Sancta Maria, Mater Dei,
ora pro nobis peccatoribus

Jeta e Shën Elfegjit, arqipeshkëv

Shën Elfegji lindi në vitin 954, në një familje fisnike saksone. Ai fillimisht u bë murg në manastirin e Dirhurstit, afër Teukesburit, Angli, dhe më pas jetoi si një vetmitar pranë Bathit, ku themeloi edhe një komunitet nën urdhrin e Shën Benediktit dhe u bë abati i tij i parë. Në moshën 30 vjeçare ai u zgjodh Ipeshkëv i Winchester-it dhe njëzet e dy vjet më vonë u bë Arqipeshkëv i Kanterburit. Në vitin 1011, kur danezët zbarkuan në Kent dhe morën qytetin e Kanterburit, duke i vënë të gjithë para shpatës e zjarrit, Shën Elfegji u kap dhe u mbyll diku, në këmbim të një shpërblimi të madh. Ai refuzonte që kisha e tij e shkatërruar dhe njerëzit të përballeshin me shpenzime të tilla dhe kështu u mbajt në një burg të neveritshëm në Grinuiç për 7 muaj.

 

Ndërsa ishte i mbyllur, disa miq erdhën dhe e nxitën që të vendoste një taksë mbi qiramarrësit për të rritur shumën e kërkuar për shpërblimin e tij. “Për çfarë shpërblimi mund të shpresoj,” tha ai, “nëse shpenzoj për veten time atë që u takon të varfërve? Më mirë t’u japim të varfërve atë që është e jona, sesa t’u marrim atyre edhe atë pak që është e tyre”.

Ndërsa ai nuk pranonte ende të jepte shpërblimin, danezët ranë mbi të të tërbuar, e rrahën me anët e mprehta të armëve të tyre dhe e shtypën me gurë derisa njëri, të cilin shenjti e kishte pagëzuar pak më parë, i dha fund vuajtjeve të tij me një goditje të sëpatës. 

Vdiq të Shtunën e Pashkëve, më 19 Prill 1012, me fjalët e fundit: lutje për vrasësit e tij. Trupi i tij u varros fillimisht në Katedralen e Shën Palit, Londër, por më pas u kthye në Kanterbur nga Mbreti Kanut.

Një kishë kushtuar Shën Elfegjit qëndron edhe sot në vendin e martirizimit të tij në Grinuich.

 

Meditim – Ata që janë në pozita të larta duhet ta konsiderojnë veten si kujdestarë dhe jo si zotër të pasurisë ose pushtetit që u është besuar për të mirën e të varfërve dhe të dobëtit. Shën Elfegji vdiq, në vend që të zhvaste shpërblimin e tij nga qiramarrësit e varfër të tokave të kishës.