Sancta Maria, Mater Dei,
ora pro nobis peccatoribus

Zoja e Këshillit të Mirë - Zoja e Shkodrës

Gjenacano

Disa milje larg qytetit të Romës, ndodhet Gjenacano- një qytet i pasur me histori dhe i bekuar me praninë e një pikture të mrekullueshme të Virgjëreshës së Bekuar, e cila ka një histori të mahnitshme.

 

Origjina e Gjenacanos daton që nga koha e perandorëve romakë. Për shkak të afërsisë me Romën, qyteti u zgjodh nga shumë patricë dhe oborrtarë perandorakë si një vend për vilat e tyre. Kopshtet e gjëra që rrethonin këto vila shpesh shërbenin si skenë për festa perverse, lojëra dhe rituale pagane në nder të perëndive, të cilëve romakët ia atribuonin pjellorinë e fushave të tyre.

 

Një nga këto festime mbahej çdo 25 prill në nder të perëndeshës Flora ose Venus. Për këtë ngjarje, njerëz të të gjitha klasave shoqërore – të lirë dhe skllevër, patricë dhe plebejanë – u mblidhnin së bashku për një festë të madhe. Ky zakon u shpërbë gradualisht dhe tempujt ranë në gërmadha ndërsa fryma jetëdhënëse e krishterimit rigjeneroi popujt e Evropës.

 

Në shekullin e tretë, u dha një urdhër për të ndërtuar një faltore kushtuar Nënës së Zotit nën titullin e Nënës së Këshillit të Mirë mbi rrënojat e tempujve romakë. Por me kalimin e shekujve, në mesjetë faltorja gjendej në formë të mjerueshme nën zotërimin e Agustinianëve. 

 

Petruçia, një vejushë të cilës i shoqi i la një pasuri modeste, jetonte e vetme dhe ia kushtonte pjesën më të madhe të kohës lutjes dhe shërbimeve në kishën e Nënës së Këshillit të Mirë. Ajo pikëllohej kur shihte gjendjen e mjerueshme të objekteve të shenjta dhe u lut me zjarrmi që ato të rindërtoheshin dhe madje mori edhe një iniciativë në këtë drejtim. Pasi mori lejen nga fretërit, ajo dhuroi gjithçka kishte për të filluar restaurimin me shpresën se të tjerët do ta ndihmonin.

 

U hartua një plan për ndërtimin e një kishe madhështore. Megjithatë, sapo kishte filluar ajo ndërmarrje e mundimshme, Petruçia, e cila ishte tashmë tetëdhjetë vjeç, zbuloi se oferta e saj bujare ishte e pa mjaftueshme për të përfunduar fazën e parë të ndërtimit të ri. E për më keq, askush nuk doli ta ndihmonte.

 

Për zhgënjimin e saj, ndërtesa nuk ishte ngritur as tre metra kur ndërtimi u ndal për shkak të mungesës së të ardhurave. Miqtë dhe fqinjët e saj filluan ta tallnin dhe kritikuesit e akuzuan për pamaturi. Të tjerët e qortuan ashpër në publik. Të gjithëve u thoshte: “Fëmijët e mi të dashur, mos i kushtoni shumë rëndësi kësaj fatkeqësie. Ju siguroj se para vdekjes sime, Virgjëresha e Bekuar dhe babai ynë i shenjtë Agustini do të përfundojnë kishën e nisur nga unë.”

 

Më 25 prill 1467, në ditën e festës së pajtorit të qytetit, Shën Markut, filloi një festë solemne me meshë. Ishte e shtunë dhe turma filloi të mblidhej para kishës së Nënës së Këshillit të Mirë. Rreth orës katër pasdite, të gjithë dëgjuan akordet e një melodie të bukur që dukej se vinte nga parajsa. Njerëzit ngritën sytë drejt kullave të kishave dhe panë një re të bardhë që shkëlqente me mijëra rreze të ndritshme; gradualisht iu afrua turmës së shtangur nën tingullin e një melodie jashtëzakonisht të bukur. Reja zbriti mbi kishën e Nënës së Këshillit të Mirë dhe u vendos mbi murin e kishës së papërfunduar të Shën Biaxhios, të cilën Petruçia e kishte nisur.

