Vërtetësia e Fesë Katolike nga shkrimet e Etërve të Kishës
Nga shkrimet e shumta të Etërve të hershëm, të cilat ekzistojnë ende, ne mund të mbledhim lehtësisht dëshmi të padiskutueshme për faktin se Kisha Katolike me Papën e saj në Romë është e njëjta kishë që themeloi Jezu Krishti për shpëtimin e shpirtrave dhe se çdo i krishterë duhet t’i bindet kësaj Kishe.
Shkurtimisht do të citoj disa nga shumë shkrimtarët e aftë të shekujve të hershëm.
SHËN KLEMENTI, të cilin Shën Pali e quan bashkë-punëtor, ishte, sipas Shën Ireneut, pasardhësi i tretë i Shën Pjetrit. Tertuliani na bën me dije se Shën Klementi u shugurua nga Shën Pjetri, Apostulli. Historia na tregon se ai ishte ipeshkvi i Romës kur Shën Gjoni ishte ende ipeshkëv i Efesit. Papa Shën Klementi shkruan kështu: “Apostujt na kanë predikuar ungjillin që e kishin marrë nga Zoti Jezus Krisht; Jezu Krishti nga Zoti. Jezu Krishti, pra, u dërgua nga Hyji dhe Apostujt nga Jezu Krishti.”
SHËN INJACI ishte një dishepull i Shën Gjonit, Apostullit dhe Ungjilltarit, dhe u bë ipeshkvi i tretë i Antiokisë; Shën Pjetri ishte i pari. Shën Injaci pasoi Evodin në Selinë Episkopale të atij qyteti dhe e drejtoi dioqezën deri në mbretërimin e perandorit Trajan. Shën Injaci shkruan: “Këdo që i Zoti i shtëpisë dërgon për të qeverisur shtëpinë e Tij, ne duhet ta pranojmë siç do ta pranonim Atë që e dërgoi. Është e qartë, pra, që ne duhet ta pranojmë ipeshkvin si vetë Zotin. “Bindjuni ipeshkvit dhe priftit me një mendje të qetë, duke thyer Bukën, e cila është ilaçi i pavdekësisë dhe kundërhelmi që të mos vdesim, por të jetojmë përgjithmonë në Jezu Krishtin.” Në një letër dërguar Romakëve ai shkruan: “Buka e Hyjit është ajo që dëshiroj; domethënë mishi i Jezu Krishtit, i cili ishte nga fara e Davidit; dhe për pijen time dëshiroj Gjakun e Tij, domethënë; dashuri e pakorruptueshme.”
SHËN POLIKARPI, na thuhet, u udhëzua nga apostulli Shën Gjon. Vetë dishepulli i tij, Shën Ireneu, thotë: Polikarpi jo vetëm që u mësua nga apostujt dhe kishte patur marrëdhënie me ata që e kishin parë Krishtin, por gjithashtu u emërua ipeshkëv prej tyre mbi Kishën e Smirnës në Azi. Rreth mesit të shekullit të dytë, Shën Polikarpi shkoi në Romë për t’u konsultuar me Papa Anicetin në lidhje me mirëkuptimin e dëshiruar për sa i përket ditës së kremtimit të Pashkëve. Kur Prokonsulli Statius Kuadratus u përpoq ta bindte të hiqte dorë nga Jezu Krishti, Shën Polikarpi u përgjigj: “80 vjet i kam shërbyer dhe Ai nuk më ka bërë kurrë ndonjë të keqe; atëherë si mund të blasfemoj Mbretin tim që më shpengoi?” I therur me një thikë, Shën Polikarpi vdiq për besimin e tij në vitin 155 pas Krishtit.
ORIGJENI, një nga shkrimtarët më pjellorë që ka jetuar ndonjëherë, dhe për të cilin Epifani pohon se ai shkroi gjashtë mijë libra dhe për të cilin Eusebius na thotë se ai mbajti shtatë kopjues të zënë me diktimet e tij. Origjeni ishte një njeri me devotshmëri të vërtetë. Duke qenë njeri prej çeliku, ai mori titullin “Adamantius”. Ai shkruan si më poshtë: “Ashtu sikur ne, pasi kemi arritur të besojmë se Jezu Krishti është Biri i Hyjit dhe se ne duhet të mësojmë të vërtetën prej Tij, kemi pushuar së kërkuari atë të vërtetë mes të gjithë atyre që pretenduan se e kishin me anë të opinioneve të gabuara, duke parë që shumë nga grekët dhe barbarët e premtuan; kështu, meqenëse ka shumë që mendojnë se besojnë gjërat që janë të Krishtit, dhe megjithatë disa nga këto ndryshojnë me ato që ishin para tyre, le të ruhet Mësimi Kishtar i cili është transmetuar nga Apostujt dhe pasardhësit e tyre dhe që ka mbetur në Kisha edhe sot e kësaj dite. Vetëm kjo duhet besuar si e vërteta e cila në asgjë nuk ndryshon nga tradita kishtare dhe apostolike.”
