Kushtimi i Arqbazilikës së Shelbuesit (Shën Gjon Lateranit)
Sot është ditëlindja e nënës dhe zonjës së kishave, e quajtur “Bazilika e Shpëtimtarit tonë, Aula Dei (pallati i Zotit), Bazilika e artë; është një Sinai i ri, prej ku profetët apostolik dhe kaq shumë Koncile i kanë shpallur botës ligjin e shpëtimit. Nuk është çudi që kjo festë festohet nga e gjithë bota.
Edhe pse papët prej shekujsh nuk banojnë në pallatin Lateran, Bazilika ende mban gradën e parë. Është po aq e vërtetë tani sa ishte në kohën e Shën Pjetër Damianit, të thuhet se “sikurse Shpëtimtari ynë është Kreu i të zgjedhurve, ashtu edhe Kisha që mban emrin e tij është kreu i të gjitha kishave; ato të Shën Pjetrit dhe të Shën Palit, në të djathtë dhe në të majtë të saj, janë dy krahët me të cilët kjo kishë sovrane dhe universale përqafon gjithë tokën, duke shpëtuar të gjithë ata që dëshirojnë shpëtimin, duke i ruajtur dhe mbrojtur në gjirin e saj amnor. Dhe Shën Pjetër Damiani i ngjiti për Shpëtimtarin tonë dhe Bazilikën e tij fjalët e profetit Zakaria: “Ja një Njeri, Orienti është emri i Tij; dhe nën të ai do të mbijë dhe do të ndërtojë një tempull për Zotin. Po, ai do të ndërtojë një tempull për Zotin dhe do të mbart lavdinë, do të ulet dhe do të mbretërojë mbi fronin e tij; dhe do të jetë prift mbi fronin e tij.”
Në shekullin e katërt, ndërprerja e persekutimit dukej se i dha botës një shije paraprake të hyrjes së saj të ardhshme në paqen e përjetshme. “Lavdi të Plotfuqishmit! Lavdi Shëlbuesit të shpirtrave tanë!” shkroi Eusebius në hapjen e librit të dhjetë dhe të fundit të Historisë së tij. Vetë dëshmitar i triumfit, ai përshkruan spektaklin e admirueshëm kudo të shfaqur nga kushtimi i kishave të reja. Qytet pas qyteti ipeshkvinjtë dhe turmat u mblodhën së bashku. Nga kombi në komb, dashamirësia e dashurisë reciproke, e besimit të përbashkët dhe e gëzimit, i harmonizoi aq shumë të gjitha zemrat sa uniteti i trupit të Krishtit u shfaq qartë në këto turma të gjallëruara nga i njëjti frymëzim i Shpirtit të Shenjtë. Ishte përmbushja e profecive të lashta: qyteti i gjallë i Zotit të gjallë, ku të gjithë, pavarësisht nga mosha apo gjinia, lavdërojnë së bashku Autorin e të gjitha të mirave. Sa solemne ishin atëherë ritet e Kishës! Përsosmëria e plotë e shfaqur aty nga Papët, entuziazmi i psalmodisë, leximet e frymëzuara, kremtimi i Mistereve të papërshkrueshme, formuan një spektakël hyjnor!
Kur perandori Konstandin kishte fituar shëndetin e trupit dhe të shpirtit me anë të Sakramentit të Pagëzimit, ai shpalli një ligj për të gjithë botën, duke i lejuar të krishterët të ndërtonin kisha; dhe ai i inkurajoi ata në këtë punë me shembullin e tij si dhe me këtë dekret: Kështu, në pallatin e tij Lateran ai i kushtoi një kishë Shpëtimtarit tonë; dhe themeloi pagëzimoren ngjitur në nder të Shën Gjon Pagëzuesit, pikërisht në vendin ku ai vetë ishte pagëzuar nga Papa Shën Silvestri dhe ishte pastruar nga lebroza e tij. Sot festojmë ditën, kur për herë të parë një kishë u kushtua publikisht në Romë dhe u shfaq para syve të popullit romak një imazh i Shpëtimtarit tonë të vizatuar në mur.
Është ende në Bazilikën e Lateranit që Papët Romakë marrin në zotërim zyrtarisht Selinë e tyre. Aty çdo vit, në emër të Papës si ipeshkëv i Romës, kryhen funksionet ipeshkvore, dmth: bekimi i Vajrave të Shenjtë të Enjten e Madhe dhe të Shtunën e Madhe bekimi i Fontit, Pagëzimi dhe Konfirmimi solemn dhe Shugurimet e përgjithshme. Nëse do mund të rikthehej në jetë poeti i madh i epokës së triumfit, Prudentius, në ditët tona, ai do mund të thoshte akoma: “Populli romak nxiton në turma energjike për në Lateran, prej nga kthehen të shënuar me shenjën e shenjtë, me krizmin mbretëror. Dhe ne akoma nuk dyshojmë se Roma të është kushtuar Ty, o Krisht!”