Jeta e Shën Antoninit
Antonini, ose Antoni i Vogël, siç e quanin për shkak të trupit të tij të vogël, lindi në Firence në vitin 1389. Pas një fëmijërie të shenjtë, ai u lut që të pranohej në shtëpinë e Domenikanëve në Fiesole; por Eprori, për të provuar sinqeritetin dhe këmbënguljen e tij, i tha se fillimisht duhet të mësonte përmendësh librin e Dekreteve, që përmban disa qindra faqe. Kjo detyrë në dukje e pamundur u krye brenda dymbëdhjetë muajve; dhe Antonini mori petkun aq shumë të lakmuar në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Kur ishte ende shumë i ri, ai zuri disa poste të rëndësishme të Urdhrit të tij dhe konsultohej për çështje të vështira nga njerëzit më të ditur të kohës së tij; duke qenë i njohur, për maturinë e tij të mrekullueshme, si “Këshilltari”.
Ai shkroi disa vepra mbi teologjinë dhe historinë, dhe u thirr si Teologu Papnor në Koncilin e Firences. Më 1446 u detyrua të pranonte detyrën e Arqipeshkvit të atij qyteti; dhe me atë dinjitet fitoi për vete titullin “Ati i të Varfërve”, sepse gjithçka që kishte, e vinte në dispozicion të tyre. Shën Antonini nuk refuzoi kurrë as edhe një lëmoshë që kërkohej në emër të Zotit. Kur nuk kishte para, jepte rroba, këpucë ose mobilje. Një ditë, i dërguar nga Fiorentinët te Papa, ndërsa ai iu afrua Romës, një lypës iu afrua pothuajse lakuriq dhe i kërkoi një lëmoshë për hir të Krishtit. Duke ia kaluar Shën Martinit, Antonini i dha të gjithë mantelin e tij. Kur ai hyri në qytet, iu dha një tjetër; nga njerëz të cilë ai nuk njihte.
Pallati i tij nuk përmbante asnjë pjatë apo mobilje të kushtueshme dhe shpesh ishte pothuajse i privuar nga gjërat e nevojshme të jetës. Mushka e tij shitej shpesh për të ndihmuar të varfërit, dhe pastaj kthehej pas nga ndonjë qytetar i pasur. Ai vdiq duke përqafuar Kryqin, më 2 Maj 1459, duke përsëritur shpesh fjalët: “T’i shërbesh Zotit do të thotë të mbretërosh”.
Meditim – “Lëmosha “, thotë Shën Agustini, “përfshin çdo lloj shërbimi që i bëhet fqinjit tonë që ka nevojë për një ndihmë të tillë. Ai që mbështet një të çalë i jep lëmoshë me këmbët e tij; ai që drejton një të verbër, i ndihmon me sytë e tij; ai që mban mbi supe një invalid ose një plak, i jep lëmoshë nëpërmjet fuqisë së tij. Prandaj askush nuk është aq i varfër, dhe mund t’i japë lëmoshë edhe njeriut më të pasur të botës.”