Artikull nga O Seculo më 15 tetor 1917 për Mrekullinë e Diellit në Fatima
Foto e bërë gjatë Mrekullisë së Diellit në Fatima, e publikuar nga Vatikani në 1951.
Vërtetësia e “Mrekullisë së Diellit” të 13 tetorit 1917, e cila shoqëroi të fundit nga gjashtë shfaqjet mariane të dëshmuara në Fatima të Portugalisë, nga tre fëmijë barinjë, vërtetohet nga raportet bashkëkohore të dëshmitarëve okularë në dy gazeta gjoja ateiste.
Në vijim është një përkthim i një artikulli i cili u shkrua në gazetën laike portugeze O Seculo më 15 tetor 1917. Aty jepet një përshkrim i Mrekullisë së Diellit.
Me të mbërritur, pas një udhëtimi të gjatë, rreth orës 16:00. në stacionin “Chão de Maçãs”, ku zbritën edhe shumë besimtarë të ardhur nga fshatrat e largëta për të parë “mrekullinë”, papritmas pyeta një djalë të vogël nga karroca nëse e kishte parë Zojën. Me një buzëqeshje sarkastike dhe duke parë anash, ai nuk hezitoi të më përgjigjej:
“Unë atje pashë vetëm gurë, karroca, automobila, kuaj dhe njerëz!”
Për shkak të një gabimi të vogël, karroca që duhej të na kishte sjellë mua dhe Judah Ruah në Ourém nuk mbërriti, kështu që vendosëm me guxim të ecnim rreth 10 kilometra deri në qytet, pasi nuk kishte vend për ne në karrocën e postës dhe karrocat që prisnin pasagjerët ishin prenotuar prej kohësh. Rrugës pamë grupet e para të njerëzve që ecnin në drejtim të vendit të shenjtë, i cili ishte më shumë se 20 kilometra larg.
Pothuajse të gjithë burrat dhe gratë janë zbathur. Gratë mbajnë në kokë çanta të vogla me këpucë sipër, ndërsa burrat mbështeten në shkopinj të trashë dhe janë të pajisur me çadra. Ata, në përgjithësi, janë të pavëmendshëm ndaj asaj që po ndodh përreth tyre, shumë të pavëmendshëm ndaj fshatit përreth dhe bashkëudhëtarëve të tyre, sikur të zhytur në një ëndërr, duke lutur Rruzaren me një melodi të trishtuar. Një grua fillon me pjesën e parë të T’falem Mari; shoqëruesit e saj, në kor, vazhdojnë me pjesën e dytë. Duke ecur me ritëm, ata shkelin në rrugën e pluhurosur, mes pishave dhe ullishteve, për të mbërritur në vendin e shfaqjes para natës, me planin për të fjetur nën dritën e ftohtë të yjeve për të siguruar vendet më të afërta pranë pemës së shenjtë të lisit nga ku do kishin një pamje më të mirë. Me të hyrë në qytet, gratë vendase që ishin infektuar nga virusi i skepticizmit, komentojnë me shaka temën e ditës:
“Pra, a do ta shihni shenjtoren nesër?”
“Jo unë. Sikur ajo të vinte këtu!”
Dhe ata qeshin me kënaqësi, ndërsa pelegrinët e devotshëm vazhdojnë udhëtimin e tyre, indiferentë ndaj gjithçkaje që nuk lidhet me qëllimin e pelegrinazhit të tyre. Në Ourém, vetëm për shkak të dashamirësisë ekstreme mund të gjesh strehim. Gjatë natës, automjetet e të gjitha llojeve mbërrijnë në sheshin e qytetit, duke transportuar besimtarë dhe kureshtarë, duke përfshirë zonja të moshuara të veshura me të zeza dhe të rënduara nga mosha e tyre, por sytë shkëlqenin me zjarrin e flaktë të besimit që i fuqizoi ata të braktisnin me guxim rehatinë e shtëpisë së tyre për një ditë. Në agim, grupe të reja pelegrinësh dalin pa frikë dhe kalojnë nëpër fshat, pa u ndalur për asnjë çast. Heshtja e tyre thyhet nga zëra të fortë dhe harmonikë femrash që këndojnë himne, në kontrast të plotë me vrazhdësinë e njerëzve.
