Sancta Maria, Mater Dei,
ora pro nobis peccatoribus

NOVUS ORDO MISSÆ - Studim i shkurtër kritik i Rendit të Ri të Meshës - Kardinal Ottavianni & Kardinal Bacci

Prapaskena e studimit

Më 25 shtator 1969, Alfredo Kardinal Ottaviani, prefektemeritus i Kongregatë së Shenjtë për Fenë, i dërgoi një letër papa Palit VI. Bashkë me letrën ishte një Studim i Ritit të ri të Meshës ” (Novus Ordo Missae), i shkruajtur nga një grup teologësh romakë. Letra e kardinalit Ottaviani ishte një kërkesë për Papën që të mos dëshirojë që të na hiqet mundësia për të vazhduar të kemi mbështetje në integritetin e frytshëm të Mesharit romak të shën Piut V, i lëvduar kaq shumë nga Shenjtëria Juaj dhe i nderuar e i dashur kaq shumë nga krejt bota katolike . Prej ndërhyrjes së Ottavianit, papa Pali VI urdhëroi që të lihen dy vjet për zbatimin e Rendit të ri.

Një fakt pak i njohur është se Imzot Marcel Lefebvre ishte ai që drejtoi komitetin që e përpiloi këtë studim teologjik. Hollësitë hisorike të kësaj ngjarje të rëndësishme mund të gjenden në biografinë e tij shkruar nga Imzot Bernard Tissier de Mallerais (në anglisht : The biography : Marcel Lefebvre, në frëngjisht : Marcel Lefebvre : une vie ; në italisht : Monsignor Marcel Lefebvre Una vita). Kardinajtë Ottaviani e Bacci shkruajtën hyrjen dhe ia prezantuan studimin Palit VI. Por kurrë nuk erdhi ndonjë përgjigje prej Vatikanit, dhe Imzot Lefebvre i tha grupit të vogël të seminaristëve të tij më 10 qershor 1971 se refuzon të pranojë këtë liturgji të re të protestantizuar dhe protestantizuese. Si mund të pranoj të heq dorë nga Mesha e të gjitha kohërave ose ta vendos në të njëjtin shkallë barazie me Rendin e ri, i krijuar prej Annibale Bugnini, me pjesëmarrjen e protestantëve për ta bërë një lloj darke ekuivoke e cila eleminon krejtësisht Ofertorin e prek fjalët e Shugurimit. 

Parathënia
Letra e kardinajve Ottaviani dhe Bacci drejtuar Papa Palit VI

Atë i Shenjtë,

 

Pas kemi e shqyrtuar vetë dhe ua kemi dhënë për shqyrtim të tjerëve Novus Ordo Missæ (Rendin e ri të Meshës)  i cili është përgatitur nga ekspertët e Komitetit për aplikimin e Konstitucionit për liturgjinë (Consilium ad exequdam Constitutionem de Sacra Liturgia), pasi jemi menduar e jemi lutur gjatë, ne e ndjemë si detyrë, para Hyjit dhe para Shenjtërisë Suaj, të shprehim  konsideratat e mëposhtme :

 

  1. Studimi i bashkëngjitur kritik i Rendit të ri të Meshës (Novus Ordo Missæ), vepër e një grupi teologësh të zgjedhur, liturgjistësh dhe barinjsh shpirtrash, tregon qartasi, pavarësisht shkurtësisë së tij, se nëse konsiderojmë elementet e reja, të vlerësueshëm në mënyra të ndryshme, që ndodhen me nënkuptim apo të implikuara, se Rendi i ri i Meshës (Novus Ordo Missæ) është i largët në mënyrë mbreslënëse në tërësi dhe në detaj me teologjinë katolike të Meshës së Shenjtë, ashtu sikur është formuluar në sesionin e XXII të Koncilit të Trentit. Ky përcaktoi një herë e përgjithmonë kanonet ” e ritit, duke ngritur kështu një barrierë të pakalueshme kundër çdo herezie që mund të prekë integritetin e Misterit.
  1. Arsyet baritore të dhëna për të justifikuar këtë shkëputje kaq të rëndë me Traditën, megjithëse mund të mbahen si të mira përballë arsyeve doktrinale, nuk duken të mjaftueshme. Kaq shumë gjëra të reja shfaqen në Rendin e Ri të Meshës (Novus Ordo Missæ), dhe kaq shumë gjëra të amshuara gjenden të zhvendosura në një vend më të vogël apo në një vend tjetër, – ose janë zhdukur fare, – që mund të forcojnë e ta kthejnë në siguri dyshimin, i cili fatkeqsisht gjendet në shumë vende, sipas të cilit të vërtetat e besuara gjithmonë nga populli i krishterë mund të ndryshojnë ose të injorohen në qetësi pa pasur pabesnikëri ndaj depozitës së shenjtë të doktrinës me të cilën feja katolike është e lidhur për amshim. Reformat e fundit kanë treguar mjaftueshmërisht se ndryshimet e reja në liturgji çojnë vetëm në rrënim total të besimtarëve që tregojnë se reformat janë për ta të padurueshme dhe zvogëlojnë marramendësisht fenë e tyre. Në pjesën më të madhe të klerit kjo rezulton me një krizë ndërgjegjie torturuese, për të cilën ne kemi dëshmi të shumta dhe të përditshme.
  1. Ne jemi të sigurtë se këto konsiderime, të frymëzuara nga çka ne dëgjojmë prej zërit kumbues të barinjëve të grigjës, duhet të gjejnë jehonë në zemrën atësore të Shenjtërisë Suaj, gjithmonë e brengosur për nevojat shpirtërore të bijve të Kishës. Gjithmonë subjektet, për të mirën e të cilëve është bërë ligji, kanë pasur të drejtë e më shumë se të drejtë, e kanë pasur për detyrë, nëse ligji bëhet i dëmshëm, t’i kërkojnë ligjvënësit, me besim birnor, shfuqizimin e tij.

 

Prandaj ne i përgjërohemi shumë Shenjtërisë Suaj – në një kohë kur pastërtia e fesë dhe uniteti i Kishës vuajnë përçarje mizore dhe rreziqe gjithmonë e më të mëdha, të vajtuara shpesh prej jush, Ati ynë i përbashkët –  të mos dëshirojë të na hiqet mundësia për të vazhduar të kemi mbështetje në integritetin e frytshëm të Mesharit romak të shën Piut V, i lëvduar kaq shumë nga Shenjtëria Juaj dhe i nderuar e i dashur kaq shumë nga krejt bota katolike.

 

Kardinal Ottaviani, 

prefekt për Kongregatën e Doktrinës së fesë.

 

Kardinal Bacci.

 

Në festën e Shën Piut X

Studim i shkurtër kritik

I

Sinodit episkopal i mbledhur në Romë në tetor 1967, iu kërkua të jepte një gjykim për celebrimin eksperimental të një meshe të quajtur “meshë normative”. Kjo meshë u përpunua nga Komiteti për aplikimin e Konstitucionit koncilar mbi liturgjinë (Consilium ad exequendam Constitutionem de Sacra Liturgia).