 

Papritur, këmbanat e kullës së vjetër filluan të binin vetë dhe kambanat e tjera të qytetit ranë për mrekulli në harmoni. Rrezet që dilnin nga reja e vogël u shuan dhe vetë reja u zhduk gradualisht, duke zbuluar një objekt të bukur para syve të magjepsur të spektatorëve. Ishte një pikturë e Zojës duke mbajtur me butësi Birin e saj Hyjnor në krahë. Pothuajse menjëherë, Virgjëresha Mari filloi të shëronte të sëmurët dhe të jepte ngushëllime të panumërta, kujtimi i të cilave u regjistrua për pasardhësit nga autoriteti kishtar vendor.

 

Lajmi për pikturën dhe mrekullitë e saj u përhap në të gjithë krahinën dhe më gjerë, duke tërhequr turma të mëdha. Disa qytete formuan procesione entuziaste për të parë pikturën që njerëzit e quajtën Zoja e Parajsës për shkak të hyrjes së saj qiellore në qytet. Shumë lëmoshë u dhuruan si përgjigje ndaj besimit të palëkundur që Zoja kishte frymëzuar në Petruçian.

 

Mes entuziazmit të përgjithshëm të shkaktuar nga piktura, Zoja dëshironte t’u zbulonte besimtarëve të saj origjinën e vërtetë të afreskut të mrekullueshëm. Dy të huaj të quajtur Gjergji dhe De Sclavis hynë në qytet mes një grupi pelegrinësh që kishin ardhur nga Roma. Ata mbanin rroba të çuditshme dhe flisnin një gjuhë të huaj, duke thënë se kishin mbërritur në Romë nga Shqipëria. Ndërsa shumica e njerëzve kishin refuzuar të besonin historinë e tyre, ajo kishte një rëndësi të veçantë për banorët e Gjenacanos.

Shkodër

Në janar të vitit 1467 vdiq Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Me vdekjen e Skënderbeut, ushtria turke, e çliruar përfundimisht nga Luani Shpërthyes i Luftës, u derdh në Shqipëri, duke pushtuar të gjitha kështjellat, qytetet dhe krahinat e saj me përjashtim të Shkodrës, në veri të vendit.

Megjithatë, kapaciteti i qytetit për të rezistuar ishte i kufizuar dhe pushtimi pritej në çdo moment. 

 

Me rënien e saj Shqipëria e krishterë do të mposhtej. Përballë këtij realiteti, ata që dëshironin të praktikonin besimin e tyre në tokat e krishtere filluan një eksod të trishtuar. Gjergji dhe De Sclavis gjithashtu menduan për mundësinë e arratisjes, por diçka i mbajti në Shkodër, ku ishte një kishë e vogël, e konsideruar si faltore e gjithë trojeve shqiptare. Në këtë kishë besimtarët nderonin një figurë të Zojës, e cila kishte zbritur në mënyrë misterioze nga qielli rreth dyqind vjet më parë.

 

Sipas traditës, ajo kishte ardhur nga lindja. Duke derdhur hire të panumërta mbi të gjithë popullsinë, kisha e saj u bë qendra kryesore e pelegrinazhit në Shqipëri. Vetë Skënderbeu e kishte vizituar këtë faltore më shumë se një herë për të kërkuar me devocion fitoren në beteja. Tani faltorja kërcënohej nga shkatërrimi dhe përdhosja.

 

Dy shqiptarët shkuan në kishën e vjetër për t’i kërkuar Nënës së tyre të Bekuar për këshillën e mirë që kishin nevojë.

 

Atë natë, Ngushëlluesja e të Pikëlluarve i frymëzoi të dy në gjumë. Ajo i urdhëroi ata të përgatiteshin për të lënë vendin e tyre, të cilin nuk do ta shihnin më. Ajo shtoi se edhe afresku i mrekullueshëm do të largohej nga Shkodra në një vend tjetër për t’i shpëtuar përdhosjes nga turqit. Më në fund, ajo i urdhëroi që ta ndiqnin pikturën kudo që shkonte.

