Sancta Maria, Mater Dei,
ora pro nobis peccatoribus

Rrëshajët

Dita e madhe, e cila përmbush punën që Zoti kishte nisur për racën njerëzore, më në fund, shkëlqeu mbi botën. Ditët e Pentekostit (50 ditshi), siç thotë Shën Luka, janë përmbushur. (Veprat 2:1) Ne kemi pasur shtatë javë që nga Pashka; dhe tani vjen dita e numrit të mistershëm të Pesëdhjetë. Kjo ditë është e diela, e shenjtëruar nga Krijimi i Dritës në Zanafillë dhe nga Ringjallja e Jezusit; kjo ditë është gati të marrë shenjtërimin e saj përfundimtar dhe të na sjellë plotësinë e Hyjit. (Efes. 3:19)

 

Në Ligjin e Vjetër dhe simbolik, Hyji parashikoi lavdinë që do t’i takonte, në një periudhë të ardhshme, Ditës së Pesëdhjetë.
Izraeli kishte kaluar ujërat e Detit të Kuq, falë fuqisë mbrojtëse të Qengjit të Tij të Pashkëve. Shtatë javë kaluan në Shkretëtirë, e cila të çonte në Tokën e Premtuar; dhe pikërisht e nesërmja e atyre shtatë javëve ishte dita kur u bë Besëlidhja midis Hyjit dhe popullit të Tij.
Dita e Rrëshajëve (Dita e Pesëdhjetë) u nderua me shpalljen e Dhjetë Urdhërimeve të Ligjit Hyjnor; dhe çdo vit, izraelitët kremtonin ngjarjen e madhe me një festë solemne.
Por Rrëshajët e tyre ishin simbolike, ashtu si Pashkët e tyre: duhej të kishte një Rrëshajë të dytë për të gjithë njerëzit, siç do të kishte një Pashkë të dytë për Shëlbimin e të gjithë botës. Pashka, me të gjitha gëzimet e saj triumfuese, i përket Birit të Hyjit, Pushtuesit të vdekjes: Rrëshaja i përket Shpirtit të Shenjtë, sepse është dita në të cilën Ai filloi misionin e Tij në këtë botë, e cila, këtej e tutje, do të ishte nën Ligjin e Tij.

 

Por, sa të ndryshme janë dy Rrëshajët! Ajo, mbi shkëmbinjtë e thyer të Arabisë, mes bubullimave dhe vetëtimave, shpall një Ligj që është shkruar në pllaka guri; E dyta është në Jeruzalem, mbi të cilin zemërimi i Hyjit nuk është shfaqur ende, sepse Ai ende përmban brenda mureve të tij frytet e para të atij populli të ri, mbi të cilin do të mbretërojë Fryma e Dashurisë.
Në këtë Rrëshajë të dytë, qiejt nuk janë të mbuluar me re dhe as zhurma e bubullimës nuk dëgjohet; zemrat e njerëzve nuk goditen nga frika, si atëherë kur Hyji foli në Sinai; pendimi dhe mirënjohja, këto janë ndjenjat që tani janë më të lartat.
Një zjarr hyjnor digjet brenda shpirtrave të tyre dhe do të përhapet në të gjithë botën. Zoti ynë Jezus kishte thënë: Unë erdha ti vë zjarrin tokës dhe sa dëshiroj që ajo të ishte tashmë e ndezur? (Luka 12:49) Ora për përmbushjen e kësaj fjale ka ardhur: Shpirti i Dashurisë, Shpirti i  Shenjtë, Flaka e përjetshme e pakrijuar, do të zbresë nga Parajsa dhe do të realizojë planin e mëshirshëm të Shëlbuesit tonë.

 

Jerusalemi është i mbushur me pelegrinët, të cilët janë dyndur atje nga çdo vend i botës pagane. Ata ndjejnë një pritje të çuditshme misterioze që vepron në shpirtrat e tyre. Ata janë hebrenj dhe vijnë nga çdo vend i huaj ku Izraeli ka themeluar një sinagogë; ata kanë ardhur për të festuar festat e Pashkëve dhe të Rrëshajëve. Azia, Afrika, madje edhe Roma, kanë këtu përfaqësuesit e tyre. Mes këtyre judenjve, do të shihen shumë johebrenj, të cilët, nga dëshira për t’i shërbyer Hyjit më besnikërisht, kanë pranuar Ligjin dhe zbatimet e Moisiut; quhen prozelitë (të kthyer në fe). Ky fluks të huajsh, të cilët kanë ardhur në Jerusalem nga dëshira për të zbatuar Ligjin, i jep qytetit një pamje si Babeli, sepse çdo komb ka gjuhën e vet.
Megjithatë, ata nuk janë nën ndikimin e krenarisë dhe paragjykimeve, siç janë banorët e Judesë; as nuk e kanë njohur apo refuzuar Mesinë, si këta të fundit, as nuk kanë blasfemuar veprat e Tij me të cilat Ai ka dhënë dëshmi për karakterin e Tij Hyjnor. Mund të ndodhë që ata morën pjesë me judenjtë e tjerë në thirrjet për vdekjen e Jezusit, por ata u nxitën nga kryepriftërinjtë dhe magjistratët e Jeruzalemit, të cilin ata e nderonin si qytetin e shenjtë të Hyjit, dhe në të cilin asgjë tjetër veçse motivet fetare i kishin sjellë.

