Sancta Maria, Mater Dei,
ora pro nobis peccatoribus

E Enjtja e Madhe

Kisha Katolike përkujton sot themelimin e Sakrificës së Shenjtë të Meshës dhe Sakramentit e Shenjtë të Altarit nga Shëlbuesi ynë. Këtë përkujtim Kisha e ka kremtuar që në epokat e para të krishterimit.

 

Çfarë gjërash të jashtëzakonshme bëri Krishti në këtë ditë?

 

Ai hëngri me apostujt e Tij qengjin e Pashkëve që ishte një lloj i Vetvetes;  hahej me barishte të hidhura dhe bukë pa majë;  e hëngrën në këmbë me rroba të ngjeshura dhe me shkopinjë në dorë, në kujtim të arratisjes së shpejtë të Judenjve nga Egjipti.  (Eksod. 12)

 

Pasi hëngri qengjin e Pashkëve, Zoti ynë me përulësi të thellë lau këmbët e apostujve të Tij, duke i nxitur ata të praktikonin të njëjtën përulësi dhe bamirësi;  më pas, Ai u dha atyre Mishin dhe Gjakun e Tij nën pamjen e bukës dhe verës, për ushqim dhe pije shpirtërore, duke themeluar kështu Sakramentin e Shenjtë të Altarit, Sakrificën e Meshës dhe priftërinë;  sepse kur u tha apostujve: Bëjeni këtë në përkujtimin tim, Ai i shuguroi priftërinj.

Pas kësaj Ai mbajti fjalimin e Tij të fundit në të cilin u këshilloi veçanërisht dashurinë vëllazërore;  tha atë lutje të bukur kryepriftërore, në të cilën Ai iu lut Atit të Tij Qiellor veçanërisht për harmoninë e Kishës së Tij.

 

Më pas Ai shkoi si zakonisht në malin e Ullinjve, ku e filloi pasionin e Tij me lutje dhe nënshtrim ndaj vullnetit të Atit të Tij, duke vuajtur një agoni intensive e cila ishte aq e fortë sa Ai djersiti gjak.  Këtu Juda e tradhtoi Atë në duart e Judenjve, me një puthje të pabesë.  Ata e lidhën dhe e çuan te kryepriftërinjtë, Anas dhe Kefa, ku u dënua me vdekje nga këshilli dhe u mohua nga Pjetri.

 

Cilat ceremoni mbahen në meshën e kësaj dite?

 

Kryqi është i mbuluar me një vello të bardhë në kujtim të themelimit të Sakramentit të Shenjtë të Altarit. Prifti vjen në altar i veshur me rroba të bardha;  Gloria in excelsis këndohet solemnisht, e shoqëruar nga tingujt e kambanave dhe të gjithë të krishterët nxiten që t’i japin lavdërim dhe mirënjohje Zotit që themeloi Festën e Bekuar të Dashurisë.

 

Pas Gloria këmbanat janë të heshtura deri të Shtunën e Madhe për të treguar zinë e Kishës për pasionin dhe vdekjen e Jezusit;  për të na nxitur gjithashtu t’i kalojmë këto ditë në pikëllim të heshtur, duke medituar mbi vuajtjet e Krishtit dhe në kujtim të ikjes së turpshme të apostujve në kapjen e Krishtit dhe heshtjes së tyre gjatë këtyre ditëve.

 

Prifti që kryen shërbimin nuk jep “puthjen e zakonshme të paqes” para Kungimit, sepse në këtë ditë Juda e tradhtoi Krishtin me një puthje.

Pas meshës, Sakramenti i Shenjtë në tabernakull, çohet në procesion në sakristi, në kujtim të kohërave më të hershme të krishterimit,  kur hostet e shenjtëruara për të kunguarit dhe të sëmurët mbaheshin në një vend të përgatitur posaçërisht, sepse nuk kishte tabernakull në altar.  Për më tepër, kjo nënkupton edhe shkuarjen e Krishtit në malin e Ullinjve.

 

Letra dërguar Korintasve (1 Kor. 11:20-32) 

 

Vëllezër, kur mblidheni në një vend, nuk është tani për të ngrënë Darkën e Zotit. Sepse, në të ngrënët, gjithësecili merr darkën e vet më përpara; dhe njëri ka uri dhe tjetri është i dehur. A nuk keni, pra, shtëpi për të ngrënë e për të pirë? Apo përbuzni kishën e Hyjit dhe turpëroni ata që s’kanë asgjë? Çfarë t’ju them juve? T’ju lavdëroj? Për këtë nuk ju lëvdoj.

 

Sepse unë kam marrë nga Zoti atë që ju kam transmetuar edhe juve: Zoti Jezus, po atë natë kur u tradhtua, mori bukën, falënderoi, e theu dhe tha: Merreni dhe hani: “Ky është Trupi Im, që do të dorëzohet për ju; bëni këtë në përkujtimin Tim.”  Gjithashtu, pas darkës, mori edhe kupën, duke thënë: “Kjo kupë është besëlidhja e re në Gjakun Tim; bëni këtë sa herë që të pini, në përkujtimin Tim.” Sepse sa herë të hani nga kjo bukë dhe të pini nga kjo kupë, do të tregoni vdekjen e Zotit, derisa Ai të vijë.

