Jeta e Shën Donatianit dhe Rogatianit
Jetonte në Nante një fisnik i ri i quajtur Donatian, i cili, pasi mori Sakramentin e shenjtë të Pagëzimit, bëri një jetë shumë të edukuar dhe u përpoq me shumë zell për t’i kthyer të tjerët në Fenë të Krishtit. Vëllai i tij i madh, Rogatiani, nuk ishte në gjendje t’i rezistonte shembullit prekës të devotshmërisë së të vëllait dhe forcës së fjalimeve të tij dhe shprehu dëshirën të pagëzohej. Por pasi Ipeshkvi u tërhoq dhe u fsheh nga frika e persekutimit, ai nuk mundi ta merrte atë sakrament; gjithsesi u pagëzua pak më vonë në gjakun e tij; sepse e deklaroi veten të Krishterë në një kohë kur për të pranuar atë Fe të shenjtë do të thoshte të bëhej kandidat për martirizim.
Donatiani u akuzua për besimin e tij të krishterë dhe për tërheqjen e të tjerëve, veçanërisht vëllait të tij, nga adhurimi i perëndive. Prandaj Donatiani u kap dhe pasi shpalli me guxim Krishtin përpara guvernatorit, u fut në burg dhe e ngarkuan me hekura. Rogatiani u soll para prefektit, i cili u përpoq fillimisht ta fitonte me fjalime lajkatare, por duke hasur në rezistencë të papërkulur, e dërgoi në burg me të vëllanë. Rogatiani u pikëllua që nuk kishte mundur të merrte Sakramentin e Pagëzimit dhe u lut që puthja e paqes që i dha vëllai i tij të mund t’ia siguronte atë.
Donatiani gjithashtu u lut për të që besimi i tij të mund t’i siguronte efektin e Pagëzimit dhe derdhja e gjakut të tij për Sakramentin e Krezmimit. Ata e kaluan natën së bashku në lutje të shumta. Të nesërmen u thirrën sërish nga prefekti, të cilit i deklaruan se ishin gati të vuanin për emrin e Krishtit çfarëdo mundimi që i priste. Me urdhër të gjykatësit çnjerëzor atyre fillimisht u tendosën gjymtyrët, më pas u shpuan duart me shtiza dhe në fund u vranë rreth vitit 287.