Sancta Maria, Mater Dei,
ora pro nobis peccatoribus

Vetëm dashnia e vërtetë mund të triumfojë mbi perandorinë e egoizmit dhe papastërtisë

“Nëse Perëndia e lejon, si kurrë më parë, këtë universalitet të së keqes, këtë perandori të re pagane, sigurisht që e bën me qëllimin e ngjalljes së heroizmit të krishterë në të gjithë botën.”

 

Të dashur besimtarë, miq dhe dashamirës,

 

Ka ndodhur mjaft shpesh në histori që bota papritur ka pasur përshtypjen e të zgjuarit si një tjetër. Në antikitetin e krishterë, për shembull, në një moment bota “shtangshëm u zgjua ariane”, për të përdorur shprehjen e famshme të Shën Jeronimit. Në mënyrë të ngjashme, në shekullin e 16-të, një e treta e Evropës u zgjua protestante. Në të vërtetë, këto fenomene nuk ndodhën gjatë natës, por ishin përgatitur në mënyrë progresive. Megjithatë, ato u shfaqën si një surprizë, sepse bashkëkohësit nuk e kuptuan rëndësinë e ngjarjeve të ndryshme që përgatitën këto katastrofa, ata nuk i kuptuan pasojat e tyre. Në këtë kuptim, popuj të tërë u zgjuan arianë ose protestantë dhe, kur e kuptuan atë, ishte tepër vonë.

 

Për fat të keq, sot jemi në një situatë të ngjashme. Rreth nesh shohim gjëra, komente, iniciativa që na shokojnë, por rrezikojmë të mos e kuptojmë shtrirjen dhe ndikimin e tyre të plotë. Shpesh, këto elemente perceptohen si gjëra që prekin të tjerët, por që kurrë nuk do të na prekin ne. Ne i njohim ato, i urrejmë, por disi i injorojmë në jetën e përditshme. Kjo do të thotë se sytë tanë nuk janë gjithmonë të hapur për të kuptuar ndikimin dhe rrezikun e këtyre realiteteve për veten tonë, dhe veçanërisht për fëmijët tanë. Duhet të thuhet qartë: bota po shndërrohet në një Sodomë dhe Gomorë universale. Ne nuk do të jemi në gjendje t’i shpëtojmë asaj duke u shpërngulur diku tjetër, sepse ky shndërrim është universal. Ne duhet të jemi të qetë, por të përgatitemi tani, me të gjitha mjetet në dispozicionin tonë, në mënyrë që të mos habitemi kur të zgjohemi.

 

Sodoma dhe Gomorra Universale

 

Është gjithmonë e vështirë të dukesh si një profet fatkeqsie, por nganjëherë është e pashmangshme. Një kulturë djallëzore po zë rrënjë gjithnjë e më thellë në botë. Pas refuzimit të Perëndisë nëpërmjet apostazisë dhe ateizmit, njerëzimi bashkëkohor në mënyrë të pashmangshme dëshiron ta zëvendësojë Atë. Dhe rezultatet janë satanike. Është njeriu që pretendon të përcaktojë se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe. Ai shpall të drejtën e tij për të zgjedhur për të jetuar ose për të vdekur, për të qenë diçka ose tjeter, për të dhënë jetën ose për t’a shuar atë … Shkurtimisht, për të vendosur gjithçka që Perëndia duhej të vendoste, dhe kjo në një shkallë universale.

 

Por më e keqja është vullneti i shpallur për të prezantuar të pafajshmit në këto parime të neveritshme. Vëmendje e veçantë i kushtohet fëmijëve dhe të rinjve, me qëllim të prezantimit të tyre që nga mosha e hershme në këtë vizion të ri të realitetit, duke i korruptuar ata, dhe duke u mësuar çka vetëm të rriturit duhet të dinë, dhe madje edhe çfarë as të rriturit nuk duhet të dinë në një shoqëri që është ende njerëzore dhe e shëndetshme. Për sa i përket moralit, egziston një vullnet i vërtetë për të shkatërruar pafajësinë aty ku natyrisht duhet të jetë. Ne jemi në këtë fazë. Problemi nuk është vetëm mëkati që pushton botën dhe ndot gjithçka në rrugën e tij, por fakti që e gjithë kjo është miratuar dhe vendosur. Kjo është shenja që Perëndia, i braktisur nga njeriu, e ka braktisur njeriun në fatin e tij.

