Koncili i II i Vatikanit - Triumfi i Modernizmit
Papa Piu XII u përpoq të rezistojë, por kur Papa Gjoni XXIII thirri një koncil për t’i hapur Kishën botës, u vu re menjëherë se shumica e ipeshkvinjëve ishin në anën e modernistëve, një numër i madh kardinajsh gjithashtu e madje edhe vetë papa!
Nuk jam unë që e them këtë gjë, por janë përgjegjësit e Kishës vetë që e thonë.
Kështu kardinal Suenens deklaronte në 1969[1]: “Mund të bëjmë një listë të mahnitshme tezash (domethenë të vërtetash të fesë të mësuara nga Kisha) të mësuara nga Roma para Koncilit si të vetmet të vlefsheme dhe që u eleminuan nga Etërit konciliarë”. Atë Cogar është më i qartë: “Nuk mund ta mohojmë se pohimi i lirisë fetare të Koncilit është në kundërshtim me Syllabus-in e Piut IX.[2]”
Atë Caporale jep këtë dëshmi: “Idetë e Koncilit, pasi ishin idetë e disa liderëve, u bënë ide të shumicës së etërve konciliarë. Isha një nga ata që kisha një mentalitet të mbrapambetur; tani mendoj sikur ata. (…) Ne jemi duke ecur drejt një fryme të re me ndihmën e ndërgjegjes tonë sociale.”
Kardinal Lubac tregon se Imzot Wojtyla, që u bë Papa Gjon Pali II, ishte një nga më të parët që hodhi parullën “Hapje” dhe që “e përhapi rreth tij si në Poloni ashtu edhe në Romë.” E ai saktëson se kjo hapje ishte kryesisht ekumenizmi dhe liria fetare.
Në fakt, këta ishin dy gabimet e mëdha të Koncilit. Për çfarë bëhet fjalë? Ne e pamë se e gjithë ambicia e revolucionarëve ishte të shtynin lirinë gjithmonë e më larg, kundër Krishtërimit, kundër Kishës dhe madje edhe kundër Hyjit. E po, në koncilin e Vatikanit II, ipeshkvinjtë e Papa iu dhanë të drejtë! Kjo të duket e pabesueshme? Ja deklarata konciliare:[3]
“Ky Këshill i Vatikanit deklaron se njeriu ka të drejtën e lirisë fetare. Kjo liri do të thotë që të gjithë njerëzit duhet të jenë të imunizuar nga detyrimi nga ana e individëve apo grupeve shoqërore dhe nga çdo fuqi njerëzore, në mënyrë të tillë që askush të mos detyrohet të veprojë në kundërshtim me bindjet e veta, qoftë privatisht. ose publikisht, qoftë vetëm ose në bashkëpunim me të tjerët, brenda kufijve të duhur.” Pra nuk është më ligji i Hyjit që i drejton ndërgjegjet për t’i kërkuar t’i binden, jo. Ndërgjegjia është bërë një abosolut, rregulli suprem. Pra nuk bëhet fjalë për lirinë e vërtetë që ta shpjegova, por për lirinë absolute, liri-pavarësinë. “E drejta në këtë imunitet vazhdon të ekzistojë edhe tek ata që nuk e përmbushin detyrimin e tyre për të kërkuar të Vërtetën (Hyjin) dhe për t’iu përmbajtur Asaj.” Pra bëhet fjalë për lirinë për t’iu mosbindur Hyjit. E për Papën e për ipeshkvinjtë, kjo liri është një e drejtë!
“Koncili i Vatikanit deklaron për më tepër se e drejta e lirisë fetare e ka themelin e saj në dinjitetin e personit njerëzor ashtu sikur e kanë bërë të njohur fjala e Hyjit dhe aryeja.” Thënë ndryshe, që njeriu të jetë i denjë, ai duhet ta kundërshtojë Hyjin, dhe se është Fjala e Hyjit që na e thotë këtë gjë! “Kjo e drejtë e personit njerëzor në lirinë fetare duhet të jetë e miratuar që të bëhet një e drejtë civile.” Koncili shkon edhe më larg: ai mëson se kjo liri është kaq shumë absolute sa që të gjithë fetë e rreme kanë të drejtë të egzistojnë, të organizohen, të praktikojnë në publik kultin e tyre të rremë atij që e konsiderojnë si hyj të tyre, dhe madje edhe të bëjnë propagandë. Koncili shton se qeveritë duhet të organizojnë shoqërinë rreth lirisë së këtyre kulteve të rremë! Mund të themi se këtu jemi krejtësisht në kundërshtim me Krishtërimin që të përshkrova më sipër, do të thotë se Revolucioni triumfoi, ose më saktë ipeshkvinjtë dhe Papa bënë që ai të triumfonte.