Përsa i përket Shën Pjetrit, Origjeni deklaron: “Ja çfarë i thotë Zoti atij themeli të madh të Kishës, atij shkëmbi më të fortë mbi të cilin Krishti themeloi Kishën e Tij.” Vdiq në Tyr, Afrikë, në vitin 254, në moshën 70-vjeçare, nga torturat e bëra gjatë kohës që ishte në burg për besimin e tij.
TERTULIANI, një prift në Kartagjenë, i cili vdiq rreth vitit 240, vlerësohet shumë nga të gjithë studentët e patrologjisë për origjinalitetin e shkrimeve të tij. Ai dinte t’i trajtonte çështjet më të vështira të teologjisë morale dhe dogmatike në mënyrë koncize. Vini re se çfarë thotë ai: “Nuk është e ligjshme për ne të prezantojmë diçka sipas zgjedhjes sonë, apo edhe të zgjedhim atë që dikush mund të ketë paraqitur sipas zgjedhjes së tij. Ne kemi si autoritet Apostujt e Zotit, të cilët vetë nuk zgjedhën asgjë me vullnetin e tyre për ta prezantuar, por besnikërisht ua dorëzuan plotësisht kombeve doktrinën që ata kishin marrë nga Krishti”
SHËN QIPRIANI, i cili në vitin 248 u shugurua ipeshkëv i Kartagjenës, shkroi disa traktate mbi tema fetare dhe rreth gjashtëdhjetë e pesë letra, kryesisht që trajtonin çështjet teologjike të kohës së tij. Ai mori kurorën e martirizimit si një nga ipeshkvit më të lavdishëm të Kishës Katolike. Për heretikun Novatian Shën Qipriani thotë si vijon: “Njeriu, pavarësisht nga tradita e Zotit, pavarësisht harmonisë së Kishës Katolike, përpiqet të krijojë një kishë njerëzore dhe i dërgon apostujt e tij të rinj nëpër qytete të ndryshme me qëllim që të vendosë disa themele të reja të institucionit të vet.”
Ai vazhdon: “Ai nuk mund ta ketë më Zotin për Atin e tij, nëse nuk ka Kishën për Nënën e tij.” Dhe përsëri ai thotë: “Sepse, megjithëse jemi shumë barinj, ne kullosim vetëm një tufë; dhe ne duhet të mbledhim e t’i ruajmë të gjitha delet që Krishti ka blerë me gjakun e Tij dhe me mundimin e Tij të hidhur.”
LAKTANTIUS, Ciceroni i krishterë, ishte për ca kohë gjatë viteve të tij të mëvonshme mësuesi i fatkeqit Krispus, djalit të perandorit Konstantin. Ky shkrimtar klasik vdiq rreth vitit 330. Ashtu si Origjeni, Tertuliani dhe Shën Qipriani, ai ishte një vendas i Afrikës. Vini re se çfarë thotë ai: “Kisha Katolike pra është e vetmja që ruan adhurimin e vërtetë. Ajo është burimi i së vërtetës; ajo është vendbanimi i Fesë; ajo është tempulli i Hyjit; kushdo që nuk hyn në këtë tempull ose kushdo që largohet prej saj, bëhet i huaj për shpresën e jetës dhe për shëlbimin e përjetshëm.”
SHËN EUSEBIUS, ipeshkvi i Cezaresë, i cili vdiq rreth vitit 340, quhet “Ati i Historisë së Kishës.” Ai shkroi një vepër jashtëzakonisht të vlefshme në dhjetë libra mbi Historinë e Kishës që nga themelimi i saj nga Krishti deri në vitin 323. Ndër shkrimet e tij të shumta gjejmë: “Shëlbuesi ka thënë: ‘Unë do të ndërtoj Kishën time mbi një shkëmb dhe portat e ferrit nuk do të triumfojnë mbi të.’ Pastaj vazhdon: “Sepse ndërsa sekt pas sekti shfaqeshin me risitë e tyre, paraardhësit e tyre gjithmonë u zhdukën dhe ndarja në forma të shumta i solli në shkatërrim në një mënyrë ose tjetër. Kisha e vetme e vërtetë, e lavdishme, Katolike, përkundrazi, duke mbetur gjithnjë e patundur dhe gjithmonë e njëjta në të gjitha gjërat, vazhdoi të rritet dhe të zhvillohet; duke shfaqur në dritë të shkëlqyer nderimin dhe pastërtinë e doktrinës së saj hyjnore dhe mënyrën e jetesës.”
