Maria - Mbretëresha e Qiellit dhe Tokës
Papa Piu XII në Enciklikën Papale Ad Caeli Reginam shpalli doktrinën tradicionale mbi Marinë Mbretëreshë dhe themeloi këtë festë për Kishën Katolike.
I bekuari Papa Piu IX tha për Mbretëreshën Mari: “Duke kthyer zemrën e Saj amnore drejt nesh dhe duke u marrë me çështjen e shpëtimit tonë, ajo shqetësohet për të gjithë racën njerëzore. E caktuar nga Zoti si Mbretëresha e Qiellit dhe e Tokës, dhe e lartësuar mbi të gjitha koret e engjëjve dhe radhët e shenjtërve në Qiell, duke qëndruar në të djathtë të Birit të Saj të vetëm, Zotit tonë Jezu Krisht, ajo lutet më fuqishëm me lutjet e Saj amnore, dhe Ajo merr atë që kërkon.”
Papa Piu XII shtoi si vijon: “Ne urdhërojmë që në festë të ripërtërihet kushtrimi i racës njerëzore Zemrës së Papërlyer të Virgjëreshës së Bekuar. Mbi këtë bazohet një shpresë e madhe se do të lindë një epokë lumturie që do të gëzohet në triumfin e Fesë dhe në paqen e Krishterë”
“Prandaj, le t’i afrohen të gjithë me besim më të madh se më parë, te froni i mëshirës dhe hirit të Mbretëreshës dhe Nënës sonë për të kërkuar ndihmë në vështirësi, dritë në errësirë dhe ngushëllim në telashe dhe pikëllim…
“Kushdo, pra, që nderon Zonjën sundimtare të engjëjve dhe njerëzve – dhe askush të mos mendojë se është i përjashtuar nga pagesa e atij lëvdimi të një shpirti mirënjohës dhe të dashur – le ta thërrasë atë si Mbretëreshën më të vërtetë dhe si Mbretëreshën që sjell bekimet e paqes, që ajo të na tregojë të gjithëve, pas këtij mërgimi, Jezusin, i cili do të jetë paqja dhe gëzimi ynë i përhershëm.”
Që në kohët e hershme të krishterët kanë besuar, dhe jo pa arsye, se ajo prej së cilës lindi Biri i Shumë të Lartit, mori privilegje hiri mbi të gjitha qeniet e tjera të krijuara nga Hyji. Ai “do të mbretërojë përgjithmonë në shtëpinë e Jakobit”, “Princi i Paqes”, “Mbreti i Mbretërve dhe Zoti i Zotërve.” Dhe kur të krishterët reflektuan mbi lidhjen intime që krijohet midis një nëne dhe një biri, ata pranuan me lehtësi dinjitetin më të lartë mbretëror të Nënës së Zotit.
Prandaj nuk është për t’u habitur që shkrimtarët e hershëm të Kishës e quajtën Marinë “Nëna e Mbretit” dhe “Nëna e Zotit”, duke e bazuar qëndrimin e tyre në fjalët e kryeengjëllit Shën Gabriel, i cili paratha se Biri i Marisë do të mbretëronte përgjithmonë, dhe me fjalët e Elizabetës, e cila e përshëndeti me nderim dhe e quajti “Nëna e Zotit tim.” Në këtë mënyrë ata nënkuptuan qartë se ajo kishte njëfarë pozitë të lartësuar nga dinjiteti mbretëror i Birit të saj.
Kështu, Shën Efremi, i djegur nga frymëzimi poetik, e paraqet atë duke folur në këtë mënyrë: “Qielli le të më mbaj, sepse Unë jam nderuar mbi të. Sepse qielli nuk ishte nëna Jote, por ti e bëre atë fronin Tënd. Sa më e nderuar dhe më e lumë se froni i një mbreti është nëna e Tij.” Dhe në një vend tjetër ai kështu i lutet asaj: “… Shërbëtorja madhështore dhe Qiellore, Zonjë, Mbretëreshë, më ruaj dhe më mbaj nën krahët e tu, që Satanai, mbjellësi i shkatërrimit, të mos lavdërohet mbi mua, që armiku im i lig të mos fitojë kundër meje.”
Shën Gregori Nazianzen e quan Marinë “Nëna e Mbretit të universit” dhe “Nënën e Virgjër që solli Mbretin e gjithë botës”, ndërsa Prudentius pohon se Nëna mrekullohet “se ajo ka sjellë Zotin si njeri, madje edhe si Mbret Suprem.”
