Jeta e Shën Katerinës së Sienës
Katerina, e bija e një tregtari modest, u rrit për të qenë udhërrëfyese dhe kujdestare e Kishës në një nga periudhat më të errëta të historisë së saj, shekulli i katërmbëdhjetë. Si fëmijë, lutja ishte kënaqësia e saj. Ajo do të thoshte “Të falemi Mari” në çdo hap ndërsa ngjitej në shkallët dhe iu dha si shpërblim një vegim i Krishtit në lavdi. Kur ishte vetëm shtatë vjeçare, ajo bëri një betim të virgjërisë dhe më pas duroi një persekutim të ashpër për refuzimin e martesës. Zoti ynë i dha asaj Zemrën e Tij në këmbim të saj dhe vulosi në trupin e saj gjurmët e plagëve të Tij. Në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare ajo hyri në Urdhrin e Tretë të Shën Dominikut, por vazhdoi të banonte në dyqanin e të atit, ku kaloi një jetë aktive bamirësie në lutje dhe meditim. Nga kjo shtëpi e errët, virgjëresha serafike u thirr për të mbrojtur kauzën e Kishës. E armatosur me autoritetin papnor dhe e shoqëruar nga tre rrëfimtarë, ajo udhëtoi nëpër Itali, duke kthyer qytetet rebele në bindjen ndaj Selisë së Shenjtë dhe duke i fituar shpirtra të ngurtësuar Hyjit. Përballë gjithë botës, ajo kërkoi Gregorin XI në Avignon, e ktheu atë në Romë dhe me letrat e saj drejtuar mbretërve dhe mbretëreshave të Evropës e rregulloi çështjen Papale. Ajo ishte këshilltare e Urbanit VI dhe qortoi ashpër kardinalët jobesnikë që kishin marrë pjesë në zgjedhjen e një antipape. Prej kohësh, virgjëresha e shenjtë kishte parashikuar skizmin e tmerrshmëm që filloi para se të vdiste. Ditë e natë ajo qante dhe lutej për harmoni dhe paqe. Por djalli e nxiti popullin romak kundër Papës, kështu që disa kërkuan jetën e Vikarit të Krishtit. Shën Katerina iu lut Zotit tonë me zell të madh që ta parandalonte këtë krim të madh. Në nje vëgim ajo pa të gjithë qytetin plot me djaj duke tunduar njerëzit që të kundërshtonin dhe madje të vrisnin Papën. Temperamenti rebel u shua nga lutjet e Katerinës; por djajtë e shfrynë ligësinë e tyre duke fshikulluar vetë Shenjten, e cila me kënaqësi duroi gjithçka për Hyjin dhe Kishën e Tij. Ajo vdiq në Romë, në vitin 1380, në moshën tridhjetë e tre vjeçare.
Meditim – Shën Katerina serafike sakrifikoi me dëshirë kënaqësitë e soditjes për ti shërbyer Kishës dhe Selisë Apostolike. A na pikëllojnë mjaftueshëm problemet e Kishës dhe si pasojë humbja e shpirtrave? Sa shpesh lutemi për Kishën dhe Papën?