 

Kjo meshë shkaktoi hutim të madh te pjestarët e Sinodit : kundërshtim i lartë (43 non placet), reserva substanciale të shumta (62 juxta modum) dhe 4 abstenime, mbi një total prej 187 votues.

 

Shypi ndërkombëtar foli për një “refuzim” të Sinodit. Mediat me tendeca progresiste nuk folën për këtë ngjarje. Një periodik i njohur, drejtuar ipeshkvinjve dhe duke shprehur mësimin e tyre, përmblodhi ritin e ri me këta fjalë : “Duan spastrojnë gjithë teologjinë e Meshës. substancë, i afrohet teologjisë protestante e cila ka shkatërrur Flinë e Meshës”

 

Në Ritin e ri të Meshës (Novus Ordo Missæ) të shpallur nga Konstitucioni apostolik Missale Romanum më 3 prill 1969, gjejmë identik në substancë, meshën “normative”. Me sa duket, përgjatë kësaj kohe, Konferencat Ipeshkvore nuk janë pyetur për këtë çështje. 

 

Konsitucioni apostolik Missale Romanum pohoi se Meshari i vjetër i shpallur nga Shën Piu V (Bulla Quo Primum, 19 korrik 1570),- por që pjesë më e madhe e tij daton që prej Gregorit të Madh e madje edhe shumë më herët – ishte përgjatë katër shekujsh norma e celebrimit të Flisë së Shenjtë për priftërinjtë e ritit latin.  Konsitucioni apostolik Missale Romanum shton se në këtë Meshar, i përhapur në krejt botën, “shenjtër të shumtë kanë gjetur ushqimin e bollshëm të përshpirtërisë së tyre ndaj Hyjit”. 

   

Megjithatë reforma që don ta heqë këtë Meshar përfundimisht nga përdorimi është bërë e nevojshme sipas së njëjtit Konstitucion, “duke filluar nga momenti kur fillon të përhapet më shumë në popullin e krishterë dhe të formojë shijen e një kulture liturgjike e cila do ishte e nevojshme për të mbështetur përshpirtërinë”. 

 

Ky konfirmimi i fundit përmban seriozisht një ekuivok të rëndë. 

 

Populli i krishterë shprehu dëshirën e tij kryesisht falë Shën Piut X, kur filloi të zbulojë thesaret autentike dhe të amshuara të liturgjisë. Kurrë, absolutisht kurrë, populli i krishterë s’ka kërkuar, që liturgjia të ndryshojë ose të shtrembërohet për ta kuptuar më mirë. Ajo çfarë kërkoi të kuptojë më mirë është e vetmja liturgji e pandryshueshme, të cilën kurrë ai nuk do donte që të ndryshohej. 
   
Meshari romak i shën Piut V ishte shumë i dashur në zemrat e katolikëve, i cili ishte shumë i nderuar prej priftërinjve e prej besimtarëve. 
 
Nuk shohim se në çka, përdorimi i këtij Meshari, i shoqëruar me katekizëm të përshtatshëm, mund të ishte pengesë për një pjesëmarrje më të madhe dhe për një njohje më të mirë të së shenjtërueshmes liturgji ; nuk e kuptojmë pse, me gjithë ato mirënjohje të meritave të mëdhaja të tij, që i bën Konstitucioni Missale Romanum, nuk konsiderohet më si i aftë për të vazhduar të ushqejë përshpirtërinë litugjike të popullit të krishterë. 
   
Kështu pra, Sinodi ipeshkvnor e pat refuzuar këtë “meshë normative” e cila është rimarrë sot në substancë dhe imponuar prej Rendit të ri të Meshës (Novus Ordo Missæ). Ky i fundit kurrë nuk është paraqitur në gjykimin kolegjial të Konferencave Ipshkvnore. Kurrë populli i krishterë (e aq më pak ata në mision) nuk ka dashur ndonjë reformë të Meshës së Shenjtë. Nuk mundemi pra të kuptojmë motivet e legjislacionit të ri që shkatërron një traditë për të cilën Konsitucioni Missale Romanum njeh që është e pandryshuar qysh prej shekullit të IV ose të V. 

 

Si rrjedhojë, duke qënë se motivet e një reforme të tillë nuk ekzistojnë, reformës duket se i mungon çdo bazim i arsyeshëm i cili, duke e justifikuar, do ta bënte të pranueshme për popullin katolik. 
 
Koncili e pat shprehur mirë, në numrin 50 të Konstitucionit për Liturgjinë, dëshirën që pjesë të ndryshme të Meshës të rirenditen “në mënyrë që tipari dallues i secilës prej këtyre pjesëve si dhe lidhjet e përbashkëta me pjesët e tjera të paraqiten më qartë”. Ne do shohim se si Rendi i ri i Meshës (Novus ordo Missae) i sapo shpallur korrespondon me këtë dëshirë, për të cilën mund të themi se në fakt nuk ka ngelur asnjë kujtim.  
 
Studimi i detajuar i Rendit të Ri të Meshës shfaq ndryshime të përmasave të tilla që të justifikojnë në vetëvete gjykimin e bërë tashmë për “meshës normative”. 
 
Rendi i Ri i Meshës ashtu sikur “mesha normative” është bërë për të kënaqur në shumë pika protestantët më modernistë. 

II

Fillojmë me përkufizimin i Meshës. Përkufizimi i Meshës jepet në numrin 7 të kreut të dytë të Institutio generalis. Ky kapitull quhet: “Struktura e Meshës”. Ja përkufizimi :  

 

“Darka e së dielës është mbledhja e shenjtë ose bashkësia (asambleja) e popullit të Hyjit që bashkohet nën udhëheqjen e priftit për të celebruar përkujtimin e Zotit. Prandaj vlen jashtëzakonisht shumë për mbleshjen lokale të Kishës së Shenjtë premtimi i Krishtit : Aty ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, mes tyre (Mt. XVIII, 20). 

 

 Përkufizimi i Meshës është pra i reduktuar në atë të një “darke”: dhe ky term gjendet vazhdimisht (në numrat 8, 

48, 55, 56 të Institutio generalis). 

 

 Përveç kësaj, kjo “darkë” është e karakterizuar si darka e një bashkësie të udhëhequr nga prifti,  si darka e bashkësisë së mbledhur për të realizuar “përkujtimin e Zotit”, që kujton atë çka Ai bëri të Enjten e Madhe. 

 

Të gjitha këto nuk nuk bëjnë të kuptojë as Praninë e vërtetë, as realitetin e Flisë, as karakterin sakramental të priftit që shuguron, as vlerën intrinsike të Flisë eukaristike e cila nuk varet prania e bashkësisë. 

 

Me një fjalë, ky përkufizim i ri nuk përmban asnjë nga vlerat dogmatike thelbësore të Meshës e që formojnë përkufizimin e saj të vërtetë. Heqja e këtyre vlerave dogmatike këtu, nuk mund të jetë veçse vullnetare.  

 

Një heqje e tillë vullnetare nënkupton “zëvëndësimin” e tyre, dhe në praktikë nënkupton mohimin e tyre. 