 

Të nesërmen në mëngjes, dy miqtë shkuan në faltore. Në një moment ata panë figurën të shkëputej nga muri në të cilin ishte varur për dy shekuj. Ajo qëndroi pezull për një moment dhe më pas u mbështjellë papritur në një re të bardhë përmes së cilës imazhi vazhdoi të dukej.

 

Piktura u largua nga kisha dhe rrethinat e Shkodrës. Udhëtoi ngadalë nëpër ajër në një lartësi të konsiderueshme dhe përparoi në drejtim të detit Adriatik me një shpejtësi që i lejonte dy këmbësorët ta ndiqnin; pasi e ndoqën disa milje, arritën në bregdet.

 

Me besim të pakufishëm, Gjergji dhe De Scalvis ecën mbi dallgët e detit Adriatik.

 

Pa u ndalur, piktura u largua nga toka dhe përparoi mbi ujëra, ndërsa besnikët Gjergji dhe De Sclavis vazhduan ta ndiqnin, duke ecur mbi valët e detit, ashtu si Zoti i tyre kishte bërë 1400 vjet më parë. Kur binte nata, reja misterioze, e cila i kishte mbrojtur me hijen e saj nga nxehtësia e diellit gjatë ditës, i drejtonte natën me dritë, si kolona e zjarrit në shkretëtirë që udhëhoqi hebrenjtë në eksodin e tyre nga Egjipti.

 

Udhëtuan ditë e natë derisa arritën në bregdetin italian. Aty vazhduan të ndiqnin afreskun e mrekullueshëm, duke u ngjitur në male, duke përshkuar lumenj dhe duke kaluar nëpër lugina. Më në fund, ata arritën në fushën e gjerë të Lacios nga ku mund të shihnin kullat dhe kupolat e Romës. Me të arritur në portat e qytetit, reja u zhduk papritur para syve të tyre të zhgënjyer.

 

Gjergji dhe De Sclavis filluan të kërkonin në qytet, duke shkuar nga kisha në kishë duke pyetur nëse piktura kishte zbritur atje. Të gjitha përpjekjet e tyre për të gjetur pikturën dështuan dhe romakët i panë me mosbesim dy të huajt dhe përrallën e tyre të çuditshme derisa mësuan për ngjarjen që kishte ndodhur në Gjenacano.

Miratimi nga Vatikani

Të dhënat që datojnë nga Pali II tregojnë se figura e Zojës, në fillim e quajtur Zoja e Parajsës dhe tani e njohur më mirë si Zoja e Këshillit të Mirë, u shfaq në Gjenacano, Itali, një qytet rreth njëzet e pesë milje në juglindje të Romës më 25 prill 1467, në kishën e vjetër të Santa Marias, e cila ishte nën kujdesin e Agustinianëve që nga viti 1356.

 

Në korrik 1467, Papa Pali II caktoi dy ipeshkvinjë për të hetuar këtë ngjarje të mrekullueshme; asnjë kopje e raportit të tyre nuk dihet se ka mbijetuar. Devocioni ndaj Zojës u rrit. Në vitin 1630, Papa Urbani VIII bëri një pelegrinazh në Gjenacano, ashtu siç bëri Papa Piu IX në 1864. Më 17 nëntor 1682 i Lumi Papa Inocenti XI e kurorëzoi figurën me ar nga Bazilika e Vatikanit.

 

Në 1727 Papa Benedikti XIII i dha klerit të Gjenacanos një oficë dhe meshë të Zojës për 25 Prillin, përvjetorin e Shfaqjes. Diku tjetër festa u mbajt një ditë më vonë, në mënyrë që të mos binte ndesh me atë të Shën Markut Ungjilltar. Më 2 korrik 1753 Papa Benedikti XIV miratoi Bashkësinë e Devotshme të Zojës së Këshillit të Mirë për besimtarët në përgjithësi, dhe ai u regjistrua në të si anëtari i saj i parë; Papa Piu IX dhe Papa Luani XIII ishin të dy anëtarë të mëvonshëm. Më 18 dhjetor 1779, Papa Piu VI, duke ri-aprovuar përkushtimin ndaj Zojës, u dha të gjithë Agustinianëve një oficë me himne, mësime, lutje dhe meshë të përshtatshme për këtë festë; me një indulgjencë plenare edhe për besimtarët, të cilës Papa Piu VIII i shtoi një tjetër për vizitorët e faltores.