Dielli lind, por pamja e qiellit është kërcënuese. Retë e zeza fluturojnë mbi Fatime. Megjithatë, asgjë nuk i pengon ata që përdorin të gjitha shtigjet dhe mjetet e transportit për t’u mbledhur atje. Automobilat luksoz kalojnë me shpejtësi dhe i bien borive; karrocat e kaut zvarriten në një anë të rrugës; karroca të ndryshme të hapura dhe karroca me sedilje të improvizuara janë të stërmbushura. Pothuajse të gjithë sjellin me vete ushqime modeste, si dhe një racion kashtë për kafshët që e kanë përmbushur me guxim detyrën e tyre, të cilën “Fukaraja” i Asizit (Shën Françesku) i quajti “vëllezërit tanë”. Disa zile tingëllojnë dhe karrocat janë zbukuruar me gjelbërim, por atmosfera festive është përgjithësisht diskrete, njerëzit janë të qetë dhe ka rregull absolut. Gomarët e vegjël lëvizin në buzë të rrugës dhe çiklistët e shumtë si për mrekulli shmangin përplasjen me karrocat.
Rreth orës 10:00 qielli u mbulua plotësisht nga retë dhe nuk vonoi shumë dhe filloi të binte shi i dendur. Për shkak të erërave të forta, shirat e dendur godasin fytyrat, lajnë rrugët dhe depërtojnë në kockat e atyre që ecin pa çadër ose formë tjetër mbrojtjeje kundër shiut. Por askush nuk bëhet i paduruar ose heq dorë, dhe nëse disa gjejnë strehë nën pemë, pranë mureve të fermave ose në shtëpitë e largëta që shihen rrugës, të tjerët vazhdojnë të marshojnë me një vendosmëri mbresëlënëse. Vlen të përmenden disa gra, fustanet e të cilave u ngjiten në trup si pasojë e shiut të fortë dhe të vazhdueshëm, duke u dukur sikur sapo kishin dalë nga banja!
Një pjesë e madhe e zonës në shqopën e Fatimes, ku thuhet se Virgjëresha do t’u shfaqet fëmijëve bari nga fshati Aljustrel, është përballë rrugës që të çon në Leiria, përgjatë së cilës ishin parkuar mjetet që sillnin pelegrinët dhe spektatorët kureshtarë. Dikush numëroi mbi njëqind automobila dhe mbi njëqind biçikleta, dhe do të ishte e pamundur të numëroheshin karrocat e ndryshme që bllokuan rrugën, një prej tyre ishte një autobus nga Torres Novas, brenda të cilit njerëz të të gjitha klasave shoqërore ishin grupuar së bashku.
Por pjesa më e madhe e pelegrinëve, mijëra njerëz që erdhën nga shumë kilometra rreth zonës, së bashku me besimtarët nga krahina të ndryshme të vendit, u mblodhën rreth lisit, të cilin, sipas fëmijëve bari, vizioni do ta zgjedhë për piedestalin e tij dhe që mund të konsiderohet si qendra e një rrethi të madh, në skajin e të cilit vendosen spektatorë dhe besimtarë të tjerë. E parë nga rruga, mbledhja është thjesht fantastike. Shumë prej fshatarëve të urtë, të strehuar nën çadra të mëdha, bashkojnë ngënien e vakteve të tyre të vogla me sjelljen shpirtërore që përfshin himne të shenjta dhe recitimin e Rruzares.
Askush nuk ngurron të ngulë këmbët në baltë për të pasur gëzimin e shikimit të lisit nga afër, mbi të cilin u ndërtua një hark i shtrembët me dy fenerë që lëkunden. Grupet alternojnë duke kënduar lavdërimet e Virgjëreshës Mari; dhe një lepur i tmerruar që kalon nëpër shkurre, shpërqendron vëmendjen e vetëm disa djemve që e kapin dhe e rrahin për vdekje.