 

Në pjesën e dytë të përkufizimit të ri, ekuivoku rëndohet. Aty konfirmohet se asambleja në të cilën konsiston Mesha realizon “përsosmërisht” premtimin e Krishtit :  Aty ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, mes tyre. 

 

Në fakt, ky premtim ka të bëjë vetëm me praninë shpirtërore të Krishtit me hirin e Tij. 

 

 Kështu që renditja dhe vazhdimësia e këtyre ideve, në numrin 7 të Institutio generalis, të shtyn të mendosh se prania shpirtërore e Krishtit, pak a shumë, është cilësisht e barabartë dhe homogjnene me praninë substanciale dhe të vërtetë në sakramentit e Eukaristisë. 

 

Përkufizmi i ri në numrin 7 vijon, në numrin 8, me ndarjen e Meshës në dy pjesë :  

– liturgjia e fjalës ; 

– liturgjia eukaristike. 

 

Kjo ndarje është e shoqëruar nga pohimi se në Meshë bëhet përgatitja e: 

– e “tryezës së fjalës së Hyjit”, 

– e “tryezës së Trupit të Krishtit”,  në mënyrë që besimtarët të “mësojnë dhe të ripërtëriten”. 

 

Ka një asimilim të dy pjesëve të litugjisë, sikur të ishin dy pika me vlerë të barabartë simbolike. Asimilim ky që është absolutisht ilegjitim. Do flasim më shumë për të më vonë. 

 

Institutio generalis, i cili është hyrja e Rendit të Ri të Meshës, përdor për të përshkruar Meshës shprehje të shumta që janë të gjitha të pranueshme relativisht. Të gjitha janë për tu hedhur poshtë, nëse i përdorim të ndara, dhe me një kuptim absolut.  

Ja disa prej tyre :  

• vepra e Krishtit dhe e popullit të Hyjit 

• Darka e Zotit 

• darka pashkore 

• pjesërmarrje e përbashkët në tryezën e Zotit, 

• lutje eukaristike, 

• liturgjia e fjalës dhe liturgjia eukaristike etj. 

 

Është e qartë se autorët e Rendit të Ri, kanë vënë theksin, në mënyrë këmbëngulëse, mbi darkën dhe përkujtimin që bëhet, dhe jo në ripërtëritjen (e pagjakshme) të Flisë së Kryqit. 

 

Madje edhe formula “Përkujtimi i Mundimit dhe i Ringjallje së Zotit” nuk është e saktë. Mesha është vetëm dhe vetëm përkujtimi i Flisë, që në vetvete është shpërblyese; kurse Ringjallja është fruti i saj. 

 

 Do shohim më poshtë se me çfarë koherence sistematike, në formulën e shugurimit dhe në përgjithësi në të gjithë Rendin e Ri, të njëjtat ekuivoke rithuhen dhe përsëriten këmbëngultasi . 

III

Tani vijmë në qëllimet e Meshës: qëllimi ultim, qëllimi i afërt dhe qëllimi i qënësishëm (imanent). 

 

1. QËLLIMI ULTIM: Mesha është fli lavdie që i ofrohet të Shenjtërueshmes Trini. 

 Ky qëllim është në përputhje me qëllimin  parësor të Mishërimit, i deklaruar prej Jezu Krishtit : “Kur erdhi në botë ai tha, Ti nuk ke dashur as viktimë dhe as blatim, por Ti më ke formuar një trup” (Ps.40, 7-9 ; Heb.X, 5). 

 

  Këtë qëllim ultim dhe thelbësor (esencial), Rendi i Ri (Novus Ordo Missæ) e ka zhdukur: 

– së pari, gjatë Ofertorit, ku lutja Suscipe Sancta Trinitas (dhe Suscipe Pater) është zhdukur ; 

– së dyti, në fund të Meshës nuk është më lutja Placeat tibi Sancta Trinitas

– së treti, Prefacioni i të dielave nuk do të jetë më ai i Trinisë së Shenjtë, e ky prefacion do jetë i rezervuar vetëm për Festën e Trinisë së Shenjtë, e kështu do përmendet vetëm një  herë në vit. 

 

2. QËLLIMI I AFËRT : Mesha është një fli pajtuese.  Edhe ky qëllim është ndryshuar : Mesha në të vërtetë bën faljen e mëkateve, për të gjallët dhe për të vdekurit, kurse Rendi i ri i Meshës (Novus Ordo Missæ) vendos theksin mbi ushqimin dhe shenjtërimin e pjestarëve të pranishëm të bashkësisë. 

 

  Krishti themeloi Sakramentin gjatë Darkës së Fundit dhe e vendosi veten në gjendje viktime që ne t’i bashkohemi gjendjes së tij si viktimë ; prandaj ky vetë-flijim i paraprin ngrënies së Viktimës, dhe mbart plotësisht vlerën shpërblyese që rrjedh nga Flia e gjakshme.  Kjo vërtetohet me faktin se mund të shohim Meshë pa u kunguar sakramentalisht. 

 

3. QËLLIMI I QËNËNISHËM (IMANENT): MESHA ËSHTË KRYESISHT FLI. 

Pavarësisht nga lloji i flisë, është e shumë e domosdoshme që ajo të pëlqehet prej Hyjit, domethenë ta pranojë si fli.  

 

 Në gjendje të mëkatit original, asnjë fli nuk mund të jetë e pranueshme prej Hyjit. E vetmja fli që mund dhe duhet në të drejtë të pranohet është Flia e Krishtit. Prandaj Ofertori e referon Flinë e Meshës në Flinë e Krishtit. 

 

Por Rendi i Ri i Meshës e çnatyron ofertën duke e degraduar, duke e kthyer në një lloj shkëmbimi dhuratash mes njeriut dhe Hyjit: njeriu sjell bukën, dhe Hyji e kthen në “bukën e jetës”; njeriu sjell verën, dhe Hyji e kthen në “pije shpirtërore” :  “I bekuar je ti, o Zot, Hyj i gjithësisë: prej bujarisë sate e morëm bukën (ose verën) që po ta kushtojmë; është fryt i tokës dhe i punës së duarve të njerëzve, që do të bëhet për ne buka e jetës së pasosur (ose pije shpirtërore)”. 

 

 A është e nevojshme të thuhet se shprehjet “buka e jetës (panis vitæ)” dhe “pije shpirtërore (potus spiritualis)” janë krejtësisht të paqarta : ato mund të nënkuptojnë gjithçka. Këtu gjejmë të njëjtin ekuivok kryesor ashtu si në përkufizimin e Meshës : në përkufizimin, referenca shpirtërore e Krishtit mes të vetëve: këtu, buka dhe vera janë ndryshohen shpirtërisht dhe nuk thuhet më substancialisht.  

Në përgatitjen e ofertave, një lojë e tillë ekuivoke është e realizuar me fshirjen e dy lutjeve të admirueshme:  

– Deus qui humanae substantiae; 

– Offerimus tibi, Domine… 

 

 Lutja e parë thotë : “O Hyj që ke krijuar natyrën njerëzore në një mënyrë të admirueshme dhe me një mënyrë akoma më të admirueshme e ke ripërtërirë në dinjitetin e saj të parë”. Eshtë një kujtim i gjendjes së pafajësisë së njeriut të parë dhe i gjendjes së tij të tanishme të shpërblyer prej gjakut të Krishtit ; është një përmbledhje diskrete e krejt ekonomisë së Flisë, qysh prej Adamit e deri në kohët e sotme. 

