Shekulli XIX - Restaurimi i Monarkisë dhe Liberalizmi
Pas vuajtjes revolucionare, njerëzit kuptuan se duhet t’i riktheheshin rendit dhe fesë. Por ndodhi një gjë e jashtëzakonshme dhe turbulluese që do të shpjegojë të gjithë krizën aktuale në Kishë: Revolucioni u shpëtua nga njerëz të anës sonë; armiqtë e Hyjit të shpëtuar nga katolikët, republika e vendosur nga monarkistët! Ështe e pakuptueshme, e megjithatë kështu ndodhi.
Këta njerëz i quajmë “liberalë” ose “katolikë liberalë”. E bëhet fjalë kryesisht për njerëz të rëndësishëm. Ata janë të zgjuar, njerëz të kultivuar; janë të mësuar të urdhërojnë, përkrahës të rendit, të fesë, të moralit; domethenë në parim janë dakort me ne për të njëjtat të vërteta, por kanë një defekt të madh: ata dëshirojnë të pëlqehen nga bota, domethënë ata dëshirojnë që njerëzit t’i shikojnë me sy të mirë. Më saktësisht, ata duan që zgjuarsia e tyre e shndritshme të pëlqehet nga të tjerët. Ata janë të bindur se përveç atyre nuk ka njërëz me të vërtetë të kultivuar e kështu, nëse hidhen poshtë, është e gjithë kultura që zhduket me ta; atëherë ata kërkojnë që të pranohen.
Por ti e sheh mirë se nuk mund të duam njëkohësisht Hyjin dhe të jemi të pëlqyer nga armiqtë, nuk mund të duam Regjimin e Vjetër (Mbretërinë) dhe të pëlqehemi në Republikë, të dëshirojmë rregullin e rendin e të lëvdohemi nga Revolucioni. E megjithatë kjo është ajo që donin, atëherë iu ngeli vetëm të heshtnin në lidhje me ato që pëlqejnë e të nxisin armiqtë e tyre. Ata u munduan t’i japin të drejtë armiqve të tyre pa thënë se kanë gabime vetë, por është e pamundur. Atëherë pak nga pak, ata i braktisën bindjet e tyre, ose më mirë i sistemuan në zemrën e tyre si në një muze, por nuk jetonin më sipas tyre, e në të njëjtën kohë ata kërkonin kaq shumë që të pëlqeheshin nga kundërshtarët e tyre, saqë i miratonin edhe kur nuk ishin dakort me ta. E duke qënë se ishin njerëz të rëndësishëm, të kultivuar e të zgjuar, shumë njerëz i ndjekën pa menduar.
Armiqtë e Hyjit nuk mund të ëndërronin për një situatë më mirë: ishin kundërshtarët e tyre që shkonin vetë tek ata e që iu sjellin njerëzit e tyre!
Ja pra çfarë kanë bërë liberalët, sepse nuk kanë pasur zemër për të luftuar kundër armiqve të Hyjit. Prandaj qysh në fillim të shek. XIX-të nuk pati më dy parti të pranishme, por tre: armiqtë e Hyjit, katolikët e guximshëm e luftues dhe, mes të dyve, katolikët frikacakë që pak nga pak e përparuan revolucionin.
Më i njohuri nga liberalët e shek. XIX-të ishte Lamennais[1], një prift, që donte që Kisha të ishte në marrëdhënie të mira me republikanët.
A të kujtohet shembulli që të tregova pak më sipër i birit që i thoshte babait të tij “Jam krijuar i lirë, as ti dhe askush tjetër nuk më urdhëron.” Imagjino nëse biri më pas shton “Nëse nuk je dakort, ik!” E së fundmi imagjino babain që, për të qënë i qetë, bën ujdi që të mos nxirret përjashtë dhe të mos e kundërshtojë birin e tij dhe i thotë “Dakort, bir, e respektoj lirinë tënde, atëherë respekto edhe lirinë time. Bëj çfarë të duash, por me kusht që të mos më bezdisësh.” E imagjino këtë baba që shkon e iu thotë fqinjëve që të mos ta urdhërojnë birin e tyre kur të shkojë ndonjëherë tek ata. Ti e paramendon rezultatin te miqtë e birit! Shpejt bëhet revolucion! Kjo është ajo që ka bërë Lamennais. Ai predikonte se Kisha duhet të respektojë lirinë e të gjitha feve e të kërkojë vetëm që të respektohet liria e saj. Është pak a shumë sikur pulat t’i thonin dhelprës: “Je e lirë për tu futur në kotec por me kusht që të mos na bësh asgjë.” Madje disa imagjinuan edhe një “Krisht revolucionar”!
Por liberalizmi ishte në modë: madje mbreti Luigji XVIII shpalli në statutin e mbretërisë se tashmë të gjithë fetë e rreme do trajtohen sikur feja e vërtetë, si Feja Katolike!
Ka një ndryshim të madh mes tolerimit dhe njohjes së të drejtave. Nëse e tolerojmë, domethenë e durojmë, protestantizmin, revolucionarët etj, ashtu sikur durojmë një sëmundje në pritje të shërimit. Por nëse themi se kanë të drejtë e t’i trajtojmë sikur të ishin katolikë, jo! Nuk mund të themi se sëmundja vlen aq sa shëndeti!
E gjithë historia e shek. XIX-të ishte një lojë e vazhdueshme lëkundëse. Donin të pëlqeheshin prej revolucionarëve e atëherë zgjedhnin ministra dhe deputetë liberalë që ishin sikur ata. Pastaj u vu re se kjo gjë shkonte shumë afër revolucionit, atëherë u kthyen mbrapa drejt katolikëve të vërtetë dhe monarkistëve të vërtetë. Por kjo nuk iu pëlqeu revolucionarëve; atëherë ju rikthyen liberalëve. Por çdo herë ata rithktheheshin më pak drejt Hyjit dhe të vërtetës, e shkonin më shumë drejt gabimit dhe revolucionit.
Prandaj braktisën mbretin Karl X për Luigj Filipin i cili ishte më afër republikanëve. Ky nuk zgjati shumë dhe u zëvendësua nga Napoleoni III, një revolucionar i vërtetë, por që lavdëronte katolikët.
Në 1870 gjysma e monarkistëve preferuan të mos prishen me republikanët, sepse thirrja e mbretit Henri V (ndryshe konti i Chambord) i detyronte të luftonin. E kështu ata (monarkistët) themeluan Republikën e III-të.
Ti do më thuash, se u futa në politikë dhe harrova krizën e Kishës! Por jo, në këtë pikë ku ne jemi, çdo gjë është e përzier: Lamennais ishte prift, Luigji XVIII ishte katolik dhe, ai nuk njohu republikën, por njohu fetë e rreme. Katolikët ishin të përçarë: gjysma prej tyre ishin tashmë dakort me revolucionarët, domethenë me armiqtë e Hyjit! Me fjalë të tjera, liberalët, armiqtë e Hyjit nuk ishin më jashtë Kishës, por i’u hapën dyert dhe i përqafuan!
[1]Idetë e tij u dënuan nga papa Gregori XVI në enciklikën « Mirari vos » 1832.