Të Ngriturit e Zojës në Qiell
Në këtë festë Kisha përkujton ndarjen e lumtur nga jeta të Virgjërës Mari dhe kthimin e saj në mbretërinë e Birit të saj, në të cilën ajo mori prej Tij një kurorë lavdie të pavdekshme dhe një fron mbi të gjithë shenjtërit e tjerë dhe shpirtrat qiellorë. Pasi Krishti, si pushtuesi triumfues i vdekjes dhe ferrit, u ngjit në parajsë, Nëna e Tij e bekuar qëndroi në Jerusalem, duke jetuar në lutje me dishepujt, derisa bashkë me ta mori Shpirtin e Shenjtë.
Ajo jetoi deri në një moshë të vjetër, por më në fund pagoi borxhin e përbashkët të natyrës, për të cilin asnjë nga fëmijët e Adamit nuk u përjashtua. Por vdekja e shenjtërve është më tepër për t’u quajtur ‘gjumë i ëmbël’ sesa vdekje; për më tepër ajo e Mbretëreshës së Shenjtërve, e cila ishte përjashtuar nga çdo mëkat. Është një dogma e Kishës e shpallur nga Papa Piu XII në 1950, se trupi i Virgjërës së Bekuar u ringjall nga Zoti menjëherë pas vdekjes së saj dhe u ngrit në lavdi, me një privilegj të veçantë, përpara ringjalljes së përgjithshme të të vdekurve (Që do të ndodh në fund të kohës).
Kalimi në Amshim i Zojës së Bekuar është ndër festat më të mëdha nga të gjitha festat që Kisha kremton për nder të saj. Është përfundimi i të gjitha mistereve të tjera të mëdha me të cilat jeta e saj u bë më e mrekullueshme; është ditëlindja e madhështisë dhe lavdisë së saj të vërtetë dhe kurorëzimi i të gjitha virtyteve të gjithë jetës së saj, të cilat ne i admirojmë në veçanti në festat e tjera të saj.
Meditim – Ndërsa ne meditojmë, në ndjenja të thella nderimi, mahnitje dhe lavdërimi, lavdinë në të cilën Maria është ngritur nga triumfi i saj në këtë ditë, ne duhet, për të mirën tonë, të shqyrtojmë se me çfarë mjetesh arriti në këtë shkallë madhështore nderi dhe lumturie, që ne të mund të ecim në hapat e saj. Nuk na hapet asnjë rrugë tjetër. E njëjta rrugë që e çoi atë drejt lavdisë do të na çojë edhe ne atje; ne do të jemi pjesëmarrës në shpërblimin e saj nëse imitojmë virtytet e saj.