 

Lutja e dytë që është e lutja e fundit e Ofertorit, kërkon që kelku të ngritet cum odore suavitis në prani të Madhërisë Hyjnore, prej së cilës kërkojmë butësinë ; kjo lutje thekson në një mënyre të mrekullueshme të njëjtën ekonomi të Flisë.  

 

Këto dy lutje janë të fshira nga Rendi i Ri i Meshës.  

 

Një fshirje e tillë e referimit të vazhdueshëm të Hyjit që shprehte lutja eukaristike, do të thotë fshirje e çdo dallimi mes flisë që rrjedh nga Hyji dhe asaj që vjen nga njeriu. 

 

Pasi hoqën kështu gurkyçin, reformatorët u detyruan të vendosin skela mbajtëse : nëse fshijmë qëllimet e vërteta të Meshës, jemi të detyruar të shpikim qëllime imagjinare fiktive. Ja pra dolën gjeste të rinj për të theksuar bashkimin mes priftit dhe besimtarëve dhe të besimtarëve ndër vete, mbivendosje të destinuara për tu rrënuar në shëmti, të ofertave të bëra për të varfërit dhe për kishën mbi ofertën e Hosties së destinuar për Sakrificën.

 

Me këtë ngatërrim, veçoria parësore e Hosties e destinuar për Flinë është fshirë, në mënyrë që pjesëmarrja në flijimin e Viktimës të bëhet një mbledhje filantropësh ose një banket bamirësie. 

 

IV

Tani të shohim thelbin e Flisë në Rendin e Ri. 

 

Misteri i Kryqit nuk është më i shprehur në mënyrë të qartë. Ai është i fshehur për të gjithë besimtarët. Kjo rezulton nga disa arsye ku më të rëndësishmet janë: 

 

1. KUPTIMI I DHËNË TË ASHTUQUAJTURËS “LUTJE EUKARISTIKE”. 

 

 Numri 54 i Institutio generalis thotë:  

Kuptimi i lutjes eukaristike është “e gjithë asambleja e besimtarëve bashkohen me Krishtin për të shpallur mrekullitë e mëdhaja të Hyjit dhe për të ofruar flinë”.  

 

Për cilën fli bëhet fjalë ? 

Kush është ai që ofron flinë ?  

Asnjë përgjigje nuk jepet për këto pyetje.  

 

I njëjti numër 54 jep një përkufuzim të “lutjes eukaristike” : “Tani fillon qendra dhe pika kryesore e të gjithë celebrimit, e quajtur Lutja eukarisitike, një lutje falenderimi dhe shenjtërimi”

 

Shihet qartë : EFEKTET zëvëndësojnë shkakun, për të cilin as edhe një fjalë nuk thuhet. Përmendja e qartë e qëllimit ultim të Meshës, që gjendet në Suscipe e cila është fshirë, nuk është zëvëndësuar me asgjë. Ndryshimi i formulës nënkupton ndryshimin e doktrinës

 

2. ZHDUKJA E ROLIT QË LUHET NGA PRANIA E VËRTETË NË  EKONOMINË E FLISË. 

 

Arsyeja për të cilën Flia nuk përmendet më qartësisht është se roli qendror i Pranisë së vërtetë është fshirë.  

 

Ky rol qendor gjendet në mënyrë të shkëlqyeshme në të gjithë liturgjinë Eukuristike të Mesharit romak të shën Piut V.  Përkundrazi, në Institutio generalis, Prania e vërtetë permendet vetëm një herë, në një shënim (shënimi 63 i numrit 241), i cili është citimi i vetëm i Koncilit të Trentit ! E kjo përmendje e Pranisë së vërtetë është në kontekstin e “ushqimit”. Por askund tjetër nuk përmendet Prania e vërtetë dhe e vazhdueshme e Krishtit me Trupin e tij, me Gjakun e tij, me Shpirtin e tij dhe Hyjninë e tij në dukat e transubstancuara. Vetë fjala transsubstancim nuk gjendet askund

 

 Fshirja e lutjes së Vetës së Tretë të Trinisë së Shenjtë (Veni Sanctificator), që të zbresë mbi dhurata ashtu sikur zbriti një herë në barkun e së Lumes Virgjër për të përmbushur mrekullinë e Pranisë Hyjnore, është një rast tjetër i mohimit sistematik dhe të heshtur të Pranisë së vërtetë

 

  Gjithashtu është e pamundur të mos vihet re heqja ose ndryshimi i gjesteve me anë të cilëve shprehet spontanisht besimi në Praninë e vërtetë. Rendi i Ri eleminon : 

 

– gjunjëzimet, numri i të cilëve është ulur në tre për  priftin celebrues dhe në një (jo pa përjashtime) për asamblenë, në momentin e shugurimit ; 

– pastrimin e gishtave të priftit mbi dhe në kelk, për të   shmangur çdo kontakt profan të gishtave të priftit pas Shugurimit ; 

– pastrimin e enëve të shenjta, që mund të bëhet më vonë dhe jashtë korporalit ; 

– paliumin që mbulon kelkun ; 

– shtresën e florinjtë të pjesës së brendshme të enëve të shenjta ; 

– shugurimin e altarit të lëvizshëm ; 

– gurin e shenjtëruar dhe reliket e vendosura mbi altar dhe në altar kur ky i fundit është i lëvizshëm, ose kur reduktohet në tavolinë kur shugurimi nuk bëhet në një vend të shenjtëruar (klauzola e fundit instauron mundësinë e “eukaristive shtëpiake” në banesa) ; 

– tre mbulesat e altarit, të reduktuara në një. 

– falenderimin në gjunjë pas kungimit (i zëvëndësuar me një falenderim grotesk  të priftit dhe të besimtarëve të ulur, rezultat i kungimit në këmbë). – udhëzimet në rast se një Hostie e shuguruar bie për tokë, të zvogëluara në numrin 239 në një “reverenter accipiatur” gati sarkastike. 

 

Të gjithë këto fshirje theksojnë në mënyrë provokuese refuzimim absolut të dogmës së Pranisë së vërtetë. 

 

3. ROLI I  CAKTUAR I ALTARIT KRYESOR. 

 

Altari pothuajse gjithmonë quhet tryezë. “Altari ose tryeza e së dielës, që është qendra e liturgjisë eukaristike” (numrat 49 dhe 262). Përcaktohet që alatri duhet të jetë i ndarë nga muri që t’i bihet rrotull dhe që celebrimi të bëhet përballë njerëzve (numri 262), ai duhet të jetë në qendër të asambles së besimtarëve, në mënyrë që vëmendja të jetë spontanisht tek ata (ibid). Por krahasimi i numrit 262 dhe numrit 276 përjashton kompletësisht që i Shenjtërueshmi Sakrament të ruhet në altarin kryesor. Kjo do shënojë një ndarje të pandreqshme mes pranisë së Priftit Suprem në meshtarin celebrues dhe dhe të njëjtës Prani që realizohet sakramentalisht. Më parë ishte një prani e vetme. 

