’fortë se ty mermerin,
M’ kallzo se kû kerkon?