Sancta Maria, Mater Dei,
ora pro nobis peccatoribus

Jeta e Shën Luigjit IX

E ëma e Luigjit i tha se do të preferonte më mirë ta shihte atë të vdekur sesa të kryente një mëkat mortar dhe ai kurrë nuk i harroi fjalët e saj. Mbreti i Francës që në moshën dymbëdhjetë vjeçare e bëri synimin e jetës së tij mbrojtjen e nderit të Zotit. Pas dy vjetësh, ai i kishte shtypur heretikët albigjenas dhe i detyroi ata me dënime të rrepta të respektonin besimin katolik. 

 

Mes kujdesit të qeverisë, ai recitonte çdo ditë Oficen Hyjnore dhe dëgjonte dy mesha, dhe kishat më të lavdishme në Francë janë ende monumente të devotshmërisë së tij. Kur oborrtarët e tij u protestuan për ligjin e tij që blasfemuesit duhet të damkoseshin në gjuhë, ai u përgjigj: “Unë me dëshirë do t’i damkosja buzët e mia për të çrrënjosur blasfeminë nga mbretëria ime.” 

 

Ai qe mbrojtësi i patrembur i të dobëtve dhe të shtypurve duke u munduar gjithmonë të imitonte Zotin e tij. Ftonte të varfërit në oborrin e tij mbretëror dhe i ushqente me duart e tij, dhe të Enjten e Madhe u lante këmbët 12 të varfërve. Një herë njëri nga këta të varfër pasi i kishte larë këmbët e tij i tha mbretit se kishte lënë një pjesë pa larë. Mbreti menjëherë u përkul dhe i lau këmbët edhe një herë. 

 

Shën Luigji bleu Kurorën me Gjëmba të Krishtit nga perandori i Konstandinopojës me një shumë marramendëse prej 13,000 monedha arit. Ai ndërtoi kapelën Sainte Chapele, veçanërisht për të mbajtur Kurorën dhe ngjarja e marrjes së saj i afrohet përmasave biblike, në ngjashmëri të Davidit kur mori Arkën e Besëlidhjes me një entuziazëm dhe përvujtëri të jashtëzakonshme. 

Ai u zgjodh për të arbitruar në të gjitha grindjet e mëdha të epokës së tij, midis Papës dhe Perandorit, midis Henrit III dhe baronëve anglezë. Në 1248, për të shpëtuar tokën në të cilën Krishti kishte shkelur, ai mblodhi rreth tij kalorësinë e Francës dhe u nis për në Lindje. Atje, përpara të pafeve, në fitore ose humbje, në shtratin e sëmundjes ose në robëri, Luigji u tregua gjithmonë i njëjtë, – i pari, më i miri dhe më trimi i kalorësve të krishterë. 

 

Kur u mor rob në Damietta, një Emir u vërsul në tendën e tij me një thikë të larë me gjakun e Sulltanit dhe e kërcënoi se do ta therte edhe atë nëse nuk do ta bënte kalorës, siç e kishte bërë Fakardin perandori Frederik. Luigji u përgjigj me qetësi se asnjë i pafe nuk mund të kryente detyrat e një kalorësi të krishterë. 

 

Në të njëjtën robëri atij iu ofrua liria me kushte të ligjshme në vetvete, por me një betim që nënkuptonte një blasfemi, dhe megjithëse të pafetë i mbanin majët e shpatës në fyt dhe kërcënuan me një masakër të të krishterëve, Luigji refuzoi në mënyrë të papërkulshme. 

 

Vdekja e nënës së tij e solli atë në Francë; por kur u rivendos rendi, ai u nis përsëri për një kryqëzatë të dytë. Në gusht të vitit 1270, ushtria e tij zbarkoi në Tunis dhe, megjithëse fitoi mbi armikun, e kapi një ethe e keqe. Ai e mori Viatikumin i gjunjëzuar pranë shtratit të kampit të tij dhe dha jetën me të njëjtin gëzim që kishte dhënë gjithçka tjetër për nder të Zotit.

 

Meditim – Nëse nuk mund ta imitojmë Shën Luigjin duke vdekur për nderin e Zotit, të paktën mund t’i ngjajmë atij në indinjatën ndaj blasfemive të ofruara kundër Zotit nga i pafeu, heretiku dhe tallësi.