Po fëmijët barinjë? Lucia, dhjetë vjeç, vizionarja, dhe shoqëruesit e saj të vegjël, Francisko, nëntë vjeç dhe Jasinta, shtatë vjeç, nuk kanë ardhur ende. Ata mbërrinë rreth gjysmë ore përpara kohës së para caktuar të shfaqjes. Vajzat e vogla kurorëzohen me lule dhe sillen në vendin ku është ngritur harku. Shiu bie pa pushim, por askush nuk e humb shpresën. Mbërrinë karrocat me të vonuarit. Grupet e besimtarëve gjunjëzohen në baltë dhe Lucia u kërkon – i urdhëron – të mbyllin çadrat e tyre. Urdhri transmetohet dhe bindja është e menjëhershme, pa ngurrimin më të vogël. Ka njerëz, shumë njerëz, që duken sikur janë në ekstazi; njerëz të prekur emocionalisht, buzët e thara të të cilëve janë paralizuar në lutje, njerëz të trullosur, me duar të mbledhura dhe me sy të shkëlqyeshëm – njerëz që duket se ndjejnë, prekin të mbinatyrshmen.
Fëmija thotë se Zoja i foli edhe një herë, dhe qielli, ende i errët, befas fillon të kthjellohet; shiu ndalon dhe duket sikur dielli do të vërshojë fshatin me dritë, të cilin mëngjesi i dimrit e kishte bërë të zymtë.
Koha diellore është ajo që udhëheq këtë turmë, e cila numëron tridhjetë ose dyzet mijë, sipas vlerësimeve të paanshme të njerëzve të sofistikuar, të cilët nuk preken nga ndikimet mistike. Manifestimi i mrekullueshëm, shenja e dukshme që u para tregua se do të ndodhë, bind shumë prej pelegrinëve. Më pas shihet një spektakël unik, i pabesueshëm për ata që nuk e kanë parë. Nga maja e rrugës, ku ishin parkuar karrocat dhe ku qëndronin qindra njerëz të cilëve u mungonte guximi për të shkelur në baltë, mund të shihej turma e pamasë që kthehej drejt diellit, i cili duket i liruar nga të gjitha retë dhe në kulmin e tij. Dielli i ngjan një pjate të zbehtë, të argjendtë dhe është e mundur ta shikosh pa përpjekjen më të vogël. Nuk djeg, as verbon. Duket sikur po ndodh një eklips. Por më pas gufon një zhurmë e madhe dhe mund të dëgjohen spektatorët që janë më afër duke bërtitur:
“Mrekulli, mrekulli! Një mrekulli! Një mrekulli!”
Përpara syve të habitur të njerëzve – emocionet e të cilëve na kthejnë në kohët biblike dhe që janë të zbehtë në një mënyrë të frikshme, vështrimi i tyre u përqendrua në qiellin blu ndërsa dielli pulson [me] lëvizje drithëruese të paparë ndonjëherë, duke sfiduar të gjitha ligjet e gravitetit— dielli kërcente, sipas shprehjes tipike të fshatarëve. Në krye të një omnibusi nga Torres Novas ishte një burrë i moshuar, shtati dhe pamja fizike e të cilit të kujtojnë Paul Deroulede [politikan dhe poet francez i shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të], duke recituar Besojmën nga fillimi në fund me një zë të lartë. duke parë diellin. Pyes se kush është dhe më thanë se është z. João Maria Amado de Melo Ramalho da Cunha Vasconcelos.
Më pas e pashë duke u ngjitur tek ata rreth tij që kishin ende kapelet e tyre, duke iu lutur me vrull që të hiqnin kapelet përpara një demonstrimi kaq të jashtëzakonshëm të ekzistencës së Zotit. Skena identike përsëriten gjithku, dhe një grua, e gulçuar dhe e larë me lotë shqetësimi, bërtet:
“Sa e mjerueshme! Ka ende njerëz që nuk zbulohen para një mrekullie kaq të jashtëzakonshme!”