 

Më 18 dhjetor 1884, Papa Luani XIII miratoi një oficë të re dhe meshë të ritit të klasit të dytë për të gjithë Agustinianët, ndërsa më 17 mars 1903, ai ngriti kishën e Santa Marias – një nga katër kishat famullitare në Gjenacano – në rangun e bazilikës së vogël. Më 22 prill 1903 ai autorizoi futjen në Litaninë e Loretos të thirrjes Mater Boni Consillii (Nëna e Këshillit të Mirë) për të ndjekur atë të Mater Admirabilis (Nëna e Admirueshme). I njëjti Papë më 21 dhjetor 1893 pat miratuar përdorimin e skapularit të bardhë të Zojës së Këshillit të Mirë për besimtarët dhe në Kuvendin e III të Arbrit (1895) propozoi si mbrojtëse e pajtore të Shqipërisë Virgjërën Nënë të Këshillit të Mirë, e njohur përgjithësisht si Zoja e Shkodrës dhe 26 prilli u shpall si ditë kremte për dioqezat e Shqipërisë.

Meditim mbi Zojën e Këshillit të Mirë nga Imzot George F. Dillon, D.D., 1884

Ka një arsye shumë të veçantë pse Nëna e Zotit duhet të nderohet nën titullin e Zojës së Këshillit të Mirë; sepse nën atë titull Ajo plotëson një nevojë të veçantë. Kjo nevojë është mungesa e Këshillit të Mirë në botë. Ky devocion është, ashtu si ndaj Jezu Krishtit në Zemrën e Tij të Shenjtë, dhe ndaj Shën Jozefit, Mbrojtësit të Kishës Katolike, një devocion i rezervuar për nevojat e besimtarëve në ditët e rrezikshme që vijnë drejt fundit të kohës.

 

Devocioni ndaj Zojës së Këshillit të Mirë është i nevojshëm edhe për këtë arsye: sepse nëse është e vërtetë se vetëm asaj i është rezervuar fuqia për të shtypur të gjitha herezitë në të gjithë botën dhe në të gjitha kohërat, kurrë nuk ka qenë më e nevojshme të dëftohet ajo fuqi e madhe sesa në këto ditë kur të gjitha rrymat e gabimeve dhe ligësive të kaluara bashkohen me rrjedha më të reja, më vdekjeprurëse dhe më të përhapura, për të formuar një përmbytje të madhe gënjeshtre dhe gabimi, të synuara nga autori dhe agjentët e tij për të zhdukur krishterimin nga mendjet dhe zemrat e njerëzve. Është dinakëria e gjarprit djallëzor, që e ka planifikuar të gjithë këtë dhe e ka bërë universale. Është fuqia dhe mprehtësia e tij që e ushqejnë dhe e drejtojnë atë. 

 

Prandaj, është Maria ajo që është e destinuar ta shtypë atë – t’i shtypë kokën, të mos lërë asnjë nga dredhitë e tij të shpërbëra dhe të fshira derisa të gjitha të zhduken prej fuqisë së saj. Është ajo që do t’i japë botës atë Urtësi, Këshillë dhe forcë të nevojshme për betejën e saj të fundit dhe më të tmerrshme. Me dinjitetin e saj më të pastër, virgjëror dhe amnor, prej meritave të pafundme të saj dhe pjesëmarrjes së saj në veprën e Shelbimit Tonë, Ajo do ta shtypë kokën e atij armiku vdekjeprurës të Zotit dhe njeriut, që dëshiron të mbysë Birin e saj në shpirtrat e atyre për të cilët Ai Bir vdiq në Kalvar.

