Sancta Maria, Mater Dei,
ora pro nobis peccatoribus

Shën Jozefi - Pajtori dhe Shembulli i Punëtorëve

” Sh’Jozefi e kaloj gjith jeten më nji dugajë të shkretë të Nazaretit porsi zdrukthatar: merret vesht mirtillit, pra, me sa amelcim i kqyrë gjith njata qi, sikurse aj, e fitojnë buken me djersë të ballit: me vend pra thirret e asht Pajtori i puntorve. – Por asht edhe Shemulli i tyne. Të xame prej Sh’Jozefit me e dashte punen e me e shejtnue! Sado qi puna tesh a nji ndeshkim i mkatit, asgjamangut kjo mund te kthehet e te bahet nji mjet shejnijet, mjeft qi puntoret ti njekin msimet qi ju nep me shemull te vet Sh’Jozefi.

 

Por sidomos ndër ditt tona do ta lusim Sh’Jozefin qi ta ruejnë puntorin prej shplaket të shoqalizmit. 

 

Ndër fletët e të perkohshmes sonë kena folë shpesh per ket rrezik te madh qi i kercnohet Europes e botës marë. Tesh prep jena të shternguem me folë, tuj i grishë lexuesat me u bashkue me Papen Shejt diten e Sh’Jozefit, për me ja shperblye Zemres së Krishtit sakrilegjet e kobshme qi i jane ba, e i bahen ende në Rusi prej asajë qeveri te mprapshtë, në të cillen zotnon shoqalizmi, e, çka a ma zi, komunizmi e bolshevizmi. ”  – Lajmtari i Zemres Së Jezu Krishtit (Mars 1930)

Sot më 1 maj, Kisha Katolike nderon Shën Jozef Punëtorin në liturgjinë e saj të shenjtë me një festë të klasit të parë. Megjithëse Shën Jozefi ka qenë prej kohësh pajtori i punëtorëve, kjo ditë feste nuk u krijua deri në vitin 1955 nga Papa Piu XII për të ofruar një model dhe mbrojtës të Krishterë për punëtorët. Kjo ishte veçanërisht e rëndësishme në atë kohë kur koncepti i punës ishte korruptuar prej gabimeve komunisto-socialiste.

 

Data e 1 majit u zgjodh posaçërisht nga Piu XII për të kundërshtuar festimet e Ditës së Majit të Komunistëve, e njohur gjithashtu si Dita e Solidaritetit Ndërkombëtar të Punëtorëve, në vetvete një përkujtim i trazirave të Haymarket të vitit 1886 në Çikago, Illinois. Me themelimin e kësaj feste të re për Shën Jozefin, një datë e lidhur me një lëvizje ateiste u Krishtërua si një ditë kushtuar nderimit të mbrojtësit dhe frymëzimit të vërtetë të të gjithë punëtorëve.

 

Po atë vit—1955—më 1 maj, Piu XII u tha këto fjalë disa punëtorëve italianë për të kujtuar Shën Jozefin si mbrojtësin e tyre:

 

“Shën Jozefi është mbrojtësi më i mirë për t’ju ndihmuar në jetën tuaj, në mënyrë që të jetoni me shpirtin e Ungjillit. Në të vërtetë, nga Zemra e Njeriut-Zot, Shpëtimtarit të botës, ky shpirt është futur në ju dhe në të gjithë njerëzit, por është e sigurt se nuk kishte shpirt punëtori aq të përsosur sa babai tokësor i Jezusit, i cili jetoi me të në intimitetin dhe bashkësinë më të ngushtë të familjes dhe punës. Pra, nëse doni të jeni pranë Krishtit, po jua përsëris “Ite ad Ioseph”: Shkoni te Jozefi!”

 

Në kohën tonë, ekzistojnë dy rryma të rënda që luftojnë kundër kuptimit Katolik të punës.

 

E para është ajo e komunistëve, të cilët e shohin punën si diçka nënçmuese, dhe kështu kërkojnë që të gjithë të ndajnë barrën në mënyrë të barabartë, duke theksuar vlerën e grupit të shoqërisë në një nivel të ekzagjeruar, në mënyrë që pronat, talentet dhe aftësitë individuale të dërrmohen dhe individët të mos mund të marrin meritat e punës së tyre, por këto do t’u jepen të gjithëve njësoj, në kundërshtim me drejtësinë.

 

Rryma e dytë që lufton kundër kuptimit Katolik të punës është ajo e liberalëve.

 

Duke theksuar në një nivel të ekzagjeruar individin dhe të mirën e tij, ata shkatërrojnë çdo nocion të së mirës së përbashkët, dhe duke e parë punën si një barrë, i lejojnë çdo individi “lirinë” për t’u liruar nga ajo barrë, pothuajse në çfarëdo mënyre që është në gjendje, me konkurrencë të shfrenuar, në mënyrë që ai të mund të vendosë të gjithë punën mbi ata që janë poshtë tij, megjithëse do të korrë përfitimet e punës së tyre, në kundërshtim me drejtësinë.

 

Të dyja këto rryma kërkojnë të shkatërrojnë nocionin katolik të punës. Është për këtë arsye se pse ne duhet të shohim vetëm planet e mëshirshme të Pravanit Hyjnor në zbatimin e kësaj Feste nga Papa Piu XII, duke na thirrur përsëri në një nocion katolik të punës, të shenjtëruar dhe nën mbrojtjen e Shën Jozefit.

 

Le të vendosim, pra, ta pranojmë, ta duam dhe ta shenjtërojmë punën tonë, nëpërmjet bashkimit të saj me veprën dhe vdekjen e Jezu Krishtit dhe nën mbrojtjen e lavdishme të Shën Jozefit.

 

“Mençuria u dha të drejtëve pagën e punës së tyre dhe i drejtoi në një mënyrë të mrekullueshme; dhe ajo ishte për ta si një strehë gjatë ditës dhe si drita e yjeve gjatë natës. Aleluja, Aleluja. Nëse Zoti nuk e ndërton shtëpinë, më kot mundohen ata që e ndërtojnë”.