 

Prandaj, kushdo që do të hajë këtë bukë ose do të pijë nga kupa e Zotit padenjësisht, do të jetë fajtor për trupin dhe për gjakun e Zotit. Por secili të shqyrtojë vetveten dhe kështu të hajë nga buka e të pijë nga kupa, sepse ai që ha dhe pi padenjësisht, ha dhe pi një dënim për veten e tij, sepse nuk e dallon trupin e Zotit.

 

Për këtë arsye ka në mes jush shumë të dobët e të sëmurë, dhe shumë vdesin. Sepse, po të shqyrtonim veten tonë, nuk do të gjykoheshim. Por kur gjykohemi, ndreqemi nga Zoti, që të mos dënohemi bashkë me botën.

 

SHPJEGIM 

 

Të krishterët e hershëm ishin mësuar pas kremtimit të Darkës së Zotit, të bashkoheshin në një festë të përbashkët;  ata që ishin në gjendje e furnizonin ushqimin; të pasurit dhe të varfërit merrnin pjesë bashkë, në shenjë dashurie vëllazërore.  Këtë ushqim ata e quajtën “Agape”, “vakt dashurie”.  Në Korint u abuzua me këtë zakon, disa hëngrën para Kungimit atë që ishte sjellë, u dehën dhe ua privuan të varfërve pjesën e tyre. Apostulli e dënon këtë abuzim, duke e shpallur atë një përgatitje të padenjë për Kungimin dhe u kujton korintasve themelimin e  Sakramentit të Shenjtë duke u thënë atyre se çfarë mëkati i tmerrshëm është të marrësh trupin dhe gjakun e Zotit në mënyrë të padenjë, sepse kushdo që e bën këtë e bën veten fajtor për trupin dhe gjakun e Zotit dhe ha e pi gjykimin e tij, domethënë mallkimin e përjetshëm. Prandaj shqyrtoje veten, o shpirt i krishterë, sa herë që merr Kungimin, shiko nëse ke kryer ndonjë mëkat të rëndë që nuk e ke rrëfyer, ose për të cilin nuk të vjen keq.

 

Pse Jezusi ua lau këmbët dishepujve të Tij?

 

Për t’u dhënë atyre një dëshmi të dashurisë së Tij të sinqertë dhe përulësisë së madhe që ata duhet ta imitojnë;  për t’u mësuar atyre se, megjithëse të lirë nga mëkati dhe jo të padenjë për të marrë trupin dhe gjakun e Tij më të shenjtë, këmbët e tyre kishin nevojë për pastrim, domethënë që ata duhet të pastrohen nga të gjitha prirjet e liga që ndotin zemrën dhe të pengojnë Kungimin e Shenjtë të prodhojë efekte frytdhënëse në shpirt.

 

Çfarë është Tenebrae dhe cili është kuptimi i saj?

 

Është oficja që thonë klerikët të mërkurën, të enjten dhe të premten e kësaj jave, e shoqëruar me vajtimet e profetit Jeremi dhe ceremoni të tjera.

 

Fjala Tenebrae

 

Tenebrae do të thotë errësirë dhe përfaqëson lutjet e bëra më parë në orët e errëta të mëngjesit.  Në Tenebrae Kisha vajton pasionin dhe vdekjen e Jezusit dhe i nxit fëmijët e saj të kthehen te Hyji;  Prandaj, ajo përdor ato fjalë vajtuese të Jeremisë: “Jerusalem!  Jeruzalem, kthehu te Zoti, Hyji yt!”

Si duhet të marrim pjesë në shërbesën e Kishës në këtë ditë?

 

Kisha përkujton në këtë ditë themelimin e Sakramentit të Shenjtë të Altarit;  Prandaj ne duhet të konsiderojmë me një besim të thellë se Jezusi, Mësuesi dhe Shpëtimtari ynë hyjnor, është me të vërtetë këtu i pranishëm;  ne duhet ta adhurojmë Atë si Birin e Hyjit, i cili u bë njeri për të na shëlbuar;  duhet të admirojmë dashurinë që e nxiti Atë për të themeluar Sakramentin e Shenjtë, që Ai të mund të jetë gjithmonë me ne;  dhe duhet ta falënderojmë Atë për të gjitha hiret e paçmueshme që ne marrim nga ky Sakrament.

 

Shënim

Nëpër katedrale, në këtë ditë bekohen vajrat e shenjta që përdoren në Pagëzim, Konfirmim, Urdhrin e Shenjtë dhe Vajim, si edhe në shenjtërimin e pagëzores dhe të gurit të altarit.  Le të falënderojmë Zotin tonë për themelimin e këtyre Sakramenteve në të cilat përdoren vajrat e bekuar.