E Premtja e Madhe - Njerëzit ne Kalvar dhe njerëzit sot
Në Golgota, në prani të dy ose tre miliona judenjve, që kishin ardhur në qytet nga të gjitha vendet, Jezusi, Biri i Hyjit, u kryqëzua, një sakrificë shlyese për njerëzimin e rënduar nga të gjitha llojet e mëkatit. Pranë kryqit të Birit të saj të vdekur qëndroi Maria, nëna e Tij, e mbushur me pikëllim; pranë saj Gjoni, nxënësi i dashur dhe e gjunjëzuar në këmbët e Kryqit pothuajse pa ndjenja nga pikëllimi dhe ankthi, duke përqafuar drurin e Kryqit, ishte Maria Magdalen, e penduara. Në të djathtë, i varur në kryq ishte hajduti i penduar i kthyer drejt Shëlbuesit; Në anën e majtë i varur po në kryq, rënkonte një tjetër kriminel me zemër të papenduar, duke blasfemuar të Shenjtin e Izraelit. Rreth Shëlbuesit qëndronin skribët dhe farisenjtë, ajo klasë maskarenjësh hipokrite, të cilët e urrenin, e persekutuan dhe e dënuan Qengjin e pafajshëm Jezus, madje edhe me vdekje, të verbër ndaj të gjitha profecive të profetëve, librat e të cilëve i kishin lexuar, të verbër ndaj mrekullive që Jezusi kishte bërë para syve të tyre për të vërtetuar hyjninë e Tij dhe misionin e Tij, të mbushur me zili dhe urrejtje, fyenin Shëlbuesin në Kryq. Në një distancë qëndronte një turmë e njerëzve kureshtarë dhe indiferentë, të cilët kishin ardhur në Jeruzalem për të marrë pjesë në festën e Pashkës dhe pasi kishin dëgjuar për Jezusin ishin të pranishëm në kryqëzimin e Tij. Jo shumë larg prej tyre qëndronin ushtarët dhe ekzekutuesit, duke ndarë mes tyre rrobat e Shpëtimtarit dhe duke hedhur short mbi to.
Këta ishin njerëzit që rrethonin Birin e Hyjit dhe Shëlbuesin e botës ndërsa pikonte gjak në Kryq, dhe ata janë lloje të njerëzve të sotëm.
Shumë pak ishin atje që u mblodhën pranë Shëlbyesit në besim të palëkundur dhe dashuri të vërtetë, të gatshëm për të vdekur me të, dhe për të. Ishin pak ata që pësuan të gjitha talljet dhe përqeshjet, të gjitha fyerjet dhe blasfemitë, dhe nuk u larguan nga Kryqi. Nga këta, tre ishin veçanërisht besnikë, dmth. Maria, Gjoni dhe Maria Magdalena. Ata të cilët si Maria dhe Gjoni janë të pastër dhe të pafajshëm, ose si Maria Magdalena, që qajnë për mëkatet e tyre, të cilët e dëshmojnë Jezusin me zemër dhe fjalë, lidhen besnikërisht dhe nuk lejojnë që as përndjekjet dhe as vdekja t’i ndajë nga Ai, ashtu si tre besnikët pranë Kryqit. Ashtu si atëherë pranë Kryqit, ashtu edhe sot, numri i besimtarëve është i vogël, dhe i madh është numri i atyre që, si spektatorët indiferent të kryqëzimit, nuk janë as armiq të vendosur të Jezusit të kryqëzuar, as miqtë e Tij të paluajtshëm.
Ata me të vërtetë janë pagëzuar në emër të Jezusit, dhe qëndrojnë në mënyrë sipërfaqësore me Kishën Katolike, të cilën Krishti e themeloi, por ata janë të zhytur në pasivitet, nuk kanë besim të gjallë dhe vazhdimisht lëkunden andej-këtej si një kallam mes botës dhe Jezusit. Ata kanë frikë nga përqeshjet e të ashtuquajturve të mësuar dhe të ndriçuar, shumë prej të cilëve janë të pasqyruar mirë nga skribët dhe farisenjtë, të cilët nuk kanë besim në vetë Krishtin, mbajnë në zemrat e tyre vetëm urrejtje dhe përbuzje për Kishën e Tij; Ata e injorojnë Kryqin, sepse është shumë i rëndë për ndjeshmërinë e tyre; Është e vërtetë që mund të mos kryejnë krime publike, ata çmojnë shumë një emër të mirë, herë pas here edhe zbatojnë ligjin e Kishës, por janë të hapur ndaj çdo gabimi; Veshët e tyre dëgjojnë plot vullnet çdo blasfemi kundër fesë së Jezusit dhe shërbëtorëve të Tij, priftërinjtëve. Në vend që të jetojnë pa frikë dhe me guxim për Krishtin, për besimin e shenjtë që Ai ka mësuar dhe që Kisha vazhdon të na mësojë, ata largohen, heshtin, madje bashkohen me armiqtë e Kishës që të mos përqeshen nga të tjerët. Ata nuk janë as të nxehtë, as të ftohtë; kështu fjalët e Shkrimit të Shenjtë plotësohen nga ata. “Por, mbasi je kështu i vakët, dhe as i ftohtë e as i ngrohtë, unë do të të vjell nga goja ime.” (Apok. 3:16) Zoti i flakë tutje këta të krishterë të vakët, indiferentë, si pështymën dhe i lë ata në vetëshkatërrim.
