Sancta Maria, Mater Dei,
ora pro nobis peccatoribus

Zoja e Fatimas dhe Shpirtrat e Purgatorit

Gjatë shfaqjes së parë të Zojës në Fatima, më 13 maj 1917, Lucia e pyeti Virgjëreshën e Bekuar nëse shoqja e saj Amelia, e cila kishte vdekur së fundmi, ishte në parajsë. Zoja përgjigjet: “Ajo do të jetë në Purgator deri në fund të botës”.

 

Zoja, e cila më parë premtoi se Francesku, Jasinta dhe Lucia do të shkonin në parajsë, tani shpjegon se “të shkosh në parajsë” nuk është aq e lehtë.

 

Rruga drejt shenjtërisë është një punë e vështirë dhe kërkon bujari heroike. Nëse “të shkuarit në Parajsë” ose me fjalë të tjera shpëtimi i shpirtrave, shenjtëria dhe lumturia në “Dritën që është Vetë Zoti” ishte qëllimi kryesor i shfaqjes së Zojës, është gjithashtu e rëndësishme të dihet se vetëm “ata që janë plotësisht të pastër do ta shohin Zotin” dhe për aq kohë sa njeriu është i infektuar nga errësira (mëkati) ai nuk mund të bashkohet me Të, i Cili është drita e pastër.

 

Por duke qenë se pothuajse askush nuk e gjen veten krejtësisht të pastër në momentin e vdekjes, pothuajse askush nuk mund të shkonte në Parajsë, nëse mëshira e Zotit nuk do të kishte krijuar “mundësinë e pastrimit pas vdekjes”: Purgatorin. Por ky vend pastrimi është një zjarr shpirtëror, i cili pastron shpirtrat nëpërmet vuajtjeve të tmerrshme. Zoja përdor shembullin e shoqes së Luçisë, Amelisë, për të treguar se sa të forta mund të jenë këto vuajtje: “deri në fund të botës”. Që e përkthyer në gjuhën tonë do të thotë: vuajtje të plota deri në fund të të gjitha mundësive. Nëse, sipas Etërve të Kishës, një minutë në Purgator është më shumë se 100 vjet vuajtje më të rënda këtu në tokë, ne mund të kemi një ide se çfarë do të thotë “deri në fund të botës”. Duhet të reflektojmë shumë në këtë mësim, ne të cilët jemi plotësisht të zënë me problemet dhe vuajtjet tona tokësore, të mbyllur në vitet tona të shkurtra në tokë dhe grupin e vogël të njerëzve që na rrethojnë.

 

Jeta në tokë mund të krahasohet me një kodër të vogël, nga e cila ne shikojmë poshtë në një luginë plot me një zjarr të madh në të cilin digjen shpirtra të panumërt. Midis tyre mund të njohim paraardhësit, të afërmit dhe miqtë tanë. Dhe të gjithë ata i kanë ngulur sytë në Qiell dhe në këtë kodër të vogël, që është toka, nga ku mund të merrnin lehtësim të pamasë dhe shpesh çlirim të plotë të dhimbjeve të tyre, sikur njerëzit të mos ishin të zënë vetëm me veten e tyre, por të kishin një dashuri të vogël për të afërmit për t’i ndihmuar në dhimbjet e tyre.

 

Zoja na kujton që në fillimet e shfaqjes së saj këtë botë gjigante të Purgatorit të mbushur me miliarda shpirtra. Ajo e bën këtë, së pari, për të na nxitur t’i ndihmojmë ata (sepse të gjithë janë fëmijët e saj të dashur), dhe së dyti, për të na kujtuar se për shumë e shumë vite ky mund të jetë vendi ynë pas një kohe të shkurtër në tokë, nëse ne nuk na intereson për “të shkuar në parajsë”. Meditimi mbi Purgatorin na ndihmon të shkëputemi nga bota jonë e vogël qesharake dhe të hedhim një vështrim në “botën tjetër”, atë thelbësore dhe të vërtetë, dhe kështu të jetojmë në të vërtetën.