 

Tanimë këshillohet që i Shenjtërueshmi Sakrament të ruhet veçmas, në një vend të favorshëm për dovocionin privat të besimtarëve, sikur të ishte ndonjë relike. Kështu, gjëja e parë që do shihet sapo të hymë në kishë nuk do jetë më Tabernakulli, por një tryezë e zhveshur dhe lakuriqe. Edhe një herë tjetër bëhet kontrasti mes përshpirtërisë private dhe përshpirtërisë liturgjike: altari i ngritur kundër altarit

 

 Këshillohet me këmbëngulje të shpërndahen gjatë kungimit hostiet e shuguruara përgjatë të njëjtës Meshë, si edhe të shugurohet një bukë me përmasa të mëdha në mënyrë që prifti ta ndajë me një pjesë të besimtarëve : është e njëjta sjellje përbuzëse ndaj Tabernakullit ashtu sikur ndaj çdo përshpirtërie eukaristike jashtë Meshës . Ky është akoma një sulm tjetër dhe i dhunshëm ndaj besimit në Praninë e Vërtetë për sa kohë dukat e shugurara mbesin. 

 

4. FORMULA E SHUGURIMIT 

 Formula e vjetër e Shugurimit është një formulë sakramentale, jo narrative (me ton tregues) por intimative

Dhe ja tre prova : 

a) Teksti i Shkrimit Shenjtë nuk është marrë ashtu siç është. Shtimi palian : “mysterium fidei” është një shpallje e menjëhershme e fesë së priftit në misterin e realizur prej Krishtit në Kishë me anë të priftërisë hierarkike. 

 

b) Shenjat e pikësimit dhe tipografia. Në Mesharin e shën Piut V, teksti liturgjik i fjalëve sakramentale të Shugurimi është e pikësuar dhe e vënë në pah në mënyrë të veçantë. 

HOC EST ENIM është i veçuar me një pikë në fillim të rreshtit nga formula që i paraprin :…manducate ex hoc omnes”. Kjo pikë në fillim të rreshtit shënon kalimin nga mënyra narrative në mënyrën intimative që është veçori e veprimit sakramental. Fjalët e Shugurimit, në Mesharin romak, janë me përmasa të mëdha, në qendër të faqes dhe shpesh me një ngjyrë tjetër. E gjitha kjo tregon se fjalët shuguruese kanë një vlerë të veçantë dhe dhe si rrjedhojë autonome

 

c) Anamnesa e Kanonit romak i referohet Krishtit që vepron, dhe jo vetëm përkujtimit të Krishtit ose të Darkës së Fundit si një ngjarje historike. HÆC 

QUOTIESCUMQUE FECERITIS, IN MEI MEMORIAM FACIETIS në greqisht : EIS TÉN EMOU ANAMNESIN ; domethenë “drejtuar drejt përkujtimit tim”. Kjo shprehje nuk fton vetëm për të rikujtuar Krishtin apo Darkën e Fundit : është një ftesë për të ribërë atë çka Ai bëri, në të njëjtën mënyrë si Ai e bëri. 

 

Kësaj formule tradicionale të Mesharit romak, riti i ri e zëvëndëson me një formulë të shën Palit : “Hoc facite in meam commemorationem“, e cila do të shpallet përditë në gjuhët vernakulare. Kjo do të ketë si pasojë të pashmangshme, sidomos në këto kushte, zhvendosjen e rëndësisë, në mendjet e dëgjuesve, në përkujtimin e Krishtit. “Përkujtimi” i Krishtit do të gjendet i shprehur si fundi i veprimit eukaristik, ndërsa në të vërtetë ai është vetëm fillimi. “Përkujtimi i Krishtit” do të jetë thjesht një qëllim njerëzor për tu arritur. Në vend të veprimit real, të rendit sakramental, do të vendoset ideja e “përkujtimit”. 

 

Në Rendin e Ri të Meshës mënyra narrative (dhe jo më sakramentale) është e shprehur qartë në përshkrimin organik të “lutjes eukaristike” në numrin 55, me formulën “narratio institutionis” (tregimi i institutimit), si edhe në të njëjtin numër, me përkufizimin e anamnesës : “Kisha përkujton (memoriam agit) të njëjtin Krisht”. 

 

Pasoja e të gjithë këtyre është se lihet të kuptohet një ndryshim i sensit specifik të Shugurimit. Sipas Rendit të Ri të Meshës, fjalët e Shugurimit janë tanimë të thëna nga prifti si një tregim historik, dhe jo më duke afirmuar me një gjykim kategorik dhe intimativ të thëna nga Ai në Prani të të cilit meshtari vepron : HOC EST CORPUS MEUM dhe jo Hoc est Corpus Christi

 

 Së fundmi, shpallja e caktuar për popullin menjëherë pas Shugurimit : “Kumtojmë vdekjen tëndë o Zot…presim ardhjen tënde”, shton akoma më shumë, nën një maskim eskatologjik, një ambiguitet tjetër lidhur me Praninë e Vërtetë. Pa interval kohor e pa dallim, pritja e ardhjes së dytë të Krishtit në fund të kohërave shpallet pikërisht në momentin kur Ai është substancialisht i pranishëm në altar, sikur ardhja e vërtetë është vetëm ajo në fund të botës e jo mbi altar. 

 

Ky ambiguitet është përforcohet akoma në formulën falkultative në shtojcën (n°2) : “Sa herë hamë këtë bukë dhe pijmë nga ky kelk, ne shpallim vdekjen tëndë o Zot, deri sa të vish”. Ambiguiteti këtu është një paroksizëm, nga njëra anë e flijimit dhe e ngrënies, e në anën tjetër të Pranisë së vërtetë dhe të ardhjes së dytë të Krishtit. 

V

Shikojmë tani Rendin e ri të Meshës lidhur me bërjen e Flisë. Katër elementet që realizojnë bërjen e flisë janë sipas radhës : 

1) Krishti ; 

2) Prifti ; 

3) Kisha ; 

4) besimtarët. 

