Armiku brenda në Kishë
Modernistët, Papa Shën Piu X
Modernistët, Papa Shën Piu X
Sigurisht papët e shek. XIX-të i dënuan të gjithë ato gjëra që thashë: Gregori XVI dënoi këtë liri që Lamennais iu jepte revolucionarëve, Piu IX dënoi për së dyti gabimet e tyre, Luani XIII në një seri enciklikash mundoi të ridrejtonte mendjen e falsifikuar të liberalëve.
Por ishte Papa Shën Piu X ai i cili dënoi një përparim të ri të armiqve të Hyjit: tashmë ata nuk ishin më jashtë Kishës por në brendësi, pra ata duheshin luftuar në brendësi. Për t’iu çjerrë maskën, për t’i zbuluar, Shën Piu X dënoi tre gjëra të tyre: 1) ata sjellin me vete të gjithë gabimet e përmendura deri tani, 2) ata duan e mundohen të ndryshojnë Kishën për ta bërë përkrahëse të Revolucionit dhe të ideve të tij, 3) duke qënë se një guxim i tillë i bën të dallueshëm, ata fshihen nën pamjen e katolikëve të devotshëm.
Ta shqyrtojmë këtë në detaje, sepse tani jemi në zemër të pyetjes që më ke bërë.
1) Ata sjellin me vete të gjitha gabimet e armiqve të tërbuar. Kështu, na thotë Shën Piu X, ata nuk hezitojnë të mësojnë edhe në seminare e nëpër kisha se Jezu Krishti nuk është me të vërtetë Hyj, se Ungjijtë nuk thonë të vërtetën, se sakramentet nuk japin me të vërtetë hirin, se të gjitha fetë janë të vërteta, dhe se nuk ka nevojë për fe, sepse çdo njeri, edhe i papagëzuar, gjen Hyjin në brendësi të vetes etj. Sigurisht, ata mësojnë haptazi parullën revolucionare: Liri, Barazi, Vëllazëri, ata refuzojnë çdo autoritet etj.
2) Ata duan të ndryshojnë Kishën nga brenda për ta bërë përkrahëse të Revolucionit. Si do e bënë këtë? Gjithçka që jeton ndyshon, thonë ata, por ndryshimi sjell shpesh rrënim. Për shembull gjithçka ndryshoi befas në 1789, por aq shpejt sa që pati terror e prerje kokash. Roli i Kishës, thonë modernistët, është, të bëjë një përzierje mes ndryshimit dhe traditës, që ndryshimi të bëhet në butësi e pa rrënim. Gjithashtu, thonë ata, Kisha do të jetë moderne (prandaj i quajmë “modernistë”) ajo do të shkojë në sensin e progresit (prandaj quhen edhe “progresistë” por ky term nuk përdoret shumë).
Në të vërtetë argumenti i tyre qëndron mbi një piruetë. Diçka që jeton rritet, por, në thelb nuk ndryshon. Një gonxhe trëndafili jeton, rritet, lulëzon, pastaj jep një frut e ky frut jep një pemë trëndafili. Kjo po. Por një pemë trëndafili nuk do të japë kurrë misër, një qen nuk do të lind kurrë mace. Një njeri rritet, ai nuk bëhet marsian! Një i krishter bëhet i shenjtë, ai nuk bëhet budist ose protestant përndryshe, përshendetje ferr!
Prandaj Jezu Krishti i ka kërkuar Kishës që t’i rrisë njerëzit në jetën hyjnore, e jo t’i ndryshojë e t’i bëjë budistë ose diçka tjetër. Por modernistët shkojnë akoma më larg: për ata nuk bëhet fjalë të transformojnë të krishterët, por të imagjinojnë, madje edhe të krijojnë, një botë të re.
A e kupton se nëse Kisha i dëgjon modernistët, jo vetëm se ajo nuk është më besnike ndaj Jezu Krishtit, por ajo vihet në vendin e Krijuesit, ajo bëhet revolucionare. Por deri në këtë pikë, ti mendon se nuk do të mund të arrijnë! Fatkeqisisht po dhe ja se si:
3) Modernistët janë të fshehur nën pamjen e katolikëve të devotshëm. Është e treta vërejtje që iu bën Shën Piu X, dhe është kjo gjë që shpjegon se pse kriza është në brendësi të Kishës dhe jo jashtë saj. Që në paragrafin e dytë të enciklikës së tij Pascendi gregis, Shën Piu X shkruan: “Artizanët e gabimit, nuk keni pse t’i kërkoni mes armiqve të deklaruar. Ata fshihen në gjir dhe në zemër të Kishës. Ata janë laikë e priftërinj të mbarsur deri në palcë me një helm gabimi të marrë nga kundërshtarët e Fesë Katolike që vendosen si renovues të Kishës dhe që nuk respektojnë as personin e Jezu Krishtit! Nuk e endin nga jashta rrënimin e Kishës, por në brendësi. Është koha t’iua çjerrim maskat këtyre njerzve e t’i tregojmë ashtu siç janë.”
Nëse i shkruaj të gjitha këto, e bëj që të kuptosh se nuk jemi ne ata që dënojmë një krizë në brendësi të Kishës, por papët e kanë dënuar para nesh dhe ne vetëm i ndjekim.
Por katolikët nuk e dëgjuan Shën Piun X dhe nuk iu bindën. Kështu, pak nga pak, këta priftërinj që u fshihnin në Kishë nën pamje të mira, shpërndanë gabimet e tyre e shtrinë influencën e tyre. Disa u bënë ipeshkvinj të cilët favorizuan këta lloj priftërinjsh, disa u bënë kardinaj..