Jeta e Shën Agustinit të Kanterburit
Shën Agustini i Kanterburit ishte një misionar që ri-ungjillëzoi Anglinë në fund të shekullit të gjashtë nëpërmjet aftësive të tij administrative dhe besimit mrekullibërës.
Kur romakët u tërhoqën nga Anglia në vitin 410, Anglezët mbetën të pambrojtur ndaj sulmeve të fiseve Gjermanike Saksone. Besimi kishte ardhur në Angli me romakët, dhe u ndalua kur ata u larguan.
Në vitin 596, Papa Shën Gregori i Madh vendosi se ishte koha për të ri-ungjillizuar Anglinë, pasi mori lajmin se Kisha do të mirëpritej nga mbretërit atje. Ai dërgoi 30 misionarë nga manastiri të cilit i përkiste, duke përfshirë edhe udhëheqësin e komunitetit, Agustinin.
Grupi mbërriti në veri të Francës dhe u paralajmërua që të mos kalonin kanalin për në Angli për shkak të rrezikut të udhëtimit dhe egërsisë së njerëzve atje. Të dekurajuar, Agustini dhe grupi u kthyen në Romë, por Papa Gregori i ktheu prap duke u thënë: “Shkoni, në emër të Zotit! Sa më të mëdha të jenë vështirësitë tuaja, aq më e madhe është kurora juaj. Hiri i Zotit të Plotfuqishëm ju ruajtë dhe më dhashtë mundësinë të shoh frytin e punës suaj në qiell! Nëse nuk mund të ndaj mundin tuaj, unë do të ndajn akoma të korrat, sepse Hyji e di se vullneti i mirë nuk është ajo që mungon”
Ata zbritën në Thanet dhe u pritën nga mbreti vendas, i cili do të pagëzohej dhe më vonë do të kurorëzohej vetë shenjt – Shën Ethelberti. Ai ishte i hapur ndaj misionit të tyre, u dha përdorimin e një kishe lokale të papërdorur dhe u dha leje për të mësuar besimin.
Puna e tyre ndihmoi besimin që të zërë rrënjë në rajon, vetë mbreti u pagëzua dhe Agustini u ngrit në pozitën e arqipeshkvit. Ethelberti i dha Agustinit tokë në Kanterburi për një kishë, ku ai ndërtoi Kishën e Krishtit dhe një abaci që tani mban emrin e tij. Kisha u përhap në Angli dhe u krijuan dioqeza të reja në Londër dhe Roçester.
Agustini i kaloi vitet e tij të fundit duke konsoliduar komunitetet besnike që kishin qenë në fshehje dhe duke administruar Kishën në rritje. Nën drejtimin e Gregorit, ai nuk shkatërroi tempujt paganë, por i shenjtëroi për përdorim të Krishterë; dhe ruajti zakonet dhe festat lokale, duke i përdorur ato si raste për të festuar besimin e krishterë.
Korrespondenca e tij e detajuar me Papa Gregorin përshkroi mrekullitë që u bënë përmes ndërmjetësimit të tij.
Kisha anglo-saksone, të cilën ai e themeloi, është ende e famshme për mësimin, zellin dhe përkushtimin e saj ndaj Selisë së Shenjtë, ndërsa kalendari i saj përkujton jo më pak se 300 shenjtër, gjysma e të cilëve ishin me origjinë mbretërore.
Meditim —Vepra e një apostulli është vepra e dorës së djathtë të Hyjit. Ai shpesh zgjedh instrumente të dobëta për qëllimet e Tij më të fuqishme. Parashikimi më i sigurt i suksesit të qëndrueshëm në punën misionare është bindja ndaj eprorëve dhe mosbesimi në vetvete.