 

1. SITUATA E BESIMTARËVE NË RITIN E RI. 

 

Rendi i Ri paraqet rolin e besimtarëve si autonom, e kjo është krejtësisht false. Kjo fillon në përkufizimin fillestar të numrit 7 : “Mesha është synaksi i shenjtë ose mbledhja e popullit të Hyjit ” (Missa est sacra synaxis seu congregatio populi). Kjo vijon me kuptimin që numri 28 i jep 

përshendetjes që prifti ia drejton popullit : “Prifti, me një përshëndetje, i shpreh bashkësisë së mbledhur PRANINË e Zotit. Me anë të kësaj përshendetje dhe të përgjigjes së popullit manifestohet misteri i Kishë së bashkuar”. Prania e vërtetë e Krishtit ? Po, por vetëm prani shpirtërore. Misteri i Kishës ? Sigurisht, por vetëm si bashkësi që shfaq ose kërkon praninë shpirtërore. 
E kjo rigjendet vazhdimisht në :  

– referencat obsesive të karakterit komunal të Meshës (numrat 74 dhe 152) ;  

– dallimin e padëgjuar më parë që bëhet mes meshës me popull “cum populo” dhe meshës pa popull ”sine populo” (numrat 203-231) ;  

– me përkufizimin e “lutjes së përgjithshme ose lutjes së besimtarëve” (numri 45), ku theksohet akoma “roli priftëror i popullit ” (populus sui sacerdotii munus exercens): kjo priftëri e popullit paraqitet në mënyrë ekuivoke, duke mos përmendur nënshtrimin e tij ndaj atij të meshtarit; dhe prifti, i shuguruar si ndërmjetës, bën “interpretuesin” e të gjitha qëllimeve të popullit në Te igitur dhe në dy Memento

 

 Në “lutjen eukaristike III” (Vere Sanctus) i drejtohen këto fjalë Zotit : “vazhdon ta bashkosh rreth vetes popullin, QË (ut) prej ku lind dielli e deri ku perëndon, të kushtohet në nder të emrit tënd flia e panjollë”. Kjo “QË” (Ut – do të thotë në mënyrë që, me qëllim që)  të bën të mendosh se populli , më shumë sesa prifti, është elementi i domosdoshëm për celebrimin ; dhe meqënëse nuk preçizohet, as edhe në këtë pjesë, se kush është ofruesi, populli vetë duket se është i veshur me pushtet priftëror autonom

 

 Në këta kushte dhe sipas këtij sistemi, nuk do çuditeshim nëse së shpejti populli do jetë i autorizuar për t’iu bashkuar priftit për të thënë fjalët e Shugurimit. Në shumë vende, ka ndodhur tashmë. 

 

2. SITUATA E PRIFTIT NË RITIN E RI 

 

Roli i priftit është zvogëluar, ndryshuar dhe falsifikuar. 

 

• SË PARI: në lidhje me popullin. Ai është vetëm “drejtuesi” dhe “vëllai”, por nuk është më ministri i shuguruar që celebron in persona Christi

 

• SË DYTI : në lidhje me Kishën. Ai është një pjestar mes shumë të tjerëve, një quidam de populo. Në numrin 55, në përkufizimin e epiklezës, thirrjet i atribuohen anonimisht Kishës: roli i priftit është zhdukur. 

 

• SË TRETI : në Confiteor (Po i rrëfehem) i cili është bërë i përbashkët, prifti nuk është më gjyqtar, dëshmitar dhe ndërmjetës pranë Hyjit. Dhe është logjike që nuk ka pse ta thotë më lutjen e zgjidhjes së mëkateve e cila vinte fill pas saj e që është fshirë. Prifti është i futur në “dhe e ju o vëllezër” : ministranti që shërben në Meshë e thërret po ashtu gjatë Confiteor-it në “Meshën pa popull”. 

 

• SË KATËRTI: tanimë dallimi mes kungimit të priftit dhe të besimtarëve është fshirë. Por ky dallim është me domethënie të madhe. Prifti përgjatë krejt meshës, vepron in persona Christi. Duke u bashkuar intimisht me viktimën e ofruar, në një mënyrë të veçantë të rendit sakramental, ai shpreh identitetin e Priftit dhe të Viktimës, identitet ky që është veçori e Flisë së Krishtit, dhe që, i shprehur sakramentalisht, tregon që Flia e Kryqit dhe Flia e Meshës është substancialisht e njëjta. 

 

• SË PESTI: nuk gjendet më asnjë fjalë mbi pushtetin e priftit si ministër i Flisë, as mbi aktin shugurues që i është vetjak, as mbi realizimin me ndërmjetësim të tij të Pranisë eukaristike. Ai tani duket se është asgjë më shumë se një mbarështues protestant. 

 

• SË GJASHTI : përdorimi i disa veshjeve të shenjta është hequr ose bërë falkultativ (jo i detyruar) : në disa raste alba dhe stola mjaftojnë (numri 298). Këta veshje që janë shenja të konformitetit të priftit me Krishtin : zhduken. Prifti nuk paraqitet më si i veshur me të gjithë virtytet e Krishtit, ai do jetë vetëm një gradë kishtare, i dalluar nga masa me nja dy shirita zbukurues në veshje. Prifti do jetë, sipas një formule humoristike jo vullnetare të një predikatari modern, “një burrë më burrë se të tjerët”. Këtu, ashtu sikur me “tryezën” dhe me altarin, reformatorët kanë ndarë atë çka Hyji ka bashkuar : Priftërinë e vetme të Krishtit nga Fjala e Hyjit. 

 

3. SITUATA E KISHËS NË RITIN E RI 

 

Domethënë lidhja e Kishës me Krishtin. Vetëm në një rast, në numrin 4, thuhet se Mesha është një “veprim i Krishtit dhe i Kishës” : kjo është për Meshën “pa popull”. 

 

Ndërsa, në Meshën “me popull” nuk shprehet tjetër qëllim veçse “përkujtimi i Krishtit” dhe shenjtërimi i të pranishmëve. Në numrin 60 shkruhet : “Prifti celebrues… bashkohen popullin me veten… duke i kushtuar Flinë Hyjit Atë nëpër Krishtin në Shpirtin Shenjtë”. Duhet të ishte thënë : “bashkon popullin me Krishtin, i cili ia kushton veten Hyjit Atë…”. 

 

Në këtë kontekst është bërë futur: 

• heqja shumë e rëndë e per Christum Dominum Nostrum, formulë e cila nënkupton dhe themelon sigurinë se Kisha 

e të gjitha kohërve do dëgjohet (Gjn, 14, 13-14 ; 15, 2324; 16, 23-24) ; 

• eskatologjizmi i trubullt dhe i çuditshëm, ku komunikimi i një realiteti aktual dhe të amshuar : hiri, paraqitet si fruti i një përparimi të ardhshëm ; 

• populli i Hyjit është “në ecje”, Kisha nuk është më Kisha luftarake që lufton kundër pushtetit të errësirës : ajo është pelegrinuese drejt një të ardhmeje e cila nuk është më e lidhur me amshimin, por vetëm me përkohshmërinë. 

 

Në “Lutjen Eukaristike IV”, lutja e Kanonit romak pro omnibus orthodoxis atque catholicae fidei cultoribus është zëvëndësuar me një lutje “duke të kërkuar me zemër të sinqertë, të mund të të gjenin të gjithë”. 

 

E njëjta, Memento i të vdekurve nuk përmend me ata që kanë vdekur cum signo fidei et dormiunt in somno pacis, por thjesht “ata që kanë vdekur në paqen e Krishtit”. Këtij grupi, në dëm të mëtejshëm të nocionit të unitetit dhe dukshmërisë së Kishës, i shtohen edhe “të vdekurit, fenë e të cilëve vetëm Ti e ke njohur”.  

