Jeta e Shën Maria Magdalenës
Për jetën e mëparshme të Maria Magdalenës ne dimë vetëm se ajo ishte “një grua mëkatare”. Nga thellësia e degradimit të saj ajo i ngriti sytë te Jezusi me pikëllim, shpresë dhe dashuri. E mbuluar nga turpi, ajo hyri aty ku Jezusi ishte në tryezë dhe u gjunjëzua para tij. Ajo nuk tha asnjë fjalë, por lau këmbët e Tij me lotët e saj, i fshiu me flokët e kokës, i puthi me përulësi dhe me prekjen e tyre mëkatet dhe njolla e saj u zhdukën. Pastaj ajo derdhi mbi ta pomadën e kushtueshme të përgatitur për përdorime të tjera; dhe buzët e Tij hyjnore ia hoqën turpin, i dhanë faljen dhe e urdhëruan të shkonte në paqe.
Më pas ajo i shërbeu Jezusit, u ul te këmbët e Tij dhe dëgjoi fjalët e Tij. Ajo ishte nga një ndër familjet “të cilën Jezusi e donte aq shumë” sa Ai ringjalli nga të vdekurit vëllanë e saj Llazarin. Edhe një herë, në prag të mundimit të Tij, ajo solli vajin e çmuar dhe, tashmë e pastruar dhe e dashur, e derdhi mbi kokën e Tij dhe e gjithë shtëpia e Hyjit është ende e mbushur me aromën e vajosjes së saj. Ajo qëndroi me Zojën dhe Shën Gjonin në këmbët e kryqit, përfaqësuesja e shumë atyre që kanë marrë shumë falje.
Së pari asaj, pas Nënës së Tij të bekuar dhe nëpërmjet saj apostujve të Tij, Zoti ynë i dha sigurinë e ringjalljes së Tij; dhe së pari asaj ju shfaq, duke e thirrur me emrin e saj, pasi ishte e Tija.
Kur besimtarët u shpërndanë nga persekutimi, familja e Betanisë gjeti strehim në Provence (Francë). Shpella në të cilën Shën Maria jetoi për tridhjetë vjet shihet ende, dhe kapelja në majë të malit, në të cilën ajo mori çdo ditë, si Shën Pali, “vegimet dhe zbulesat e Zotit”. Kur po i afrohej fundi, ajo u çua në një vend që ende është i shënuar nga një “shtyllë e shenjtë”, ku e priste ipeshkvi i shenjtë Maksimini; dhe kur mori Zotin e saj (në Kungim), e zuri gjumi paqësisht në vdekje.
Meditim — “Keqardhja e zemrës”, thotë Shën Bernardi, “është një thesar pafundësisht për t’u dëshiruar dhe një gëzim i papërshkrueshëm për zemrën. Është shërim për shpirtin, është heqje e mëkateve; e kthen përsëri Shpirtin e Shenjtë në zemrën e përulur dhe të dashur.”