Farisenjtë e vërtetë të kohës sonë janë ata që me dashje i mbyllin sytë dritës së së vërtetës, të cilët kanë lënë mënjanë besimin në Jezusin dhe nuk janë më të prirur për të marrë mësim. Krenaria dhe egoizmi i tyre i ka verbuar ata, me arsyen e tyre të dobët ata synojnë të kuptojnë misteret e të Plotfuqishmit, me intelektin e tyre të dobët synojnë për të kuptuar planet e Tij, madje kërkojnë që të jenë të barabartë me Hyjin; Ata e mohojnë të vërtetën e zbuluar, ata mohojnë ekzistencën e Parajsës dhe të ferrit, ata propozojnë të jetojnë si kafshët, pa Hyjin, por fundi i tyre është shkatërrimi! Shumë pak, duke parë gabimin e tyre, si hajduti në kryq në anën e djathtë të Jezusit, kthehen të penduar drejt Shëlbuesit; Kokëfortë dhe zemërgur si hajduti dhe vrasësi në të majtën e Tij, farisenjtë e kohës sonë nuk pushojnë së blasfemuari të Kryqëzuarin dhe të fyejnë Kishën e Tij të Shenjtë. Këta ndihmohen nga apostatët dhe jobesimtarët, të cilët, si ushtarët dhe ekzekutuesit, ndajnë mes tyre rrobat e tij dhe hedhin short mbi veshjen e plotë të Tij. Këto rroba që ushtarët i ndanë mes tyre, janë të vërtetat që apostatët dhe heretikët ende mbajnë pas apostazisë së tyre nga Kisha. Ata i kanë ndarë këto të vërteta, sepse ata janë ndarë në mijëra sekte, dhe mbajnë vetëm pjesë të së vërtetës, të cilën Jezusi krejtësisht Ia ka besuar Kishës së Tij. “Mbi rrobat e Mia ata kanë hedhur short.”
Kjo veshje e plotë e Krishtit është Kisha e Tij e Shenjtë që nuk mund të ndahet ose të copëtohet, Ajo është Një, dhe duhet të mbetet Një deri në fund të botës. Sa i përket kësaj Kishë të vërtetë, sektet zihen me njëri-tjetrin, të gjithë duan të jenë Kisha e vërtetë pa marrë parasysh se, si ushtari që nga shorti, mori veshjen e plotë kështu vetëm një shoqëri njerëzish mund të jetë Kisha e vërtetë dhe kjo është shoqëria që Krishti ka zgjedhur.
Kështu gjejmë pranë Kryqit në Golgotha klasa të ndryshme të njerëzve të kohës sonë të pasqyruar, domethënë, të pastër dhe të pafajshëm; mëkatarët e penduar, përkrahësit e fortë të Jezusit dhe mësimeve të Tij; gjithashtu edhe të krishterët e vakët, të lëkundur, të krishterë sa për emër; Heretikë kokëfortë, të pafetë e vetëshpallur dhe apostatët. Pra, sot njerëzimi është i ndarë në grupe.
Cilit grup i përkitni ju, o shpirt i krishterë? Cilit dëshironi ti përkisni? Zgjedhni! Koha e ndarjes është afër. Zoti e mban në dorën e Tij lopatën për të pastruar dyshemenë e tij. Nëse nuk jeni përkrahës të zjarrtë të Jezusit dhe Kishës së Tij, do të hidheni si byku në stuhinë që po afrohet. Nëse qëndroni me grupin e vogël guximtar në kryq, do të qëndroni të patundur dhe në ditën kur Kryqi do të shfaqet në retë e qiellit, ju, me Marinë, nënën e besnikëve, me Gjonin dhe me Maria Magdalenën, do të triumfoni përgjithmonë, si kalorës fitimtar të Kryqit. Zgjedhni!
Lutje
O Zot Jezus! Ti që në kryq, duke duruar dhimbjet më torturuese, u lute me zë të lartë për të gjithë njerëzit, të lutemi me përulësi për vikarin tënd, Papa Françeskun për ipeshkvin tonë N., për të gjithë priftërinjtë dhe klerikët, qeverinë, për seminaristat, për fatkeqët dhe të shtypurit, për të gjithë katolikët, që T’i ruash në besimin e vërtetë dhe T’i forcosh, që të mund të të shërbejnë Ty sipas thirrjeve të tyre të ndryshme. Të lutemi gjithashtu për të gjithë jobesimtarët dhe ata që janë ndarë nga tufa e vërtetë, për Judenjtë dhe për paganët, që ti të mund t’i bashkosh të gjithë në Kishën Tënde të Shenjtë dhe t’i çosh në shëlbimin e përjetshëm. Amen.