 

Në asnjërën prej këtyre tre “lutjeve të eukaristike” të reja nuk përmendet aspak gjendja e vuajtjes së atyre që kanë vdekur, dhe nuk ka asnjë vend për tu lutur për ta, gjë që dëmton besimin në natyrën pajtuese dhe shpërblyese të Flisë

 

Kudo heqje të ndryshme përulin misterin e Kishës duke e çshenjtëruar. Ky mister  nuk është i paraqitur para së gjithash si një hierarki e shenjtë : ëngjëjt dhe shenjtërit janë të reduktuar në anonimitet në pjesën e dytë të Confiteor-it të përbashkët, janë zhdukur nga pjesa e parë si dëshmitarë dhe gjykatës në personin e shën Mhillit Kryeëngjëll. Hierakitë e ndryshme engëllore janë zhdukur gjithashtu nga Prefacioni i ri i “lutja eukarisitike II” ; janë zhdukur edhe në Communicantes, kujtimi i Shenjtërve, Papëve dhe Martirëve mbi të cilët Kisha e Romës është themeluar, të cilët pa asnjë dyshim transmetuan traditat apostolike dhe bënë atë që u bë me papa Shën Gregorin Mesha romake. Është fshirë gjithashtu në Libera nos (lutja pas Ati ynë),  përmendja e së Lumes Virgjërës Mari, i Apostujve dhe i të gjithë shenjtërve : ndërmjetësimi i saj dhe i atyre nuk këkohet më, as edhe në momente rreziku. 

 

Uniteti i Kishës kompromentohet rëndë, me heqjen e patolerueshme nga i gjithë Rendi i Ri, duke përfshirë tre “lutjet e reja eukaristike”, emrat e Apostujve Pjetër dhe Pal, themeluesit e Kishës së Romës, dhe emrat e Apostujve të tjerë, themel dhe dhe shenjë e unitetit dhe universalitetit të Kishës. Emrat e tyre janë vetëm në Communicantes të Kanonit Romak. 

 

Rendi i ri i Meshës sulmon gjithashtu dogmën e shoqërisë së shenjtërve duke fshirë, kur prifti celebron pa ministrant, të gjitha përshëndetjet dhe bekimin e fundit ; dhe duke fshirë Ite Missa est në Meshën pa popull me ministrantin. 

 

Confitor-i i dyfishtë i Meshës tregon se si prifti, i veshur me petkat që e shënojnë si shërbyes të Krishtit, dhe duke u përkulur thellë e njeh veten si të padenjë për një mision kaq të lartë, i padenjë për tremendum mysterium që dipozohet për të celebruar. Pastaj, duke mos i njohur vetes (në Aufer a nobis) asnjë të drejtë për të hyrë në të Shenjtin e Shenjtërve, ai kërkon (në Oremus te Domine) ndërmejtësimin e meritave të martirëve reliket e të cilëve janë në altar. Këta dy lujte dhe Confiteor-i i dyfishtë janë fshirë !

 

Kushtet e nevojshme për të celebruar Flinë, dëshmi e karakterit të saj të shenjtë, janë përdhosur (profanuar): për shembull, kur celebrimi bëhet jashtë një kishe, altari mund të zëvëndësohet me një tryezë të thjeshtë pa gur të shuguruar e pa relike (numri 260 deri 265). 

 

Desakralizimi (çshenjtërimi) përmbushet me mënyrat e reja dhe shpesh groteske të kushtimit : vihet theksi mbi përdorimin e bukës së zakonshme në vend të bukës ndorme. Lejohet që ministrantët dhe laikët gjatë kungimit me dy duka, të prekin enët e shenjta (numri 244). Një atmosferë e paimagjinueshme krijohet në kishë  nga ardhjet dhe shkuarjet e priftit, dikonit, nëndikaonit, psalmistit, komentatorit (prifti është bërë komentator, sepse është i ftuar “të shpjegojë” vazhdimisht atë çka bën), leximet burra dhe gra, klerikë ose laikë që mirëpresin besimtarët te porta e kishës dhe i shoqërojnë në vendin e tyre, që mbledhinë lekët, që çojnë dhuratat për tu ofruar, të përzgjedhin dhuratat… Dhe në mes të asaj furie, në kundërshtim me Dhjatën e Vjetër dhe me shën Palin, prania e mulier idonea e “femrës ad hoc” që për herë të parë në traditën e Kishës autorizohet të lexojë Shkrimin Shenjtë dhe të bëjë  “shërbesa të tjera e që bëhen nga njerëz jo pjesë të presbiteriumit”. Dhe së fundmi, mania e bashkëcelebrimit : e cila do të shkatërrojë përshpirtërinë eukaristike të priftit dhe do të errësojë figurën qendrore të Krishtit, Prift i vetëm dhe Viktimë, duke e shpërbërë në praninë kolektive të bashkëcelebruesve. 

VI

Ne jemi limituar në një shqyrtim të shkurtër të Rendit të ri të Meshës dhe të devijimeve të tij më të rënda nga teologjia e Meshës Katolike. Vëzhgimet tona që kemi bërë kanë kryesisht karakter tipik. Do duhej një punë më e gjerë për të bërë një vlerësim të plotë të kurtheve, rreziqeve dhe elementeve shpirtërore dhe psikologjike shkatërrimtare që përmban riti i ri. 

 

Kanonet e rinj – të emërtuara “lutje eukaristike” – janë kritikuar shumë herë dhe me autoritet si për formën dhe për përmbajtjen. E dyta prej tyre “Lutja eukaristike II” pat skandalizuar menjëherë besimtarët për shkak të shkurtësisë së saj. Kemi vënë re mes të tjerash se kjo “Lutje eukaristike II” mund të përdoret me qetësi të plotë të ndërgjegjes nga një prift që nuk beson më as në transsubstancionin dhe në as karakterin flijues të Meshës : kjo “lutje eukaristike” mund të shërbejë shumë mirë për celebrimin e një pastori protestant. 

 

Rendi i ri i Meshës (Novus Ordo Missæ) u prezantua në Romë si një “material baritor i bollshëm” dhe si “një tekst më  shumë baritor sesa juridik ”, të cilit Konferencat Ipeshkvore mund t’i bënin, sipas rrëthanave, ndryshime në pëputhje me gjeniun e popujve të ndryshëm. Në të njëjtin Konstitucion Apostolik shkruhet “kemi futur në mesharin e ri variante dhe përshtatje legjitime ”.  

 

Për më tepër, Seksioni I i “Kongregatës për Kultin Hyjnor ”  do jetë përgjegjës për “botimin dhe ripërditësimin e vazhdueshëm të librave liturgjikë ”.  

 

Buletini i fundit i Instituteve liturgjike të Gjermanisë, Zvicrës dhe Austrisë shkruante : “ Tekstet latine tani duhet të përkthehen në gjuhën e popujve të ndryshëm : stili “romak” duhet t’i përshtatet individualitetit të secilës Kishë lokale: ajo çka është ndërtuar në mënyrë të pakohshme duhet të transportohet në kontekstin e ndryshueshëm të situatave kokrete, në fluksin e vazhdueshëm të Kishës Universale dhe të  asambleve të saj të shumta”. 

