Jeta e Shën Anton Maria Zakaria
Në të njëjtën kohë që Martin Luteri po sulmonte Kishën, tashmë po tentohej një reformim brenda Kishës. Ndër shtytësit e hershëm të Kundër-Reformës ishte Antonio Zakaria. Nëna e tij u bë e ve në moshën 18-vjeçare dhe iu përkushtua edukimit shpirtëror të djalit të saj. Ai mori një doktoraturë në mjekësi në moshën 22-vjeçare dhe ndërsa punonte mes të varfërve të vendlindjes së tij në Kremona të Italisë, u tërhoq nga jeta fetare. Ai hoqi dorë nga të drejtat e tij për çdo trashëgimi të ardhshme, punoi si katekist dhe u shugurua prift në moshën 26-vjeçare. I thirrur në Milano pas pak vitesh, ai hodhi themelet e tre kongregacioneve fetare, një për burra, një për gra, dhe një shoqatë çiftesh të martuara. Synimi i tyre ishte reformimi i shoqërisë dekadente të kohës së tyre, duke filluar nga klerikët, fetarët dhe laikët.
I frymëzuar shumë nga Shën Pali – kongregacioni i tij quhet Barnabitët, sipas shokut të atij shenjtori – Antoni predikoi me energji të madhe në kishë dhe rrugë, kryente misione popullore dhe nuk kishte turp të bënte pendim publik.
Antoni inkurajoi risi të tilla si Kungimi i shpeshtë, përkushtimi i Dyzet Orëve dhe zilja e kambanave të kishës në orën 15:00 te premteve (në përkujtim të Kryqëzimit). Shenjtëria e tij nxiti shumë njerëz për të reformuar jetën e tyre, por si me të gjithë shenjtorët, ajo gjithashtu nxiti shumë ta kundërshtojnë atë. Dy herë komuniteti i tij iu desh t’i nënshtrohej një hetimi zyrtar fetar dhe dy herë u shfajësua.
Ndërsa ishte në një mision paqeje, Antoni u sëmur rëndë dhe u soll në shtëpi për një vizitë te mamaja e tij. Ai vdiq në Kremona në moshën 36-vjeçare.