Jeta e Shën Xhulias
Xhulia ishte një virgjëreshë fisnike e Kartagjenës, e cila, kur qyteti iu dorëzua Xhenserikut në vitin 439, u shit si skllave tek një tregtar pagan i Sirisë, i quajtur Eusebius. Nën punët më të rënda në stacionin e saj, me gëzim dhe durim ajo gjeti një lumturi dhe rehati që bota nuk mund ta përballonte. Gjatë kohës që nuk ishte në punë, i përkushtohej lutjes dhe leximit të librave të devotshmërisë.
Pronari i saj, i cili ishte magjepsur nga besnikëria e saj dhe virtytet e tjera, mendoi se ishte e përshtatshme ta merrte me vete në një nga udhëtimet e tij në Gali. Pasi arriti në pjesën veriore të Korsikës, hodhi spirancën dhe shkoi në breg për t’u bashkuar me paganët vendas në një festë idhujtare. Xhulia qëndroi larg, sepse nuk donte të ndotej nga ceremonitë supersticioze të cilat ajo i shante haptaz. Feliksi, guvernatori i ishullit, i cili ishte një pagan fanatik, pyeti se kush ishte kjo grua që guxoi të fyente perënditë. Eusebius e informoi se ajo ishte një e Krishterë dhe se i gjithë autoriteti i tij mbi të ishte shumë i dobët për ta bërë të heqë dorë nga feja e saj, por se ai e gjeti aq të zellshme dhe besnike sa nuk mund të ndahej me të.
Guvernatori i ofroi katër nga skllavet e tij më të mira në këmbim të saj. Por tregtari u përgjigj: “Jo; as krejt pasuria juaj nuk do do blejë atë; sepse më mirë të humbas lirisht gjënë më të vlefshme që kam në botë, sesa të privohem prej saj”. Megjithatë, guvernatori, ndërsa Eusebius ishte i dehur dhe në gjumë, mori përsipër ta detyronte Xhulian të bënte flijime për perënditë e tij. Ai i ofroi në këmbim lirinë e saj nëse ajo do të pranonte. Shenjtja u përgjigj se ajo ishte aq e lirë sa donte të ishte për aq kohë sa i lejohej t’i shërbente Jezu Krishtit.
Feliksi, duke e gjetur veten të përqeshur nga sjellja e saj e padurueshme dhe e vendosur, në tërbim e sipër, urdhëroi që të goditej në fytyrë dhe t’i shkuleshin flokët dhe, së fundi, urdhëroi ta varnin në kryq deri sa të vdiste. Disa murgj të ishullit Gorgon e morën trupin e saj; por në 763 Desiderius, Mbreti i Lombardisë, i mori reliket e saj në Brescia, ku kujtimi i saj kremtohet me shumë përkushtim.
Meditim – Shën Xhulia, qoftë e lirë apo skllave, qoftë në mirëqënie apo në fatkeqësi, ishte po aq e zellshme dhe e devotshme. Ajo i adhuronte të gjitha modelet e ëmbla të Provanisë; dhe larg nga ankimi, ajo nuk pushoi kurrë së lavdëruari dhe falenderuari Zotin nën të gjitha caktimet e Tij të shenjta, duke i bërë ato gjithmonë mjete të virtytit dhe shenjtërimit të saj. Zoti, me një zinxhir të admirueshëm ngjarjesh, e ngriti atë me besnikërinë e saj në nderin e shenjtërisë dhe në dinjitetin e virgjëreshës dhe martires.