Sancta Maria, Mater Dei,
ora pro nobis peccatoribus

Jeta e Shën Joakimit

Një traditë e gjatë na tregon se Shën Joakimi dhe Ana ishin të pasur. Por Zoti nuk u dha atyre pasurinë më të madhe që dëshironin, një fëmijë.

 

Një ditë Joakimi shkoi në tempull për të paraqitur sakrificën e tij, por ofrimi i tij u refuzua me përbuzje (Për shkak se nuk kishte femijë). I turpëruar dhe duke mos ditur vullnetin e Zotit, Patriarku iku në male, pa u kthyer në shtëpi te gruaja e tij. Ai filloi të agjërojë, duke marrë këtë vendim: “Unë nuk do të ha asnjë ushqim derisa Zoti të më shikojë me mëshirë. Lutja ime do të jetë agjërimi im.”

 

Ndërkohë, Shën Ana qante për humbjen e të shoqit dhe pamundësinë e saj për të lindur. Dhe ndërsa ajo qante në kopshtin e saj dhe burri i saj lutej në mal, lutjet e tyre u dëgjuan. Një engjëll i Zotit iu shfaq të dyve dhe i urdhëroi të takoheshin në Portën e Artë. Engjëlli u tha atyre se Ana do të lindte një vajzë, e cila do të quhej Mari. Ajo do të bëhej nëna e Jezusit, “Biri i Shumë të Lartit”.

 

Shën Joakimi dhe Ana e çuan Marinë, në moshën tre vjeçare, në tempull për t’iu kushtuar shërbimit të Zotit dhe ia paraqitën priftit Zakaria. Më pas, prindërit, pasi ofruan sakrificën e saj (sipas zakonit të kohës), e lanë Virgjëreshën me vajza të tjera në banesat e tempullit për t’u rritur aty.