 

Pasojat e refuzimit të Perëndisë

 

Në Sodomën e re, besimi dhe dashuria i kanë hapur rrugën pa dyshim gënjeshtrave dhe egoizmit.

 

Shën Pali përshkroi qartë dhe në detaj pasojat përfundimtare të apostazisë: “Edhe pse e njohën Perëndinë, nuk ia dhanë nderimin e duhur as falënderimin ashtu si i përket Perëndisë, por përkundrazi humbën në arsyetimet e tyre të zbrazëta e kështu u errësua zemra e tyre e pakuptimtë…. Prandaj edhe Perëndia lejoi të bien, sipas prirjeve të zemrës së tyre, në fëlligështi duke ç’nderuar vetë trupin e tyre. Ata e ndërruan Perëndinë e vërtetë me idhuj: nderuan dhe u shërbyen krijesave në vend të Krijuesit… Për këtë arsye Perëndia i dorëzoi ata në dashuri të turpshme… Dhe, pasi vendosën se për ta nuk vlen të jetojnë si mëson Perëndia, vetë Perëndia lejoi që ta ndjekin mendjen e tyre të prishur, e kështu të bëjnë çka nuk u ka hije; duke u mbushur me të gjitha paudhësitë, me ligësi, kurvëri, koprraci, poshtërsi, zili, vrasje, grindje, mashtrim, keqdashje, pëshpëritje, thashetheme, shpifje, urryes të Perëndisë, të pandershëm, krenar, arrogant, shpikës të gjërave të këqija, të pabindur ndaj prindërve, budallenj, të pabesëve, pa dashuri, pa besnikëri, pa mëshirë. Të cilët, edhe pse e njihnin drejtësinë e Hyjit, nuk e kuptuan se ata që i bëjnë këto vepra meritojnë vdekjen; dhe jo vetëm ata që i kryejnë këto vepra, por madje edhe ata që i miratojnë ata që i kryejnë këto.” (Romakëve 1:21-31)

 

Dobësia e njerëzve të Kishës

 

E përballur me këtë situatë, Kisha që doli nga Këshilli gjeti veten në një rrugë qorre. Kjo ishte e pashmangshme që nga dita kur dialogu zëvendësoi predikimin e së Vërtetës. Vullneti për t’iu përshtatur botës, për ta pranuar atë ashtu siç është, pa dënuar gabimet, pa ju kundërvënë më, po prodhon frytet e tij përfundimtare. Ekzistojnë tashmë grupe të konsiderueshme në Kishë që përkrahin hapur pranimin e neverive të përmendura më lart. Grupe të tjera të Kishës duket se nuk dinë më se si t’i kundërshtojnë ato. Me pak fjalë, gjithçka është gati për një Sodomë dhe Gomorrë të re.

 

Nevoja për mjete të përshtatshme

 

Kushti i parë i çdo zgjidhjeje të mundshme është të hapim sytë dhe të kuptojmë se ky model i ri na prek të gjithë. Duke qenë në kulturën dominuese, ai është kudo: në të folur, në moda, në art, në shfaqje, në rrugë. Është në mesazhet që ne vazhdimisht marrim, sepse është prizmi i kohës sonë përmes së cilit gjithçka filtrohet dhe paraqitet. Prandaj ne duhet të jemi më të vetëdijshëm për këtë: ajri që marrim është i helmuar, interneti, me të cilin gjithnjë e më shumë jemi të detyruar të jetojmë dhe të konsumojmë është i helmuar, dhe e përhap murtajën, madje edhe në qoshet më të largëta të botës. E gjithë kjo domosdoshmërisht na prek. Dhe përsëri, më të pambrojturit ndaj këtij helmi të tmerrshëm janë fëmijët dhe të rinjtë, duke filluar me familjet tona.