 

Vetë Konstitucioni Missale romanum, duke dalë kundër vullnetit të shprehur të Koncilit të II të Vatikanit, jep goditje fatale latinishtes si gjuhë universale, duke thënë : “Në një shumëllojshëri kaq të madhe gjuhësh do ngrihet e vetmja (?) lutje e të gjithëve…”. Vdekja e latinishtes jepet pra si një fakt i kryer, kurse ajo e këngës gregoriane rrjedh në mënyrë të pashmangshme : kënga gregoriane që Koncili i II i Vatikanit e njohu si “liturgiae romanae proprium” (kënga e liturgjisë romake)  dhe urdhëroi të ruajë vendin e parë (Sacros. Conc., nr. 116). Liria për të zgjedhur, mes të tjerash,  tekstet e Introitit dhe të Gradualit realizon eliminimin e këngës gregoriane. 

 

Riti i ri prezantohet si pluralist dhe ekperimental, dhe i lidhur me kohën dhe vendin. Duke qënë se uniteti i kultit është tanimë i thyer një herë e përgjithmonë , nuk shohim më se në çfarë mund të konsistojë tashmë uniteti i fesë i cili është i lidhur ngusht me të, dhe për të cilin vazhdojmë të flasim si substanca që duhet mbrojtur pa komprise. 

 

Është e qartë se Riti i ri i Meshës (Novus Ordo Missæ) mohon  të shprehë doktrinën ashtu sikur e ka mësuar Koncili i Trentit, me të cilën ndërgjegjia katolike qëndron për gjithmonë e lidhur. Me SHPALLJEN E RENDIT TË RI TË MESHËS, ÇDO KATOLIK PËRBALLET ME NEVOJËN TRAGJIKE PËR TË BËRË NJË ZGJEDHJE. 

VII

Konsitucioni Missale Romanum flet qartësisht për një pasuri doktrine dhe përshpirtërie që Rendit i ri i Meshës 

(Novus Ordo Missæ) e paska huazuar nga Kishat e Lindjes. 

 

Kjo hua e pretenduar do të ketë si rezultat largimin e besimtarëve të ritit lindor : sepse frymëzimi nga riti lindor është jo vetëm i largët, por krejtësisht i kundërt me frymën e Ritit të ri të Meshës (Novus Ordo Missæ). 

 

Cilët janë në të vërtetë këto huazime që deklarohen të frymëzuara prej ekumenizmit? Në substancë: numri i madh i anaforave (por jo në rendin e bukurinë e tyre) ; në praninë e diakonit ; në kungimin në dy format. 

 

Por duket qartë se kanë dashur të eleminojnë gjithçka që, në liturgjinë romake, ishte e afërt me liturgjinë lindore ; kanë dashur, duke mohuar të pakrahasueshmin e të lashtin karakter romak të liturgjisë, të hedhin poshtë atë çka ishte shpirtërisht më e veçanta dhe më e çmuara e tij. Vendi i tij është zëvëndësuar nga elemente që e afrojnë Rendin e ri të Meshës (Novus Ordo Missæ) me disa rite protestante dhe aspak me ato që ishin më afër me katolicizmit : këta elemente e dëmtojnë liturgjinë romake dhe do ta largojnë akoma më shumë Lindjen, ashtu siç e kemi parë me reformat liturgjike që i kanë paraprirë Rendit të ri të Meshës (Novus Ordo Missæ). 

 

Por, Rendi i ri i Meshës (Novus Ordo Missæ) do të ketë favorin e grupeve afër me apostazinë, të cilët duke sulmuar Kishën në unitetin e doktrinës, të liturgjisë, të moralit dhe të disiplinës, provokojnë një krizë shpirtërore të paprecendent.  

 

VIII

Shën Piu V e pat bërë botimin e Mesharit romak si një vegël të unitetit katolik : vetë Konsitucioni “Missale romanum” e rithotë këtë gjë. Në përputhje me udhëzimet e Koncilit të Trentit, Meshari romak i Shën Piut V duhet të pengonte që të mos futeshin në kultin hyjnor asnjë nga gabimet subtile kundër Fesë, e cila kërcënohej nga Reforma protestante.  

 

Situata ishte kaq e rëndë saqë në asnjë rast tjetër nuk duket se ka qenë më e justifikuar dhe në këtë rast pothuajse profetike formula solemne me të cilën Shën Piu V përfundon Bullën e shpalljes së Mesharit Romak (Quo primum, 19 korrik 1570) : 

“Ai që do guxojë të vendosë dorë kundër kësaj vepre, ta dijë se do të pësojë zemërimin e Hyjit të Gjithëpushtetshëm dhe të lumëve Apostuj Pjetër dhe Pal”. 

 

Kur u prezantua Rendi i ri i Meshës (Novus Ordo Missæ) në sallën e shtypit të Vatikanit, u pohua me shumë guxim se arsyet që nxitën dekretet e Koncilit të Trentit nuk egzistojnë më. 

 

Jo vetëm që ekzistojnë akoma sot, por nuk hezitojmë të themi se sot ka arsye edhe më të rënda. Pikërisht për t’i bërë ballë devijimeve tinëzare që shekull pas shekulli kanë kërcënuar depon e fesë, Kisha ka ngritur përreth atij mbrojtet e frymëzuara të përcaktimeve të saj dogmatike dhe të vendimeve doktrinale të saj. Këto përcaktime dhe këto vendime patën frute të menjëhershme në kult, i cili u bë gradualisht monumenti më i plotë i fesë në Kishë. Dëshira për të risjellë me çdo kusht kultin antik të Kishës duke e ribërë artificialisht, atë që në fillim pati hirin e spontanitetit të hovshëm, është të biesh në gabimin e arkeologjizmit të marrë, i dënuar nga papa Piu XII. Sepse kjo gjë shkakton, ashtu siç e kemi parë fatkeqsisht, zhveshjen e liturgjisë nga të gjitha bukuritë me të cilat u pasurua përshpirtmërisht përgjatë shekujve, dhe zhdukjen e mbrojtjeve teologjike të nevojshme më shumë se kurrë në një moment kritik, ndoshta më kritiku i krejt historisë së Kishës. 

 

Në ditët e sotme, jo jashtë, por brenda katolicizmit egzistenca e ndarjeve dhe skizmave njihet zyrtarisht. Uniteti i Kishës nuk është më vetëm i kërcënuar, por ai është tashmë tragjikisht i kompromentuar. Gabimet kundër fesë nuk janë vetëm të nënkuptuara : ata imponohen prej marrëzive (aberration) e abuzimeve që futen në liturgji.  

 

Braktisja e një tradite liturgjike që ishte përgjatë katër shekujve shenja dhe garancia e unitetit të kultit, zëvëndësimi i saj me një tjetër liturgji që do jetë vetëm shkak përçarje për shkak të liçensave të panumërta që lejon në mënyrë të nënkuptuar, të futjeve dhelpërake që ajo favorizon dhe për shkak të sulmeve të dukshme kundër pastërtisë së fesë : është, ne ndihemi në ndërgjegje të detyruar ta shpalli si, NJË GABIM I PALLOGARITSHËM. 

 

Corpus Domini 

1969 

 


INSTAURARE OMNIA IN CHRISTO