Jeta e Shën Brunos
Bruno lindi në Këln, rreth vitit 1030, në një familje të famshme. Ai ishte i pajisur me dhunti të rralla natyrore, të cilat i kultivoi me kujdes në Paris. U bë kanon i Këlnit, e më pas i Reims-it, ku drejtoi studimet teologjike.
Me vdekjen e ipeshkvit, selia ra për njëfarë kohe në duart e liga dhe Bruno u tërhoq me disa miq në vetmi. Atje ai vendosi të braktiste botën dhe të jetonte një jetë veçimi dhe pendimi. Me gjashtë shokë ai iu drejtua Hugos, ipeshkvit të Grenobles, i cili i çoi ata në një vend të vetmuar të egër të quajtur Kartuz. Atje ata jetuan në varfëri, vetëmohim dhe heshtje, secili veç e veç në qelinë e tij, duke u takuar vetëm për adhurimin e Zotit dhe duke u angazhuar në kopjimin e librave.
Nga emri i vendit Urdhri i Shën Brunos u quajt Kartuzian. Gjashtë vjet më vonë, Urbani II thirri Brunon në Romë, që të marrë udhëzimin e tij. Bruno u përpoq të jetonte atje siç kishte jetuar në shkretëtirë; por jehona e qytetit të madh e shqetësoi vetminë e tij dhe, pasi refuzoi dinjitetet e larta, ai mori nga Papa lejen për të rifilluar jetën e tij monastike në Kalabri. Atje ai jetoi, në përvujtëri, në mortifikim dhe në paqe të madhe, deri në kalimin e tij të shenjtë në amshim më 1101.
Reflektimi – “O mbretëri e përjetshme”, thotë Shën Agustini; “mbretëri e epokave të pafundme, ku prehet drita e patrazuar dhe paqja e Perëndisë që tejkalon çdo kuptim, ku shpirtrat e shenjtërve janë në prehje dhe gëzimi i përjetshëm është mbi kokat e tyre, dhe ku pikëllimi dhe rënkimi nuk janë më! Kur do të vi dhe të paraqitem përpara Perëndisë?”