Jeta e Shën Jakobit
Mes të dymbëdhjetëve, tre u zgjodhën si shokë të ngushtë nga Zoti jonë dhe një prej tyre ishte Jakobi. Vetëm ai, me Pjetrin dhe Gjonin, u pranua në shtëpinë e Jairit kur vajza e vdekur u ringjall. Vetëm ata u ngjitën në malin e lartë dhe panë fytyrën e Jezusit që shkëlqente si dielli dhe rrobat e Tij të bardha si bora; dhe vetëm këta të tre dëshmuan agoninë e frikshme në Gjetseman.
Çfarë ishte ajo që i dha Jakobit një vend në mesin e tre më të besuarve? Besim i zjarrtë, i vrullshëm dhe i hapur, por që kishte nevojë për pastrim përpara se “Biri i Bubullimës” të mund të shpallte Ungjillin e paqes. Ishte Jakobi ai që kërkoi zjarrin nga qielli për të përpirë samaritanët jomikpritës dhe që kërkoi vendin e nderit nga Krishti në Mbretërinë e Tij. Megjithatë Zoti ynë, duke qortuar ekzagjërimin e tij, profetizoi besnikërinë e tij deri në vdekje.
Sipas traditës, Shën Jakobi udhëtoi në gadishullin Iberik, ku predikoi fjalën e Hyjit dhe themeloi dioqezën e parë. Gjithashtu sipas traditës, ishte pikërisht gjatë këtij misioni, kur Shenjta Mari u shfaq për herë të parë për ti dhënë kurajo, edhe pse ishte akoma gjallë. Një legjendë e mëvonshme tregon se Shën Jakobi u shfaq si një ushtar mbi kalë për ti ndihmuar spanjollët gjatë një beteje me muslimanët, një event të cilin e përmend edhe Miguel Cervantes në veprën e tij, Don Quixote.
Kur Shën Jakobi u soll para mbretit Herod Agripa, rrëfimi i tij i patrembur për Jezuin e kryqëzuar e emocionoi aq shumë prokurorin publik saqë ai e deklaroi veten të krishterë në vend. I akuzuari dhe akuzuesi u nisën me nxitim së bashku në ekzekutim dhe gjatë rrugës ky i fundit i kërkoi falje shenjtit. Apostulli e kishte falur prej kohësh, por hezitoi për një çast nëse do ta pranonte publikisht si vëlla një ende të papagëzuar. Zoti ia kujtoi shpejt besimin e Kishës, se gjaku i martirizimit është furnizim për çdo sakrament dhe, duke i rënë në qafë shokut të tij, e përqafoi me fjalët: “Paqja qoftë me ty!” Së bashku pastaj u gjunjëzuan për shpatën dhe së bashku morën kurorën.
Meditim – Të gjithë duhet të dëshirojmë një vend në mbretërinë e Atit tonë; por a mund të pimë kupën që Ai i jep secilit? Possumus, duhet të themi me Shën Jakobin – “Ne mundemi” – por vetëm në fuqinë e Atij që e ka pirë i pari për ne.