E Diela e Larit
Herët në mëngjesin e kësaj dite, Jezusi niset për në Jerusalem, duke lënë Marinë, nënën e Tij, Martën, Maria Magdalenën dhe Llazarin, në Betani. Nëna e dhimbjeve dridhet kur sheh Birin e saj tëksa përbadhet me rrezikun, sepse armiqtë e Tij janë në pritje të rrëzimit të Tij; por nuk është Vdekja, është Triumfi, që Jezusi do të marrë sot në Jerusalem. Mesia, përpara se të gozhdohet në Kryq, do të shpallet Mbret nga njerëzit e qytetit të madh; fëmijët e vegjël do t’i bëjnë rrugët e saj të jehojnë me Hosana-t e tyre drejtuar Birit të Davidit; dhe kjo në prani të ushtarëve të Perandorit të Romës, dhe të Kryepriftërinjve dhe Farisenjve – të parët, duke qëndruar nën flamurin e Shqiponjave të tyre;të dytët, të shtangur nga inati.
Profeti Zakari e kishte parathënë këtë Triumf që Birit të Njeriut do ti jepej disa ditë përpara Mundimeve të tij dhe që ishte përgatitur për të nga gjithë përjetësia. Ngazëllo me të madhe, o bijë e Sionit, lësho britma gëzimi, o bijë e Jeruzalemit! Ja, mbreti yt po të vjen; ai është i drejtë dhe sjell shpëtimin, i përulur dhe i hipur mbi një gomar, dhe mbi kërriçin e një gomari. Jezusi, duke e ditur se kishte ardhur ora për përmbushjen e kësaj profecie, veçoi dy nga pjesa tjetër e Dishepujve të tij dhe i urdhëroi të shkojnë te një gomar dhe kërriçi i saj, të cilin do ta gjenin jo larg. Ai kishte arritur në Betfagë, në malin e Ullinjve. Dy Dishepujt nuk humbasin kohë në ekzekutimin e urdhrit të dhënë nga Mjeshtri i tyre hyjnor; dhe gomarin dhe kërriçin e çojnë shpejt në vendin ku Ai po qëndronte.
Etërit e shenjtë na kanë shpjeguar misterin e këtyre dy kafshëve. Gomari përfaqëson popullin hebre, i cili kishte qenë prej kohësh nën zgjedhën e Ligjit; kërriçi, mbi të cilin, siç thotë Ungjilltari, askush nuk është ulur ende, është një figurë e botës paganë, të cilën askush nuk e kishte nënshtruar ende. E ardhmja e këtyre dy popujve do të vendoset brenda pak ditësh, pra: judenjtë do të përjashtohen sepse kanë refuzuar të pranojnë Jezusin si Mesia; paganët do të zënë vendin e tyre, do të adoptohen si populli i Hyjit dhe do të bëhen të urtë dhe besnikë.
Dishepujt shtrinë rrobat e tyre mbi kërriç; dhe Shpëtimtari ynë, që profecia të përmbushej, u ul mbi të dhe vazhdoi drejt Jeruzalemit. Sapo u mor vesh se Jezusi ishte afër qytetit, Shpirti i Shenjtë veproi në zemrat e atyre judenjve që kishin ardhur, nga të gjitha anët, për të kremtuar festën e Pashkës. Ata dalin për të takuar Zotin tonë, duke mbajtur degë palme në duar dhe duke e shpallur me zë të lartë Atë Mbret. Ata që kishin shoqëruar Jezusin nga Betania iu bashkuan turmës entuziaste. Ndërsa disa shtronin rrobat e tyre rrugës, të tjerë prenë degë nga palmat dhe i shpërndanë përgjatë rrugës. Hosana është britma triumfuese, që i shpall të gjithë qytetit se Jezusi, Biri i Davidit, ka bërë hyrjen e Tij si Mbreti i saj.
Kështu Hyji, në fuqinë e Tij mbi zemrat e njerëzve, siguroi një triumf për Birin e Tij dhe pikërisht në qytetin që, disa ditë më pas, do të kërkonte Gjakun e Tij. Kjo ditë ishte një ditë lavdie për Jezusin tonë dhe Kisha e Shenjtë do të na bënte të ripërtërinim çdo vit kujtimin e këtij triumfi të Njeriut-Zot. Menjëherë pas lindjes së Emanuelit tonë, ne pamë dijetarët që vinin nga Lindja e Largët dhe kërkonin në Jeruzalem Mbretin e Judenjve, të cilit ata synonin t’i ofronin dhuratat dhe adhurimin e tyre; por është vetë Jeruzalemi që tani shkon të takojë këtë Mbret. Secila prej këtyre ngjarjeve është një dëftesë e Mbretërisë së Jezusit: e para, nga paganët; e dyta, nga judenjtë. Të dy duhej t’i bënin Atij këtë nderim mbretëror përpara se të vuante Mundimet e Tij. Mbishkrimi që do të vendoset në Kryq, me urdhër të Pilatit, do të shprehë karakterin mbretëror të të kryqëzuarit: Jezusi i Nazaretit, Mbreti i Judenjve. Pilati – Guvernatori romak, pagani, frikacaku i poshtër – ka qenë, pa dashje, përmbushësi i një profecie; dhe kur armiqtë e Jezusit insistojnë që mbishkrimi të ndryshohet, Pilati nuk do tu japë asnjë përgjigje veç kësaj: Atë që kam shkruar, e kam shkruar. Sot, janë vetë Judenjtë ata që shpallin Jezusin si Mbretin e tyre: ata së shpejti do të shpërndahen, si ndëshkim për revoltën e tyre kundër Birit të Davidit; por Jezusi është Mbret dhe i tillë do të jetë përgjithmonë. Kështu u vërtetuan fjalë për fjalë fjalët që i tha Kryeengjëlli Marisë, kur i shpalli asaj lavditë e Fëmijës që do të lindte prej saj: Hyji Zot do t’i japë Atij fronin e Davidit, atit të Tij; dhe Ai do të mbretërojë në shtëpinë e Jakobit përjetë. Jezusi e fillon mbretërimin e Tij mbi tokë pikërisht sot; dhe ndonëse Izraeli i parë së shpejti do të heqë dorë nga sundimi i tij, një Izrael i ri, i formuar nga disa besimtarë të Izraelit të parë, do të ngrihet në çdo komb të tokës dhe do të bëhet Mbretëria e Krishtit, një mbretëri e tillë që asnjë monark tokësor nuk e kishte imagjinuar ndonjëherë në fantazitë e tij më të çmendura.