Ekumenizmi është praktikisht i njëjti gabim si liria fetare. Kjo ka lidhje me lirinë që iu japim të gjithë gabimeve dhe kulteve të rremë në shoqëri. Ekumenizmi është i njëjti qëndrim i Kishës kur ajo pranon fetë e rreme si pak a shumë legjitime. E padobishme të të them se kur një gabim i tillë vjen prej Kishës, është shumë më e rënde sesa kur vjen nga të tjerët.
Shembuj të ekumenizmit, fatkeqsisht kemi shumë me Gjon Palin II. Për shembull në Indi u shënjua në ballë me një shenjë fetare hinduiste nga një “priftëreshë”; në Togo derdhi vaj manioku në një dru “të shenjtë” gjë që bëjnë idhujtarët e këtij vendi.
Në Benin vizitoi priftat e adhuruesve të gjarpërit në tempullin e tyre. Kam lexuar një artikull në gazetën La Croix që është një gazetë moderniste. Autori ishte famullitari i famullisë përballë adhuruesve të gjarpërit. Ai thoshte se këta njerëz nuk janë të këqinj, edhe pse nganjëherë gjarpëri i tyre ikte e hante pulat e famullisë, por nëse Papa do t’iu shkonte për vizitë miqësore në tempullin e tyre, priftat katolikë nuk do mund të bindin më ata njerëz se Feja Katolike është feja e vërtetë dhe se të tjerat janë të rreme! Aq më tepër se gjarpëri, është djalli!
Në Marok, Gjon Pali II predikoi se feja muslimane dhe katolike janë gati të ngjashme, përveç personit të Jezu Krishtit për të cilin nuk janë dakort.
Ti duhet të kesh dëgjuar për mbledhjen e të gjitha feve të organizuar nga Papa Gjon Pali II në Asizi në 1986. Të gjitha fetë ishin mbledhur për t’u lutur bashkë, thua se lutja e atyre që nuk besojnë në Zot ose që e mohojnë Zotin është e pëlqyeshme para Hyjit! Mbi tabernakullin e Kishës së Shën Kjarës vendosën një statujë të Budës (pra hoqën Kryqin që qëndron mbi tabernakull)! Feja e vetme që nuk bëri lutjen e saj ishte Feja Katolike; në fakt lutja katolike është mesha dhe nuk pat fare meshë. Por kishte lutje të sioux-ve me llullën[4] e tyre dhe atë të gishtit të madh të universit![5]
Ke dëgjuar faljet që papa iu ka kërkuar të gjitha feve, thua se Kisha ka bërë gabim që ka predikuar shëlbimin dhe Jezu Krishtin!
Erdhi koha për ta mbyllur këtë kapitull.
Konstatojmë se pavarësia revolucionare dëshiroi të shkatërrojë Krishtërimin dhe se u dënua nga papët. Kjo nuk mjaftoi, Luteri shkoi edhe më larg duke sulmuar Kishën, dhe u dënua edhe ky. Filozofët e “Iluminizmit” menduan një botë pa Hyjin dhe e realizuan me revolucionin e 1789. Ata u dënuan, por nuk ishte nevoja të ishe një dijetar i madh për të vërejtur që në fillim revoltën e tyre. Mund të besonim se Revolucioni nuk mund të shkonte më larg. E megjitatë, po.
Në shek. XIX-të ky revolucion fillojë të hyjë në Kishë me ndërmjetësimin e liberalëve. Ata ishin të dënuar, por kjo nuk mjaftoi. Papa Shën Piu X i pa duke u futur në hierarkinë e Kishës, domethenë përmes priftave (dhe ipeshkvinjëve), dhe i dënoi qartësisht, dhe tani i gjetëm në krye të Kishës, në një koncil dhe mbi fronin e Shën Pjetrit. Këtë herë, ata nuk rrezikonin më të dënoheshin, të paktën jo për momentin! A do të thotë kjo se duhet t’iu japim të drejtë. A do vendosemi kundër të gjithë papëve të mëparshëm për të qënë dakort me këta katër të fundit?[6] Sigurisht që jo!
[1] Intervistë në ICI 15 maj 1969
[2] Syllabus : enciklikë e Papa Piut IX e cila është një listë gabimesh në lidhje me liberalizmin dhe modernizmin.
[3] Deklarata Dignitatis Humanae n°2,3, 4
[4] Ja teksti i asaj « lutje » : « Duke tymosur këtë llullë në praninë e Krijuesit dhe me të gjithë krijimin, ne ia kushtojmë llullën Shpirtit të Madh, Nënës Tokë dhe katër erërave, e bëjmë të ngrihet një lutje falenderimi për këtë ceremoni. »
[5] Ja teksti : « Gishtit të Madh nuk mund t’i ijim për të bërë asnjë nyje ; bubullimës së skuqur që thyen pemët e larta; Zotit që nga lart sheh gjithçka dhe madje edhe hapat e një antilope mbi një shkëmb(…) ti je shkëmbi i këndit të paqes. »
[6] Pali VI, Gjon Pali II, Benedikti XVI, Françesku