 

Heroizmi i krishterë: dy karakteristikat e tij thelbësore

 

Po pasi të kemi hapur sytë? Nëse Perëndia e lejon, si kurrë më parë, këtë universalitet të së keqes, këtë perandori të re pagane, sigurisht që e bën me qëllimin e ngjalljes së heroizmit të krishterë në të gjithë botën. Ne nuk mund të jetojmë jashtë kësaj perandorie, por ne mund të jetojmë në të pa u shtypur prej saj. Ne mund t’i mbijetojmë asaj nëse ne vetë “diskriminojmë” veten, domethënë, nëse i qëndrojmë larg.

 

Ky heroizëm, të cilin të Krishterët kanë demonstruar më parë në perandoritë pagane, ka dy karakteristika të veçanta.

 

Së pari, fillon, ushqehet dhe zhvillohet në errësirë. Ka nevojë për hapësirë që të rritet. Ka nevojë për lutje që të rritet në dashurinë e Perëndisë dhe në urrejtjen më radikale të mëkatit. Nuk mund të bëhet brenda ditës. Veprat e mëdha, shprehja e këtij heroizmi, kanë qenë gjithmonë rezultat i një qëndrueshmërie të fshehur dhe një qëndrueshmërie të papërkulshme gjatë viteve. Heroizmi i kryqit presupozon fshehtësinë e Grazhdes në Betlehem dhe të shtëpisë së Nazaretit. Qëndrueshmëria përfundimtare do t’u jepet vetëm atyre që, në jetën e përditshme, në veprat e tyre më të zakonshme, kanë qenë në gjendje të mbrojnë veten nga e keqja dhe të abstenojnë nga mëkati me një heroizëm që vetëm Perëndia – i cili teston frerët dhe zemrat – do ti njohë dhe shpërblejë. Deklaratat dhe veprat e jashtme, pa një zemër të pastër, pa një konvertim të vërtetë të brendshëm, do të rrezikonin të na linin në iluzion, madje edhe hipokrizi. Abrahami zotëronte këtë zemër të pastër, të fiksuar në Perëndinë, dhe e lejoi që të largohej nga të gjitha ato që Sodoma përfaqësonte. Loti, megjithëse vetë një njeri i drejtë (2 Pjetri 2: 7-8), zgjodhi të jetonte në Sodomë dhe të qëndronte aty: ky mjedis, pavarësisht çdo gjëje, e kënaqi atë, dhe fëmijët e tij për fat të keq nuk i shpëtuan ndikimeve të këqija.

 

Tipari i dytë i këtij heroizmi, i cili gjithashtu duhet të shfaqet gjatë viteve, është dhurimi radikal i vetvetes. Është shenja e qartë e dashurisë. Shpallja e besimit është efektive vetëm nëse shoqërohet me një bujari të vërtetë në dhurimin e vetvetes ndaj Perëndisë, që na bën të duam gjithçka që Ai do ashtu si Ai e do dhe të urrejmë gjithçka që Ai e urren. Pa atë dashuri, nuk mund ta kemi atë urrejtje. Dhe pa këtë urrejtje, ne nuk mund t’i rezistojmë një joshjeje që do të bëhet gjithnjë e më delikate, e thellë dhe universale, një joshje nga e cila familja e Lotit nuk mundi të shpëtojë plotësisht.

 

Credidimus Caritati: Tre armë të privilegjuara

 

Le t’i hapim sytë tani, le t’ua hapim sytë fëmijëve tanë, para se të zgjohemi të gllabëruar në Sodomën e re. Le t’i mësojmë së pari fëmijët tanë me shembullin tonë, dashurinë tonë dhe urrejtjen tonë. Mos të presim për t’i mbrojtur ata. Le të heqim nga shtëpitë tona gjithçka që mund të ndihmojë në përhapjen e frymës së botës, pa kompromis, me një mospërputhje të butë dhe të shëndetshme. Mos të jemi naivë apo të dobët: asnjë familje, askush nuk duhet të besojë se është i sigurt. Korruptimi tashmë është shumë më i thellë se sa ne mendojmë, dhe përparimi i tij është i pandalshëm.

 

Në të njëjtën kohë, mos të harrojmë se kjo betejë është thelbësisht mbinatyrore. Ne nuk mund t’i kundërvihemi mashtrimeve satanike me mjete thjesht natyrore. Ekzistojnë tre mjete kryesore mbinatyrore, dhe ne duhet t’i rizbulojmë vazhdimisht ato.