SHËN ATHANASI, Patriarku i Aleksandrisë, i quajtur me të drejtë Ati i Ortodoksisë dhe i quajtur i Madhi, ishte një njeri me prirje shumë të dashur. Na thuhet se ai e dinte përmendsh pothuajse të gjithë Biblën e Shenjtë. Për shkak të zilisë dhe urrejtjes së Arianëve ai u dërgua në mërgim pesë herë, por kthimi i tij ishte gjithmonë një rast gëzimi i madh për besimtarët. Në letrën e tij të parë drejtuar Serapionit lexojmë: “Por vështirë se do të jetë e papërshtatshme të hetojmë gjithashtu traditën e lashtë, doktrinën dhe besimin e Kishës Katolike, të cilat Zoti i komunikoi, Apostujt shpallën dhe Etërit i ruajtën; sepse mbi to është themeluar Kisha dhe nëse dikush i braktis këto, ai në asnjë mënyrë nuk mund të jetë i Krishterë, madje as të quhet më i tillë.” Ai vdiq si Patriark i Aleksandrisë më 2 maj 373 pas Krishtit.
SHËN HILARI I POITERS, si shumë të tjerë, u konvertua nga paganizmi në krishterim me anë të leximit të Shkrimit të Shenjtë. Ndër disa nga shkrimet e tij kemi: “O rojtar i bekuar i portës së Qiellit, autoritetit të të cilit i janë dorëzuar çelësat e portaleve të përjetshme; gjykimi i të cilit në tokë është një autoritet i paragjykuar në qiell, në mënyrë që gjërat që janë të zgjidhura ose të lidhura në tokë nga ai mund të marrin në Parajsë të njëjtë ujdi.” Dhe përsëri shkruan fjalët me rëndësi të madhe: “Me siguri, mirësia jote duhet të dëgjojë zërin e atyre që thërrasin, unë jam katolik, nuk do të jem heretik; Unë jam një i krishterë, jo një Arian, dhe më mirë të vuaja vdekjen në këtë botë, sesa të shkelja virgjërinë e pastër të së vërtetës për shkak të fuqisë dominuese të ndonjë individi të caktuar.” Ai vdiq si ipeshkëv i Poitiers më 13 Janar, 366 pas Krishtit.
SHËN EFRAIMI është quajtur Mësues i Botës, Lira e Shpirtit të Shenjtë dhe Shtylla e Kishës. Shën Jeronimi thotë se shumë nga shkrimet e tij u lexuan nëpër kisha. Ja disa nga fjalët e tij: “Ti ke ndërtuar gjithashtu një Kishë në tokë që i ngjan Kishës Triumfuese në Qiell; themelet e saj janë dashuria që të shtyu ta themelosh dhe hiri drejtues në përfundimin e saj. E ke marrë gjithashtu si bashkëshorten Tënde dhe ke e bëre tënden me çmimin e gjakut Tënd. I bekuar qoftë ai i zgjedhuri që ka zgjedhur Kishën Katolike, ai qengj i shenjtë që ujku gllabërues nuk e ka ngrënë”. Ai vdiq në vitin 373 pas Krishtit.
SHËN JERONIMI, i lindur në vitin 331 dhe i pagëzuar nga Papa Liberius rreth vitit 364 dhe shuguruar meshtar nga ipeshkvi Paulinus i Antiokisë në vitin 379, me kërkesë të veçantë të Papa Damasit ai ndërmori punën monumentale për përgatitjen e një përkthimi latinisht më të saktë të të gjithë Biblës. Ai shkruan si vijon: “Vendimi im është të lexoj të lashtët, të përpiqem me çdo forcë për të ruajtur atë që është e mirë dhe të mos largohemi nga besimi i Kishës Katolike. Nuk do të humbasin ata që banojnë në tokë dhe që pushojnë në Kishën që është vendbanimi i Atit dhe i Birit dhe i Shpirtit të Shenjtë.” Shën Jeronimi vdiq në vitin 420 pas Krishtit
SHËN AGUSTINI, ipeshkvi i Hippos, konsiderohet nga shumë njerëz si më i madhi i Etërve të lashtë të Kishës dhe më i madhi i Mësuesve të saj. Për aftësinë krijuese ai krahasohet me Tertulianin; për opinionet kishtare me Shën Qiprianin; dhe për arsyetimin me madhështinë e Platonit. Ai është autor i nëntëdhjetë e tre veprave në 232 libra, pa llogaritur traktet dhe letrat e shumta. Shkrimet e tij janë pasqyrimi besnik i mësimeve të Kishës. Arsyet e shumta që e mbajnë në Kishën Katolike i mbron me këto fjalë: “Marrëveshja e popujve dhe e kombeve më mban, më mban një autoritet i nisur me mrekulli, i ushqyer me shpresë, i shtuar me dashuri dhe i forcuar nga lashtësia. Vazhdimësia e priftërinjve nga vetë froni i Pjetrit, Apostullit, të cilit Zoti, pas ringjalljes së Tij, ia caktoi delet e Tij për ti ushqyer, madje edhe deri në pontifikatin e sotëm…kjo më mban. Së fundi, vetë emri i Kishës Katolike më mban. Prandaj, këto lidhje të emrit të Krishterë, kaq të shumta, kaq të fuqishme dhe kaq të dashura, e mbajnë me të drejtë një njeri në Kishën Katolike.” Shën Agustini vdiq në vitin 430 pas Krishtit