Sancta Maria, Mater Dei,
ora pro nobis peccatoribus

Jeta e Shën Shtjefnit, mbret

Geza, Duka i katërt i Hungarisë, me gruan e tij, u konvertua në besim dhe pa në një vegim martirin Shën Shtjefën, i cili i tha se duhej të kishte një djalë që do të përsoste punën që kishte filluar. 

 

Ky djalë lindi në vitin 977 dhe mori emrin Shtjefën. Ai ishte arsimuar me shumë kujdes dhe pasoi të atin në moshë të re. Ai filloi të çrrënjoste idhujtarinë, shtypi një rebelim të nënshtetasve të tij paganë dhe themeloi manastire dhe kisha në të gjithë vendin. Ai iu lut Papa Silvestrit që të emëronte ipeshkvinjë në njëmbëdhjetë selitë që kishte financuar dhe t’i jepte atij, për suksesin më të madh të punës së tij, titullin mbret. 

 

Papa ia plotësoi kërkesat dhe i dërgoi një kryq për tu mbajtur para tij, duke thënë se ai e konsideronte atë si apostullin e vërtetë të popullit të tij. Përkushtimi i tij ishte i zjarrtë. Ai e vuri mbretëritë e tij nën mbrojtjen e Zojës sonë të Shenjtë dhe e mbajti festën e Fjetjes së saj me dashuri të veçantë. Ai vuri ligje të mira dhe u kujdes për zbatimin e tyre. Na thuhet, gjatë gjithë jetës së tij, ai kishte Krishtin në buzë, Krishtin në zemrën e tij dhe Krishtin në gjithçka që bëri.

 

Luftërat e tij të vetme ishin luftërat e mbrojtjes dhe ai ishte gjithmonë i suksesshëm. Zoti i dërgoi sprova të shumta dhe të rënda. Fëmijët e tij vdiqën një nga një, por ai i kaloi të gjitha me nënshtrim të përsosur ndaj vullnetit të Hyjit. Kur Shën Shtjefni ishte gati të vdiste, ai thirri ipeshkvinjtë dhe fisnikët dhe u dha atyre përgjegjësi për zgjedhjen e një pasardhësi. Pastaj ai i nxiti ata që të ushqejnë dhe të çmojnë Kishën Katolike, e cila ishte ende si një bimë e butë në Hungari, të ndiqnin drejtësinë, përulësinë dhe bamirësinë, të ishin të bindur ndaj ligjeve dhe të tregonin gjithnjë një nënshtrim me nderim ndaj Selisë së Shenjtë. 

 

Pastaj, duke ngritur sytë nga qielli, ai tha: “O Mbretëresha e Qiellit, ripërtëritëse madhështore e një bote të përulur, në kujdesin tënd e lë Kishën e Shenjtë, popullin tim, mbretërinë time dhe shpirtin tim që po largohet”. Dhe më pas, në festën e tij të preferuar të Zojës, në vitin 1038, ai vdiq në paqe.

 

Meditim – “Detyra jonë,” thotë At Newman, “është të ndjekim Vikarin e Krishtit ku ai shkon dhe të mos e braktisim kurrë atë, sido që të provohemi; por ta mbrojmë atë nga të gjitha rreziqet dhe nga të gjitha anët, si do të bënte një bir për të atin dhe një grua për të shoqin, duke e ditur se kauza e tij është kauza e Hyjit.”