At Pjetër Meshkalla S.J.: Ndër kambë tua, Zoja Mërí

Ndër kambë tua, Zoja Mëri
Janë tue ardhë, qe, tanë bijt t’tú;
Merr dhantinë, që me dashtëní
Zêmra e jonë, o Nanë, t’kushton.

Por n’mos kjoshin zêmrat tona
Aq të bardha, porsi lili:
Ti jé Nana gjithë e jona,
Tjeter shpirti s’na kerkon.

Nanë e dashtun, Nanë e lume,
Nanë e Zotit n’ty mishnue,
Ti e din mirë se n’jetë t’shkretnueme,
Zêmra e eme, o Zojë, ankon.

Ty, o e Qiellve bukuria,
Ty, që ndrite prosi diell,
T’falet, Zojë, t’falet, Maria,
Zani i em, kah lavde t’kndon.

Sheklli e ferri, ah! sa mundohen 
Me m’vû prita, n’mëkat me m’ rrxue;
As un’ s’kam se kuj i ankohem,
Veç Ty, o Nanë, që t’mirën m’don. 

Kur kah Ti un’ sytë i priri,
Njallem n’zêmër plot uzdajë,
Zojë, prej Teje na rrjedh hiri,
Nper Ty shpirti, o Nanë shêjtnon.

Due me t’ dashtë, me t’ dashtë gjithhera,
M’u ndezë flakë n’dashtëní për Ty ;
Me t’avitë due zêmra tjera
Me t’kndue ‘ i lavd që Ty t’madhnon.

Ardhët, po, ardhët, ah! shpejt ardhët dita,
Qi i shkatërruem prej shekllit t’mjerë,
Fluturim, si gjithherë prita,
Ardhsha atje, ku Ti lumnon.

E atje n’qiellë, po para fronit
Shpirti em tue u permbysë,
Ka me u gëzue pergjithmonit:
Tjeter zemra, O Nanë s’m’ dishron. 

Si shkambi n’per rrymë të shekujve
Muret qendrojnë jetike,
Ngulun për rranzë themeleve
t’Rozafës sonë Kreshnike.

Dhe sot, qe feja nipave
Shpresat prap ua gjallnoi,
Le të shkruhet mbi ballë të mureve:
“Nanës që na vorfnoi!”

Njasajë që i ditë prej sulmeve
T’kulshedrës me shtatë krena,
Na u ba mburojë, e të nemuna
S’ duroi t’i shohë kto dhena.

Njasajë… por vaj, na fajeve
Në verbim s’u vume cak,
E Nanës iu randue zemra,
Iku, e la ket prak!

O ju, që parzme hekuri 
Luftuet për besë e fe,
Idhtë tue valvitun flamurin, 
Shenjtnue me gjak e be,

Zgjoniu nën rrasa t’heshtuna,
Çoniu me pa mjerim!
Ndihma e Arbnisë s’pamposhtun
Ç’u ba?… Si drita u shkim!

Po a kurrë thue, ma kurrë Virgjina,
– me gjamë ka e thrret Shqipnia,-
S’do të ndrisë, si ndriti moteve
Përbrî Rozafës… Maria?!

Tepër lënguem kso shtigjesh,
Si fmija mbetë pa nanë,
Per ne ma dritë nuk lëshuene
As yj, as diell, as hanë!

Po a kurrë, ma kurrë s’do të ngrohemi?!
Pa shpresë do të rrimë të presim?
Po a e heshtun gjithmonë vallja
Do të mbesë në terr kah dënesim?!

Jo, jo! Pse qiellëve të epëra 
Zoti me dorë të vet
Ka shkrue: “E Zojës asht Shkodra,
e Zoja e Shkodrës së vet!”.

Qe te ato mure të ndrituna,
– zemra m’a ndien – ’i zani
Një popull në hov të galdimeve
tue brohoritë: “O ngani!”

Ktheu NANË! O ditë ma e bukura
Që Arbnia pret, ago!
Nanë ktheju e epnae hirin:
“N’ Fè Shenjte na vllazno!

At Pjetër Meshkalla S.J.
Shkodër, 1927