Sancta Maria, Mater Dei,
ora pro nobis peccatoribus

2. Krishtërimi, Liria

Krishtërimi

 

Nuk them se gjithçka ishte e përsosur në këtë kohë, por gjithkush ishte i vetëdijshëm se njeriu është vënë në tokë prej Hyjit për ta nderuar atë, për ta lavduar e për t’i shërbyer Atij, e mbi të gjitha e dinin se gjithçka që Ai kishte krijuar, Hyji e kishte vënë në dispozicion të njeriut që ky i fundit të mund t’i shërbejë Atij. Qoftë Kisha e të gjthë thesaret e saj të hirit, por edhe jeta, inteligjenca e trupi ynë, martesa dhe priftëria, qoftë bukuria e natyrës, ushqimi, pasuritë ose edhe lojrat, por edhe njerëzit e tjerë, të barabartët tanë, eprorët tanë, mbretërit ose krerët e Shtetit, të gjitha janë dashur prej Hyjit, dhe Ai iu ka dhënë gjithçka njerzve për këtë qëllim: që të gjithë njerëzit t’i shërbejnë Hyjit e të shëlbohen.

 

E gjitha kjo është fakt. Mund të mos jemi dakort, por kjo nuk ndryshon asgjë. Sikur një fëmijë që mund të mos jetë dakort t’i bindet babait të tij, por kjo nuk ndryshon gjë në faktin se babai i tij është babai i tij dhe ka autoritet mbi të. Është natyrore dhe natyra është krijuar kështu prej Hyjit.

 

Por çdo njeriu i drejtë, nuk dëshiron aspak ta hedhë poshtë këtë organizim e ta konsiderojë atë si një barrë, por përkundrazi e dëshiron si një gjë të mirë që i mundëson të jetojë jetën e tij në kushtet më të mira të mundshme.

 

Për shembull, a e din se në Krishtërim (Mesjetë) profesionet ishin të organizuara në formë korporatash që iu lejonin punëtorëve të gjallonin jetën e familjes sa më mirë të ishte e mundur, që shenjtëronin punën e dorës, që siguronin mbështetje për punëtorët, që vërenin cilësinë e punës së pronarëve e që, kështu, vendosnin gjithsecilin në vendin e tij për të mirën e të gjithëve.

 

Është e njëjta gjë për krerët e Shetetit (mbretërit ose pricat). E din se po nuk pati kryetar, bëhet anarki, domethënë mbretërim i çrregullit. Natyra ka nevojë për krerë. Dhe është Hyji ai që e ka bërë kështu natyrën njerëzore. Pra është Hyji ai që e ka dashur pushtetin e krerëve, mbretërve etj.

 

Pikërisht, krerët ishin të gjithë të vetëdijshëm për rëndësinë e funksionit të tyre që ndodhet mes atij të Hyjit e të babait: të ndihmojë njerëzit për të dashur Hyjin duke iu dhënë gjithçka që duhet për këtë gjë e duke i mbrojtur kundër mëkatit, e kështu duke i bërë ata të lumtur. Sepse, në kundërshtim me atë që thonë shumë vetë, zbatimi i ligjit të Hyjit nuk i bën njerëzit e trishtuar, përkundrazi: Hyji është shumë i mirë për ata që i besojnë! E nëse bëjmë çfarë duam deri në mëkat, kjo nuk na bën të lumtur, përkundrazi, sepse kjo gjë na vendos nën skllavërinë e epsheve dhe të djallit.

 

Prandaj mbretërit e princërit bënin ligje që favorizonin virtytin, pak a shumë sikur kodi ynë penal, por me një frymë të krishterë; ata organizonin jetën publike, nxisnin bamirësinë (spitale, korporata…), mbështesnin Kishën etj.

 

Nga këta mbretër, ti njeh Karlin e Madh që ka ndihmuar shumë papën në fushën e liturgjisë, të mësimit të krishterë (shkollat e famshme!), të manastireve e madje edhe të misioneve. Ti njeh gjithashtu edhe Shën Luigjin, i cili çdo ditë ushqente me duart e tij të varfërit në tryezën e vet, ti njeh gjithashtu edhe nënën e tij, Blanche de Castille, por duhet permendur edhe Shën Shtjefni, mbret i Hungarisë i cili në vitin 1000 e vendosi mbretërinë e tij në duart e Marisë e të papës, ose Shën Canut mbret i Danimarkës, Shën Eduarti i Anglisë, Shën Elizabeta mbretëreshë e Portugalisë, e një tjetër Shën Elizabetë e Hungarisë, dukeshë e Thuringe, e kjo është një pjesë e vogël e një liste të gjatë…[1]

 

Krejt natyralisht, Kisha ishte pra shpirti i Krishtërimit, është Shën Piu X që na e thotë këtë.