 

Është ora e tretë e ditës (pra, ora nëntë e mëngjesit), ora e caktuar nga gjithë përjetësia për përmbushjen e një dekreti hyjnor. Papritur dëgjohet zhurma e një ere të fortë që vjen nga Parajsa. I tremb njerëzit në qytet dhe e mbush dhomën ku Apostujt dhe Dishepujt fshiheshin (Dhoma ku Krishti themeloi Sakramentin e Eukaristisë) me frymën e tij të fuqishme.
Njëqind e njëzet Dishepujt që janë brenda ndërtesës ndjejnë brenda tyre atë emocion misterioz, për të cilin Mjeshtri i tyre dikur tha: “Shpirti frynë ku të dojë dhe ti dëgjon zërin e tij”.
Kështu kjo Frymë nga qielli do të përshkojë botën nga fundi në fund, duke thyer çdo pengesë që do të dilte në rrugën e Saj.

 

Një rrëbesh i heshtur bie në Shtëpi; është një shi zjarri, i cili, siç thotë Kisha e Shenjtë, “nuk djeg, por ndriçon; nuk konsumon, por shkëlqen.” Flakët e zjarrit, në formën e gjuhëve, qëndrojnë mbi kokat e njëqind e njëzet Dishepujve: është Shpirti i Shenjtë që i zotëron të gjithë. Të gjithë i përkasin tani Shpirtit që ka zbritur mbi ta. Mbretëria e Tij ka filluar; ajo manifestohet dhe pushtimet e saj do të jenë të shpejta dhe të lavdishme.

 

Por le të shqyrtojmë simbolin e zgjedhur për të përcaktuar këtë ndryshim hyjnor. Ai që u shfaq nën formën e dashur të një Pëllumbi me rastin e Pagëzimit të Jezusit në Jordan, tani shfaqet nën atë të Zjarrit. Ai është Shpirti i Dashurisë, dhe Dashuria nuk është vetëm e butë dhe e ndjeshme, ajo është gjithashtu e zjarrtë. Tani, pra, që bota është nën ndikimin e Shpirtit të Shenjtë, ajo duhet të jetë në zjarr dhe zjarri nuk duhet të kontrollohet.
Dhe pse kjo formë e gjuhëve? Për të treguar se zjarri qiellor duhet të përhapet me anë të fjalës. Këta njëqind e njëzet Dishepuj duhet veç të flasin për Birin e Hyjit të krijuar Njeri, Shëlbuesin tonë; për Shpirtin e Shenjtë, i Cili ripërtërin shpirtrat tanë; dhe për Atin qiellor, i Cili na do dhe na adopton si fëmijët e Tij. Fjala e tyre do të gjejë mijëra besimtarë dhe mikpritësa. Ata që e marrin atë do të bashkohen të gjithë në një Fe; ata do të quhen Kisha Katolike, domethënë universale, ekzistuese në të gjitha vendet dhe kohët. Jezusi kishte thënë: “Shkoni, mësoni të gjitha kombet!” (Mat. 28:19)

Shpirti i Shenjtë sjell nga qielli edhe gjuhën që do të mësojë, edhe zjarrin (dashurinë e Hyjit dhe të njerëzimit) që duhet t’i japë ngrohtësi dhe efikasitet mësimit. Kjo Gjuhë dhe Zjarr u jepen tani këtyre Dishepujve të parë, të cilët, me ndihmën e Shpirtit të Shenjtë, do t’ua transmetojnë ato të tjerëve. Kështu do të jetë deri në fund të kohës.