Njerëzit pastaj fillojnë të pyesin njëri-tjetrin se çfarë kishin parë. Shumica e njerëzve pranojnë se shohin diellin të dridhet, të kërcejë; të tjerët, megjithatë, deklarojnë se kanë parë fytyrën e buzëqeshur të Virgjëreshës së Bekuar, betohen se dielli u rrotullua si një rrotë Katerine (Fishekzjarr rrotullues), se u ul pothuajse deri në pikën sa të digjte tokën me rrezet e tij…Disa thonë se e panë atë duke ndryshuar ngjyra në mënyrë të njëpasnjëshme.
Është pothuajse tre pasdite. Qielli është pa re dhe dielli vazhdon kursin e tij me shkëlqimin e zakonshëm që askush nuk guxon ta shikojë. Po fëmijët barinjë? Lucia, e cila flet me Virgjëreshën, njofton, me lëvizje të dorës duke u mbajtur në krahët e një burri që e transporton nga grupi në grup, se lufta do të përfundojë dhe se ushtarët tanë do të kthehen. Megjithatë gëzimi nuk rritet tek ata që e dëgjojnë. Shenja qiellore ishte gjithçka. Ka një kuriozitet të madh për të parë dy vajzat e vogla me kurorën e tyre me trëndafila; ka nga ata që tentojnë të puthin duart e shenjtorëve të vegjël, njëra prej të cilëve, Jasinta, më shumë duket se do t’i bie të fikët se sa do të kërcejë; por ajo që të gjithë prisnin – shenja nga qielli – mjaftoi për t’i kënaqur dhe për t’i radikalizuar në besimin e tyre të verbër.
Shitësit ambulantë ofrojnë fotografi të fëmijëve në kartolina, si dhe karta të tjera që përshkruajnë një ushtar në Forcat e Ekspeditës Portugeze duke menduar për ndihmën e mbrojtëses së tij për shpëtimin e vendit, madje edhe një imazh të Virgjëreshës Mari siç u shfaq në vizionin e fëmijëve. Ky ishte biznes i mirë, dhe sigurisht më shumë para hynin në xhepat e shitësve dhe në kutitë e lëmoshës për fëmijët barinjë, sesa në duart e shtrira të lebrozëve dhe të verbërve, të cilët, duke u përplasur me pelegrinët, ngrinin britmat e tyre therëse…
Shpërndarja e turmës bëhet me shpejtësi, pa vështirësi apo çrregullime dhe pa nevojën e një patrulle policie për ta mbikëqyrur atë. Pelegrinët që u larguan të parët ishin ata që mbërritën të parët, duke ecur zbathur me këpucë në kokë ose të mbështetur në shkopinj. Ata shkojnë me shpirtin e tyre në një gjendje lavdërimi të vazhdueshëm, duke sjellë lajmin e mirë në fshatrat që nuk ishin shkretuar plotësisht [për shkak të kaq shumë njerëzve që bënë udhëtimin për në Fatime]. Po priftërinjtë? Disa u shfaqën, duke buzëqeshur, duke u përzier më shumë me spektatorët kureshtarë sesa me pelegrinët e etur për favore qiellore. Ndoshta ishin disa që nuk arritën të fshehin kënaqësinë e cila sigurisht që nuk fshehej as nga fytyrat e triumfuesve.
Mbetet për t’u parë se çfarë do të thonë njerëzit kompetentë për vallëzimin makabre të diellit në Fatime sot, që bëri që Hosana të shpërthejë nga zemrat e besimtarëve dhe la mbresa të thella tek ata, duke mos lënë indiferentë as mendimtarët e lirë dhe as të tjerët që shkuan në shqopën tashmë të famshme pa u prekur nga ndonjë shtysë e veçantë fetare.
Avelino de Almeida