Dhe ky dinjitet mbretëror i Virgjëreshës Mari tregohet mjaft qartë nëpërmjet pohimit të drejtpërdrejtë nga ata që e quajnë atë “Zonjë”, “Sundimtare” dhe “Mbretëreshe”.
Në një nga predikimet që i atribuohen Origjenit, Elizabeta e quan Marinë “Nëna e Zotit tim”. madje i drejtohet asaj si “Ti, Zonja ime”.
E njëjta gjë gjendet edhe në shkrimet e Shën Jeronimit ku ai bën këtë deklaratë mes interpretimeve të ndryshme të emrit të Marisë: “Duhet të kuptojmë se Maria do të thotë Zonjë në gjuhën siriane”. Pas tij Shën Gojarti thotë të njëjtën gjë më qartë në këto fjalë: “Fjala hebraike “Mari” do të thotë “Domina”. Prandaj Engjëlli i drejtohet asaj si ‘Zonjë’ për të përjashtuar çdo frikë në Nënën e Zotit, e cila lindi dhe u quajt ‘Zonjë’ me autoritetin dhe urdhrin e Birit të saj.”
Për më tepër, Epifanius, ipeshkvi i Kostandinopojës, duke i shkruar Papa Hormisdasit, thotë se ne duhet të lutemi që harmonia e Kishës të ruhet “me anë të hirit të Trinisë së shenjtë dhe konsubstanciale dhe me lutjet e Marisë, Zojës, dhe Virgjëreshës dhe Nënës së shenjtë dhe të lavdishme të Zotit.”
Virgjëresha e Bekuar, e ulur në të djathtën e Hyjit për t’u lutur për ne, përshëndetet nga një shkrimtar tjetër i së njëjtës epokë me këto fjalë, “Mbretëresha e njeriut të vdekshëm, Nëna më e shenjtë e Hyjit.”
Shën Andrea i Kretës shpeshherë ia atribuon dinjitetin e një mbretëreshe Virgjëreshës Mari. Për shembull, ai shkruan: “Sot Ai transporton nga banesa e saj tokësore, si Mbretëreshë e racës njerëzore, Nënën e Tij gjithmonë të Virgjër, nga barku i së cilës Ai, Zoti i gjallë, mori trajtë njerëzore”.
Dhe në një vend tjetër ai flet për “Mbretëreshën e të gjithë racës njerëzore besnike ndaj kuptimit të saktë të emrit të saj, e cila është e lartësuar mbi çdo gjë, përveç vetë Zotit”.
Po kështu, Shën Gjermanus i flet Virgjëreshës së përulur me këto fjalë: “Fronëzoju, Zonjë, sepse është e përshtatshme që të ulesh në një vend të lartësuar, pasi je një Mbretëreshë dhe e lavdishme mbi të gjithë mbretërit.” e quan atë “Mbretëresha e të gjithë atyre që banojnë në tokë”.
Ajo quhet nga Shën Gjon Damasku “Mbretëreshë, Sundimtare dhe Zonjë”, dhe gjithashtu “Mbretëresha e çdo krijese.” Mbretëresha e përhershme pranë Mbretit, djali i saj, “balli i bardhë si bora i të cilës kurorëzohet me një kurorë të artë”.
Dhe së fundi Shën Ildefonsi i Toledos mbledh së bashku pothuajse të gjithë titujt e saj të nderit në këtë përshëndetje: “O Zoja ime, Sovranja im, Ti që sundon mbi mua, Nëna e Zotit tim… Zonjë mes shërbëtoreve, Mbretëreshë mes motrave.”
Teologët e Kishës, duke e nxjerrë mësimin e tyre nga këto dhe dëshmi të tjera pothuajse të panumërta të dhëna shumë kohë më parë, e kanë quajtur Virgjëreshën më të Bekuar Mbretëresha e të gjitha krijesave, Mbretëresha e botës dhe Sundimtare e të gjithave.
Barinjtë Suprem të Kishës e kanë konsideruar si detyrën e tyre të promovojnë me lavdi dhe nxitje përkushtimin e popullit të krishterë ndaj Nënës dhe Mbretëreshës qiellore. Thjesht, duke kaluar mbi dokumentet e Papëve më të fundit, është e dobishme të kujtojmë se qysh në shekullin e shtatë, paraardhësi ynë Shën Martini I e quajti Marinë “Zonja jonë e lavdishme, gjithnjë Virgjëreshë”.