Sancta Maria, Mater Dei,
ora pro nobis peccatoribus

Jeta e Shën Françeskut të Asizit

Françesku lindi në Asizi dhe, sipas shembullit të babait të tij, ndoqi që në rini një karrierë tregtare. Një ditë, në kundërshtim me zakonin e tij, ai zmbrapsi një të varfër që i kërkoi një lëmoshë për hir të Krishtit; por, duke u penduar menjëherë për atë që kishte bërë, ai i dha një shumë të madhe parash lypësit dhe në të njëjtën kohë i bëri një premtim Zotit, që të mos refuzonte kurrë një lëmoshë për atë që e kërkonte. Pas kësaj atë e kapi një sëmundje e rëndë; dhe pasi i kaloi, iu përkushtua më shumë se kurrë veprave të bamirësisë, duke përparuar aq shpejt në këtë virtyt, saqë, duke dashur të arrijë përsosmërinë ungjillore, ai dha gjithçka që kishte për të varfërit. Babai i tij, i zemëruar me veprimet e tij, e çoi Françeskun përpara ipeshkvit të Asizit, në mënyrë që të hiqte dorë zyrtarisht nga çdo pretendim për trashëgiminë e tij. Shenjti i’a dha të gjitha babait të tij, madje hoqi rrobat, në mënyrë që, siç tha ai, të kishte më shumë të drejtë të thoshte në të ardhmen: Ati ynë që je në qiell.

 

Pasi dëgjoi një ditë këtë fragment të Ungjillit: Mos mbani në çantat tuaja as ar, as argjend, as para; as trasta për udhëtimin tuaj, as dy pallto, as këpucë, ai e mori si rregullin e jetës së tij, i la mënjanë këpucët dhe mbajti vetëm një bluzë të gjatë. Ai mblodhi së bashku dymbëdhjetë dishepuj dhe themeloi Urdhrin e Minorëve. Në vitin 1209 ai shkoi në Romë, për të marrë konfirmimin e rregullit dhe Urdhrit të tij nga Selia Apostolike. Papa Inocenti III në fillim refuzoi ta takonte; por pasi shikoi në gjumë djalin që e kishte zmbrapsur duke mbajtur në shpatulla bazilikën e Lateranit që po rrezikonte të rrëzohej, ai kërkoi që të takohej; dhe duke e pritur me dashamirësi konfirmoi gjithë sistemin e urdhrit të tij. Pastaj Françesku dërgoi vëllezërit e tij në çdo pjesë të botës për të predikuar Ungjillin. Ai vetë, duke dëshiruar një mundësi martirizimi, lundroi në Siri për të ungjillëzuar te muslimanët; por Sulltani, duke dëshmuar virtytet dhe mrekullitë e tij e trajtoi atë me shumë dashamirësi; kështu që, në pamundësi për të fituar martirizimin, u kthye në Itali.

 

Ai ndërtoi shumë manastire të Urdhrit të tij; dhe më pas u tërhoq në vetmi në malin Alvernia; ku agjëroi dyzet ditë për nder të kryeengjëllit Shën Mhill. Në festën e Lartësimit të Kryqit të Shenjtë, ai pa një vizion të një serafi që mbante midis krahëve figurën e të Kryqëzuarit, i cili i dhuroi stigmatën e shenjtë në duar, këmbë dhe kraharor. Shën Bonaventura dëshmon se ai dëgjoi vetë Papa Aleksandrin IV, teksa predikonte, të tregonte se si i kishte parë vetë këto varrë. Këto shenja të dashurisë së jashtëzakonshme të Krishtit për shërbëtorin e tij ngjallnin habi dhe admirim universal. Dy vjet më vonë, Françesku u sëmur shumë dhe u dërgua, me kërkesën e tij, në kishën e Shën Marisë së Engjëjve; që ai të mund t’ia dorëzonte jetën e tij të vdekshme Perëndisë, pikërisht në vendin ku ai kishte filluar jetën e tij të hirit. Aty, pasi i nxiti vëllezërit për varfëri dhe durim dhe për ruajtjen e besimit të Kishës së Shenjtë Romake, ai recitoi Psalmin: I thirra Zotit me zërin tim. Kur arriti te vargu: Të drejtët presin për mua, derisa të më shpërblesh, ai dha shpirt. 

 

Shqiptarët i janë borxhli shën Françeskut. Sipas traditës, gjatë udhëtimit të tij për në Lindje të Mesme, themeloi edhe urdhrin franceskan në Arbëri. Në kuvendin e Zojës Nunciatë gjendet i gdhendur shkrimi “Hoc templum fratrum Minorum aedificatum est anno MCCXL” – Kjo Kishë e Fretërve Minorë është ndërtuar në vitin 1240 (Vetëm 14 vite pas kalimit të Shën Françeskut në amshim). Që nga ky moment françeskanët, nuk reshtën së shërbyeri popullit shqiptar në ruajtjen e identitetit dhe Fesë Katolike. Pas pushtimit osman, ishin kryesisht ata që me heroizëm të jashtëzakonshëm, vazhduan t’i shërbenin shqiptarëve, në shumë raste duke paguar me jetën e tyre dhe duke u bërë shembull për qëndresën malsore. 

Ata ishin ndërmjetësit e shpalljes së Pavarësisë, dhe urdhri Françeskan ishte prodhuesi i intelektualëve dhe patriotëve më të mëdhenj në Shqipëri. Dashuria dhe besnikëria e zjarrtë e tyre për Fe dhe Atdhe, pat sukses të madh në lartëzimin e ndërgjegjes së shqiptarëve katolik, por jo vetëm, dhe qe armiku më i madh i komunizmit, i cili me torturat më çnjerëzore, zhduki intelektualët më të mëdhenj që kishte shqipëria. Fjalët e fundit të të cilëve do kujtohen për sa të jetë jeta: “Rrnoft Krishti mbret, rrnoft Shqipnia!.”