 

I pari është Mesha e Shenjtë: është nëpërmjet saj që Zoti ynë vazhdon të mposhtë djallin dhe mëkatin. Ne kurrë nuk do ta vlerësojmë këtë mjet në të gjithë vlerën e saj dhe ne kurrë nuk do të mbështetemi më shumë se ç’duhet në të. Është Gjaku i Çmuar i ofruar në altarët tanë që do të mbajë, deri në fund të kohës, fuqinë për të gjeneruar pastërtinë dhe virgjërinë, madje edhe në mes të Sodomës së re. Mesha është kryevepra e dashurisë së Zotit tonë për shpirtrat dhe ushqen në ta të njëjtën dashuri që i forcon ata deri në pikën e vetë-dhënies.

 

Mjeti i dytë është Rruzarja e Shenjtë. Ky mjet kaq i zakonshëm duhet të rizbulohet në familjet tona. Ne duhet të shohim në të udhën për të zhytur veten gjithnjë e më shumë në misteret e mëdha të jetës së Zotit dhe Zojës Tonë. Përmes saj, të udhëhequr nga Nëna jonë, ne bëhemi të aftë për t’i imituar ata në ofrimin e vetes ndaj Perëndisë, në frymën e tyre të sakrificës dhe në dlirësinë e tyre. Për fat të keq, në disa raste, ne nuk jemi në gjendje të gjejmë kohën e nevojshme për t’u lutur së bashku. Rruzarja duhet të jetë, para së gjithash, një aktivitet familjar ditor. Rreth saj ne duhet të organizojmë ditën tonë. Në familjet ku ky është rregulli, hiri i qëndrueshmërisë së fëmijëve nuk do të dështojë.

 

Mjeti i tretë sigurisht që është më specifiku për situatën aktuale për të siguruar qëndrueshmëri: është Zemra e Papërlyer e Marisë. Në Providencën e Tij, Zoti ynë dëshiroi të na ofronte një strehë në mes të Sodomës dhe Gomorës. Është kjo streha në të cilën ne duhet të hyjmë. Domethënë, ne duhet të rrënjosim midis zemrës sonë dhe të Virgjëreshës një intimitet të tillë që ne të mund të njohim dhe të admirojmë jetën e brendshme të Virgjëreshës, të ndajmë dëshirat e saj, gëzimet e saj, dhimbjet e saj dhe shqetësimet e saj. Ne duhet të ndajmë gjithashtu, mbi të gjitha, gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar plotësisht në punën e Shelbimit.

 

Çfarë do të zbulojmë në këtë zemër që nuk mund të gjejmë diku tjetër? Mbi të gjitha, ne do të gjejmë dashurinë e parezistueshme që i bën shpirtrat të pamposhtur. Këtu qëndron sekreti i fitores dhe aty është vendi ku duhet të gjendet. Kur një shpirt dashuron me të vërtetë, është i gatshëm të përballet me çdo provë. Çdo frikë legjitime dhe e kuptueshme zhduket; të gjitha dobësitë shuhen; heroizmi bëhet i arritshëm. Në të vërtetë, gjithçka që sapo kemi përmendur në reflektimet e mëparshme ka të bëjë me dashurinë radikale. Dashuria e vërtetë, ajo dashuri që Perëndia derdh në zemrat tona, gjithmonë triumfon. Kur mbretëron dashuria, ajo vendos çdo gjë nën kontroll. Dashuria për të cilën po flasim nuk është sinonim me dobësinë, por me forcën. Është arma që asgjë nuk mund t’a pengojë. Vetëm dashuria e shpirtrave të gatshëm për martirizim mund të triumfojë mbi perandorinë e egoizmit dhe papastërtisë. Dhe është në Zemrën e Virgjëreshës vendi ku ne do të gjejmë shembullin dhe burimin e kësaj dashurie që nuk ekziston më në botë, por që ne duhet ta zotojmë.

Credidimus caritati.

 

Zoti ju bekoftë të gjithë!

 

Menzingen, 3 shtator 2022, 

Në festën e Shën Piut X

 

Don Davide Pagliarani, Superior i Përgjithshëm FSSPX