Jeta e Shën Markut, ungjilltar, martir
Shën Marku ishte kthyer në besimtar nga Princi i Apostujve, të cilin më pas e shoqëroi deri në Romë, duke u sjellë atje si sekretari dhe përkthyesi i tij. Kur Shën Pjetri po shkruante Letrën e tij të parë kishave të Azisë, ai bashkon me dashuri përshëndetjen e bashkë-udhëtarit të tij besnik me të vetën, të cilin e quan “im bir Marku”. Populli romak iu lut Shën Markut të hidhte në letër përmbajtjen e diskutimeve të shpeshta të Shën Petrit mbi jetën e Zotit Tonë.
Këtë Ungjilltari e bëri nën mbikqyrjen dhe miratimin e apostullit dhe çdo faqe e Ungjillit të tij të shkurtër, por grafik, la gjurmë të veçanta të karakterit të Shën Pjetrit, saqë Etërit e quanin “Ungjilli i Pjetrit”.
Shën Marku qe dërguar në Egjipt për të themeluar Kishën e Aleksandrisë. Aty dishepujt e tij u bënë mrekullia e botës për devotshmërinë dhe disiplinën e tyre, saqë Shën Jeronimi flet për Shën Markun si babain e ankoritëve, të cilët më vonë pushtuan shkretëtirat egjiptiane. Edhe aty ai ngriti shkollën e parë të krishterë, nënën e frytshme të shumë mësuesve dhe ipeshkvinjëve të shquar. Pasi drejtoi selinë e tij për shumë vite, Shën Marku një ditë u kap nga paganët, u tërhoq zvarrë me litarë mbi gurë dhe u hodh në burg. Të nesërmen tortura u përsërit dhe, pasi u ngushëllua nga një vegim engjëjsh dhe zëri i Jezusit, Shën Marku shkoi drejt shpërblimit të tij.
Është pikërisht Shën Marku ai të cilit i detyrohemi për prekjet e lehta, të cilat shpesh u japin një ngjyrim aq të gjallë skenave të Ungjillit dhe na ndihmojnë t’i përfytyrojmë vetes gjestet dhe vështrimet e Zotit tonë të bekuar. Është vetëm ai që vëren se në tundim Jezusi ishte “në shoqërinë e kafshëve të egra”; se Ai flinte në varkë “në jastëk” se Ai “përqafoi” fëmijët e vegjël. Vetëm ai na ruan fjalët urdhëruese “Paqe, qetësohu!” nga të cilat u shua stuhia; apo edhe vetë tingujt e zërit të Tij, “Ephheta” dhe “Talitha cumi”, me anë të të cilëve memecët mundën të flisnin dhe të vdekurit të ngjalleshin.
Kështu, në të njëjtën mënyrë, “të vështruarit përreth me zemërim” dhe “psherëtitjet e thella”, të ruajtura prej kohësh në kujtesën e apostullit të penduar, i cili vetë u kthye drejt Fesë nga vështrimi i Shpëtimtarit të tij, janë regjistruar këtu nga vetë përkthyesi i tij besnik.
Meditim – Mësoni nga Shën Marku të mbani në mend imazhin e Birit të njeriut dhe të meditoni çdo rrokje që ka rënë nga buzët e Tij.