Jeta e Shën Alfons Liguorit
Shën Alfonsi lindi nga prindër fisnikë, afër Napolit, në vitin 1696. Trajnimi i tij shpirtëror iu besua etërve të Oratorit në atë qytet dhe që nga fëmijëria e tij Alfonsi u njoh si një vëlla i devotshëm i Oratorit të Vogël.
Në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare kreu doktoraturën në drejtësi dhe e praktikoi këtë fushë me zell e sukses. Një gabim, nga i cilin humbi një kauzë të rëndësishme, i tregoi atij kotësinë e famës njerëzore dhe pasi vendosi të punonte vetëm për lavdinë e Hyjit, hyri në priftëri, duke iu përkushtuar shpirtrave më të lënë pas dore; dhe për të vazhduar këtë punë ai themeloi më vonë Kongregatën misionare të Shëlbuesit Më të Shenjtë.
Në moshën 66 vjeç u bë Ipeshkëv i Shën Agatës dhe ndërmori reformën e dioqezës së tij me zellin e një shenjti. Ai u betua të mos humbiste kurrë kohë dhe, megjithëse jetën e kaloi në lutje dhe punë, ai shkroi një numër të madh librash, të mbushur me aq aftësi, shkathtësi dhe mençuri, saqë u shpall një nga Mësuesit e Kishës. Shën Alfonsi e shkroi librin e tij të parë në moshën dyzet e nëntë vjeçare dhe në vitin e tetëdhjetë e tretë kishte botuar rreth gjashtëdhjetë vëllime, kur udhëheqësi i tij e ndaloi të shkruante më shumë.
Shumë prej këtyre librave u shkruan në gjysmë orët e rrëmbyera nga puna e tij si misionar, epror fetar dhe Ipeshëv, ose në mes të vuajtjeve të vazhdueshme trupore dhe mendore. Me dorën e majtë mbante një copë mermeri të vendosur mbi kokën e tij që i dhembte ndërsa dora e djathtë shkruante. Megjithatë, ai nuk llogariste kohë të humbur atë që shpenzohej në bamirësi. Ai nuk refuzoi të mbante korrespondencë të gjatë me një ushtar të thjeshtë që i kërkonte këshillën e tij, ose të luante instrumente ndërsa i mësonte fillestarët e tij të këndonin këngë shpirtërore.
Shën Alfonsi jetoi në kohë të këqija dhe u përball me shumë persekutime dhe zhgënjime. Për 7 vitet e tij të fundit, ai u pengua nga sëmundja e vazhdueshme të ofronte Sakrificën e Adhurueshme; por ai merrte Kungimin e Shenjtë çdo ditë dhe dashuria për Jezu Krishtin dhe besimi i tij në lutjet e Marisë e mbështetën atë deri në fund. Ai vdiq në vitin 1787, në vitin e nëntëdhjetë e një.
Meditim – Le të bëjmë me gjithë zemër detyrën e çdo dite, duke ia lënë Zotit rezultatin, si dhe kujdesin për të ardhmen.