 

Megjithatë, një pengesë e kundërshton misionin që në fillim. Që nga çoroditja në Babel, ka pasur aq gjuhë sa kombe; komunikimi me fjalë është ndërprerë. Atëherë, si mund të bëhet fjala instrument i pushtimit të botës dhe të krijohet një familje nga të gjitha këto kombe, të cilët nuk mund ta kuptojnë njëri-tjetrin?
Mos kini frikë: Shpirti i Shenjtë është i gjithëfuqishëm dhe është kujdesur për këtë vështirësi. Bashkë me dhuntitë e tjera me të cilat Ai ka pasuruar njëqind e njëzet Dishepujt, Ai u dha atyre aftësinë të kuptojnë të gjitha gjuhët dhe të kuptohen në çdo gjuhë.

 

Fryma e Dashurisë e ka anuluar ndarjen e Babelit; njerëzit janë bërë edhe një herë vëllezër nga uniteti i gjuhës.
Sa e bukur je, Kisha e dashur e Zotit tonë! Deri më tani, funksionet e Shpirtit të Shenjtë kanë qenë të kufizuara; por tani, Ai fryn lirisht ku të dojë; Ai të nxjerr në sy të njerëzve me anë të kësaj mrekullie. Ti je imazhi i asaj që ishte kjo tokë, kur të gjithë banorët e saj flisnin të njëjtën gjuhë. Shkëlqimi nuk duhet të ndalet me ditën e Rrëshajëve, as me Dishepujt që janë marrësit e parë të saj.
Kur Apostujt të kenë përfunduar jetën dhe predikimin e tyre, dhurata e gjuhëve, të paktën në formën e saj të mrekullueshme, do të pushojë, sepse nuk ju nevojitet më: por ti, o Kisha e Krishtit! do të vazhdosh të flasësh të gjitha gjuhët, madje deri në fund të kohës, që ti të banosh në çdo vend. I njëjti besim duhet të shprehet në gjuhën e çdo vendi; dhe kështu e transformuar, mrekullia e Rrëshajve do të mbahet përgjithmonë brenda teje, si një nga shenjat e tua karakteristike.

 

“Sot, ne duhet të marrim vendimin për të punuar në mënyrë që të sjellim Mbretërinë e Zotit tonë Jezu Krisht dhe prej hirit të Shpirtit të Shenjtë, është vullneti i Tij që ne të mund të realizojmë mbretërimin e Zotit tonë brenda nesh, brenda familjeve tona dhe brenda shoqërisë.
Le t’i premtojmë Zotit tonë se do të punojmë për këtë mbretëri. Ekziston një shembull i vogël për këtë në Shkrimin e Shenjtë, një shembull i vogël por me rëndësi të madhe, i përmendur gjatë dyzet ditëve që Zoti ynë ishte nën praninë e Apostujve të Tij pas Ringjalljes: ajo që Ai tha atëherë duhet të ketë qenë e një rëndësie të madhe siç mund ta imagjinoni – Apostujt ishin gati të themelonin Kishën, Zoti ynë do t’i linte pas disa ditësh! Prandaj, fjalët e fundit të Zotit tonë duhet të kenë qenë jashtëzakonisht të rëndësishme.
Për çfarë u foli Zoti ynë atyre? De Regno Dei. Rreth Mbretërisë së Hyjit. Kjo është gjithçka, kaq e thjeshtë dhe megjithatë kaq e plotë; gjithçka përmbahet në këto dy fjalë. Dhe për ne, gjithashtu, e vetmja gjë që duhet të duam, e vetmja gjë që duhet të dëshirojmë është Mbretëria e Hyjit. U bëftë kjo Mbretëri brenda nesh, ardhtë në tokë, siç është në qiell, siç themi në “Ati ynë”.

 

Le t’i lutemi Virgjëreshës së Bekuar; Papa Plu XII, duke ripohuar atë që Etërit e hershëm kishin thënë, na kujtoi se ishte nëpërmjet Zojës së Bekuar që hiri i Shpirtit të Shenjtë erdhi te Apostujt në ditën e Rrëshajëve; ajo ishte e mbushur me Shpirtin e Shenjtë dhe kështu nuk mund ta merrte Atë më me bollëk sesa e kishte tashmë. Prandaj, nuk ishte Virgjëresha e Bekuar ajo që ishte objekt i zbritjes së Shpirtit të Shenjtë në Rrëshajë, por ishte nëpërmjet lutjes së saj dhe nëpërmjet vuajtjes së saj të bashkuar me atë të Birit të saj, Zotit tonë Jezu Krisht, që Apostujt morën Shpirtin e Shenjtë.
Le ti kërkojmë, pra, Virgjëreshës së Bekuar, Nënës sonë Qiellore, plot me hirin e Shpirtit të Shenjtë, të na i transmetojë me bollëk këto dhurata.

 

Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë. Amen.” – Monsignor Marcel Lefebvre