 

Ti akoma nuk e studiuar mirë politikën[2], por ti e din se shoqëritë e njerëzve, vendet dhe shtetet, janë si një trup i madh, e në këtë trup duhet domosdoshmërisht një shpirt që i jep jetë, një shpirt që i jep një ideal dhe një unitet. E ideali i vetëm i njerëzve mund të jetë vetëm njohja e Hyjit, dhe uniteti i vetëm i vërtetë bëhet në dashurinë e Jezu Krishtit, dashuria hyjnore, dhe puna e vetme e njeriut mbi tokë është të shpresojë qiellin. Fe, shpresë, dashuri, të gjitha këto jepen vetëm prej Kishës. Prandaj themi se Kisha është zemra e Krishtërimit.

 

Liria

 

Para se të mbaroj këtë shkrim të shkurtër mbi Krishtërimin, do doja t’i përgjigjesha një objeksioni (kundërshtimi), domethënë një vështirësie që mund ta kesh dëgjuar shpesh. E ky kundërshtim është : « Çfarë bëhej me lirinë në këtë lloj organizimi ku gjithçka ishte e drejtuar vetëm drejt Hyjit? »

 

Por ti e din mirë se liria nuk është një absolut. Ti nuk je i lirë t’i thuash babait tënd « mbylle gojën », askush nuk është i lirë ta mohojë Hyjin ose ta kundërshtojë atë. Askush nuk është i lirë të vjedhë gjëra të afërmit, t’i ulë reputacionin, t’i marrë gruan… Përkundrazi ti je i lirë të martohesh, ose të bëhesh prift, të martohesh me Anjezën ose me Katerinën, të bëhesh inxhinier apo mjek. Pra vë re se je i lirë jo kot më kot, por në lidhje me idealin tënd që është dashuria ndaj Hyjit. Pavarësisht faktit se je i lirë; ti nuk do të martohesh me Anjezën nëse është e krishterë jo fort e mirë, edhe pse ajo ka sy të bukur, ti nuk do të drejtohesh drejt karrierës në inxhinieri nëse je i talentuar në fushën e avokatisë etj.

 

Duke u nisur nga kjo mund t’i japim përgjigje objeksionit: në krishtërim, liria ishte e respektuar dhe madje e favorizuar, por sigurisht nuk pranohej aty ku njeriu nuk është i lirë. Me fjalë të tjera, liria nuk bëhej një absolut, por i kujtoheshin njeriut detyrat e tij e i jepeshin mjetet për t’i përmbushur. Kjo gjë padyshim nuk i pëlqen atyre që duan të tejkalojnë Hyjin, por nuk mund të jetë ndryshe.

 

E kjo është dashuria e vërtetë për njerëzit. T’i duash nuk do të thotë t’i gënjesh ose t’i lësh të bjerren (në ferr). Kjo është e vërtetë si për familje ashtu edhe për shtetet. T’i duash do të thotë t’iu japësh atyre të mira me vlera të mëdha. A njeh ti të mira me vlerë më të madhe se një familje e bashkuar, dashuria, nderi, e si përfundim qielli, Parajsa?

 

Erdhëm në fund të përshkrimit tonë të Krishtërimit. U zgjata pak, fillimisht sepse janë gjëra që kemi vështirësi t’i kuptojmë e t’i pranojmë sot, dhe sepse Krishtërimi është një model, një referim. Kisha shkon akoma më larg: ajo na mëson se nuk mund të ketë model tjetër përveç këtij në të cilin gjithçka, absolutisht gjithçka, është e drejtuar drejt Hyjit, Atit tonë për lumturinë më të madhe të njerëzve.[3] Mbaje mend këtë, sepse është gjëja që kanë më inat armiqtë e Hyjit dhe është pra gjëja që ata do kërkojnë të shkatërrojnë më së pari; sa më shumë shkatërrojnë lumturinë e njerëzve, aq më shumë refuzojnë t’i nënshtrohen Hyjit.

 

Në fakt në Krishtërim, këta armiq ishin të detyruar të fshiheshin, por ata ekzistonin, sepse do egzistojnë gjithmonë. Ti e njef shëmbëllyrën e egjrës[4]: shërbëtorët, domethënë ne, donin ta shkulnin menjëherë egjrën (që simbolizon të këqijt në tokë). E Zoti ynë iu tha të presin deri në fund të botës. Vetëm në atë çast të mirët do të ndahen nga të këqijt e do të kenë paqen.

 

Si kanë vepruar pra armiqtë e Hyjit ?

[1] Shën Shtjefni vdiq në 1038, biri i tij është shenjt gjithashtu : Shën Emeriku. Shën Canut i festuar me 19 janar ishte mbret i Danimarkës nga 1080 deri në 1086. Shën Eduardi, i festuar me 13 tetor, vdiq në 1066. Shën Elizabeta e Portugalisë festohet me 8 korrik, vdiq në 1336. Shën Elizabeta e Hungarisë, e festuar me 19 nëntor, vdiq në 1231.

[2] I drejtohet besimtarit të cilit i shkruan letrën

[3] Shën Piu X, Letër mbi Sillon-in

[4] Shih Mateu 13, 24-30